2023
Fuqia për të Ngritur
Mars 2023


“Fuqia për të Ngritur”, Liahona, mars 2023.

Mrekullitë e Jezusit

Marku 5:22–24, 35–42

Fuqia për të Ngritur

Ne mund të ndihmojmë për t’i ngritur moralisht ata që po presin çlirim nga Shpëtimtari.

Pamja
njerëz që kanë bashkuar duart

U mundëm. Përsëri. I mëshova karriges sime me kokën e varur poshtë. Isha thjesht vëzhguese, por prapë nuk kisha energji të qëndroja në këmbë. Skuadra jonë u përpoq shumë fort. Disa kishin mavijosje. Disa çalonin në fushë. Pas humbjeve të njëpasnjëshme të skuadrës sonë të futbollit në shkollë të mesme, jo vetëm që humbëm, por na u thye edhe zemra.

Sapo zhgënjimi filloi të më pushtonte, njëra nga vajzat më të reja të skuadrës kaloi aty pranë. Më tërhoqi menjëherë ndjesia e qëllimit që pashë në fytyrën e saj.

E vështroja kur hidhte hapat për t’ia zgjatur dorën secilës vajzë, por jo në shenjë pranimi të humbjes. Përkundrazi, ajo po i jepte lavdërime, ngushëllim dhe dhembshuri secilës individualisht. “Nuk të kam parë kurrë të vraposh aq fort për çdo pasim. Kjo është loja jote më e mirë.” Dhe një tjetre: “Ua, lojë e shkëlqyer. Ta them seriozisht, dhe më të mirën tënde sot!”

Sa herë që tokte duart, njërën dorë e zgjaste drejt dorës së tyre, ndërsa dorën tjetër e hidhte te njëra shpatull ose butësisht përkëdhelte një këmbë të mavijosur dhe të bërë pis nga bari. E ndieja se mbartte diçka përbrenda, një fuqi që në njëfarë mënyre kalonte nga ajo te zemra e secilës anëtare të skuadrës. Buzëqeshja filloi të depërtonte përmes zmbrapsjes dhe zhgënjimit të dhimbshëm. Gradualisht, një e nga një, çdo lojtare u ngrit në këmbë me një ndjesi të re që ndihej në ajër.

Kujt i bëhej vonë për mavijosjet dhe dhembjen? Kujt i bëhej vonë për zemërimin dhe acarimin? Asnjërës. Por si ishte e mundur që thjesht një dorë ta ngrinte dikë nga një gjendje vuajtjeje në një gjendje qëllimi dhe force?

Më lejoni t’ju tregoj disa gjëra që kam mësuar rreth fuqisë së Shpëtimtarit për të ngritur moralisht, dhe se si ne mund të ndihmojmë, ashtu si shoqja ime e skuadrës së futbollit.

Te Dhiata e Re, ne lexojmë rrëfimin vijues për të bijën e Jairit.

“Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa [Jezusin], i ra ndër këmbë,

dhe ju lut me të madhe duke thënë: ‘Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!’

Dhe [Jezusi] shkoi me të” (Marku 5:22–24).

“Dhe [Jezusi] shkoi me të”

Më pëlqen vargu “[Jezusi] shkoi me të” (Marku 5:24). Mrekullia nuk kishte ndodhur ende. Në fakt, do të kishte disa vonesa tragjike përpara se familja të merrte çlirimin për të cilin po përgjërohej. Por Krishti ishte tashmë udhës me ta.

Kur kemi nevojë për atë që nuk mund ta bëjmë vetë, mund të mirëbesojmë se Jezusi po vjen. Dhe ne mund të mirëbesojmë se ndërsa presim me besim për mrekullitë e Tij në jetën tonë ose në jetën e njerëzve tanë të dashur, Ai do të ecë me ne. Ai do të ecë me ne përmes gjithë ankthit, frikës dhe trishtimit që mund të na presin gjatë udhës që të çon drejt çlirimit.

“Eja, vëri duart mbi të”

Nuk na takon neve ta ofrojmë shërimin, por ashtu si Jairi, ne mund ta sjellim, Jezu Krishtin, Shëruesin Mjeshtër, tek ata që i duam. Jairi e dinte se duart e Shpëtimtarit mund ta ngrinin dikë nga një gjendje vuajtjeje në një gjendje qëllimi dhe force.

E pashë këtë gjë te futbollistja jonë që na mbushi me dritë. Ajo po e shpërndante dritën e Krishtit në një fushë futbolli dhe po e lejonte Atë të kryente shërimin e Tij. Duke e mbajtur lart dritën e Tij, ajo po ndihmonte të mblidhte Izraelin.

Secili prej nesh do të ketë nevojë për shpëtim nga dikush tjetër përveç vetvetes. Sado të cenueshëm që mund të duket se na lë, ne mund të mirëbesojmë se Ati Qiellor siguroi një Shpëtimtar i cili mund të na ndihmojë të ngrihemi prej dëshpërimit. Ne mund të marrim pjesë me Të, ashtu siç bëri heroina ime futbolliste.

Po sikur gjërat të përkeqësohen ndërsa prisni që të vijnë bekimet e Tij?

“Pse e bezdis akoma Mësuesin?”

Ndërsa Krishti kishte marrë udhën për në shtëpinë e Jairit, Ai u vonua. Rrugët ishin plot me turma njerëzish dhe teksa Ai përpiqej të çante përpara, një grua me besim të madh, e cila kishte pritur gjithashtu për dorën e Tij shëruese, preku rrobën e Tij.

