2021
Thjesht Bukur – Bukur Thjesht
Nëntor 2021


13:7

Thjesht Bukur – Bukur Thjesht

E mbajtshim të thjeshtë ungjillin teksa marrim mbi vete përgjegjësitë tona të caktuara në mënyrë hyjnore!

Hyrja

I ofroj një mirëseardhje të ngrohtë secilit prej jush që po merr pjesë në këtë konferencë.

Sot shpresoj të përshkruaj dy elemente të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, të ndjekur nga katër rrëfime emocionuese prej shenjtorëve të ditëve të mëvonshme anembanë botës që demonstrojnë vënien në zbatim të këtyre parimeve. Elementi i parë i ungjillit të rivendosur – vepra e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin – përqendrohet te përgjegjësitë e caktuara në mënyrë hyjnore. Elementi i dytë na kujton se ungjilli është i qartë, i çmuar dhe i thjeshtë.

Përgjegjësi të Caktuara në Mënyrë Hyjnore

Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet të “[vijmë] te Krishti dhe përsos[emi] në të”1. Kur vijmë te Krishti dhe i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ne marrim pjesë në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin, e cila përqendrohet te përgjegjësitë e caktuara në mënyrë hyjnore.2 Këto përgjegjësi hyjnore janë në përputhje me çelësat e priftërisë të rivendosur nga Moisiu, Eliasi dhe Elija, sikurse shënohen në seksionin 110 te Doktrina e Besëlidhje3, dhe urdhërimin e dytë të madh që na u dha nga Jezu Krishti për ta dashur të afërmin porsi vetveten.4 Ato gjenden te dy faqet e para të Manualit të Përgjithshëm të përditësuar, që është në dispozicion të të gjithë anëtarëve.

Nëse dëgjimi i fjalëve “Manuali i Përgjithshëm” ose “përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore” ju bën që të drithëroheni nga frika se i shihni si gjëra të ndërlikuara, ju lutem, mos u drithëroni. Këto përgjegjësi janë të thjeshta, frymëzuese, shtysëdhënëse dhe të realizueshme. Ja cilat janë:

  1. Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit

  2. Përkujdesja për njerëzit në nevojë

  3. Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin

  4. Bashkimi i familjeve për përjetësinë

Ju mund t’i shihni ato siç i shoh unë: si një hartë rrugore për t’u kthyer sërish tek Ati ynë i dashur Qiellor.

Elementet e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit

Ungjilli Është i Qartë, i Çmuar dhe i Thjeshtë

Është thënë se ungjilli i Jezu Krishtit është “thjesht i bukur dhe bukur i thjeshtë”5. Bota nuk është. Është e ndërlikuar, komplekse dhe e mbushur me trazira e mosmarrëveshje. Ne bekohemi kur ushtrojmë kujdes për të mos i lejuar gjërat komplekse, aq të zakonta në botë, që të ndërhyjnë te mënyra se si ne e pranojmë dhe e ushtrojmë ungjillin.

Presidenti Dallin H. Ouks vërejti: “Në ungjillin e Jezu Krishtit neve na mësohen shumë gjëra të vogla dhe të thjeshta. Duhet të kujtojmë se në përgjithësi dhe gjatë një periudhe të rëndësishme kohore, këto gjëra në dukje të vogla bëjnë të ndodhin gjëra të mëdha”6. Vetë Jezu Krishti përshkruan se zgjedha e Tij është e ëmbël dhe barra e Tij është e lehtë.7 Të gjithë ne duhet të përpiqemi fort që ta mbajmë të thjeshtë ungjillin: në jetën tonë, në familjet tona, në klasat dhe kuorumet tona dhe në lagjet e kunjet tona.

Teksa i dëgjoni historitë vijuese që do t’ju tregoj, kuptojeni se ato janë zgjedhur me kujdes që nga njëra anë t’ju frymëzojnë dhe nga ana tjetër t’ju informojnë. Veprat e secilit prej këtyre shenjtorëve të ditëve të mëvonshme bëhen një model për secilin prej nesh, për vënien në zbatim të ungjillit në mënyra të qarta, të çmuara dhe të thjeshta ndërkohë që përmbushin një nga përgjegjësitë e caktuara në mënyrë hyjnore të sapoparaqitura.

Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

Së pari, të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Jensi nga Danimarka lutet çdo ditë për ta jetuar ungjillin dhe i vëren nxitjet nga Fryma e Shenjtë. Ai ka mësuar që të veprojë shpejt kur ndihet i udhëzuar nga Shpirti.

Jensi nga Danimarka

Jensi tregoi sa vijon:

“Ne jetojmë në një shtëpi të vogël idilike të ndërthurur me trarë, me një çati kashte në mes të një fshati të rehatshëm e të vogël, pranë moçalit të fshatit.

fshat idilik
moçali i fshatit

Një natë, me motin më të bukur të verës daneze që mund të imagjinohet, dyert dhe dritaret ishin të hapura dhe gjithçka ishte në paqe dhe e qetë. Për shkak të netëve tona me dritë mbresëlënëse dhe të gjata të verës nuk e kisha marrë me nxitim që të zëvendësoja një llambë të djegur në qilarin tonë.

drita e qilarit

Befas, pata një ndjesi të fortë se duhet ta zëvendësoja menjëherë atë! Në të njëjtën kohë, e dëgjova bashkëshorten time, Marianën, të na thërriste mua dhe fëmijët për të larë duart sepse darka ishte gati!

Kam qenë i martuar aq gjatë sa ta dija se kjo nuk ishte koha që të filloja të bëja ndonjë gjë tjetër përveç larjes së duarve, por e dëgjova veten duke i thënë Marianës se do të shkoja një vrap deri te dyqani për të blerë një llambë të re. Ndjeva një shtysë të fortë për t’u larguar menjëherë.

Ushqimorja ishte në anën tjetër të moçalit. Zakonisht ecja deri aty, por sot mora biçikletën. Ndërkohë që po kaloja anash moçalit, me cep të syrit, pikasa një djalë të vogël, rreth dy vjeç, që po ecte vetëm, në buzë të moçalit, shumë afër ujit – i cili papritur ra brenda! Një minutë më parë ishte aty – dhe në tjetrën u zhduk!

Askush përveç meje nuk e pa këtë ndodhi. E lëshova biçikletën në tokë, vrapova dhe u hodha në moçalin që ishte i thellë deri te mesi. Sipërfaqja e ujit u vesh menjëherë me bimë kënetore [thuelë], duke e bërë të pamundur që të shihja në ujë. Pastaj ndjeva një lëvizje në njërën anë. Futa krahun në ujë, e kapa nga bluza dhe e tërhoqa lart djaloshin. Ai filloi të gulçonte, të kollitej dhe të qante. Pas pak djali u ribashkua sërish me prindërit e tij.”

Jensi dhe familja

Ndërsa Vëllai Jens lutet çdo mëngjes për ndihmë që t’i dallojë nxitjet nga Fryma e Shenjtë, edhe për diçka kaq të pazakontë të tillë si të ndërrojë menjëherë një llambë, ai lutet edhe që të mund të përdoret si një mjet për t’i bekuar fëmijët e Perëndisë. Jensi e jeton ungjillin duke kërkuar udhëzim hyjnor çdo ditë, duke u përpjekur fort që të jetë i denjë, dhe më pas duke bërë më të mirën e tij për ta ndjekur atë udhëzim kur ai vjen.

Përkujdesja për Njerëzit në Nevojë

Ja tek është një shembull për përkujdesjen ndaj njerëzve në nevojë. Një ditë, një president kunji në kunjin Kukuta në Kolumbi, e shoqëroi presidenten e Të Rejave në kunj për të vizituar dy të reja – dhe vëllanë e tyre më të madh adoleshent – të cilët po kalonin disa vështirësi të tmerrshme. Së fundmi, babai i tyre kishte ndërruar jetë dhe nëna e tyre kishte ndërruar jetë një vit më parë. Të tre fëmijët tani kishin mbetur të vetëm në strehën e tyre të vogël e të përulur. Muret ishin bërë me dru të papërpunuar të izoluar me qese plastike dhe me një çati llamarine që mbulonte vetëm zonën ku ata flinin gjumë.

Pas vizitës së tyre, këta udhëheqës e dinin që ata kishin nevojë për ndihmë. Nëpërmjet këshillit të lagjes, u ngrit një plan për t’i ndihmuar ata. Udhëheqësit e lagjes dhe të kunjit – Shoqata e Ndihmës, kuorumi i pleqve, Të Rinjtë, Të Rejat dhe shumë familje – të gjithë, u angazhuan me detyrën për ta bekuar këtë familje.

