2023
Mënyra se si Identiteti Hyjnor Ndikon te Përkatësia dhe te Procesi i të Bërit
Mars 2023


“Mënyra se si Identiteti Hyjnor Ndikon te Përkatësia dhe Procesi i të Bërit”, Liahona, mars 2023.

Mënyra se si Identiteti Hyjnor Ndikon te Përkatësia dhe te Procesi i të Bërit

Teksa i japim përparësi marrëdhënies sonë me Perëndinë dhe dishepullimit tonë ndaj Jezu Krishtit, ne do të gjejmë gëzim në identitetin tonë hyjnor, do të fitojmë një ndjesi të qëndrueshme përkatësie dhe përfundimisht do ta arrijmë potencialin tonë hyjnor.

Pamja
grup me njerëz të ndryshëm

Shoqata Amerikane e Psikologjisë e përkufizon fjalën përkatësi si “ndjenja e të qenit i pranuar dhe i miratuar nga një grup”1.

Fatkeqësisht, jo të gjithë ne e kemi një ndjesi përkatësie dhe me raste orvatemi të bëjmë ndryshime te vetja për t’u pranuar. “Të gjithë duam të përshtatemi në shoqëri”, – shpjegon Xhoana Kenon, një psikiatre britanike. “Me qëllim që ta arrijmë atë, shpesh paraqitim variante paksa të ndryshme të asaj që jemi, në varësi të mjedisit dhe personit që po na shoqëron. Mund të kemi ‘variante’ të shumta të vetvetes – në punë, në shtëpi ose madje edhe në internet.”2

Është e rëndësishme të theksohet se ka një ndryshim ndërmjet përshtatjes në shoqëri dhe përkatësisë. Brene Brauni, një studiuese dhe autore amerikane, vërejti: “Përshtatja në shoqëri dhe përkatësia nuk janë e njëjta gjë. Në fakt, përshtatja në shoqëri është një nga pengesat më të mëdha të përkatësisë. Përshtatja në shoqëri ka të bëjë me vlerësimin e një situate dhe bërjes së asaj që ju nevojitet të jeni, në mënyrë që të pranoheni. Përkatësia, nga ana tjetër, nuk na kërkon që ta ndryshojmë atë që jemi; ajo kërkon që ne të jemi ata që jemi.”3

Njohja e identitetit tonë hyjnor është thelbësore për përkatësi kuptimplotë, përndryshe, ne do t’i shpenzojmë kohën dhe përpjekjet tona për të bërë rregullime të vetvetes që të gjejmë pranim në vende që nuk e nderojnë apo nuk përputhen me natyrën tonë të përjetshme. Për më tepër, vendi ku zgjedhim të përkasim, mund të çojë në ndryshime të vlerave dhe sjelljeve tona teksa pajtohemi me normat dhe standardet e grupit. Me kalimin e kohës, vendi ku zgjedhim të përkasim, ndikon te fakti se cili bëhemi ne.

Shkurt, përqafimi i identitetit tonë hyjnor ndikon te fakti se ku dëshirojmë të përkasim dhe vendi i përkatësisë që kemi zgjedhur, çon tek njeriu që do të bëhemi përfundimisht.

Identiteti Hyjnor

Të gjithë ne jetuam me Perëndinë në jetën paratokësore (shih te Doktrina e Besëlidhje 93:29; 138:55–56). Ne u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Tij – mashkull dhe femër (shih te Zanafilla 1:27). Ai përgatiti një plan që ne të bëhemi si Ai (shih te Doktrina e Besëlidhje 132:19–20, 23–24). Plani i Tij për lumturinë përfshiu ardhjen tonë në tokë për të marrë një trup fizik, për të marrë njohuri dhe që përfundimisht të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore për të jetuar me Të në gëzim të përjetshëm (shih te 2 Nefi 2; 9; Abraham 3:26). Perëndia zbuloi: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Në mënyrë mahnitëse, ne jemi vepra dhe lavdia e Tij! Kjo tregon diçka për vlerën dhe rëndësinë e pamasë që kemi ne për Të.

