2023
Ndjekja e Shembullit të Krishtit: Kujdesi për Njerëzit në Nevojë
Mars 2023


“Ndjekja e Shembullit të Krishtit: Kujdesi për Njerëzit në Nevojë”, Liahona, mars 2023.

Ndjekja e Shembullit të Krishtit: Kujdesi për Njerëzit në Nevojë

Nga prodhimi i ushqimit deri te reagimi ndaj urgjencave për dhënien e shërbesës, ka shumë mënyra se si mund t’u tregojmë dashuri fqinjëve tanë.

Pamja
Jezusi duke shëruar një të verbër

I Will Believe [Unë do të Besoj], nga Liz Lemon Swindle, nuk lejohet kopjimi

Si pasues të Jezu Krishtit, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përpiqen fort t’i jetojnë dy urdhërimet e mëdha: Ta duam Perëndinë dhe ta duam të afërmin tonë (shih te Mateu 22:37–39). Ndjekja e këtyre dy urdhërimeve të mëdha dhe shembulli i Jezu Krishtit është ajo që e udhërrëfen Kishën dhe anëtarët e saj për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë.

Pra, si ndihmon Kisha për t’u kujdesur për njerëzit në nevojë? Si mund të marrin pjesë anëtarët në këtë vepër të madhërishme?

Mënyra për të Ndihmuar

Si anëtarë të Kishës, ne përpiqemi t’i gjejmë ata që janë në nevojë dhe t’u japim ndihmë të gjithë fëmijëve të Perëndisë pavarësisht nga raca, kombësia ose feja e tyre.

Ne kujdesemi për ata që janë në nevojë, në shumë mënyra duke përfshirë:

  • Agjërimin dhe përdorimin e ofertave të agjërimit.

  • Dhënien e shërbesës ndaj njëri-tjetrit.

  • Programet e mbështetjes te vetja.

  • Ushqimin, arsimimin, ujin e pastër dhe programet për kujdesin shëndetësor në rang botëror.

  • Reagimin ndaj urgjencave.

  • Projektet vullnetare në komunitet.

Ndonëse disa përpjekje humanitare të Kishës janë në shkallë të gjerë, edhe përpjekjet e vogla mund të kenë kolektivisht një ndikim të madh. Ja tek janë disa shembuj se si anëtarët e Kishës i ndihmojnë njerëzit në nevojë.

Pamja
njerëz duke luajtur lojëra tavoline së bashku

Duke filluar që nga shkurti i vitit 2022, shenjtorët e ditëve të mëvonshme në Poloni i ndihmuan refugjatët për transportin, ushqimin dhe strehimin.

Dhënia e Shërbesës mes Konfliktit

ReAna dhe Sterling Xharvisi – anëtarë të Kishës në Varshavë të Polonisë, nuk dinin se çfarë të prisnin kur zgjodhën të mikpritnin refugjatë në shtëpinë e tyre. Por ata qenë të gatshëm të ndihmonin në çdo lloj mënyre që të mundnin.

Shpejt pasi nisi konflikti në Europë, një familje ukrainase prej pesë vetash mbërriti në derën e tyre në orën 1:00 të mëngjesit. Ata kishin udhëtuar për gati 800 km për të gjetur siguri. Familja Xharvis i mikëpriti Marina dhe Serhi Bovtin dhe tre fëmijët e tyre në shtëpinë e vet. Me kalimin e kohës, ata ndien një dashuri dhe shqetësim real për familjen Bovti. “Kur jep dashuri, ajo shtohet”, – tha Marina për shembullin e shërbimit të familjes Xharvis. “Dashuria na afron më shumë me njëri-tjetrin dhe me Zotin.”

Si anëtarë të Kishës, ne përpiqemi fort ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke u dhënë shërbesë njerëzve rrotull nesh. Njerëzit nuk kanë përse të marrin arratinë nga lufta ose përndjekja për të pasur nevojë për ndihmë. Çdo vepër dashamirësie nga ana jonë, sado e vogël që të jetë, mund të ndikojë në jetën e dikujt për mirë.

Komunitet që i Ndan Gjërat me Të Tjerët

Në Fermën e Kulturave Bujqësore në Laie të Havait, që Kisha ka në zotërim, mbi 310 familje kultivojnë kultura bujqësore për të mbajtur veten. Në arat e tyre prej rreth 5000 m², këto familje kultivojnë taro, tapioka, patate të ëmbla, frutën e bukës [bradfruit], guava dhe kultura të tjera bujqësore tipike të ishullit.

Ferma administrohet nga një çift misionarësh dhe merr përkrahje nga misionarë dhe anëtarë të tjerë. Këta vullnetarë ndihmojnë për pastrimin e tokës, përgatitin dheun për mbjellje dhe japin mësim për zotësitë bujqësore bazë.

Për shkak të këtyre misionarëve, anëtarëve dhe vullnetarëve, shumë njerëz që kanë nevojë për ushqim në Havai, kanë mundësi ta mbajnë më mirë veten e tyre kur vendet e punës janë të pakta. Komuniteti është më i fortë kur njerëzit punojnë së bashku për t’u kujdesur për fermën dhe për ta ndarë me njëri-tjetrin atë që kultivojnë.

