2021
Një Shtëpi Rregulli të Njëpasnjëshëm
Nëntor 2021


9:49

Një Shtëpi Rregulli të Njëpasnjëshëm

Një vëzhgim që kam bërë, është se “rregulli i njëpasnjëshëm” është një mënyrë e thjeshtë, e natyrshme dhe e efektshme që Zoti të na mësojë neve, si fëmijët e Tij, parime të rëndësishme.

Në jetën time profesionale dhe në shërbimin tim në Kishë e kam bërë këtë mijëra herë, thjesht kurrë përpara 15 burrave të ulur menjëherë pas meje. I ndiej lutjet tuaja dhe të tyret.

Vëllezër e motra, unë kam lindur në Mbretërinë e Tongës në Paqësorin Jugor, por jam rritur në Amerikën Veriore. Pandemia nuk i ka lejuar qindra, mbase mijëra misionarë të rinj nga Tonga, të cilët janë duke shërbyer anembanë botës, që të kthehen në vendlindjen e tyre të dashur për shkak të kufijve të mbyllur. Disa misionarë nga Tonga kanë qenë në misionet e tyre për tre vjet dhe motrat misionare për më shumë se dy vjet. Ata presin me durim dhe me besimin për të cilin njerëzit tanë shquhen. Ndërkohë, mos u alarmoni shumë nëse disa prej tyre që po shërbejnë në lagjet dhe kunjet tuaja, po duken gjithmonë e më shumë si unë – të plakur dhe të thinjur. Ne jemi mirënjohës për misionarët kudo për shërbimin e tyre të përkushtuar, edhe kur ka qenë më i gjatë apo më i shkurtër nga sa e kishin parashikuar, për shkak të pandemisë.

Një të diel kur isha dhjak, isha në korridor me një tabaka uji duke shpërndarë sakramentin kur një grua hyri në ndërtesë. Me bindje iu afrova dhe i zgjata tabakanë. Ajo tundi kokën, buzëqeshi dhe mori një gotë me ujë. Ajo kishte ardhur shumë vonë për ta marrë bukën. Pak kohë pas kësaj përvoje, mësuesi im i shtëpisë, Ned Brimli, më dha mësim se shumë aspekte dhe bekime të ungjillit të Jezu Krishtit na jepen sipas një rregulli të njëpasnjëshëm.

Më pas atë javë Nedi dhe shoku i tij erdhën në shtëpinë tonë me një mësim që nuk harrohet. Nedi na rikujtoi se kishte rregull në mënyrën se si Zoti e krijoi tokën. Zoti u kujdes shumë që t’i shpjegonte Moisiut rregullin sipas të cilit Ai e krijoi tokën. Së pari, Ai filloi duke e ndarë dritën nga errësira, pastaj ujin nga toka e thatë. Ai shtoi bimësinë dhe kafshët para se t’i paraqiste planetit të sapoformuar krijimin e Tij më të madhërishëm: njerëzimin, duke filluar me Adamin dhe Evën.

“Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. …

Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë” (Zanafilla 1:27, 31).

Zoti ishte i kënaqur. Dhe Ai u çlodh ditën e shtatë.

Rregulli i njëpasnjëshëm sipas të cilit u krijua toka, na jep një vështrim të shpejtë jo vetëm të asaj që është më e rëndësishme për Perëndinë, por edhe arsyen pse dhe për kë e krijoi Ai tokën.

Ned Brimli dhe familja

Ned Brimli e theksoi mësimin e tij të frymëzuar me një pohim të thjeshtë: “Vai, shtëpia e Perëndisë është një shtëpi rregulli. Ai pret që ti ta jetosh jetën tënde me rregull. Sipas rendit të duhur. Ai do që ti të shërbesh në një mision para se të martohesh.” Lidhur me këtë pikë, udhëheqësit e Kishës aktualisht japin mësim se “Zoti pret që çdo djalë i ri i aftë të përgatitet për të shërbyer. … Të rejat … që dëshirojnë të shërbejnë, duhet të përgatiten gjithashtu” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 24.0, ChurchofJesusChrist.org). Vëllai Brimli vazhdoi: “Zoti do që ti të martohesh përpara se të kesh fëmijë. Ai do që ti t’i zhvillosh vazhdimisht talentet e tua teksa arsimohesh.” Nëse zgjedh ta jetosh jetën jo sipas rendit, jeta do të të duket më e vështirë dhe e rrëmujshme.

Vëllai Brimli gjithashtu na dha mësim se nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari na ndihmon që ta kthejmë rregullin në jetën tonë të bërë të rrëmujshme ose pa rend për shkak të zgjedhjeve të gabuara tona apo të të tjerëve.

Që nga ajo kohë e tutje, jam mahnitur nga “rregulli i njëpasnjëshëm”. E bëra zakon kërkimin e modeleve të njëpasnjëshme në jetë dhe në ungjill.

Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim këtë parim: “Kur studiojmë, mësojmë dhe [e] jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit, rendi i gjërave shpeshherë të jep mësime. Merrni parasysh, për shembull, mësimet mbi përparësitë shpirtërore që ne mësojmë nga rendi i ngjarjeve madhore që ndodhën kur plotësia e ungjillit të Shpëtimtarit u rivendos në këto ditë të mëvonshme.”

Plaku Bednar renditi Vegimin e Parë dhe shfaqjen e parë të Moronit ndaj Jozef Smithit për t’i dhënë mësim djaloshit profet të parat, natyrën dhe karakterin e Perëndisë, të ndjekur nga roli që do të luante Libri i Mormonit dhe Elija në mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit në këtë periudhë të fundit ungjillore.

