2021
Denjësia Nuk Është të Jesh i Patëmetë
Nëntor 2021


10:52

Denjësia Nuk Është të Jesh i Patëmetë

Kur ndieni se keni dështuar shumë herë më tepër se sa duhet për të vazhduar të përpiqeni, kujtoni se Shlyerja e Krishtit, dhe hiri që ajo e bën të mundur janë të vërteta.

Një herë u dërgova një mesazh vajzës dhe dhëndrit tim duke përdorur funksionin që e kthen zërin në tekst në telefonin tim. Thashë: “Ej, ju të dy. Ju dua vërtet.” Ata morën mesazhin: “Ju urrej të dyve. Duhet t’ju dua.” A nuk është e habitshme se si një mesazh pozitiv dhe me qëllim të mirë mund të keqkuptohet fare lehtë? Kjo është ajo që ndodh ndonjëherë me mesazhet e Perëndisë për pendimin dhe denjësinë.

Disa njerëz gabimisht marrin mesazhin se pendimi dhe ndryshimi janë të panevojshëm. Mesazhi i Perëndisë është se ata janë thelbësorë.1 Por a nuk na do Perëndia pavarësisht nga mangësitë tona? Patjetër! Ai na do përsosurisht. I dua nipërit e mbesat e mia, me papërsosuritë e tyre dhe gjithçka tjetër, por kjo nuk do të thotë që nuk dua që ata të përmirësohen dhe të bëhen gjithçka që mund të bëhen. Perëndia na do siç jemi, por Ai gjithashtu na do aq shumë sa të mos na lërë siç jemi.2 Të rritemi për Zotin është gjithë qëllimi i vdekshmërisë.3 Ndryshimi është gjithë qëllimi i Shlyerjes së Krishtit. Krishti jo vetëm që mund të na ringjallë, pastrojë, ngushëllojë dhe shërojë, por nëpërmjet këtyre të gjithave, Ai mund të na shndërrojë që të bëhemi më shumë si Ai.4

Disa njerëz gabimisht marrin mesazhin se pendimi është një ngjarje që ndodh veç një herë. Mesazhi i Perëndisë është se, siç ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson: “Pendimi … është një proces”5. Pendimi mund të kërkojë kohë dhe përpjekje të përsëritura,6 prandaj braktisja e mëkatit7 dhe pasja e “prirje[s që] të [mos] bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht”8 janë synime për tërë jetën.9

Jeta është si një udhëtim nga njëri cep i një shteti në tjetrin. Ne nuk mund të arrijmë në vendmbërritjen tonë duke e mbushur vetëm një herë serbatorin. Duhet ta rimbushim atë vazhdimisht. Marrja e sakramentit është si të ndalosh në një pikë karburanti. Ndërsa pendohemi dhe i ripërtërijmë besëlidhjet tona, ne premtojmë gatishmërinë tonë për t’i zbatuar urdhërimet dhe Perëndia e Krishti na bekojnë me Shpirtin e Shenjtë.10 Me pak fjalë, ne premtojmë të shkojmë përpara në udhëtimin tonë dhe Perëndia e Krishti premtojnë ta mbushin serbatorin tonë.

Disa njerëz gabimisht marrin mesazhin se nuk janë të denjë për të marrë pjesë plotësisht në ungjill ngaqë nuk janë tërësisht të lirë nga zakonet e këqija. Mesazhi i Perëndisë është se denjësia nuk është të jesh i patëmetë.11 Denjësia është të jesh i ndershëm dhe të përpiqesh. Ne duhet të jemi të ndershëm me Perëndinë, udhëheqësit e priftërisë dhe të tjerët që na duan12, dhe duhet të përpiqemi fort që t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë dhe të mos heqim kurrë dorë ngaqë rrëshqasim.13 Plaku Brus C. Heifën tha se zhvillimi i karakterit si të Krishtit “kërkon durim dhe këmbëngulje më shumë sesa kërkon të jesh i patëmetë”14. Zoti ka thënë se dhuratat e Shpirtit “jepen për përfitimin e atyre që më duan e që i zbatojnë të gjitha urdhërimet e mia, dhe të atij që kërkon të bëjë kështu15.

