Përgatitja për Ardhjen e Dytë të Krishtit
Më shumë se kurrë më parë, neve na kërkohet të përballemi me realitetin që po i afrohemi gjithnjë e më shumë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit.
Siç shënohet në Librin e Mormonit, gjashtë vjet para lindjes së Jezu Krishtit, Samueli, një lamanit i drejtë, i profetizoi një populli nefit, i cili në atë kohë ishte bërë kryesisht një popull braktisës i fesë1, për shenjat që do të shoqëronin lindjen e Shpëtimtarit tonë. Tragjikisht, shumica e nefitëve i refuzuan ato shenja, sepse nuk ishte “e arsyeshme që [duhej] të vi[nte] një qenie e tillë si Krishti”2.
Trishtueshëm, sipas analit të shkrimeve të shenjta, shumë judenj, në të njëjtën mënyrë, nuk mund të pranonin që një njeri me emrin Jezus, nga krahina pak e respektuar e Galilesë, të ishte njëmend Mesia i shumëpritur.3 Jezusin, që kishte ardhur vërtet për të përmbushur profecitë e shumta që ishin bërë nga profetët hebrenj, e refuzuan dhe madje e kryqëzuan ngaqë, siç dha mësim profeti i Librit të Mormonit, Jakobi, judenjtë po “[shikonin] përtej shenjës”. Si pasojë, Jakobi dëshmoi se “Perëndia ka hequr qartësinë e tij nga ata dhe u ka dhënë atyre shumë gjëra që nuk mund t’i kuptojnë, sepse ata e dëshironin atë. Dhe sepse ata e dëshironin atë Perëndia e bëri, që ata të mund të pengohen.”4
Sado e çuditshme mund të duket, asnjë mësim, asnjë mrekulli dhe asnjë shfaqje, madje dhe e një engjëlli qiellor, siç u dëshmua nga Lamani dhe Lemueli5, nuk duket se ka fuqinë bindëse për t’ua mbushur mendjen disa individëve që të ndryshojnë drejtimin, pikëpamjen ose bindjen e tyre se diçka është e vërtetë. Ky është veçanërisht rasti kur mësimet apo mrekullitë nuk pajtohen me trillet, dëshirat ose idetë e paramenduara të një individi.
Ju lutem, krahasojini për një çast dy shkrimet e shenjta të mëposhtme, i pari nga Apostulli Pal që flet për ditët e mëvonshme, duke përshkruar udhët e njeriut, dhe i dyti nga profeti Alma, duke treguar se si e bën Perëndia punën e Tij mes njerëzimit. Fillimisht nga Pali:
“Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,
sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,
të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën,
tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, …
të cil[ë]t mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës”6.
Dhe tani nga Alma, duke thënë një parim themelor të ungjillit të Jezu Krishtit: “Tani, ti mund të mendosh se kjo është marrëzi nga ana ime; por vër re, unë të them ty se nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen; dhe shpeshherë mjetet e thjeshta ngatërrojnë të urtët”7.
Ne jetojmë në një botë bashkëkohore të mbushur me njohuri të madhe dhe shumë ekspertizë. Megjithatë, këto gjëra shumë shpesh maskojnë themelin e paqëndrueshëm mbi të cilin ato janë ndërtuar. Si pasojë, ato nuk çojnë tek e vërteta reale dhe më pas drejt Perëndisë dhe fuqisë për të marrë zbulesë, për të fituar njohuri shpirtërore dhe për të zhvilluar besimin te Jezu Krishti që çon drejt shpëtimit.8
Në mënyrë të thellë na kujtohen fjalët e Zotit tonë drejtuar Thomait dhe Apostujve të tjerë në prag të flijimit të Tij shlyes: “Jezusi i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’”9.
