2023
Dhënia e Shërbesës me Shpresë dhe Besim
Mars 2023


“Dhënia e Shërbesës me Shpresë dhe Besim”, Liahona, mars 2023.

Parimet e Dhënies së Shërbesës

Dhënia e Shërbesës me Shpresë dhe Besim

Teksa i mbajmë besëlidhjet tona me besim, ne mund të ndihmojmë për t’i udhëhequr të tjerët drejt Burimit të shpresës.

Pamja
një grua duke prekur cepin e rrobës së Jezusit

Një Shembull Shprese dhe Besimi

Tek Ungjilli i Markut, ne lexojmë një rrëfim prekës për “një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh”. Ne mësojmë se ajo “kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq” (Marku 5:25–26).

Dymbëdhjetë vjet është një kohë e gjatë për të vuajtur. Gjithë pasuria është sasi e madhe për t’u shpenzuar. Dhe ajo veç sa përkeqësohej. Nëse ndokush kishte të drejtën të ndihej e pashpresë, ishte kjo grua.

Sidoqoftë, “kur dëgjoi të flitej për Jezusin, [ajo] u fut në turmë dhe pas shpinës [së tij] preku rrobën e Jezusit”, sepse ajo besonte: “Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem”.

Marku raporton se, për shkak të besimit të saj, “menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje” (Marku 5:27–29).

Shpresa dhe besimi i gruas te Jezusi mori përgjigje me një bekim. “Dhe ai i tha: ‘Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!’” (Marku 5:34).

Në çfarëdo sfide, nuk ka rëndësi madhësia apo kohëzgjatja, shpresa është tejet e nevojshme. Frika dhe dëshpërimi mund të na paralizojnë. Por shpresa dhe besimi te Jezu Krishti ftojnë fuqinë dhe bekimet e Tij në jetën tonë.

Ushtrimi i Shpresës dhe Besimit në Dhënien e Shërbesës

Si vëllezër e motra shërbestare, neve do të na nevojitet të kërkojmë për të atillë shpresë dhe besim. Dhënia e shërbesës mund të jetë sa shpërblyese aq edhe sfiduese. Kur dikush që duam ta ndihmojmë, duket sikur nuk e do ndihmën, mund të jetë e lehtë ta humbasim shpresën. Ndoshta jeni duke u përballur me këtë situatë tani me një pjesëtar të familjes ose një mik apo mikeshë, ose me dikë që aktualisht jeni caktuar ta ndihmoni. Ndoshta, si ajo grua me fluks gjaku, vetëm Zoti e di se sa kohë dhe përpjekje keni shpenzuar duke u përpjekur që të gjeni diçka që ndihmon. Por si ajo grua, nëse do të gjejmë shpresën për të vazhduar të shtrijmë dorën e ndihmës me besim, fuqia e Shpëtimtarit mund të sjellë një ndryshim.

Nganjëherë sfida është dhënia e shërbesës ndaj atyre që po luftojnë për të ndier shpresë të mjaftueshme që të ushtrojnë besim. Ka disa njerëz, të cilët si ajo grua te Marku, mund të përjetojnë sëmundje kronike, pengesa financiare ose çfarëdolloj sprovash në dukje dërrmuese. Dijenia se nuk janë vetëm në betejat e tyre, mund të jetë një burim i fuqishëm i shpresës. Mund t’i ndihmojmë ata ta gjejnë këtë shpresë teksa u tregojmë gatishmërinë tonë për të mbajtur barrët e tyre, për të vajtuar me ta, për t’i ngushëlluar ata e për të qëndruar si dëshmitarë të Perëndisë (shih Mosia 18:9–10).1

Pamja
dy gra duke lexuar një revistë me një vajzë

Zhvillimi i Shpresës dhe Besimit

Si mund t’i zhvillojmë cilësitë si të Krishtit të shpresës dhe besimit? Ja tek janë disa mendime:

  1. Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se shpresa është të mirëbesosh se Jezu Krishti do t’i përmbushë premtimet e Tij ndaj jush.2 Ngaqë “shpresa është një dhunti e Shpirtit” [shih te Moroni 8:26]”3, është diçka për të cilën ne mund të lutemi (shih te Doktrina e Besëlidhje 46:7–9).

  2. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se ta rritësh besimin kërkon punë. Ai tregoi se si ne mund ta rritim besimin tonë nëpërmjet studimit, zgjedhjes për të besuar, të vepruarit me besim, marrjes së ordinancave të shenjta denjësisht dhe kërkimit të ndihmës Atit Qiellor.4

Shënime

  1. Shih Jeffrey R. Holland, “Bearing One Another’s Burdens”, Liahona, qershor 2018, f. 26–28.

  2. Shih Diter F. Uhtdorf, “Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 22.

  3. Diter F. Uhtdorf, “Forca e Pafundme e Shpresës”, f. 21.

  4. Shih Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 103.

Shtyp në Letër