Plaku Bednar e mbyll: “Kjo renditje frymëzuese të mëson mbi çështjet shpirtërore që për Hyjninë kanë përparësinë më të lartë” (“Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Liahona, nëntor 2011, f. 24).

Një vëzhgim që kam bërë, është se “rregulli i njëpasnjëshëm” është një mënyrë e thjeshtë, e natyrshme dhe e efektshme që Zoti të na mësojë neve, si fëmijët e Tij, parime të rëndësishme.

Ne kemi ardhur në tokë për të mësuar dhe për të fituar përvojë që përndryshe nuk do ta kishim. Rritja jonë është e pashoqe për secilin prej nesh individualisht dhe një përbërës jetik i planit të Atit Qiellor. Rritja jonë fizike dhe shpirtërore fillon me faza dhe zhvillohet ngadalë teksa marrim përvojë në mënyrë të njëpasnjëshme.

Alma jep një predikim të fuqishëm mbi besimin – duke përdorur analogjinë e farës, e cila, nëse merrte përkujdesjen dhe ushqehej siç duhet, çel nga një fidan i vogël [dhe bëhet] një pemë e madhe dhe e pjekur që prodhon fruta të shijshme (shih Alma 32:28–43). Mësimi është se besimi juaj do të rritet nëse ju i bëni vend dhe e ushqeni farën – ose fjalën e Perëndisë – në zemrat tuaja. Besimi juaj do të rritet teksa fjala e Perëndisë fillon “të fryhet në kraharorin tuaj” (vargu 28). Fraza që ajo “fryhet dhe mbin dhe fillon të rritet” (vargu 30) është si figurative dhe udhëzuese. Është gjithashtu e njëpasnjëshme.

Zoti na jep mësim individualisht sipas aftësisë sonë për të mësuar dhe mënyrës se si mësojmë. Rritja jonë varet nga gatishmëria, kureshtja e natyrshme, niveli i besimit dhe kuptueshmëria jonë.

Nefit iu dha mësim ajo që Jozef Smithi do të mësonte në Kirtland të Ohajos, mbi 2300 vjet më vonë: “Pasi vini re, kështu thotë Zoti Perëndi: Unë do t’u jap fëmijëve të njerëzve rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje; dhe të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi” (2 Nefi 28:30).

Fakti që ne mësojmë “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”, është sërish diçka e njëpasnjëshme.

Merrini parasysh shprehjet vijuese që i kemi dëgjuar në pjesën më të madhe të jetës sonë: “Gjërat bëhen sipas radhës” ose “Nise nga A-ja”. Po kjo “Mëso të ecësh përpara se të vraposh”? Secila prej këtyre aksiomave përshkruan diçka që është e njëpasnjëshme.

Mrekullitë funksionojnë sipas rregullit të njëpasnjëshëm. Mrekullitë ndodhin kur ne së pari ushtrojmë besim. Besimi e paraprin mrekullinë.

Të rinjtë gjithashtu shugurohen në detyrat në Priftërinë Aarone sipas një rendi, sipas moshës së atij që po shugurohet: dhjak, mësues dhe më pas prift.

Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit janë të një natyre të njëpasnjëshme. Ne pagëzohemi përpara marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë. Ordinancat e tempullit janë të njëpasnjëshme në mënyrë të ngjashme. Sigurisht, siç më mësoi me urtësi miku im Ned Brimli, sakramenti është i njëpasnjëshëm – ai fillon me bukën, ndjekur nga uji.

“Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ‘Merrni, hani; ky është trupi im’.

Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ‘Pini prej tij të gjithë,

Sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkateve’” (Mateu 26:26–28).

Në Jerusalem dhe në kontinentin amerikan, Shpëtimtari e krijoi sakramentin saktësisht në të njëjtin rend.

“Vini re, shtëpia ime është një shtëpi rregulli, thotë Zoti Perëndi, dhe jo një shtëpi rrëmuje” (Doktrina e Besëlidhje 132:8).

Pendimi është i njëpasnjëshëm. Ai fillon me besim te Jezu Krishti, edhe nëse është vetëm një pjesëz. Besimi kërkon përulësi, që është një element përbërës i të pasurit të “një zem[re] të thyer dhe një shpirt[i] të penduar” (2 Nefi 2:7).

Në të vërtetë, katër parimet e para të ungjillit janë të njëpasnjëshme. “Ne besojmë se parimet dhe ordinancat e para të Ungjillit janë: së pari, Besimi në Zotin Jezu Krisht; së dyti, Pendimi; së treti, Pagëzimi me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve; së katërti, Vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë” (Nenet e Besimit 1:4).

Mbreti Beniamin i dha mësim popullit të tij këtë të vërtetë të rëndësishme: “Dhe shikoni, që të gjitha këto gjëra të jenë bërë në urtësi dhe rregull; pasi nuk është e nevojshme që një njeri duhet të vrapojë më shpejt sesa ai ka fuqi. Dhe përsëri, është e domosdoshme që ai duhet të jetë i zellshëm, që kështu të mund të fitojë çmimin; prandaj të gjitha gjërat duhet të bëhen në rregull” (Mosia 4:27).

E jetofshim jetën me rregull dhe kërkofshim që ta ndjekim rendin që Zoti ka përvijuar për ne! Ne do të jemi të bekuar teksa i kërkojmë dhe ndjekim modelet dhe rendin në të cilin Zoti jep mësim atë që është më e rëndësishme për Të. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.