2021
Dashuria e Perëndisë
Nëntor 2021


13:11

Dashuria e Perëndisë

Ati ynë dhe Shëlbuesi ynë na kanë bekuar me urdhërime dhe, duke iu bindur urdhërimeve të Tyre, ne e ndiejmë dashurinë e Tyre të përsosur më plotësisht dhe më thellësisht.

Ati ynë Qiellor na do thellësisht dhe në mënyrë të përsosur.1 Për shkak të dashurisë së Tij, Ai krijoi një plan, një plan shëlbimi dhe lumturie për të na hapur të gjitha mundësitë dhe gëzimet që jemi të gatshëm t’i marrim, deri në pikën dhe duke përfshirë gjithçka që Ai ka dhe është.2 Për ta arritur këtë, Ai madje ishte i gatshëm të ofronte Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, si Shëlbuesin tonë. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”3 Dashuria e Tij është dashuria e pastër e Atit – universale për të gjithë, megjithatë vetjake për secilin.

Jezu Krishti ndan me Atin të njëjtën dashuri të përsosur. Kur Ati shtjelloi fillimisht planin e Tij të madh të lumturisë, Ai bëri thirrje që dikush të vepronte si Shpëtimtar për të na shëlbuar – një pjesë thelbësore e atij plani. Jezusi doli vullnetar: “Ja ku jam, dërgomë mua”4. Shpëtimtari “nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën, deri në pikën sa të japë jetën e tij, që ai të mund të tërheqë të gjithë njerëzit te vetja. Prandaj, ai nuk urdhëron asnjeri që të mos marrë pjesë në shpëtimin e tij.”5

Kjo dashuri hyjnore duhet të na japë ngushëllim dhe vetëbesim të madh ndërsa i lutemi Atit në emrin e Krishtit. Asnjëri prej nesh nuk është i huaj për Ta. Ne nuk duhet të ngurrojmë për t’i thirrur Perëndisë, madje edhe kur ndihemi të padenjë. Ne mund të mbështetemi te mëshira dhe meritat e Jezu Krishtit për t’u dëgjuar.6 Nëse qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë, ne varemi gjithnjë e më pak nga miratimi i të tjerëve për të na udhëhequr.

Dashuria e Perëndisë nuk e Shfajëson Mëkatin; Përkundrazi, Ofron Shëlbim

Ngaqë dashuria e Perëndisë është gjithëpërfshirëse, disa flasin për të si “e pakushtëzuar” dhe, në mendjen e tyre, ata mund të arrijnë në përfundimin se do të thotë që bekimet e Perëndisë janë “[të] pakushtëzuar[a]” dhe se shpëtimi është “[i] pakushtëzuar”. Ato nuk janë. Disa e kanë zakon të thonë: “Shpëtimtari më do ashtu siç jam” dhe kjo është sigurisht e vërtetë. Por Ai nuk mund të marrë asnjë nga ne në mbretërinë e Tij ashtu siç jemi, “sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë atje, ose të banojë në prani të tij”7. Mëkatet tona fillimisht duhet të zgjidhen.

Profesor Hju Nibli dikur vuri në dukje se mbretëria e Perëndisë nuk mund të rezistojë nëse i hap udhë edhe mëkatit më të vogël: “Ndotja më e vogël nga korrupsioni do të thotë që bota tjetër nuk do të ishte as e pakorruptueshme dhe as e përjetshme. E meta më e vogël në një ndërtesë, institucion, kod ose karakter do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme fatale në planin afatgjatë të përjetësisë.”8 Urdhërimet e Perëndisë janë “të rrepta”9 ngaqë mbretëria e Tij dhe qytetarët e saj mund të qëndrojnë vetëm nëse e refuzojnë vazhdimisht të keqen dhe zgjedhin të mirën, pa përjashtim.10

Plaku Xhefri R. Holland vërejti: “Jezusi qartësisht e kuptoi atë që shumë njerëz në kulturën tonë moderne duket se e harrojnë: që ka një ndryshim thelbësor midis urdhërimit për ta falur mëkatin (gjë të cilën Ai pati një aftësi të pafundme për ta bërë) dhe paralajmërimit kundrejt tolerimit të mëkatit (gjë të cilën Ai kurrë nuk e bëri, as edhe një herë)”11.

