2023
Kulla e Kambanores – Kujtuesi Im
Mars 2023


“Kulla e Kambanores – Kujtuesi Im”, Liahona, mars 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Kulla e Kambanores – Kujtuesi Im

Po t’i isha përgjigjur nxitjes, do të kishim pasur më shumë kohë për t’ia mësuar ungjillin Xhuzepes.

Pamja
kulla e kambanores

Në një ditë përgatitjeje, shoku im misionar dhe unë po vizitonim një katedrale në Parmë të Italisë. Ndërsa mrekulloheshim nga pikturat e bukura atje, pikasa një murg aty pranë që po lexonte. Mora një nxitje që t’i flisja atij rreth Librit të Mormonit, por pata frikë.

Si do të reagonte një murg katolik ndaj një misionari që predikonte brenda një katedraleje? Nxitja më erdhi përsëri, por prapë e shmanga.

Disa javë më vonë, dy misionarët e tjerë që rrinin me ne në apartament, na thanë se kishin vizituar një murg që quhej Xhuzepe ndërsa komunikonin me njerëz në rrugë. Pasi i kishin dhënë atij një nga mësimet, ai pranoi një kopje të Librit të Mormonit.

Kur misionarët u takuan me Xhuzepen një javë më vonë, ai e kishte lexuar tashmë pjesën më të madhe të librit. Ishte shumë i emocionuar për këtë.

Përpara se misionarët të takoheshin përsëri me Xhuzepen, shoku im misionar u transferua, ndaj iu bashkova dyshes tjetër misionare. Kur shkuam t’i jepnim mësim Xhuzepes në katedrale, nuk u habita kur pashë se ai ishte murgu për të cilin kisha pasur nxitje që t’i flisja më parë.

Xhuzepe na tha se po lexonte te libri i Almës, të cilin e krahasoi me Apostullin Pal. Vendosëm t’i jepnim atij mësimin e dytë, që përfundoi me një ftesë për t’u pagëzuar. Në fund të mësimit tonë, pikërisht përpara se të mund ta ftonim Xhuzepen për të ndjekur shembullin e Jezu Krishti duke u pagëzuar, filluan të binin kambanoret e katedrales, duke na trembur.

Xhuzepja e kishte humbur idenë e kohës dhe tha se duhej të bashkohej me murgjit e tjerë për lutjet e mesditës. Pastaj kërkoi ndjesë, duke na thënë se nuk do kishte më mundësi në të ardhmen pasi do të shkonte të jetonte në një manastir. Do të vijonte me shugurimin e tij si prift.

U shtangëm nga fakti se sa shpejt kaloi ai çast domethënës. Po t’i isha përgjigjur nxitjes sime të mëparshme, do të kishim pasur më shumë kohë për t’i dhënë mësime Xhuzepes dhe ai do të kishte pasur kohë ta lexonte deri në fund Librin e Mormonit. Me aq sa di unë, misionarët nuk i dhanë më kurrë atij mësim.

Pas asaj përvoje, tingulli i kambanoreve të kullës me sahat më kujtonte se sa me vlerë dhe e shkurtër është koha jonë. Gjatë pjesës tjetër të misionit tim, sa herë që e dëgjoja [kambanën në] një kullë kambanoreje të binte, merrja shtysë t’i flisja për ungjillin kujtdo që të mundja. Sot, ende përpiqem fort që t’i ndjek nxitjet nga Shpirti.

Shtyp në Letër