2021
Një Përqind më Mirë
Nëntor 2021


10:1

Një Përqind më Mirë

Çdo përpjekje që bëjmë për të ndryshuar – pavarësisht se sa e vogël na duket – thjesht mund të sjellë ndryshimin më të madh në jetën tonë.

Për më shumë se një shekull, ekipi kombëtar i çiklizmit i Britanisë së Madhe kishte qenë gazi i botës së çiklizmit. Të zhytur në mediokritet, çiklistët britanikë kishin fituar vetëm disa medalje të arta në 100 vjet të konkurrimeve olimpike dhe kishin qenë edhe më zhgënjyes në ngjarjen më të rëndësishme të çiklizmit, Rrethin çiklistik trejavor të Francës, të cilin nuk e kishte fituar asnjë çiklist britanik për 110 vjet. Kaq e mjerë ishte gjendja e vështirë e çiklistëve britanikë sa disa prodhues biçikletash madje refuzuan t’u shisnin biçikleta britanikëve nga frika se kjo do ta njolloste përgjithmonë famën e mirë që ata e kishin fituar me shumë punë. Dhe pavarësisht nga përkushtimi i burimeve të pamasa në përparimet më të fundit të teknologjisë dhe në çdo regjim stërvitor të sapokrijuar, asgjë nuk funksiononte.

Çiklistë britanikë.

Asgjë, në fakt, deri në vitin 2003, kur ndodhi një ndryshim i vogël, që nuk u vu aspak re, i cili do ta ndryshonte përgjithnjë trajektoren e çiklizmit britanik. Ajo përqasje e re do të zbulonte gjithashtu një parim të përjetshëm – me një premtim – lidhur me kërkimin tonë të shpeshtë hutues në vdekshmëri për ta përmirësuar veten tonë. Pra, çfarë ndodhi në çiklizmin britanik që lidhet tej mase me kërkimin tonë vetjak për të qenë bija dhe bij më të mirë të Perëndisë?

Në vitin 2003 u punësua Sër Dejv Brejllsfordi. Ndryshe nga trajnerët e mëparshëm që u përpoqën për ndryshime dramatike brenda natës, në vend të kësaj Sër Brejllsfordi u zotua ndaj një strategjie së cilës ai iu referua si “grumbullimi i fitimeve të vogla”. Kjo solli vënien në zbatim të përmirësimeve të vogla në gjithçka që bënin. Ajo nënkuptonte matjen e vazhdueshme të treguesve kyç statistikorë dhe përqendrimin te dobësi të veçanta.

Është disi e ngjashme me idenë e profetit Samuel lamanitit të “ec[jes] me kujdes”1. Ky këndvështrim më i gjerë, gjithëpërfshirës, e shmang kurthin e fiksimit në mënyrë miopike mbi problemin e dukshëm ose mëkatin më të afërt. Brejllsfordi tha: “I tërë parimi erdhi nga ideja që, po ta ndani pjesë-pjesë gjithçka që lidhet me ngarjen e një biçiklete, dhe më pas e përmirësoni secilën pjesë të procesit me 1 përqind, do të arrini një rritje të rëndësishme kur t’i bashkoni të gjitha pjesët”2.

Përqasja e tij përputhet mirë me atë të Zotit, i cili na mësoi për rëndësinë e 1 përqindshit – madje duke lënë mënjanë 99 përqindshin. Sigurisht, Ai po jepte mësim një detyrë thelbësore të ungjillit për të kërkuar individët nevojtarë. Por, po sikur ta zbatonim po të njëjtin parim për parimin e dytë, shumë të ëmbël dhe të këndshëm të ungjillit, që është pendimi? Prandaj, në vend që të dobësojmë lëkundjet shkundëse dhe dramatike midis mëkatit dhe pendimit, po sikur përqasja jonë të ishte ta ngushtonim përqendrimin tonë – madje teksa e zgjeronim atë? Në vend që të përpiqemi të përsosim çdo gjë, po sikur të merreshim vetëm me një gjë?