Projektet humanitare të Kishës ndihmojnë për t’iu ofruar siguri ushqimore, arsimim, ujë të pastër dhe shërbime të tjera të kujdesit shëndetësor miliona njerëzve anembanë botës. Kisha ofron gjithashtu shumë burime për ta zhvilluar mbështetjen te vetja, duke përfshirë depot me rezerva të peshkopëve, qendrat e punësimit, dyqanet e Industrive Deseret, këshillimin për Shërbimet Familjare, kurset për mbështetjen te vetja, fermat në zotërim të Kishës dhe pemishtet si ajo e Fermës së Kulturave Bujqësore në Laie të Havait. Këto projekte shpesh bëhen me ndihmën e anëtarëve dhe misionarëve, dhurimet vetëmohuese nga koha, talentet dhe burime të tjera të të cilëve sjellin një ndryshim të madh tek njerëzit nevojtarë.

Një Vepër Miqësie

Në vitin 2021, rreth 200 anëtarë të Kishës iu përgjigjën një thirrjeje për ndihmë. Ata shkuan nëpër qendra në Gjermani, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera për të ndihmuar me proceset [e nevojshme] për gati 55 000 refugjatë nga Afganistani.

Shumë vullnetarë shërbyen në këto qendra për dy ose tri javë dhe disa qëndruan edhe më gjatë. Anëtarët e Kishës plotësuan nevojat e ngutshme të njerëzve që kërkonin strehim, duke siguruar ushqim, veshmbathje dhe furnizime të tjera.

Motrat e Shoqatës së Ndihmës në Gjermani vunë re se disa gra afgane po përdornin këmishët e bashkëshortëve të tyre për të mbuluar kokën në vend të shamive të tyre tradicionale, të cilat i kishin humbur ose dëmtuar gjatë rrëmujës në aeroport. Këto motra të Shoqatës së Ndihmës u mblodhën për të qepur veshje tradicionale myslimane për këto gra në nevojë, duke treguar dashamirësi dhe respekt për të tjerët, duke i lënë mënjanë ndasitë ose bindjet e tyre fetare.

Motra Sheron Iubank, drejtoreshë e organizatës Latter-day Saint Charities [Organizatës Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] tha: “Për përpjekjet tona individuale nuk kërkohet medoemos para ose vendndodhje të largëta; për to vërtet kërkohet udhërrëfimi i Shpirtit të Shenjtë dhe një zemër e gatshme për t’i thënë Zotit: ‘Ja ku jam, dërgomë mua’ [Isaia 6:8]”1.

Dëshira për të shërbyer kur na godet fatkeqësia është arsyeja përse Kisha shpesh është një nga grupet e para që reagon – si me ndihmesa materiale ashtu edhe me ndihmë afatgjatë. Puna e anëtarëve dhe e misionarëve të Kishës i ndihmon njerëzit nevojtarë për të ndier siguri, për të marrë kujdes fizik dhe mendor dhe për të ndier dashurinë e Perëndisë nëpërmjet dashamirësisë së të tjerëve.

Pamja
Krishti me lebrosin e shëruar

Where Are the Nine? [Ku Janë Nëntë të Tjerët?] nga Liz Lemon Swindle, nuk lejohet kopjimi

Thirrur për Veprën 

Te Doktrina e Besëlidhje 4:3 thuhet: “Nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën”. Me të gjitha ato që bën Kisha, ka shumë mënyra për të shërbyer.

Shumë nga përpjekjet e organizuara të Kishës për t’i ndihmuar njerëzit nevojtarë janë të mundura vetëm me shërbimin e misionarëve dhe anëtarëve. Jo çdokush është i aftë të presë në shtëpi një familje refugjatësh, të japë ndihmë për nevojat fizike të të tjerëve ose të lërë çdo gjë për të ndihmuar në një fatkeqësi. Por çdo person ka një rol për të luajtur dhe kontributi i çdo personi ndihet dhe vlerësohet.

Një nga mënyrat më të rëndësishme se si anëtarët i japin kësaj vepre, është nëpërmjet ofertave të agjërimit dhe dhurimeve humanitare. Këto dhurime të shenjta përdoren për të ndihmuar njerëzit më nevojtarë dhe për të pasur një ndikim të thellë në jetën e njerëzve që ndihmohen. Anëtarët e Kishës mund të shërbejnë në misione humanitare, të ndërmjetësojnë kurse të mbështetjes te vetja dhe të ndihmojnë vullnetarisht në depot e peshkopëve dhe në dyqanet e Industrive Deseret. Ju mund të kujdeseni gjithashtu për njerëzit nevojtarë nëpërmjet shërbimit në rang vendor, dhurimeve të gjakut, detyrave për dhënie shërbese, lutjes dhe shumë më tepër.

Të gjithë jemi thirrur për punën. Jemi thirrur për të ndjekur shembullin e Jezu Krishtit dhe për ta dashur Perëndinë e për ta dashur të afërmin tonë. Gjithçka që na nevojitet, është një zemër e gatshme.

Shtyp në Letër