Për ata që kanë sy për të parë, veshë për të dëgjuar dhe zemra për të ndier, më shumë se kurrë më parë, neve na kërkohet të përballemi me realitetin që po i afrohemi gjithnjë e më shumë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Vërtet, vështirësi të mëdha ende i presin ata që janë në tokë kur Ai të kthehet, por lidhur me këtë, besnikët nuk kanë pse të kenë frikë.
Tani citoj për një çast nga Temat e Ungjillit të Kishës nën titullin “Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit”:
“Kur Shpëtimtari të vijë përsëri, Ai do të vijë me fuqi dhe lavdi për ta shpallur tokën si mbretërinë e Tij. Ardhja e Tij e Dytë do të shënojë fillimin e Mijëvjeçarit.
Ardhja e Dytë do të jetë një kohë e frikshme, e pikëlluar për të ligjtë, por do të jetë një ditë paqeje për të drejtët. Zoti shpalli:
‘Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar – në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të priten e nuk do të hidhen në zjarr, por do t’i qëndrojnë ditës.
Dhe toka do t’u jepet atyre për trashëgim; dhe ata do të shumëzohen e do të bëhen të fuqishëm dhe fëmijët e tyre do të rriten pa mëkat deri në shpëtim.
Sepse Zoti do të jetë mes tyre e lavdia e tij do të jetë mbi ta dhe ai do të jetë mbreti e ligjdhënësi i tyre’ (Doktrina e Besëlidhje 45:57–59).”10
Në përgatitjen tonë për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, unë jap për besnikët një shënim jetik dhe ngushëllues që është marrë nga profeti i Dhiatës së Vjetër, Amosi: “Me siguri Zoti Perëndi nuk do të bëjë asgjë, derisa t’ua zbulojë sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve”11.
Me këtë frymë, profeti i sotëm i Zotit për botën, Presidenti Rasëll M. Nelson, na ka dhënë këtë këshillë frymëzuese të kohëve të fundit: “Ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill pendimi. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, ungjilli i Tij siguron një ftesë që të vazhdojmë të ndryshojmë, të rritemi dhe të bëhemi më të pastër. Ai është një ungjill shprese, shërimi dhe përparimi. Pra, ungjilli është një mesazh gëzimi! Shpirtrat tanë ngazëllehen nga çdo hap i vogël që bëjmë përpara.”12
Unë dëshmoj dhe deklaroj pa ngurrim për realitetin e Perëndisë dhe mrekullitë në jetën e përditshme të njerëzve të panumërt si nga pozicionet e pafavorshme ashtu edhe ato të favorshme të jetës. Vërtet, për shumë përvoja të shenjta flitet rrallë, pjesërisht për shkak të origjinës së tyre hyjnore dhe të mundësisë që vjen si rrjedhojë e talljes nga disa që nuk dinë më mirë se kaq.
Në lidhje me këtë, profeti i fundit nga profetët e Librit të Mormonit, Moroni, na kujton:
“Dhe përsëri unë ju flas juve që mohoni zbulesat e Perëndisë dhe thoni se ato nuk ndodhin më, se nuk ka më zbulesa, as profeci, as dhurata, as shërim, as të folur në gjuhë dhe interpretim gjuhësh;
Vini re, unë ju them juve se ai që i mohon këto gjëra, nuk e njeh ungjillin e Krishtit; po, ai nuk i ka lexuar shkrimet e shenjta; në qoftë se i ka lexuar, nuk i kupton.
Pasi, a nuk lexojmë ne se Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë dhe në të nuk ka ndryshueshmëri as hije ndërrimi?”13
E mbyll fjalën time me një deklaratë profetike, vërtet frymëzuese nga Profeti Jozef Smith, që u dha nga fundi i shërbesës të tij teksa priste me padurim Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit: “A nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajë, vëllezër [dhe, mund të shtoj, motra]; dhe përpara, përpara drejt fitores! Zemrat tuaja duhet të ngazëllehen dhe të jenë tepër të gëzuara.”14 Gjë për të cilën unë shtoj dëshminë time në emrin e Jezu Krishtit, amen.