2021
Shiko Rrugën Përpara
Nëntor 2021


9:20

Shiko Rrugën Përpara

Përqendrimi te gjërat që janë më të rëndësishme – veçanërisht tek ato që janë në “rrugën përpara”, ato gjëra të përjetshme – është kyçi për të manovruar gjatë kësaj jete.

Kur mbusha 15 vjeç, mora lejen e nxënësit, e cila më lejonte t’i jepja makinës nëse njëri prej prindërve të mi ishte me mua. Kur babai më pyeti a do të doja të bëja një rrugë me makinë, u emocionova.

Ai i dha makinës për disa kilometra në periferi të qytetit drejt një rruge të gjatë, të drejtë, me dy korsi, të cilën pak njerëz e përdornin – më duhet të theksoj, me siguri i vetmi vend ku ai do të ndihej i sigurt. Ai ndaloi te një xhep rruge dhe ne ndërruam vendet. Më dha ca udhëzime dhe pastaj më tha: “Nxirre makinën me kujdes në rrugë dhe jepi makinës derisa të të them të ndalosh”.

I zbatova saktësisht urdhrat e tij. Por pas rreth 60 sekondash, ai tha: “Bir, ndale makinën. Po më shkakton të përziera. Po e devijon timonin gjatë gjithë rrugës.” Ai më pyeti: “Çfarë je duke parë?”

Me njëfarë pezmatimi, thashë: “Po vështroj rrugën”.

Pastaj ai tha këtë: “Po shoh sytë e tu, dhe ti po shikon vetëm çfarë është përpara kofanos së makinës. Nëse vështron vetëm atë që është mu përpara teje, kurrë nuk do t’i japësh makinës drejt.” Pastaj ai theksoi: “Shiko rrugën përpara. Kjo do të të ndihmojë t’i japësh makinës drejt.”

Si një 15‑vjeçar, mendova se ishte një mësim i mirë për dhënien e makinës. Që nga ajo kohë kam kuptuar se ishte po ashtu një mësim i madh për jetën. Përqendrimi te gjërat që janë më të rëndësishme – veçanërisht tek ato që janë në “rrugën përpara”, ato gjëra të përjetshme – është kyçi për të manovruar gjatë kësaj jete.

Në një rast në jetën e Shpëtimtarit, Ai dëshironte të ishte vetëm, kështu që “u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur”1. Ai i largoi dishepujt e Tij duke i udhëzuar që të kalonin detin. Në errësirën e natës, anija që transportonte dishepujt u përball me një stuhi të egër. Jezusi shkoi për t’i shpëtuar, por në një mënyrë jo të zakonshme. Rrëfimi i shkrimit të shenjtë thotë: “Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.”2 Kur e panë Atë, ata filluan të kenë frikë, sepse menduan se figura që iu afrua ishte një lloj fantazme apo hijeje. Jezusi, duke e ndier tronditjen e tyre dhe duke dashur që t’i qetësonte mendjet dhe zemrat e tyre, u bëri thirrje: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!”3

Pjetri jo vetëm që u lehtësua, por mori guxim. Gjithmonë guximtar dhe shpesh i rrëmbyer, Pjetri i thirri Jezusit: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra”4. Jezusi u përgjigj me ftesën e Tij të njohur dhe të përjetshme: “Eja”5.

Pjetri, me siguri i emocionuar nga perspektiva, doli nga barka jo në ujë, por mbi ujë. Ndërsa u përqendrua te Shpëtimtari, ai mundi të bënte të pamundurën, madje edhe të ecte mbi ujë. Fillimisht, Pjetri nuk u tut nga stuhia. Por era “e fortë”6 përfundimisht e shpërqendroi atë, dhe ai e humbi përqendrimin e tij. Frika u kthye. Si pasojë, besimi i tij u pakësua dhe ai filloi të fundosej. “Bërtiti duke thënë: ‘O Zot, shpëtomë!’”7 Shpëtimtari, i cili është gjithmonë i etur për të shpëtuar, zgjati dorën dhe e ngriti atë duke e mbrojtur.

Ka një mori mësimesh për të mësuar nga ky rrëfim i mrekullueshëm, por unë do të përmend tre.

Përqendrohuni te Krishti

Mësimi i parë: përqendrohuni te Jezu Krishti. Ndërsa Pjetri i mbajti sytë të përqendruar te Jezusi, ai mundi të ecte mbi ujë. Furtuna, dallgët dhe era nuk mundën ta pengonin atë për aq kohë sa ai e qendërzonte përqendrimin e tij te Shpëtimtari.

Të kuptuarit e qëllimit tonë përfundimtar na ndihmon të përcaktojmë se cili duhet të jetë përqendrimi ynë. Ne nuk mund të bëjmë një lojë të suksesshme pa e ditur synimin, as nuk mund të jetojmë një jetë kuptimplotë pa e ditur qëllimin e saj. Një nga bekimet e mëdha të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit është se i përgjigjet, ndër të tjerave, pyetjes: “Cili është qëllimi i jetës?” “Qëllimi ynë në këtë jetë është të kemi gëzim dhe të përgatitemi për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.”8 Mbajtja mend se jemi këtu në tokë për t’u përgatitur që të kthehemi për të jetuar me Perëndinë na ndihmon të përqendrohemi te gjërat që na çojnë te Krishti.

