2021
Besimi për të Pyetur dhe Pastaj për të Vepruar
Nëntor 2021


15:37

Besimi për të Pyetur dhe Pastaj për të Vepruar

Besimi te Jezu Krishti është çelësi për të marrë zbulesa të së vërtetës.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës për mundësinë për t’ju folur në këtë sesion të mbrëmjes të së shtunës të konferencës së përgjithshme. Në mesazhin e tij hyrës në konferencë këtë mëngjes, Presidenti Rasëll M. Nelson tha se “zbulesa e kulluar për pyetjet në zemrën tuaj, do ta bëjë këtë konferencë shpërblyese dhe të paharrueshme. Në qoftë se nuk e keni kërkuar ende shërbesën e Frymës së Shenjtë që t’ju ndihmojë për të dëgjuar atë që Zoti do t’ju vinte të dëgjonit gjatë këtyre dy ditëve, unë ju ftoj ta bëni këtë tani.”1 E kam kërkuar atë bekim teksa jam përgatitur që të marr zbulesë për këtë takim me ju. Lutja ime më e sinqertë është që ju të mund të merrni zbulesë nga Perëndia.

Mënyra për të marrë zbulesë nga Perëndia nuk ka ndryshuar që nga koha e Adamit dhe Evës. Ka qenë e njëjta mënyrë për të gjithë shërbëtorët e thirrur të Zotit që nga fillimi e deri më sot. Është e njëjta mënyra si për ju edhe për mua. Kjo bëhet gjithmonë duke ushtruar besim.2

Jozef Smithi adoleshent kishte besim të mjaftueshëm që t’i bënte një pyetje Perëndisë, duke besuar se Perëndia do t’i përgjigjej nevojës së tij të çiltër. Përgjigjja që erdhi, e ndryshoi botën. Ai dëshironte të dinte se me cilën kishë të bashkohej për t’u pastruar nga mëkati. Përgjigjja që ai mori, i dha zemër që të vazhdonte të bënte pyetje edhe më të mira dhe të vepronte sipas rrjedhës së vazhdueshme të zbulesës që sapo kishte filluar.3

Përvoja juaj mund të jetë e ngjashme në këtë konferencë. Ju keni pyetje për të cilat kërkoni përgjigje. Ju keni të paktën besim të mjaftueshëm sa të shpresoni se do të merrni përgjigje nga Zoti nëpërmjet shërbëtorëve të Tij.4 Ju nuk do të keni mundësi të bëni pyetje me zë të lartë për të marrë përgjigje nga folësit, por mund ta pyetni Atin tuaj të dashur në lutje.

E di nga përvoja se përgjigjet do të vijnë në përshtatje me nevojat tuaja dhe përgatitjen tuaj shpirtërore. Nëse ju nevojitet një përgjigje që është e rëndësishme për mirëqenien tuaj të përjetshme ose atë të të tjerëve, përgjigjja ka më shumë të ngjarë të vijë. Megjithatë, edhe atëherë, ju mund të merrni – siç mori Jozef Smithi – përgjigjen për të qenë të duruar.5

Nëse besimi juaj te Jezu Krishti ju ka sjellë zbutje të zemrës nëpërmjet efekteve të Shlyerjes së Tij, ju do të jeni më të aftë t’i ndieni pëshpëritjet e Shpirtit si përgjigje ndaj lutjeve tuaja. Përvoja ime vetjake është se zëri i qetë dhe i vogël – që është i vërtetë – është i qartë dhe i dallueshëm në mendjen time kur ndiej një qetësi të brendshme dhe nënshtrim ndaj vullnetit të Zotit. Ajo ndjenjë përulësie mund të përshkruhet më së miri me fjalët: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”6.

Ky proces i zbulesës është arsyeja që do të dëgjoni folës të japin mësim në këtë konferencë për atë që quhet doktrina e Krishtit.7 Zbulesa na vjen në përpjesëtim të drejtë me shkallën me të cilën kemi kërkuar ta marrim doktrinën e Krishtit në zemrat tona dhe ta përvetësojmë atë në jetën tonë.

