2023
“Po Ju Jap Paqen Time”
Mars 2023


“Po Ju Jap Paqen Time”, Liahona, mars 2023.

“Po Ju Jap Paqen Time”

Të njëjtat fjalë që Jezusi ia tha detit të Galilesë atë natë të stuhishme, Ai na i thotë neve gjatë stuhive të jetës sonë: “Pusho dhe fashitu!” [Ose si te himni: “Paq[e], qet[ë]si”.]

Pamja
shi mbi oqean

Fotografia nga Getty Images

Për mua dhe familjen time, dimri i ftohtë i 1944‑ës ishte një kohë frike dhe pasigurie. Duke qenë se babai im ishte larguar për në luftë në frontin perëndimor, nëna ime pati vështirësi për të siguruar ushqim dhe ngrohje për katër fëmijët e saj teksa lufta kërcënonte shtëpinë tonë në Çekosllovaki.

Çdo ditë, rreziku sa vinte e afrohej më tepër. Si përfundim, nëna ime vendosi t’ia mbathte për në shtëpinë e prindërve të saj në Gjermaninë lindore. Ajo ia doli disi të na hipte të gjithëve në njërin nga trenat e fundit të refugjatëve që nisej drejt perëndimit. Shpërthimet në afërsi, fytyrat e shqetësuara dhe stomaku i zbrazët i njerëzve i kujtuan gjithsecilit në tren se po udhëtonim përmes një zone lufte.

Një natë pasi treni ynë ndaloi për furnizime, nëna ime shpejtoi të kërkonte për ushqim. Kur u kthye, e tmerruar zbuloi se treni tek i cili ndodheshim ne fëmijët, kishte ikur!

E kapluar nga shqetësimi, ajo iu drejtua Perëndisë në lutje të dëshpëruar dhe më pas e alarmuar filloi të kërkonte nëpër errësirë te stacioni i trenit. Vrapoi nga binari në binar dhe nga treni në tren. Ajo e dinte se po të nisej treni përpara se ta gjente, ajo mund të mos na shihte më kurrë.

Stuhitë në Jetën Tonë

Gjatë shërbesës në vdekshmëri të Shpëtimtarit, dishepujt e Tij mësuan se Ai mund t’i qetësonte stuhitë në jetën tonë. Një mbrëmje, pas një dite të ngjeshur me mësimdhënie pranë bregut të detit, Zoti sugjeroi që ata të “kalo[nin] te bregu matanë” i detit të Galilesë (Marku 4:35).

Pasi u nisën, Jezusi gjeti një vend për të pushuar në barkë dhe e zuri gjumi. Shpejt qielli u errësua “shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej” (shih te Marku 4:37–38).

Ne nuk e dimë se për sa kohë u munduan dishepujt për ta mbajtur mbi ujë barkën, por në fund nuk mundën të prisnin më gjatë. Në gjendje paniku, ata thirrën: “Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?” (Marku 4:38.)

Të gjithë ne përballemi me stuhi të papritura. Në jetën tonë në vdekshmëri me sprova dhe prova, mund të ndihemi të shqetësuar, të shkurajuar dhe të zhgënjyer. Zemra na copëtohet për veten dhe njerëzit që i duam. Ne shqetësohemi e frikësohemi dhe nganjëherë e humbasim shpresën. Gjatë kohëve të tilla, edhe ne mund të thërrasim: “Mësues, a nuk merakosesh që unë po marr fund?”

Në vitet e rinisë sime, njëri nga himnet e mia të parapëlqyera ishte: “M’sues, Furtuna po Shtohet”1. Unë mund ta përfytyroja veten në barkë kur “valët lart ja po ngrihe[shin]”. Pjesa më thelbësore dhe më e bukur e himnit vijon: “Era dhe valët do të binden Ty: Paq[e], qet[ë]si”. Pastaj vjen mesazhi i rëndësishëm: “S’ka uj’ të gëlltis’ anijen ku rri Zoti i detit, tokës dhe qiellit”.