Duke marrë parasysh miliarda njerëzit në tokë, disave mund t’u duket e vështirë të pranojnë se Perëndia është i vëmendshëm ndaj secilit prej nesh individualisht. Unë dëshmoj se Ai e njeh secilin prej nesh dhe është gjithashtu në dijeni se çfarë po bëjmë, ku jemi dhe madje për “mendimet dhe qëllimet e zemrës” sonë (Alma 18:32). Ne jo vetëm që “numërohe[mi] prej” Perëndisë (Moisiu 1:35), por Ai gjithashtu na do përsosurisht (shih te 1 Nefi 11:17).

Për shkak të dashurisë së Tij të përsosur ndaj nesh, Ati Qiellor dëshiron që ta ndajë me ne gjithçka që Ai ka (shih te Doktrina e Besëlidhje 84:38). Fundja, ne jemi bijat dhe bijtë e Tij. Ai dëshiron që ne të bëhemi si Ai, të bëjmë gjërat që bën Ai, dhe të përjetojmë gëzimin që ka Ai. Kur e hapim zemrën dhe mendjen tonë ndaj kësaj të vërtete, “vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë” (Romakëve 8:16–17).

Ndryshimet në Vdekshmëri

Në jetën paratokësore, ne ecëm me Perëndinë, e dëgjuam zërin e Tij dhe e ndiem dashurinë e Tij. Nga ajo kohë, ne kemi kaluar përmes velit të harresës në vdekshmëri. Ne nuk kemi më një kujtesë të përsosur të jetës sonë më përpara. Kushtet e këtij mjedisi në vdekshmëri na e bëjnë më të vështirë që ta perceptojmë natyrën tonë hyjnore dhe përkatësinë që kemi shijuar në shtëpinë tonë qiellore.

Për shembull, një përqendrim i tepërt te ndryshimet tona gjenetike dhe mjedisore mund të jenë një pengesë për lidhjen tonë me Perëndinë. Kundërshtari orvatet t’i shfrytëzojë këto ndryshime që të na devijojë nga origjina jonë e përbashkët hyjnore. Neve na vihen etiketime nga të tjerë dhe madje nganjëherë i marrim me mend vetë. Praktikisht nuk ka asgjë të gabuar të identifikohesh me të tjerët në bazë të karakteristikave tokësore; në fakt, shumë prej nesh gjejnë gëzim dhe përkrahje nga ata që kanë tipare dhe përvoja të ngjashme. Megjithatë, kur e harrojmë identitetin tonë thelbësor si fëmijë të Perëndisë, ne mund të fillojmë të kemi frikë, të mos kemi besim ose të ndiejmë epërsi ndaj njerëzve që janë të ndryshëm prej nesh. Këto qëndrime shpesh çojnë në përçarje, diskriminim madje dhe shkatërrim (shih te Moisu 7:32–33, 36).

Kur kujtohemi për trashëgiminë tonë hyjnore, larmia jonë i jep bukuri dhe pasuri jetës. Ne e shohim veten si vëllezër e motra, pavarësisht nga ndryshimet tona. Ne arrijmë ta respektojmë njeri‑tjetrin dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Ne përpiqemi fort të sigurojmë kushtet që i ndihmojnë të tjerët të gjejnë përkatësi, veçanërisht kur karakteristikat dhe përvojat e tyre dallojnë nga ato tonat. Ne ndiejmë mirënjohje ndaj Perëndisë për llojshmërinë e krijimeve të Tij.4

Ndërkohë që gjenetika dhe mjedisi ynë ndikojnë në përvojën tonë në vdekshmëri, ato nuk na përkufizojnë. Ne jemi fëmijë të Perëndisë me potencialin për t’u bërë si Ai.