Ju e kujtoni nga Libri i Mormonit që Nefi na mësoi se besimi te Jezu Krishti është çelësi për marrjen e zbulesave të së vërtetës dhe çelësi për pasjen e vetëbesimit se po e ndjekim udhëzimin e Shpëtimtarit. Nefi shkroi fjalët vijuese shekuj përpara lindjes së Jezu Krishtit në vdekshmëri:

“Engjëjt flasin nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; prandaj, ata flasin fjalët e Krishtit. Prandaj, unë ju thashë, ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni.

Kështu që tani, pasi ju kam folur këto fjalë, në qoftë se ju nuk mund t’i kuptoni ato, do të jetë, sepse nuk pyesni as nuk trokitni; prandaj, ju nuk jeni çuar te drita, por duhet të mbaroni në errësirë.

Pasi vini re, përsëri unë ju them se, në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni.

Vini re, kjo është doktrina e Krishtit dhe nuk do të jepet asnjë doktrinë tjetër, derisa ai ta shfaqë veten e tij te ju në mish. Dhe kur ai do të shfaqë veten e tij te ju në mish, gjërat që ai do t’ju thotë, ju duhet të kujdeseni t’i bëni.”8

Zoti do t’ju thotë ju dhe mua gjëra nëpërmjet shërbëtorëve të Tij sot dhe në ditët e ardhshme. Ai do të na thotë se çfarë gjërash duhet të bëjmë.9 Shpëtimtari nuk do të na japë juve dhe mua urdhra me zë të lartë. Sikurse Ai i dha mësim Elijas:

“Perëndia i tha: ‘Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit’. Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet.

Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël.”10

Dëgjimi i atij zëri do të vijë nga besimi ynë tek Ai. Me besim të mjaftueshëm, ne do të kërkojmë udhëzim me qëllimin që të shkojmë dhe të bëjmë çfarëdo gjëje që Ai kërkon.11 Ne do të kemi zhvilluar besimin për të ditur se çfarëdo gjëje që Ai të kërkojë, do t’i bekojë të tjerët dhe se ne mund të pastrohemi gjatë procesit për shkak të dashurisë së Tij për ne.

Kur besimi ynë te Jezu Krishti do të na ketë shtyrë t’i kërkojmë Atit përgjigje, ai besim do të na ketë sjellë edhe prekjen lehtësuese të Shpëtimtarit, të mjaftueshme që ne ta dëgjojmë udhëzimin e Tij dhe që të jemi të vendosur dhe të entuziazmuar për t’u bindur. Ne më pas do t’i këndojmë me gëzim fjalët e himnit, edhe kur puna të jetë e vështirë: “E ëmbël puna, Per’ndia im”12.

Sa më shumë ta kemi doktrinën e Krishtit në jetën dhe zemrën tonë, aq më shumë dashuri dhe keqardhje më të madhe ndiejmë ndaj atyre që nuk i kanë pasur asnjëherë bekimet e besimit te Jezu Krishti ose që po hasin vështirësi për ta ruajtur atë. Është e vështirë t’i zbatosh urdhërimet e Zotit pa besim dhe mirëbesim tek Ai. Ndërsa disa njerëz e humbasin besimin te Shpëtimtari, ata madje edhe mund ta sulmojnë këshillën e Tij, duke e quajtur të mirë të keqen dhe të keqe të mirën.13 Për ta shmangur këtë gabim tragjik, është thelbësore që çfarëdo zbulese vetjake që marrim të jetë në harmoni me mësimet e Zotit dhe të profetëve të Tij.

Vëllezër dhe motra, duhet besim për të qenë të bindur ndaj urdhërimeve të Zotit. Duhet besim te Jezu Krishti për t’u shërbyer të tjerëve në emër të Tij. Duhet besim për të dalë ta japësh mësim ungjillin e Tij dhe t’ua ofrosh atë njerëzve, të cilët mund të mos e ndiejnë zërin e Shpirtit ose madje mund ta mohojnë realitetin e mesazhit. Por teksa ne ushtrojmë besimin tonë te Krishti – dhe e ndjekim profetin e Tij të gjallë – besimi do të rritet anembanë botës. Për shkak të teknologjisë, mbase më shumë fëmijë të Perëndisë do ta dëgjojnë dhe kuptojnë fjalën e Perëndisë këtë fundjavë sesa kurrë më parë gjatë dy ditëve të tjera në histori.