Për shembull, po sikur nga këndvështrimi juaj i ri më i zgjeruar të zbulonit se e keni lënë pas dore leximin e përditshëm të Librit të Mormonit? Pra, në vend që t’i shfletonim me ngut të gjitha 531 faqet brenda një nate, po sikur të zotoheshim se do të lexonim vetëm 1 përqind të tyre – që është vetëm pesë faqe në ditë – ose një synim tjetër të përballueshëm për gjendjen tuaj? A mund të jetë më së fundi grumbullimi i fitimeve të vogla, por të qëndrueshme në jetën tuaj, udha drejt fitores mbi mangësitë tuaja vetjake qofshin edhe më të bezdisshmet? A funksionon vërtet ndaj trajtimit të ceneve tona kjo përqasje e kryerjes së një pune në pjesëza?

Epo, shkrimtari i vlerësuar, Xhejms Kliëri, thotë se kjo strategji na i shton mundësitë që kemi për sukses. Ai është i mendimit se “zakonet janë ‘interesi i grumbulluar nga vetëpërmirësimi’. Nëse mund të bëhesh vetëm një përqind më i mirë për diçka çdo ditë, në fund të një viti … do të jesh 37 herë më i mirë.”3

Fitimet e vogla të Brejllsfordit filluan nga gjërat e dukshme, të tilla si pajisjet, coha e uniformave dhe modelet e stërvitjes. Por ekipi i tij nuk e la me kaq. Ata vazhduan të gjenin përmirësime 1 përqindshe në fusha të anashkaluara dhe të papritura, të tilla si ushqyerja dhe madje ndryshimet e vogla në mirëmbajtje. Me kalimin e kohës, këto mori të përmirësimeve të vockla u grumbulluan në rezultate mahnitëse, të cilat erdhën më shpejt nga sa do ta kishte imagjinuar çdokush. Në të vërtetë, ato ndodhën sipas parimit të përjetshëm “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje”4.

A do ta vënë në funksionim përshtatjet e vogla “ndryshim[in e] madh”5 që ju dëshironi? Të vëna siç duhet në zbatim, jam 99 përqind i sigurt se do ta bëjnë! Por një kleçkë te kjo përqasje është që, për të grumbulluar fitime të vogla, duhet të ketë një përpjekje të vazhdueshme, ditë për ditë. Dhe ndonëse me gjasë nuk do të jemi të përsosur, ne duhet të jemi të vendosur që ta përputhim këmbënguljen tonë me durimin. Bëjeni atë dhe shpërblimet e ëmbla të drejtësisë që rritet, do t’ju sjellin gëzimin dhe paqen që kërkoni. Sikurse na ka mësuar Presidenti Rasëll M. Nelson: “Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.”6

Kokërr sinapi.
Pemë sinapi.

Për sa i përket këtij parakushti të pendimit [që është] besimi, shkrimet e shenjta janë të qarta. Gjithçka që kërkohet si fillim, është një “pjesëz [e vogël] besimi”7. Dhe nëse mund ta rrokim këtë mendësi të “kok[rrës së] sinapi[t]”8, ne, gjithashtu, mund të presim përmirësime të papritura dhe të jashtëzakonshme në jetën tonë. Por mbani mend, ashtu sikurse ne nuk do të orvatemi që të kalojmë brenda natës nga të qenit Atila i hunëve te Nënë Tereza, po ashtu duhet t’i riorientojmë modelet tona të përmirësimit shkallë‑shkallë. Edhe nëse ndryshimet që nevojiten në jetën tuaj, janë me shumicë, fillojeni nga një shkallë e vogël. Kjo është veçanërisht e vërtetë nëse ndiheni të mbingarkuar ose të zhgënjyer.

Ky proces nuk përmbushet gjithmonë në mënyrë lineare. Edhe mes njerëzve më të vendosur mund të ketë prapambetje. Ngaqë e kam përjetuar mërzitjen për këtë gjë në vetë jetën time, unë e di se nganjëherë mund të ndihemi sikur bëjmë 1 përqind përpara dhe 2 përqind mbrapa. Prapëseprapë, nëse mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë që në mënyrë të vazhdueshme t’i arrijmë ato fitime 1‑përqindshe, Ai që i ka “marrë përsipër dhembjet tona”9, do të na mbartë me siguri në krahë.