Përqendrimi te Krishti kërkon disiplinë, veçanërisht për zakonet e vogla dhe të thjeshta shpirtërore që na ndihmojnë të bëhemi dishepuj më të mirë. Nuk ka dishepullim pa disiplinë.

Përqendrimi ynë te Krishti bëhet më i qartë kur shikojmë rrugën përpara nesh atje ku duam të jemi dhe kush duam të bëhemi dhe pastaj gjejmë kohë çdo ditë për të bërë ato gjëra që do të na ndihmojnë të mbërrijmë atje. Përqendrimi te Krishti mund t’i thjeshtojë vendimet tona dhe të sigurojë një udhërrëfyes për mënyrën se si mund t’i shpenzojmë më mirë kohën dhe burimet tona.

Ndërkohë që ka shumë gjëra të cilat meritojnë përqendrimin tonë, ne mësojmë nga shembulli i Pjetrit për rëndësinë e mbajtjes së Krishtit gjithmonë në qendër të përqendrimit tonë. Vetëm nëpërmjet Krishtit ne mund të kthehemi për të jetuar me Perëndinë. Ne mbështetemi te hiri i Krishtit ndërsa përpiqemi fort të bëhemi si Ai dhe kërkojmë faljen dhe forcën e Tij kur dështojmë.

Ruhuni nga Shpërqendrimet

Mësimi i dytë: ruhuni nga shpërqendrimet. Kur Pjetri e largoi përqendrimin e tij nga Jezusi dhe e drejtoi drejt erës dhe dallgëve që rrihnin këmbët e tij, ai filloi të fundosej.

Ka shumë gjëra “përpara kofanos së makinës” që mund të na e largojnë vëmendjen nga përqendrimi te Krishti dhe gjërat e përjetshme që janë në “rrugën përpara”. Djalli është shpërqendruesi i madh. Nga ëndrra e Lehit ne mësojmë se zërat nga ndërtesa e madhe dhe e gjerë kërkojnë të na joshin drejt gjërave që do të na largojnë nga kursi i përgatitjes për t’u kthyer që të jetojmë me Perëndinë.9

Por ka edhe shpërqendrime të tjera më pak të dukshme që mund të jenë po aq të rrezikshme. Siç është edhe thënia: “E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së ligës është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”. Kundërshtari duket i vendosur të bëjë që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë, ose të paktën të humbasin kohën e tyre me gjëra që do t’i shpërqendrojnë ata nga qëllimet dhe synimet e tyre të larta. Për shembull, disa gjëra që janë devijime të shëndetshme të matura mund të bëhen shpërqendrime të pashëndetshme pa disiplinë. Kundërshtari e kupton se shpërqendrimet nuk duhet të jenë të këqija ose të pamoralshme që të jenë të efektshme.

Ne Mund të Shpëtohemi

Mësimi i tretë: ne mund të shpëtohemi. Kur Pjetri filloi të fundosej, ai bërtiti: “‘O Zot, shpëtomë!’ Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, [dhe] e zuri.”10 Kur e shohim veten duke u fundosur, kur përballemi me mundimin, ose kur dështojmë, edhe ne mund të shpëtohemi prej Tij.

Përballë mundimeve ose sprovave, ju mund të jeni si unë dhe të shpresoni që shpëtimi të jetë i menjëhershëm. Por mbajeni mend se Shpëtimtari u erdhi në ndihmë Apostujve në rojën e katërt të natës – pasi ata e kishin kaluar pjesën më të madhe të natës duke u munduar në stuhi.11 Ne mund të lutemi që nëse ndihma nuk vjen menjëherë, të paktën do të vijë në rojën e dytë apo edhe në rojën e tretë të një nate proverbiale. Kur na duhet të presim, qëndroni të sigurt se Shpëtimtari është gjithmonë duke parë, duke u siguruar që nuk do të na duhet të durojmë më shumë nga sa mund të mbajmë.12 Atyre që janë duke pritur në rojën e katërt të natës, ndoshta ende në mes të vuajtjeve, mos e humbni shpresën. Shpëtimi vjen gjithmonë te besnikët, qoftë gjatë vdekshmërisë ose në përjetësi.

Nganjëherë fundosja jonë vjen për shkak të gabimeve dhe shkeljeve tona. Nëse e gjeni veten duke u fundosur për ato arsye, bëni zgjedhjen e gëzueshme për t’u penduar.13 Unë besoj se pak gjëra i japin Shpëtimtarit më shumë gëzim sesa shpëtimi i atyre që kthehen ose rikthehen tek Ai.14 Shkrimet e shenjta janë plot me histori njerëzish që dikur kishin rënë në mëkat dhe kishin të meta, por që u penduan dhe u bënë të patundur në besimin te Krishti. Mendoj se ato histori janë në shkrimet e shenjta për të na kujtuar se dashuria e Shpëtimtarit për ne dhe fuqia e Tij për të na shëlbuar janë të pafundme. Nuk gëzohet vetëm Shpëtimtari kur pendohemi, por edhe ne marrim gëzim të madh.

Përfundimi

Unë ju ftoj të jeni të qëllimshëm në lidhje me “vështrimin e rrugës përpara” dhe ta rritni përqendrimin tuaj tek ato gjëra që kanë vërtet rëndësi. E mbajtshim Krishtin në qendër të përqendrimit tonë! Në mes të të gjitha shpërqendrimeve, gjërave “përpara kofanos” dhe vorbullave që na rrethojnë, unë dëshmoj se Jezusi është Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë dhe Shpëtuesi ynë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.