Një i ri, që do ta quaj Dejmën, shkroi: “Ndërsa rritesha, pata probleme me pornografinë. Ndihesha gjithmonë aq i turpëruar sa nuk mund t’i rregulloja gjërat.” Çdo herë që Dejmëni gabonte, dhembja e keqardhjes bëhej aq e fortë sa ai e gjykonte veten ashpër se nuk ishte i denjë për asnjë lloj hiri, faljeje ose mundësie tjetër nga Perëndia. Ai tha: “Vendosa që thjesht e meritoja të ndihesha tmerrësisht keq gjithë kohën. Mendoja se Perëndia ndoshta më urrente ngaqë nuk isha i gatshëm të punoja shumë dhe t’ia dilja mbanë kësaj njëherë e përgjithmonë. Do të kalonte një javë, ndonjëherë edhe një muaj, por pastaj do t’i kthehesha vesit dhe mendoja: ‘Nuk do të jem asnjëherë mjaft i mirë, prandaj ç’dobi ka që të përpiqem?’”

Në një çast të tillë shkurajimi, Dejmëni i tha udhëheqësit të tij të priftërisë: “Ndoshta duhet të mos vij më në kishë. Ndihem keq ngaqë jam një hipokrit.”

Udhëheqësi i tij u përgjigj: “Nuk je hipokrit, sepse ke një zakon të keq që po përpiqesh ta heqësh. Hipokrit je nëse e fsheh, gënjen për të ose përpiqesh ta bindësh veten se problemin e ka Kisha që mban standarde kaq të larta. Të qenit i sinqertë për veprimet e tua dhe hedhja e hapave për të shkuar përpara, nuk nënkuptojnë se je hipokrit. Nënkuptojnë se je një dishepull.”16 Ky udhëheqës citoi Plakun Riçard G. Skot, i cili dha mësim: “Zoti i sheh dobësitë ndryshe nga mënyra se si e sheh rebelimin. … Kur Zoti flet për dobësitë, flet gjithmonë me mëshirë.”17

Ky këndvështrim i dha shpresë Dejmënit. Ai e kuptoi se Perëndia nuk ishte atje lart duke thënë: “Dejmën, e djallose prapë”. Përkundrazi, Ai me siguri po thoshte: “Shih deri në ç’pikë ka arritur Dejmëni”. Ky i ri përfundimisht nuk e uli më vështrimin poshtë i turpëruar ose nuk e hodhi vështrimin sa andej-këtej për justifikime dhe shfajësime. Ai vështroi lart për ndihmë qiellore dhe e gjeti atë.18

Dejmëni tha: “Të vetmen herë që iu drejtova Perëndisë në të kaluarën, ishte për të kërkuar falje por tani kërkova edhe hirin – ‘fuqi[në e Tij] aftësuese. [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”]. Nuk e kisha bërë kurrë më parë. Këto ditë kaloj shumë më pak kohë duke e urryer veten për atë që kam bërë dhe shumë më tepër kohë duke e dashur Jezusin për atë që ka bërë Ai.”

Duke marrë parasysh se për sa kohë kishte hasur vështirësi Dejmëni, ishte e padobishme dhe jorealiste për prindërit dhe udhëheqësit që po i vinin në ndihmë, që t’i thoshin aq shpejt “kurrë më [nuk do të shohësh pornografi]” ose që në mënyrë arbitrare të vendosnin disa standarde mospërdorimi [të pornografisë] për t’u konsideruar “i denjë”. Përkundrazi, ata filluan me synime të vogla dhe të arritshme. Ata hoqën dorë nga pritshmëritë se ai do të hiqte dorë tërësisht dhe u përqendruan te rritja e përshkallëzuar, gjë që e lejoi Dejmënin të ndërtonte një sërë suksesesh në vend të dështimeve.19 Ai, sikurse populli i skllavëruar i Limhit, mësoi se mund të “përparon[te] pjesërisht”20.