Megjithatë, pavarësisht nga papërsosuritë tona të tanishme, ne ende mund të shpresojmë të arrijmë “një emër e qëndrim”12, një vend, në Kishën e Tij dhe në botën çelestiale. Pasi e bëri të qartë se Ai nuk mund ta shfajësojë apo shpërfillë mëkatin, Zoti na siguron:

“Megjithatë, ai që pendohet dhe i bën urdhërimet e Zotit, do të falet.”13

“Dhe kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje.”14

Pendimi dhe hiri hyjnor e zgjidhin dilemën:

“Mbani mend gjithashtu fjalët që Amuleku i tha Zizromit, në qytetin e Amonihës; pasi i tha atij se Zoti do të vijë patjetër për të shëlbuar popullin e tij, porse ai nuk do të vijë që të shëlbojë ata mëkatet e tyre, por, për t’i shëlbuar ata nga mëkatet e tyre.

Dhe se ai ka fuqi, që i është dhënë nga Ati, për t’i shëlbuar ata nga mëkatet e tyre për shkak të pendimit; prandaj ai dërgoi engjëjt e tij për të shpallur lajmet e kushteve të pendimit, që çojnë në fuqinë e Shëlbuesit, në shpëtimin e shpirtrave të tyre.”15

Me kushtin e pendimit, Zoti mund të japë mëshirë pa grabitur drejtësinë, dhe “Perëndia nuk pushon së qeni Perëndi”16.

Udha e botës, siç e dini, është antikrisht, ose “gjithçka tjetër përveç Krishtit”. Koha jonë është një përsëritje e historisë së Librit të Mormonit në të cilën figurat tërheqëse ndjekin sundimin e padrejtë mbi të tjerët, kremtojnë lirinë seksuale dhe nxitin grumbullimin e pasurisë si objekt të ekzistencës sonë. Filozofitë e tyre e “justifikoj[n]ë … bërjen e një mëkati të vogël”17, apo edhe shumë mëkateve, por asnjëra nuk mund të ofrojë shëlbim. Ai vjen vetëm nëpërmjet gjakut të Qengjit. Më e mira që mund të ofrojë turma “gjithçka tjetër përveç Krishtit” ose “gjithçka tjetër përveç pendimit”, është pretendimi i pabazuar se mëkati nuk ekziston, ose që, nëse ekziston, në fund të fundit nuk ka pasoja. Nuk shoh që ai argument të ketë shumë vlerë në Gjykimin Përfundimtar.18

Nuk duhet të orvatemi për të bërë të pamundurën në përpjekje për të justifikuar mëkatet tona. Dhe nga ana tjetër, nuk duhet të orvatemi për të bërë të pamundurën për t’i fshirë efektet e mëkatit vetëm me meritat tona. E jona nuk është një fe e racionalizimit, as fe e përsosurisë, por një fe e shëlbimit – shëlbimit nëpërmjet Jezu Krishtit. Nëse jemi mes të penduarve, me anë të Shlyerjes së Tij, mëkatet tona gozhdohen në kryqin e Tij dhe “për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar”19.

Dashuria e Zjarrtë e Profetëve Pasqyron Dashurinë e Perëndisë

Për një kohë të gjatë më ka bërë përshtypje, edhe e kam ndier, dashurinë e zjarrtë të profetëve të Perëndisë në paralajmërimet e tyre kundër mëkatit. Ata nuk nxiten nga dëshira për të dënuar. Dëshira e tyre e vërtetë pasqyron dashurinë e Perëndisë; në fakt është dashuria e Perëndisë. Ata i duan ata tek të cilët dërgohen, kushdo që mund të jetë dhe sido që mund të jetë. Ashtu si Zoti, shërbëtorët e Tij nuk duan që dikush të vuajë dhembjet e mëkatit dhe të zgjedhjeve të këqija.20

Alma u dërgua për t’i shpallur mesazhin e pendimit dhe shëlbimit një populli plot urrejtje, i cili ishte i gatshëm t’i përndiqte, torturonte dhe madje vriste besimtarët e krishterë, përfshirë edhe vetë Almën. Prapëseprapë ai i donte ata dhe e dëshironte shpëtimin e tyre. Pasi i shpalli popullit të Amonihës Shlyerjen e Krishtit, Alma iu përgjërua: “Dhe tani, vëllezërit e mi, unë dëshiroj nga pjesa më e thellë e zemrës sime, po, me padurim të madh madje deri në dhembje, që ju t’i dëgjoni fjalët e mia dhe t’i dëboni mëkatet tuaja … që të ngriheni në ditën e fundit dhe të hyni në prehjen e [Perëndisë]”21.

Sipas fjalëve të Presidentit Rasëll M. Nelson: “Është pikërisht sepse interesohemi thellësisht për të gjithë fëmijët e Perëndisë, që e shpallim të vërtetën e Tij”22.

Perëndia Ju Do; A e Doni Ju Atë?