Përkatësia nëpërmjet Jezu Krishtit

Duke e ditur se ne do të përballeshim me sfida të konsiderueshme në vdekshmëri, Perëndia përgatiti dhe dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të na ndihmojë t’i kapërcejmë këto pengesa. Krishti na ofron ndihmë për ta rindërtuar marrëdhënien e ngushtë që kemi pasur me Perëndinë në jetën paratokësore. Siç shpjegoi Krishti: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6; shih edhe te Gjoni 3:16–17).

Krishti është gjithmonë i gatshëm të na ndihmojë. Ne i përkasim Atij (shih te 1 Korintasve 6:20) dhe Ai dëshiron fort që ne të vijmë tek Ai. Me vetë fjalët e Tij, Shpëtimtari premton: “Eja tek unë me qëllim të plotë të zemrës, dhe unë do të të pranoj” (3 Nefi 12:24).

Pra, si të vijmë te Krishti me një qëllim të plotë të zemrës?

Së pari, ne e pranojmë Atë si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë. Ne e dallojmë madhështinë e Perëndisë, gjendjen tonë të humbur dhe të rënë dhe varësinë tonë absolute nga Jezu Krishti për t’u shpëtuar. Ne dëshirojmë të njihemi me emrin e Tij (shih te Mosia 5:7–8) dhe duam të jemi dishepujt e Tij “për të gjithë pjesën tjetër të ditëve tona” (Mosia 5:5).

Së dyti, ne vijmë te Krishti me qëllim të plotë të zemrës duke bërë dhe duke mbajtur besëlidhjet e shenjta me Perëndinë (shih tek Isaia 55:3). Besëlidhjet bëhen nëpërmjet ordinancave shpëtuese dhe ekzaltuese të ungjillit të Jezu Krishtit të kryera me autoritetin e priftërisë.

Pamja
i ri duke ua shpërndarë sakramentin anëtarëve

Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve jo vetëm që na lidh me Perëndinë dhe Birin e Tij, por na lidh edhe me njëri‑tjetrin. Disa vjet më parë, po vizitoja Kosta-Rikën me familjen dhe mora pjesë në mbledhjen e sakramentit në një njësi vendore të Kishës. Kur hymë, u mirëpritëm ngrohtë nga disa anëtarë. Gjatë mbledhjes, kënduam himnin e sakramentit me bashkësinë e vogël. I vëzhguam priftërinjtë teksa përgatitnin sakramentin dhe më pas i dëgjuam teksa thoshin lutjet e sakramentit. Ndërsa na kaluan bukën dhe ujin, u kaplova nga dashuria e Perëndisë për secilin prej atyre bashkëmbajtësve të besëlidhjeve. Nuk e kisha takuar asnjërin prej tyre përpara mbledhjes, por ndjeva unitet dhe lidhje të afërt me ta ngaqë të gjithë ne i kishim bërë dhe po përpiqeshim fort t’i mbanim të njëjtat premtime ndaj Perëndisë.

Kur i bëjmë dhe përpiqemi fort t’i mbajmë besëlidhjet e shenjta me Perëndinë, ne fillojmë të përjetojmë një ndjesi përkatësie më të madhe nga sa mund të arrihet nëpërmjet një anëtarësimi me çfarëdolloj grupi tokësor ose kalimtar.5 Ne “nuk je[m]i më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë” (Efesianëve 2:19).

E di që disa prej nesh, për shkak të rrethanave në vdekshmëri, nuk do ta kenë mundësinë të marrin çdo ordinancë dhe të bëjnë çdo besëlidhje në këtë jetë në vdekshmëri.6 Në raste të tilla, Perëndia kërkon që ne të bëjmë “gjithçka që ne mund të bëjmë” (shih te 2 Nefi 25:23) për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet që i kemi në dispozicion. Ai më pas premton të na japë mundësinë që ne ta marrim cilëndo nga ordinancat dhe besëlidhjet e mbetura në jetën tjetër (shih te Doktrina e Besëlidhje 138:54, 58). Ai do të bëjë të mundur që ne të marrim çdo bekim që Ai ka për fëmijët e Tij (shih te Mosia 2:41).