Pa dyshim, nëse përfshihemi në mëkate të rënda, Zoti është i qartë dhe nuk lë vend për keqkuptime; ne kemi nevojë të ndalemi, të marrim ndihmë nga peshkopi ynë dhe të largohemi menjëherë nga praktika të tilla. Por sikurse e tha Plaku Dejvid A. Bednar: “Përmirësime të vogla, të qëndrueshme, në rritje shpirtërore janë hapat që Zoti do të na donte të ndërmarrim. Përgatitja për të ecur i pafajshëm përpara Perëndisë, është një nga qëllimet parësore të jetës së vdekshme dhe [kërkimi i një jete të tërë]; ajo nuk vjen [si rrjedhojë e shpërthimeve rastësore] të [veprimtarisë intensive shpirtërore].”10

Çiklistë britanikë.

Kështu pra, a funksionon vërtet për pendimin dhe ndryshimin e vërtetë kjo përqasje me ndarje në pjesëza? A është prova e efektshmërisë së përqasjes në lëvizjen e pedaleve, në mënyrë metaforike? Merreni parasysh se çfarë i ndodhi çiklizmit britanik në dy dekadat e shkuara që kur e vunë në jetë këtë filozofi. Çiklistët britanikë tani kanë fituar gjashtë herë të mahnitshme Rrethin çiklistik të famshëm të Francës. Gjatë katër Lojrave të shkuara Olimpike, Britania e Madhe ka qenë vendi më i suksesshëm nëpër të gjitha disiplinat e çiklizmit. Dhe në Lojërat më të fundit Olimpike të Tokios, Mbretëria e Bashkuar fitoi më shumë medalje të arta në çiklizëm se çdo vend tjetër.

Kampionë olimpikë.

Fotografi të çiklistëve britanikë nga (në drejtim të orës nga lart majtas) Friedemann Vogel, John Giles dhe Greg Baker/Getty Images

Por shumë më i shkëlqyer se madje argjendi ose ari i botës, premtimi ynë i çmuar nëpër udhën tonë drejt përjetësisë është se ne me të vërtetë do të “ngadhnjejmë … në Krishtin”11. Dhe kur zotohemi të bëjmë përmirësime të vogla por të qëndrueshme, neve na premtohet një “kurorë e lavdisë që nuk fishket”12. Që të kënaqeni në atë shkëlqim të pashueshëm që ndriçon, unë ju ftoj ta shqyrtoni jetën tuaj dhe të shihni se çfarë ju mban në të njëjtin vend ose ju ngadalëson në shtegun e besëlidhjeve. Pastaj vështroni më gjerësisht. Kërkoni riparime të thjeshta por të realizueshme në jetën tuaj, që mund të rezultojnë në gëzimin e ëmbël të të qenit fare pak më të mirë.

Mbajeni mend, Davidi përdori vetëm një gur të vogël që të rrëzonte përtokë një gjigant në dukje të pamposhtur. Por ai kishte bërë gati edhe katër gurë të tjerë. Në mënyrë të ngjashme, prirja për ligësi e Almës të Riut dhe fati i tij i përjetshëm u ndryshuan nga veçse një mendim i thjeshtë, i spikatur – një kujtim i mësimeve të dhëna nga ati i tij rreth hirit shpëtues të Jezu Krishtit. Dhe kështu ndodh edhe me Shpëtimtarin tonë, i cili edhe pse pa mëkate, “nuk e mori plotësinë që në fillim, por vazhdoi nga hiri në hir, derisa mori një plotësi”13.

Jezu Krishti.

Është Ai që e di kur bie përtokë një harabel, që është po ashtu i përqendruar në çastet e vogla si edhe ato madhështore në jetën tonë dhe i cili është gati pikërisht tani për t’ju ndihmuar në çfarëdo kërkimi 1‑përqindësh nga ana juaj që po del si rezultat nga kjo konferencë. Sepse çdo përpjekje që bëjmë për të ndryshuar – pavarësisht se sa e vogël na duket – thjesht mund të sjellë ndryshimin më të madh në jetën tonë.

Për këtë qëllim, Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Çdo pohim i një dëshire të drejtë, çdo veprim shërbimi dhe çdo veprim adhurimi, sado i vogël dhe i shkallëzuar, i shton vrullit tonë shpirtëror”14. Me të vërtetë, është nëpërmjet gjërave të vogla, të thjeshta dhe, po, madje thjesht 1‑përqindshe, që mund të bëhen gjëra të mëdha.15 Fitorja përfundimtare është 100 përqind e sigurt, “pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë”16, nëpërmjet fuqisë, meritave dhe mëshirës së Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Unë dëshmoj kështu në emrin e Jezu Krishtit, amen.