“Sepse thoshte: ‘Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem’.

Menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje” (Marku 5:28–29).

Sa ankth do të ketë pasur Jairi? Sa i acaruar do të ketë qenë me vonesën? Kur doli nga shtëpia, e bija ishte tashmë në prag të vdekjes. Pastaj, teksa Shpëtimtari kërkonte gruan që ishte shëruar dhe i foli asaj, dikush nga shtëpia e Jairit mbërriti me lajmin e keq: “Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?” (Marku 5:35.)

Çfarë bekimi ishte për gruan që kishte pritur aq gjatë! Por çfarë tragjedie për Jairin dhe familjen e tij, që nuk kishte fare kohë të priste! Nganjëherë kur jemi në pritje të diçkaje, mund të jetë e vështirë ta mbash shpresën se Ai po vjen. Por për Jairin dhe familjen e tij, tani dukej tepër vonë për të shpresuar për mrekullinë që patën nevojë. E bija e tij vdiq. Pse e bezdis akoma Mësuesin?

Përse? Sepse kufijtë që ne shpesh herë ia vëmë mrekullive të Shpëtimtarit, nuk kanë aspak rëndësi. Ai nuk kufizohet nga afatet tona, sikundër as fuqia e Tij nuk kufizohet nga kuptueshmëria jonë për atë se çfarë është e mundur.

Nëse do të shikojmë me sytë e besimit teksa presim, ne do të shohim sigurime se çlirimi i Tij po vjen (shih tek Alma 58:11). Këto sigurime mund të na e ndryshojnë zemrën dhe të pohojnë besimin tonë tek Ai. Edhe nëse duket sikur mundësia ka kaluar, Ai ende po vjen; momenti juaj do të vijë.

Pamja
Jezusi ngre të bijën e Jairit nga vdekja

The Raising of Jairus’ Daughter [Ngritja e së Bijës së Jairit nga Vdekja], nga Gabriel Max / Peter Horree / Alamy Stock Photo

“Mos ki frikë, vetëm ki besim”

Sapo Shpëtimtari e dëgjoi lajmin e keq, Ai i tha Jairit: “Mos ki frikë, vetëm ki besim” (Marku 5:36). Fjalët e Shpëtimtarit ndaj Jairit tregojnë se sa në ankth është Ai për të na siguruar gjatë pritjes. Shërbesa e Tij nuk resht, edhe kur ajo e jona resht. Ai e nxiti menjëherë Jairin të kishte besim.

“Hyri dhe u tha atyre: ‘Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle.’ …

E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: ‘Talitha kumi’, që e përkthyer do të thotë: ‘Vajzë, ty po të them: Çohu!’” (Marku 5:39, 41.)

A e vutë re? “E mori … për dore vajzën.” Në duart e Tij ka fuqi. Presidenti Hauard W. Hanter (1907–1995) njëherë tha: “Gjithçka ku Jezusi vendos duart e Tij, jeton”1. Çfarë mund të bëjmë që ta pranojmë më mirë dorën e Tij shëruese? Si mund të jemi duart e Tij për të ndihmuar që t’i lartësojmë të tjerët [shpirtërisht] në momentet e tyre të pikëllimit dhe dëshpërimit?

“Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë”

Jeta iu rikthye në çast të bijës së Jairit: “Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë” (Marku 5:42). Jeta në vdekshmëri do të na sjellë shtretër nga të cilët duhet të ngrihemi. Për secilin prej nesh, ata shtretër do të duken pak të ndryshëm – nga shkurajimi pas një humbjeje në fushën [e lojës] deri te humbja e një njeriu të dashur. Vuajtja do të vijë në mënyrë të pashmangshme. Por Ai nuk do të na braktisë kurrë, pavarësisht se sa të tmerrshme apo të pashpresa mund të duken rrethanat. Nganjëherë, Ai na lejon të ecim përmes vendeve djerrë dhe të shkretuara që Ai të mund të zgjatë dorën e Tij dhe t’u japë atyre jetë.

Me shenjën e Shlyerjes së Tij – gjurmën e një gozhde në secilën dorë – Ai na tregon se ne jemi shërbesa e Tij: “Vër re, unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia” (1 Nefi 21:16). Shërbesa e Krishtit ishte, është dhe gjithmonë do të jetë për të na ngritur ne nga vdekja, së cilës nuk i shpëtojmë dot fizikisht apo shpirtërisht dhe është bërë e gjitha e mundur nëpërmjet flijimit të Tij shëlbues.

Kur këto brenga dhe sfida ndodhin, ne mund të përfytyrojmë duart që mbartin shenjën në secilën pëllëmbë të Tij, duke na sjellë jo vetëm dashamirësi dhe dashuri por edhe fuqi për të mposhtur. Duke ushtruar besim tek Ai, do të mbizotërojë rivendosja e plotë nga Shëlbuesi i botës mbi çfarëdolloj situate me të cilën përballemi.

Dhe ne mund të jemi zgjatim i duarve të Tij ndaj të tjerëve që kanë nevojë për prekjen e Tij.

Unë dëshmoj që secili prej nesh do të ngrihet nga dobësitë e veta dhe si përfundim nga varri. Mbajeni mend, edhe nëse gjithçka duket e humbur, Ai është atje dhe i zgjat duart e Tij të fuqisë shpëtuese. Përfytyrojeni gëzimin që do të vijë teksa Ai i zgjat duart e Tij drejt duarve tuaja dhe shpall: “Ty po të them: Çohu!” Dhe ne do të ngrihemi vërtet.

Shtyp në Letër