2023
Disa Këshilla për Përballjen me një të Ardhme të Frikshme dhe të Pasigurt
Mars 2023


Të Rinjtë në Moshë Madhore

Disa Këshilla për Përballjen me një të Ardhme të Frikshme dhe të Pasigurt

Në jetën time vetjake dhe profesionale, jam përballur me shumë pasiguri dhe kam mësuar se si Ati Qiellor mund të na ndihmojë ta kalojmë atë.

Pamja
doreza boksi

Kur isha i ri, familja ime emigroi nga Tonga për në Shtetet e Bashkuara. Kur jetonim në Tongë, babai im ishte boksier dhe pasi erdhëm në Shtetet e Bashkuara ai filloi të më trajnonte për boks. Plani i tij i madh ishte që një ditë të isha kampion bote i peshave të rënda. Më mësoi që të mos kisha frikë. Nuk mund të kesh frikë në ringun e boksit nëse do t’ia dalësh mbanë. Babai im mund të mos ketë qenë aktiv në Kishë në atë kohë, por më mësoi shumë gjëra rreth përballjes me vështirësitë dhe pasjes së kurajës përballë frikës.

Të mësuarit e boksit më përgatiti posaçërisht për profesionin tim. Shkova në Universitetin “Brigam Jang” me një bursë në futbollin amerikan. Kur luaja atë që ndoshta shumica e njerëzve e quajnë si gjënë më të frikshme që bëhet në një fushë futbolli amerikan – kapja e topave të gjuajtur – unë e bëja gjithnjë me qetësi. Në të vërtetë nuk kam pasur kurrë frikë. Në fakt, më pëlqente shumë sfida e futbollit amerikan.

Babai im priste që unë të kisha një karrierë profesionale në sporte – doli që ishte në futboll amerikan, jo në boks. Por mendoj se stërvitja ime më ndihmoi që të kisha besim si dhe të shikoja përpara me besim e shpresë kur isha i pasigurt.

Pamja
babai i Vai Sikahimës duke festuar shënimin e pikës në fushë nga Vai

Babai i Vait feston shënimin e pikës në fushë nga i biri.

Fotografia nga Mark Philbrick / BYU © BYU Photo

Si të rinj në moshë madhore, ju përballeni me shumë vështirësi dhe gjëra të frikshme – probleme vetjake të tilla si vendimmarrjet për arsimimin, karrierën, martesën dhe familjen. Përballeni gjithashtu me probleme edhe më të gjera, si kriza ekonomike, tundimet shoqërore, trazirat politike, madje dhe luftën. Por nga përvoja ime e jetës, e di se kur zgjedhim ta vëmë Zotin të parin në jetën tonë, Ai është gjithmonë atje për të na udhërrëfyer që t’i kalojmë ato.

Ndikimi i Miqve të Mirë dhe Njerëzve të Mirë

Pata fatin e mirë që kisha miq të mirë kur u ktheva në shtëpi nga misioni im. Një mik që e kisha takuar te qendra e trajnimit të misionarëve, më njohu me gruan që më vonë do të bëhej bashkëshortja ime. Nuk e kam nënvlerësuar kurrë faktin se miqtë shpesh përcaktojnë suksesin ose dështimin tënd në jetë. Miqtë dhe këshilluesit tuaj mund t’ju ndihmojnë të merrni vendime që ose do t’ju afrojnë ose do t’ju largojnë nga Perëndia.

Kur isha në Ligën e Futbollit Kombëtar Amerikan, e kisha si shembull Giford Nilsenin, i cili kishte luajtur gjithashtu për UBJ‑në përpara se të hynte në LFKA‑në [NFL], duke u bërë si përfundim një komentues sportiv dhe më vonë një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë. E ndesha një ditë në fushën e golfit dhe ai më dha këshillën që e ndryshoi rrjedhën e karrierës sime profesionale.

Ishim ulur në një karrocë golfi, vetëm ne të dy dhe pasi i tregova planin tim që të hyja në televizion siç kishte bërë ai pasi të përfundoja me futbollin amerikan, ai më dha këshillë që të mos e vazhdoja ndjekjen e një karriere që do të më kërkonte të isha në ndeshje të dielave. Në atë mënyrë, unë do të kisha gjithnjë mundësi që të kisha një thirrje të dielave dhe të shërbeja në Kishë.