Plaku D. Tod Kristoferson ka këshilluar: “Për t’u marrë me diçka [shumë] të madhe, mund të na nevojitet të punojmë me të në pjesë të vogla, të përditshme. … Përfshirja e zakoneve të reja e të shëndosha në karakterin tonë, ose mposhtja e zakoneve të këqija apo e vartësive, [më] shpesh do të nënkuptojë një përpjekje sot, të ndjekur nga një tjetër nesër dhe pastaj një tjetër, ndoshta për shumë ditë, madje muaj dhe vite. … Por ne mund ta bëjmë këtë, sepse mund t’i bëjmë thirrje Perëndisë … për ndihmën që na nevojitet çdo ditë.”21

Tani, vëllezër e motra, pandemia e COVID-19 nuk ka qenë e lehtë për askënd, por izolimi i shoqëruar me kufizimet e karantinës ua ka bërë jetën veçanërisht të vështirë atyre që luftojnë me zakonet e këqija. Mbajeni mend që ndryshimi është i mundur, pendimi është një proces dhe denjësia nuk është të jesh i patëmetë. Më e rëndësishmja, mbajeni mend që Perëndia dhe Krishti janë të gatshëm të na ndihmojnë pikërisht këtu dhe tani.22

Disa njerëz gabimisht marrin mesazhin se Perëndia pret për të na ndihmuar deri pasi të pendohemi. Mesazhi i Perëndisë është se Ai do të na ndihmojë teksa pendohemi. Hiri i Tij është në dispozicionin tonë “pavarësisht se ku jemi në shtegun e bindjes”23. Plaku Diter F. Uhtdorf ka thënë: “Perëndia nuk ka nevojë për njerëz që janë pa të meta. Ai kërkon ata që do të ofrojnë ‘zemrën dhe një mendje të gatshme’ [Doktrina e Besëlidhje 64:34] dhe Ai do t’i bëjë ata ‘të përsosur në Krisht’[Moroni 10:32–33].”24

Shumë njerëz janë lënduar nga marrëdhëniet e shkatërruara dhe të tensionuara sa është e vështirë për ta që të besojnë te dhembshuria dhe shpirtgjerësia e Perëndisë. Ata e kanë të vështirë ta shohin Perëndinë ashtu siç është – një Atë i dashur që takohet me ne në nevojën tonë25 dhe di se si t’u “japë … gjëra të mira atyre që ia kërkojnë atij”26. Hiri i Tij nuk është një çmim vetëm për të denjët. Është “ndihma hyjnore” që jep Ai, e cila na ndihmon të bëhemi të denjë. Nuk është një shpërblim vetëm për të drejtët. Është “dhurimi i forcës” që jep Ai, e cila na ndihmon të bëhemi të drejtë.27 Ne nuk po ecim thjesht drejt Perëndisë dhe Krishtit. Ne po ecim me Ta.28

Në të gjithë Kishën, të rinjtë e të rejat lexojnë Temën e Të Rejave dhe të Kuorumit të Priftërisë Aarone. Nga Zelanda e Re në Spanjë, nga Etiopia në Japoni, vajzat e reja thonë: “Unë e vlerësoj pa masë dhuratën e pendimit”. Nga Kili në Guatemala dhe deri në Moronaj të Jutës, të rinjtë thonë: “Teksa përpiqem fort të shërbej, të ushtroj besim, të pendohem dhe të përmirësohem çdo ditë, unë do të kualifikohem që të marr bekimet e tempullit dhe gëzimin e përhershëm të ungjillit”.

Ju premtoj se ato bekime dhe ai gëzim janë të vërteta dhe të arritshme për ata që i mbajnë të gjitha urdhërimet dhe për “at[ë] që kërkon të bëjë kështu”.29 Kur ndieni se keni dështuar shumë herë më tepër se sa duhet për të vazhduar të përpiqeni, kujtoni se Shlyerja e Krishtit, dhe hiri që ajo e bën të mundur janë të vërteta.30 “Krahu [i Tij] i mëshirës është shtrirë drejt jush.”” 31 Juve ju duan, sot, pas 20 vjetësh dhe përgjithmonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.