Dashuria e Atit dhe e Birit jepet lirisht, por përfshin gjithashtu edhe shpresa dhe pritshmëri. Përsëri, duke cituar Presidentin Nelson: “Ligjet e Perëndisë nxiten tërësisht nga dashuria e Tij e pafundme për ne dhe nga dëshira e Tij që ne të bëhemi gjithçka që mund të bëhemi”23.

Ngaqë Ata ju duan, nuk dëshirojnë t’ju lënë “ashtu siç jeni”. Ngaqë Ata ju duan, dëshirojnë që ju të keni gëzim dhe sukses. Ngaqë Ata ju duan, dëshirojnë që ju të pendoheni sepse ky është shtegu drejt lumturisë. Por kjo është zgjedhja juaj – Ata e respektojnë lirinë tuaj të zgjedhjes. Ju duhet të zgjidhni që t’i doni Ata, t’u shërbeni Atyre, t’i zbatoni urdhërimet e Tyre. Atëherë Ata mund t’ju bekojnë si edhe t’ju duan më me bollëk.

Pritshmëria e tyre kryesore për ne është që edhe ne të duam. “Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.”24 Siç shkroi Gjoni: “Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin”25.

Ish-Presidentja e Përgjithshme e Fillores, Xhoi D. Xhons, kujtoi se kur ishin një çift i ri, ajo dhe bashkëshorti i saj u thirrën për të vizituar dhe për t’i dhënë shërbesë një familjeje që nuk kishte qenë në Kishë për shumë vite. Ishte menjëherë e qartë në vizitën e tyre të parë se ata nuk ishin të pranuar. Pas zemërimit nga përpjekje të tjera të dështuara, dhe pas lutjeve dhe përsiatjeve shumë të çiltra, Vëllai dhe Motra Xhons morën një përgjigje për arsyen e shërbimit të tyre në këtë varg nga Doktrina e Besëlidhje: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tënde; dhe në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbesh atij26. Motra Xhons tha:

“Ne kuptuam se po përpiqeshim me çiltërsi për t’i shërbyer kësaj familjeje dhe për t’i shërbyer peshkopit tonë, por na u desh ta pyetnim veten nëse po shërbenim me të vërtetë nga dashuria për Zotin. …

… Filluam që t’i pritnim me padurim vizitat tona te kjo familje e dashur për shkak të dashurisë sonë për Zotin [shih 1 Nefi 11:22]. Ne po e bënim këtë për Të. Ai bëri që vështirësia të mos ishte më një vështirësi. Pasi qëndruam për shumë muaj te pragu i derës, familja filloi të na linte të hynim brenda. Përfundimisht, ne bëmë së bashku lutje të rregullta dhe diskutime me ndjenjë mbi ungjillin. U krijua një miqësi afatgjatë. Ne po e adhuronim dhe po e donim Atë duke i dashur fëmijët e Tij.”27

Duke pranuar se Perëndia na do në mënyrë të përsosur, secili prej nesh mund të pyesë: “Sa shumë e dua unë Perëndinë? A mund të mbështetet Ai te dashuria ime siç mbështetem unë tek e Tija?” A nuk do të ishte një aspiratë e denjë të jetonim në mënyrë të tillë që Perëndia të mund të na dojë jo vetëm me gjithë dështimet tona, por edhe për shkak të asaj që po bëhemi? O, sikur Ai të mund të thoshte për ju dhe mua siç tha për Hajrëm Smithin, për shembull: “Unë, Zoti, e dua atë për shkak të integritetit të zemrës së tij”28. Le të kujtojmë këshillën e mirë të Gjonit: “Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda”29.

Në të vërtetë, urdhërimet e Tij nuk janë të rënda – në fakt është e kundërta. Ato shenjojnë shtegun e shërimit, lumturisë, paqes dhe gëzimit. Ati ynë dhe Shëlbuesi ynë na kanë bekuar me urdhërime dhe, duke iu bindur urdhërimeve të Tyre, ne e ndiejmë dashurinë e Tyre të përsosur më plotësisht dhe më thellësisht.30

Ja ku është zgjidhja për kohët tona të grindjeve të pandërprera – dashuria e Perëndisë. Në epokën e artë të historisë së Librit të Mormonit, pas shërbesës së Shpëtimtarit, raportohet se “nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë, që jetonte në zemrat e njerëzve”31. Ndërsa përpiqemi fort drejt Sionit, ne kujtojmë premtimin te Zbulesa: “Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit [të shenjtë]”32.

Unë jap dëshmi për realitetin e Atit tonë Qiellor dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, dhe të dashurisë së Tyre të vazhdueshme e të pavdekshme. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.