Ishte shumë e thjeshtë, por ishte një këshillë që nuk e kisha menduar më parë. Dhe kjo e ndryshoi rrjedhën e jetës sime.

Të Mbrosh Atë që Beson

Shumica e karrierës sime në LFKA [NFL] ishte e frikshme dhe e pasigurt. Vetëm 2 përqind e lojtarëve të futbollit amerikan në moshë kolegji ia dilnin të hynin në LFKA [NFL] dhe, edhe nëse do të futesha në skuadër, mund të më hiqnin kurdoherë. Fakti që qëndrova për aq kohë sa zgjati, ishte një bekim i madh, por të jetoje pa një plan tjetër ishte e vështirë. Kërkonte shumë besim.

Në LFKA [NFL], ti kalon nga skuadra në skuadër, vit pas viti, lart e poshtë vendit. Duket sikur ka shkëlqimin e vet, por shumica e njerëzve nuk i shohin ato pjesët më pak tërheqëse. Është mënyrë e vështirë për të jetuar. Është mënyrë e vështirë edhe për jetesën në çift; kjo është një arsye pse ka përqindje të lartë shkurorëzimi mes atletëve profesionistë.

Ajo që më ndihmoi, ishin bindjet e mia. Kisha një themel të fortë në Krisht dhe i bëra në mënyrë të vazhdueshme të gjitha gjërat që më mbajtën pranë Tij dhe Atit Qiellor.

Ju mbase nuk përballeni me një shteg karriere të mbushur me kaq shumë trysni dhe tundim, por në rastin tim, të qenit një atlet profesionist më ballafaqoi me një stil jetese krejt ndryshe nga ai që isha mësuar. Për shembull, kur mbërrinim në qytete të mëdha dhe udhëtonim në fillim, shokët e skuadrës menjëherë donin të dilnin dhe të merrnin pjesë në veprimtari në ndryshme që nuk ishin në përputhje me standardet e ungjillit dhe që në ato çaste e kuptova se nuk mund të qëndroja me njërën këmbë në Sion dhe tjetrën në Babiloni. Nuk mund të përgjigjesha “më lër ta mendoj” me qëllim që t’u bëja atyre qejfin. Përkundrazi, më duhej të isha i fortë në besimin tim dhe të shpjegoja arsyen përse nuk mund të shkoja me ta.

Pamja
Sikahima në ditën e tij të dasmës

Vai me bashkëshorten e tij, Kilën, në ditën e tyre të dasmës

Fotografitë familjare me mirësinë e autorit

Isha me fat që u martova ndërkohë që isha në kolegj. Kur hyra në LFKA [NFL], bashkëshortja ime dhe foshnja ynë gjashtë muajsh ishin me mua. U martuam në tempull dhe e dija se çfarë nënkuptonin ato besëlidhje për mua dhe se çfarë kërkohej prej meje. Kështu që u thosha shokëve të mi të skuadrës: “Jo, këtë gjë nuk e bëj”. Dhe kur ngulnin këmbë, u thosha: “Unë dhe bashkëshortja ime jemi martuar në shtëpinë e Zotit ku bëmë besëlidhje të shenjta. Ato besëlidhje janë më të rëndësishme për mua se çdo gjë tjetër.”

Gjëja e çuditshme është se ata që m’i bënin ato pyetje dhe ishin krejtësisht të sigurt se çfarë lloj personi isha unë, pikërisht ata shokë të skuadrës filluan të më mbronin dhe t’i respektonin standardet dhe besëlidhjet e mia. Duhet guxim për ta mbrojtur atë që beson dhe e ke të vyer.

Përballja me kaq shumë tundime ishte e frikshme në fillim, por mbështetja tek Ati Qiellor dhe të kujtuarit e shenjtërisë dhe domethënies së besëlidhjeve të mia përballë trysnisë, gjithmonë më ndihmoi të qëndroj i fortë në shtegun e besëlidhjeve gjatë karrierës sime. Ju mund të bëni të njëjtën gjë në çfarëdo rrethane në të cilën gjendeni gjatë rrugëtimit tuaj.