Nëse ne e mirëpresim Jezu Krishtin, Princin e Paqes, në barkën tonë, nuk kemi përse të kemi frikë. Ne do ta dimë se mund të gjejmë paqe në mes të stuhive që shtillen brenda nesh dhe përreth nesh. Pasi dishepujt e Tij thirrën për ndihmë, Jezusi “u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho dhe fashitu!’ Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe” (Marku 4:39).

Të njëjtat fjalë që Jezusi ia tha detit të Galilesë atë natë të stuhishme, Ai na i thotë neve gjatë stuhive të jetës sonë: “Pusho dhe fashitu!” [Ose si te himni: “Paq[e], qet[ë]si”.]

“Jo si e Jep Bota”

Me dishepujt, ne mund të pyesim: “Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?” (Marku 4:41.)

Jezusi është një njeri i pashembullt. Si Biri i Perëndisë, Ai u thirr për të përmbushur një mision që askush tjetër nuk mund ta përmbushte.

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe në një mënyrë që nuk mund ta kuptojmë plotësisht, Shpëtimtari mori mbi Vete “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji” (Alma 7:11) dhe “peshën e grumbulluar të të gjitha mëkateve tokësore”2.

Ndonëse nuk kishte asnjë detyrim ndaj drejtësisë, Ai vuajti “tërë … kërkesa[t e] drejtësisë” (Alma 34:16). Me fjalët e Presidentit Bojd K. Paker (1924–2015), President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ai nuk kishte bërë asnjë gabim. Megjithatë, një grumbullim i të gjithë fajit, brengës e hidhërimit, dhimbjes e poshtërimit, të të gjithë torturave mendore, emocionale dhe fizike që njeh njeriu – Ai i përjetoi ato të gjitha.”3 Dhe Ai i mposhti të gjitha ato.

Alma profetizoi se Shpëtimtari “do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12).

Nëpërmjet një dhurimi hyjnor të lindur nga mundimi përvëlues dhe nga dashuria për ne, Jezu Krishti e pagoi çmimin për të na shëlbuar, për të na forcuar dhe për të na shpëtuar. Është vetëm nëpërmjet Shlyerjes që ne mund të gjejmë paqen që e duam dhe na nevojitet kaq shumë në këtë jetë. Siç premtoi Shpëtimtari: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).

Pamja
portret i Jezu Krishtit

Jeta dhe mësimet e Jezu Krishtit na japin mënyrat se si ta ndiejmë paqen e Tij nëse do të drejtohemi tek Ai.

Christ’s Image [Imazh i Krishtit], nga Heinrich Hofmann

Mënyrat drejt Paqes

Jezu Krishti, i cili i kontrollon elementet, mund të na i lehtësojë barrët. Ai ka fuqinë për të shëruar individë dhe kombe. Ai na ka treguar udhën drejt paqes së vërtetë, pasi Ai është “Princ[i] i paqes” (Isaia 9:6). Paqja që ofron Shpëtimtari, mund ta shndërrojë të gjithë ekzistencën njerëzore nëse fëmijët e Perëndisë do ta lejonin atë. Jeta dhe mësimet e Tij na japin mënyrat se si ta ndiejmë paqen e Tij nëse do të drejtohemi tek Ai.

“Mëso nga unë”, – tha Ai “dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua” (Doktrina e Besëlidhje 19:23).

Ne mësojmë nga Ai teksa e lartësojmë shpirtin tonë në lutje, i studiojmë jetën dhe mësimet e Tij dhe “qëndro[jmë] në vende të shenjta”, duke përfshirë tempullin (Doktrina e Besëlidhje 87:8; shih edhe 45:32). Frekuentojeni shtëpinë e Zotit sa më shpesh të mundeni. Tempulli është një strehë paqeje nga stuhitë në rritje të kohës sonë.