Me besim gjithnjë e më të madh se kjo është Kisha e Zotit dhe mbretëria në tokë, më shumë anëtarë paguajnë të dhjetën dhe dhurojnë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve nevojtarë, madje edhe teksa ata anëtarë përballen me sprovat e veta. Me besimin se janë thirrur nga Jezu Krishti, misionarët anembanë botës kanë gjetur mënyra se si të ngrihen mbi sfidat e krijuara nga një pandemi, duke e bërë këtë me guxim dhe zemër. Gjatë përpjekjeve të tyre të shtuara, besimi i tyre është bërë edhe më i fortë.

Kundërshtimi dhe sprovat kanë qenë prej kohësh një farishtë për rritjen e besimit. Kjo ka qenë gjithnjë e vërtetë, veçanërisht që prej fillimit të Rivendosjes dhe themelimit të Kishës së Zotit.14

Ajo që tha Presidenti Xhorxh Q. Kenon kohë më parë është e vërtetë edhe sot, dhe do të jetë derisa Shpëtimtari të vijë vetë për ta udhëhequr Kishën e Tij dhe popullin e Tij: “Bindja ndaj Ungjillit i sjell [njerëzit] në një marrëdhënie tepër të ngushtë dhe të afërt me Zotin. Ajo vendos një lidhje të ngushtë ndërmjet njerëzve në tokë dhe Krijuesit tonë të Madh në qiell. Ajo i sjell mendjes njerëzore një ndjenjë të përkryer vetëbesimi tek i Gjithëfuqishmi dhe te gatishmëria e Tij për t’i dëgjuar dhe për t’iu përgjigjur përgjërimeve të atyre që i mirëbesojnë Atij. Në kohë sprovash dhe vështirësish ky vetëbesim nuk ka çmim. Shqetësimi mund të vijë mbi individin ose mbi njerëzit, mund të na kanosen gjëmat dhe çdo shpresë njerëzore mund të duket se do të shuhet, megjithatë, aty ku [njerëzit] kanë parë dobinë e privilegjeve që sjell bindja ndaj Ungjillit, ata kanë një vend të sigurt ku të qëndrojnë; këmbët e tyre janë mbi një shkëmb që nuk mund të lëvizet.”15

Dëshmimi im është se shkëmbi mbi të cilin ne qëndrojmë, është dëshmia jonë se Jezusi është Krishti; se kjo është Kisha e Tij, të cilën Ai e udhëheq personalisht dhe se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Tij i gjallë sot.

Presidenti Nelson kërkon dhe merr udhëzim nga Zoti. Ai është për mua një shembull i kërkimit të atij udhëzimi me vendosmërinë për ta ndjekur atë. Po e njëjta vendosmëri për të qenë të bindur ndaj udhëzimit të Zotit është në zemrat e të gjithë atyre që kanë folur ose do të flasin, luten ose këndojnë në këtë konferencë të përgjithshme të Kishës së Tij.

Unë lutem që njerëzit në mbarë botën të cilët e shikojnë ose e dëgjojnë këtë konferencë, do të kenë ndjenjën e dashurisë së Zotit për ta. Ati Qiellor i është përgjigjur lutjes sime që unë të mund të ndiej të paktën një pjesëz të vogël të dashurisë së Shpëtimtarit për ju dhe dashurinë e Tij për Atin e Tij Qiellor, i cili është edhe Ati ynë Qiellor.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti jeton. Ai është Shpëtimtari ynë dhe Shëlbuesi ynë. Kjo është Kisha e Tij. Ai është në krye të saj. Ai, me Atin e Tij Qiellor, iu shfaqën fizikisht Jozef Smithit në një korie me pemë në Nju‑Jork. Ungjilli i Jezu Krishtit dhe priftëria e Tij u rivendosën nëpërmjet lajmëtarëve qiellorë.16 Me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, e di se kjo është e vërtetë.

Unë lutem që ju të mund të keni po atë dëshmi. Lutem që ju t’i kërkoni Atit Qiellor besimin që ju nevojitet te Jezu Krishti për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet që do ta lejojnë Frymën e Shenjtë të jetë shoqëruesi juaj i vazhdueshëm. Po e mbyll me dashurinë time dhe dëshminë time të sigurt, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.