Pamja
portretizim i Jezusit me disa fëmijë

Bërja si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti

Perëndia gëzohet kur ne ndiejmë dashurinë, unitetin dhe forcën që vjen nga një ndjesi e thellë përkatësie me Të, Birin e Tij dhe me ata që i ndjekin Ata. Megjithatë, Ai ka plane shumë më të mëdha për ne! Ndërkohë që Ai na fton të vijmë kështu siç jemi, dëshira e Tij reale është që ne të bëhemi si Ai.

Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve nuk na ndihmojnë vetëm që t’i përkasim Perëndisë dhe Krishtit, por na aftësojnë edhe me fuqinë për t’u bërë si Ata (shih te Doktrina e Besëlidhje 84:19–22). Teka i mbajmë besëlidhjet e shoqëruara me ordinancat shpëtuese dhe ekzaltuese të ungjillit, fuqia e Perëndisë mund të rrjedhë në jetën tonë. Ne mund ta shohim shtegun e besëlidhjeve si një lloj programi stazhi hyjnor. Teksa bëjmë dhe mbajmë besëlidhje me Perëndinë, ne ushtrohemi për të menduar, për t’u sjellë dhe për të dashur ashtu siç bën Ai. Pak nga pak, me ndihmën dhe fuqinë e Tij, ne aftësohemi për t’u bërë si Ai.

Perëndia dëshiron fort që ne t’i bashkohemi Atij dhe Birit të Tij për të bërë që “të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Ai i ka dhënë secilit prej nesh kohë në këtë tokë, dhurata shpirtërore dhe lirinë e zgjedhjes për t’i përdorur ato në shërbim të të tjerëve. Ne jemi bijtë dhe bijat e Tij dhe Ai ka një punë të rëndësishme për ne që ta kryejmë (shih te Moisiu 1:4, 6).

Për të qenë frytdhënës në punën e Tij, na nevojitet t’i shohim gjërat nga jashtë dhe të mësojmë se si ta vëmë Perëndinë të parin dhe shpesh të vendosim nevojat e të tjerëve përpara nevojave tona. Përqendrimi tek të tjerët kërkon sakrificë vetjake (shih te Doktrina e Besëlidhje 138:12–13), por sjell edhe më shumë kuptim në jetën tonë dhe siguron gëzim të madh (shih tek Alma 36:24–26).

Teksa përfshihemi në veprën e Perëndisë, ne nuk kemi përkatësi thjesht si anëtarë të një grupi; përkundrazi, ne bëhemi bashkëpjesëmarrës të vërtetë me Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Nuk ka ndjenjë më të madhe se të dish që Perëndia na mirëbeson mjaftueshëm sa të punojë nëpërmjet nesh për t’u sjellë jetë të përjetshme të tjerëve.

Pamja
grup me njerëz të ndryshëm duke ndërvepruar

Tri Ftesa

Në mbyllje, unë bëj tri ftesa që mund të na ndihmojnë të fitojmë një ndjesi të gëzueshme dhe të qëndrueshme identiteti dhe përkatësie dhe që na aftësojnë të arrijmë potencialin tonë hyjnor.

1. Unë bëj ftesën që t’i japim përparësi identitetit tonë hyjnor si bija dhe bij të Perëndisë. Kjo do të thotë që ne e bazojmë vlerën tonë vetjake tek origjina jonë hyjnore. Ne kërkojmë ta ndërtojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë nëpërmjet lutjes dhe studimit të shkrimeve të shenjta, respektimit të ditës së Shabatit dhe adhurimit në tempull dhe çfarëdo veprimtarie tjetër që e sjell Shpirtin e Shenjtë në jetën tonë dhe e forcon lidhjen tonë me Të. Ne e lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.7

2. Unë bëj ftesën që ta pranojmë Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë dhe ta vëmë dishepullimin tonë ndaj Tij mbi çfarëdolloj interesi tjetër. Kjo do të thotë që ne e marrim mbi vete emrin e Tij dhe se dëshirojmë të njihemi si pasuesit e Tij. Ne kërkojmë të marrim faljen e Tij dhe forcën e Tij të përditshme. Ne bëjmë besëlidhje dhe i mbajmë ato. Ne përpiqemi fort që të bëhemi si Ai.

