2023
Edhe në Moshë të Thyer, Dashuria Hyjnore Nuk Ligështohet Kurrë
Mars 2023


“Edhe në Moshë të Thyer, Dashuria Hyjnore Nuk Ligështohet Kurrë”, Liahona, mars 2023.

Mplakja me Besnikëri

Edhe në Moshë të Thyer, Dashuria Hyjnore Nuk Ligështohet Kurrë

Të thirrura për të qenë në presidencën e Shoqatës së Ndihmës në vitet e vona të jetës së tyre, këto gra sjellin përvojë dhe kuptueshmëri në shërbimin e tyre.

Pamja
tri gra të moshuara me paterica me rrota

Fotografia nga Riçard M. Romni

“Mund të jemi thjesht presidenca më e moshuar e Shoqatës së Ndihmës në Kishë”, – thotë Sheron Aleksandër. Ajo sapo mbushi 89 vjeçe. Këshilltaret e saj Marlin Petersoni dhe Dorothi Arnoldi janë përkatësisht 90 dhe 91 vjeçe.

“Pra, mosha mestare e jona është 90 vjeçe ”, – thotë Dorothi, duke qeshur.

Kjo presidencë e Shoqatës së Ndihmës shërben në një degë në një kompleks banimi për të moshuar që jetojnë në mënyrë të pavarur, në Ogden të Jutës, në SHBA. Kompleksi është banesë për shumë anëtarë të moshuar të Kishës dhe presidenca shpesh mund të shihet duke ecur me paterica me rrota, teksa shkon derë më derë, duke përshëndetur njerëzit dhe duke u siguruar që gjithkush është mirë.

Më përpara, këto vizita shërbestare i bënin njerëz nga lagjet vendore. Pastaj presidenti i kunjit ndjeu nxitjen që ta inkurajonte presidencën e degës për ta pyetur Zotin se cilët banorë mund të shërbenin dhe në çfarë thirrjesh.

Tepër të Bekuar për të Thënë Jo

“Kur presidenti i degës më ofroi thirrjen për të qenë presidentja e Shoqatës së Ndihmës”, – thotë Sheroni, “mendova, se kisha marrë tepër bekime për të thënë jo”. Ajo, në këmbim, mori frymëzim se kush duhet të ishin këshilltaret e saj. “Fillimisht më erdhi në mendje Marlina”, – thotë ajo. “Kishim punuar së bashku në nivel kunji, duke përgatitur emra për punën në tempull. E dija që bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë jo shumë kohë më parë dhe, edhe pse e kishte të vështirë këtë, e dija se ajo ishte besnike.”

Pastaj, pas një mbledhjeje sakramenti, Sheroni vështroi rreth e rrotull dhomës, duke kërkuar frymëzim. “Pashë Dorothin. Ajo më buzëqeshi dhe e dija se ishte këshilltarja tjetër. Zoti më priu tek ato të dyja dhe Ai nuk gaboi me asnjërën prej tyre.”

Si një Familje e Madhe

Sheroni thotë gjithashtu se ajo mund ta shohë dobinë e pasjes së njerëzve nga vetë kompleksi për t’u shërbyer të tjerëve brenda kompleksit. “Jemi më në brendësi të situatës”, – thotë ajo. “E kuptojmë se nganjëherë jemi të ngathëta, nganjëherë harrojmë ca si shumë dhe nganjëherë thjesht nuk ndihemi mirë. Dhe dimë si të qeshim për problemet që hasim së bashku.”

“Njerëzit që jetojnë këtu, janë bërë tashmë si një familje e madhe”, – thotë Marlina. “I hamë vaktet e ushqimit së bashku, kështu që e shohim njëri‑tjetrin tre herë në ditë. Pastaj ndonjëherë jemi bashkë edhe në veprimtari. Ndaj mendoj se presidenti i kunjit ishte i frymëzuar kur ndjeu se kishte njerëz këtu që mund t’i shërbenin njëri‑tjetrit.”

“Ne e dimë se ç’ndodh ditë pas dite. Ne e dimë nëse dikush ka nevojë për ndihmë ose sëmuret”, – thotë Dorothi.

Përveçse japin shërbesë dhe i ndihmojnë të tjerët të japin shërbesë, anëtaret e presidencës organizojnë mësimdhënien në Shoqatën e Ndihmës. Ato sugjerojnë se cilat banore mund të thirren për të dhënë mësim dhe i përshtatin detyrat dhe programet sipas nevojave individuale të mësueseve.

Mbani Mend, Zoti Ju Do

“Por puna jonë kryesore është t’u kujtojmë banorëve të tjerë se Zoti i do ata”, – thotë Marlina. “Teksa e bëjmë këtë, edhe ne e ndiejmë dashurinë e Tij.”

“Të gjithë kemi vështirësi”, – thotë Sheroni. “Tani kam probleme që nuk i kisha pesë muaj më parë. Por kur fillon të më vijë keq për veten, mendoj: ‘Ej, kjo nuk është asgjë krahasuar me atë që kaloi Shpëtimtari’. Ne jemi këtu për të përparuar dhe për t’u rritur. Madje edhe në një moshë të thyer, nëse i lini përvojat tuaja t’ju mësojnë, ju mund të vazhdoni të mësoni përgjithmonë.”

Ngaqë secila prej tyre ka humbur njerëz të dashur, anëtaret e presidencës kanë mësuar gjithashtu shumë rreth dhembshurisë. Ato dinë se si t’i ndihmojnë ata që kanë nevojë të ngushëllohen. Për shembull, brenda një viti Marlina humbi katër pjesëtarë të familjes dhe një nga mikeshat më të mira.

“Ngaqë kemi kaluar gjëra të vështira”, – thotë ajo, “ne mund t’i ndihmojmë të tjerët t’i kalojnë gjërat e vështira gjithashtu. Nëse po ju mundon diçka, harrojini shqetësimet tuaja duke u shërbyer të tjerëve. Kjo thirrje më ka ndihmuar të bëj pikërisht këtë gjë.”

Anëtaret e presidencës sjellin një mori përvojash dhe kuptueshmërie në thirrjet e tyre. Ato kanë jetuar dhe punuar në shumë vende, Kaliforni, Ohajo, Uajoming dhe Jutë. Ato kanë shërbyer në tempull, në thirrjet në lagje dhe kunje, në Fillore, tek Të Rejat dhe në shërbimet humanitare. Por Dorothi nuk ka pasur kurrë një thirrje në Shoqatën e Ndihmës, deri tani.

“Cila është motoja e Shoqatës së Ndihmës?” – thotë ajo. “‘Dashuria [Hyjnore] Nuk Ligështohet Kurrë.’ Kjo është e vërtetë kur je i ri në moshë, por është po aq e vërtetë edhe kur je më i moshuar. Si presidencë, ne po e mësojmë këtë çdo ditë.”

“Mendoj se ne punojmë shumë mirë bashkë”, – thotë Sheroni, duke shkelur syrin, “si presidencë me një mesatare moshe 90 vjeçe.”

Shtyp në Letër