Ndiqeni Profetin

E di se si të rinj në moshë madhore sot, ju po përballeni me shumë pasiguri dhe frikë për të ardhmen. Mund të pyetni veten se çfarë të bëni dhe si ta kaloni këtë. Përgjigjja e lehtë është të ndiqni udhërrëfimin nga profeti, Presidenti Rasëll M. Nelson. Kur një profet i Perëndisë ju flet dhe ju jep diçka specifike, gjëja më e thjeshtë është ta ndiqni atë këshillë.

Kam vënë re se Presidentit Nelson i pëlqen të ofrojë lista të thjeshta të gjërave që ne mund të bëjmë për të qëndruar të fortë në besimin tonë. Gjatë viteve të kaluara, ai u ka dhënë anëtarëve të Kishës pesë gjëra për ta rritur besimin tonë, pesë mënyra për ta rritur hovin shpirtëror, tri gjëra që duhet të bëni teksa e filloni vitin e ri dhe shumë më tepër.

Ai nuk jep një listë me një duzinë gjërash për t’u bërë. Vetëm gjëra të thjeshta. Nëse i bëni këto gjëra të thjeshta dhe jeni të vendosur, jeta juaj do të ndryshojë duke i bërë gjërat e thjeshta. Themeli i besimit tuaj do të qëndrojë i fortë, madje edhe kur ka rrethana të frikshme në botë. Bëjini ato gjëra dhe do të jeni në rregull. Do të jeni të mbrojtur.

Kjo më kujton historinë e Naamanit te Dhiata e Vjetër, komandantit të ushtrisë që kishte lebër. Ai shkoi tek Eliseu, profeti, i cili i tha atij të shkonte e të lahej në lumin Jordan shtatë herë. Komandanti i ushtrisë mendoi se ishte e kotë, por njerëzit rreth tij e nxitën që ai si gjeneral thjesht të shkonte ta bënte atë. Ai pati besimin që të shkonte ta bënte atë, diçka aq të thjeshtë. Dhe ai u pastrua [nga lebra]. (Shih te 2 Mbretërve 5:1–15.)

Pamja
familja Sikahima

familja e Plakut Sikahima

Vëreni të Ardhmen Tuaj në Duart e Atit Qiellor

Tani, unë mund të mos jem bërë një boksier profesionist, por mësova disa gjëra rreth përballjes me frikën. Me të gjitha vendimet dhe sfidat që po përballeni pikërisht tani si një i ri apo e re në moshë madhore, ju përgjërohem që të bëni gjithçka mundeni për ta kërkuar dhe mbajtur ndikimin e Shpirtit gjithmonë me vete. Ky është çelësi. Siç dha mësim Presidenti Nelson kohët e fundit: “Hovi shpirtëror pozitiv do të na bëjë të shkojmë përpara mes frikës dhe pasigurisë së krijuar nga pandemitë, cunamet, shpërthimet vullkanike dhe armiqësitë e armatosura. Hovi shpirtëror mund të na ndihmojë t’u bëjmë ballë sulmeve të pamëshirshme e të liga të kundërshtarit dhe t’i pengojë përpjekjet e tij për ta gërryer themelin tonë vetjak shpirtëror.”1

Kur isha më i ri dhe u përballa me realitetin e shpërnguljes në një vend të ri si emigrant, nuk e përfytyroja dot një jetë pa pasiguri. Ndërsa kam vijuar të përballem me pasiguri gjatë gjithë jetës dhe karrierës sime, kam mësuar se si dishepuj të Krishtit, ne mund të përballojmë çfarëdolloj frike ose pengese që na del në shtegun tonë.

Teksa e rrethoni veten me njerëz të mirë, i krijoni dhe i mbroni bindjet tuaja dhe ndiqni profetin, e ardhmja nuk do të duket aq e frikshme. Dhe do të jeni në gjendje të shkoni përpara me besim pavarësisht nga frika ose pasiguria. Kur e vini të ardhmen tuaj në duart e Atit tuaj të dashur Qiellor, ju mund të mirëbesoni se Ai do të jetë gjithmonë atje për ju.

Shtyp në Letër