3. Unë bëj ftesën që të përfshihemi në veprën e Perëndisë duke i ndihmuar të tjerët që të vijnë te Krishti dhe të fitojnë jetë të përjetshme. Kjo do të thotë që ne i ndihmojmë të tjerët ta shohin identitetin e tyre hyjnor dhe të kenë një ndjenjë përkatësie. Ne e shprehim hapur gëzimin që gjejmë te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij (shih tek Alma 36:23–25). Ne përpiqemi fort që t’i ndihmojmë të tjerët t’i bëjnë dhe t’i mbajnë besëlidhjet e shenjta me Perëndinë. Ne kërkojmë udhërrëfimin e Perëndisë për të ditur se cilin mund të bekojmë dhe se si ta bëjmë këtë.

Premtoj se teksa i japim përparësi marrëdhënies sonë me Perëndinë dhe dishepullimit tonë ndaj Jezu Krishtit, ne do të gjejmë gëzim në identitetin tonë hyjnor, do të fitojmë një ndjesi të qëndrueshme përkatësie dhe përfundimisht do të arrijmë potencialin tonë hyjnor.

Nga një fjalim i dhënë në një takim shpirtëror: “Divine Identity, Becoming, and Belonging”, në Universitetin “Brigam Jang” – Havai më 25 maj 2022.

Shënime

  1. APA Dictionary of Psychology, në zërin “belonging”, dictionary.apa.org.

  2. Joanna Cannon, “We All Want to Fit In”, Psychology Today (ditar në internet), 13 korrik 2016, psychologytoday.com.

  3. Brené Brown, Daring Greatly: How the Courage to Be Vulnerable Transforms the Way We Live, Love, Parent, and Lead (2015), f. 231–232.

  4. Libri i Mormonit flet për një rast kur njerëzit, ndonëse të larmishëm, ishin në unitet me Perëndinë (shih te 4 Nefi 1:15–17). Ky grup njerëzish e kujtoi trashëgiminë e vet hyjnore, e vuri besëlidhjen e vet me Të mbi gjithçka tjetër dhe jetoi në unitet e dashuri me të tjerët, pavarësisht nga ndryshimet gjenetike dhe mjedisore.

  5. Shtëpia e shenjtë e Zotit krijon gjithashtu një mjedis barazie dhe përkatësie me anë të besëlidhjeve. Merrni parasysh sa vijon rreth përvojës sonë në tempull: Të gjithë janë të ftuar të përgatiten dhe të kualifikohen për një rekomandim tempulli. Të gjithë vishemi me të bardha duke simbolizuar dëlirësinë dhe barazinë kolektive përpara Perëndisë. Ne i thërrasim njëri‑tjetrit vëlla ose motër dhe nuk përdorim tituj formalë tokësorë. Të gjithëve u sigurohen të njëjtat mundësi për të mësuar. Të gjithëve u ofrohen të njëjtat besëlidhje dhe ordinanca dhe mund të marrin të njëjtat bekime të përjetshme.

  6. Nga 117 miliardë njerëz që kanë jetuar ndonjëherë në këtë tokë (shih Toshiko Kaneda and Carl Haub, “How Many People Have Ever Lived on Earth?”, Zyra e Referencave mbi Popullsinë, 18 maj 2021, prb.org/articles/how-many-people-have-ever-lived-on-earth), relativisht pak vetë kanë patur qasje tek të gjitha ordinancat shpëtuese dhe ekzaltuese të ungjillit. Si rrjedhojë, pjesës më të madhe të fëmijëve të Perëndisë do t’i nevojitet që t’i marrë këto ordinanca shpëtuese në botën e shpirtrave.

  7. Shih Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92–95.

Shtyp në Letër