Shtëpia duke u ndërtuar
Shtëpia duke u ndërtuar

Organizatat e lagjes u vunë në kontakt me disa anëtarë të lagjes që punojnë në ndërtim. Disa ndihmuan me modelimin e shtëpisë, të tjerë dhuruan kohë dhe krahë pune, të tjerë përgatitën vakte ushqimi, dhe disa të tjerë dhuruan materiale që nevojiteshin.

Shtëpia e përfunduar

Kur shtëpiza përfundoi, ishte një ditë e gëzueshme për ata që ndihmuan dhe për tre anëtarët e rinj në moshë të lagjes. Këta fëmijë jetimë ndien lidhje të përzemërta dhe siguruese me familjen e tyre të lagjes, duke e ditur se nuk janë vetëm dhe se Perëndia u gjendet gjithnjë pranë. Ata që ofruan ndihmë ndien dashurinë e Shpëtimtarit për këtë familje dhe vepruan si duart e Tij për t’u shërbyer atyre.

Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Pranojnë Ungjillin

Mendoj se do t’ju pëlqejë ky shembull i ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin. 17-vjeçari Klejton nga Kepi i Gjelbër, nuk ia kishte idenë se çfarë do të ndodhte si rrjedhojë e vajtjes në një klasë seminari të lagjes së tij një ditë. Por jeta e tij dhe jetët e të tjerëve do të ndryshonin përgjithmonë për shkak se ai ndryshoi.

Klejtoni, bashkë me nënën dhe vëllanë e tij më të madh, ishin pagëzuar në Kishë pak kohë më parë e megjithatë familja ndaloi së shkuari. Akti i tij i frekuentimit vetëm një herë të seminarit do të vërtetohej si një pikë vendimtare për familjen e tij.

Të rinjtë e të rejat e tjera në klasën e seminarit ishin të përzemërt dhe mikpritës. Ata bënë që Klejtoni të ndihej si në shtëpi dhe e inkurajuan atë që të frekuentonte një aktivitet tjetër. Ai e bëri këtë dhe shpejt filloi të frekuentonte mbledhjet e tjera të Kishës. Një peshkop i mençur pa potencial shpirtëror te Klejtoni dhe e ftoi atë që të ishte ndihmësi i tij. “Nga ai çast e tutje”, thotë Peshkopi Pina, “Klejtoni u bë një shembull dhe një ndikim për të rinjtë e të rejat e tjera”.

Personi i parë që Klejtoni ftoi në kishë ishte nëna e tij, pastaj vëllai i tij më i madh. Më pas ai e zgjeroi rrethin e tij me miq. Njëri prej atyre miqve ishte një i ri në të njëjtën moshë me të, Uillsoni. Në mbledhjen e parë fare me misionarët, Uillsoni shprehu dëshirën e tij për t’u pagëzuar. Misionarëve u kishte lënë mbresa dhe ishin mahnitur nga fakti se sa shumë Klejtoni i kishte treguar Uillsonit.

Të rinj në Kepin e Gjelbër
Ftesa drejtuar të tjerëve që të vijnë në kishë
Një grup të rinjsh e të rejash aktivë në rritje

Përpjekjet e Klejtonit nuk u ndalën aty. Ai ndihmoi anëtarë të tjerë më pak aktivë që të ktheheshin, përpos që u tregoi për ungjillin edhe miqve të besimeve të tjera. Sot në lagje ka 35 të rinj e të reja aktive, me një program të suksesshëm seminari, që në pjesën më të madhe ndodhi falë përpjekjeve të Klejtonit për të dhënë dashuri, për të treguar dhe për të ftuar. Klejtoni, bashkë me vëllanë e tij më të madh, Kleberin, po përgatiten për të shërbyer në një mision kohëplotë.

Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë

Së fundi, lejomëni t’ju tregoj një shembull të bukur për bashkimin e familjeve për përjetësinë. Lidia nga Karkivi i Ukrainës, mësoi fillimisht rreth tempullit nga misionarët. Menjëherë, Lidia ndjeu një dëshirë të zjarrtë për ta frekuentuar tempullin dhe pas pagëzimit të saj, ajo filloi përgatitjen për të marrë një rekomandim tempulli.