Miku im i dashur, Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha mësim: “Kur shkojmë [në tempull], kur kujtojmë besëlidhjet që bëjmë atje, ne do të jemi në gjendje të durojmë çdo sprovë dhe të mposhtim çdo tundim. Tempulli na jep qëllim për jetën tonë. Ai sjell paqe në shpirtin tonë – jo paqen që japin njerëzit, por paqen e premtuar nga Biri i Perëndisë.”4

Ne i dëgjojmë fjalët e Tij teksa ua vëmë veshin mësimeve të Tij në shkrimet e shenjta dhe nga profetët e Tij të gjallë, e ndjekim shembullin e Tij dhe vijmë në Kishën e Tij, ku na ofrohet shoqërim, marrim mësime dhe ushqehemi me fjalën e mirë të Perëndisë.

Ne ecim në butësinë e Shpirtit të Tij kur japim dashuri siç dha Ai, falim siç fali Ai, pendohemi dhe i bëjmë shtëpitë tona vende ku mund ta ndiejmë Shpirtin e Tij. Ne gjithashtu ecim në butësinë e Shpirtit të Tij kur i ndihmojmë të tjerët, i shërbejmë Perëndisë me gëzim dhe përpiqemi fort për t’u bërë “pasues paqësorë të Krishtit” (Moroni 7:3).

Këta hapa besimi dhe veprash çojnë në drejtësi, na bekojnë gjatë rrugëtimit të dishepullimit tonë dhe na sjellin paqe të qëndrueshme dhe qëllim.

“Ta Keni Paqen në Mua”

Në një natë të errët në një stacion të zymtë treni shumë vjet më parë, nëna ime u përball me një zgjedhje. Mund të ulej dhe të vajtonte për tragjedinë se kishte humbur fëmijët e saj, ose t’i vendoste besimin dhe shpresën e saj në veprim. Jam mirënjohës që besimi i saj e mposhti frikën dhe se shpresa e saj e mposhti dëshpërimin.

Si përfundim, në një zonë të thellë të stacionit, ajo e gjeti trenin tonë. Atje, më në fund, ne u bashkuam. Atë natë dhe gjatë shumë ditëve e netëve të stuhishme që do të vinin, shembulli i nënës sime që e vendosi besimin e saj në veprim, na dha krahë teksa shpresuam dhe punuam për një të ardhme më të ndritur.

Sot, shumë prej fëmijëve të Perëndisë zbulojnë se treni i tyre, gjithashtu, është zhvendosur. Shpresat dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen u janë prerë nga lufta, pandemia dhe humbja e shëndetit, punësimit, mundësive për arsimim dhe njerëzve të dashur. Ata janë të shkurajuar, të vetmuar, të shkretuar.

Vëllezër e motra, miq të dashur, ne jetojmë në kohë të rrezikshme. Kombet janë të ngatërruara, gjykimi është mbi tokë dhe paqja është marrë nga toka (shih te Doktrina e Besëlidhje 1:35; 88:79). Por paqja nuk ka përse të na merret nga zemra, edhe nëse do të na duhet të vuajmë, të pikëllohemi dhe të presim Zotin.

Për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, lutjet tona do të marrin përgjigje. Koha [se kur ndodhin gjërat] i përket Perëndisë, por unë dëshmoj se dëshirat tona të drejta një ditë do të realizohen dhe se të gjitha humbjet tona do të kompensohen, nëse do të përdorim dhuratën hyjnore të pendimit dhe do të mbetemi besnikë.5

Ne do të shërohemi fizikisht dhe shpirtërisht.

Ne do të qëndrojmë të pastër dhe të shenjtë përpara shufrës së gjykimit.

Ne do të ribashkohemi me njerëzit tanë të dashur në një ringjallje të lavdishme.

Ndërkohë, qofshim të ngushëlluar dhe marrshim zemër teksa mbështetemi te premtimi i Shpëtimtarit: “T[ë] keni paqen në mua” (Gjoni 16:33).

Shtyp në Letër