Lidia frekuentoi Tempullin e Frajbergut në Gjermani për të marrë dhurimin e saj dhe më pas shpenzoi disa ditë duke bërë punë mëkëmbëse atje. Pas përkushtimit të Tempullit të Kievit në Ukrainë, Lidia e frekuentoi tempullin më shpesh. Ajo dhe bashkëshorti i saj, Anatoli, u vulosën përjetësisht atje dhe më vonë u thirrën për të shërbyer si misionarë tempulli. Së bashku ata kanë gjetur më shumë se 15 000 emra paraardhësish dhe kanë punuar për t’u siguruar atyre ordinancat e tempullit.

Një çift ukrahinas në tempull

Kur e pyetën për ndjenjat e saj në lidhje me punën në tempull, Lidia tha: “Çfarë mora unë në tempull? Unë kam bërë besëlidhje të reja me Perëndinë. Dëshmia ime është forcuar. Kam mësuar të marr zbulesë vetjake. Jam në gjendje të kryej ordinanca shpëtuese për paraardhësit e mi të vdekur. Dhe unë mund t’i dua njerëzit e tjerë e t’u shërbej atyre.” Ajo e mbylli me këtë thënie shumë të vërtetë: “Zoti do që të na shohë shpesh në tempull”.

Përfundimi

Unë jam i frymëzuar nga mirësia e këtyre shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, secili me rrethana të larmishme dhe të ndryshme, të përqendruara te këto katër histori. Mund të mësohet shumë nga rezultatet e mrekullueshme që vijnë nëpërmjet zbatimit të thjeshtë të parimeve të thjeshta të ungjillit. Të gjitha ato që bënë ata janë të arritshme edhe për ne.

E mbajtshim të thjeshtë ungjillin teksa marrim mbi vete përgjegjësitë tona të caktuara në mënyrë hyjnore: Për ta jetuar ungjillin e Jezu Krishtit, që të jemi të ndjeshëm ndaj nxitjeve siç bëri Jensi në Danimarkë. Për t’u përkujdesur për njerëzit në nevojë, siç u tregua nga anëtarët e kunjit Kukuta në Kolumbi, duke siguruar strehë për anëtarët jetimë të lagjes. Për t’i ftuar të gjithë njerëzit që ta pranojnë ungjillin, në mënyrën që e bëri Klejtoni nga vendi ishullor afrikan i Kepit të Gjelbër me miqtë dhe familjarët e tij. Së fundi, për t’i bashkuar familjet për përjetësinë, siç u ilustrua me shembullin e motrës Lidia nga Ukraina, nëpërmjet ordinancave të saj në tempull, përpjekjeve për historinë familjare dhe shërbimit në tempull.

Bërja e këtyre do të sjellë me siguri gëzim dhe paqe. Për këtë unë premtoj dhe dëshmoj – dhe për Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë dhe Shëlbuesin tonë – në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Moroni 10:32.

  2. Shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 1.2, ChurchofJesusChrist.org.

  3. Shih Doktrina e Besëlidhje 110:11–16. Shih edhe Dallin H. Ouks, “Priftëria Melkizedeke dhe Çelësat”, Liahona, maj 2020, f. 70: “Pas përkushtimit të tempullit të parë të kësaj periudhe ungjillore në Kirtland, Ohajo, tre profetë – Moisiu, Eliasi dhe Elija – rivendosën ‘çelësat e kësaj periudhe të kujdestarisë’, përfshirë çelësat që lidhen me mbledhjen e Izraelit dhe punën në tempujt e Zotit”. Shih edhe Kuentin L. Kuk, “Përgatituni që të Takoni Perëndinë”, Liahona, maj 2018, f. 114: “Profetët e lashtë rivendosën çelësat e priftërisë për ordinancat shpëtuese të përjetshme të ungjillit të Jezu Krishtit. … Këta çelësa japin ‘fuqi nga lart’ [Doktrina e Besëlidhje 38:38] për përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore, të cilat përbëjnë qëllimin kryesor të Kishës.”

  4. Shih Mateu 22:36–40.

  5. Matthew Cowley Speaks: Discourses of Elder Matthew Cowley of the Quorum of the Twelve of The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints (1954), f. xii.

  6. Dallin H. Ouks, “Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta”, Liahona, maj 2018, f. 89.

  7. Shih Mateu 11:30.