2023
Ti e Ke Ditur Gjithnjë
Mars 2023


“Ti e Ke Ditur Gjithnjë”, Liahona, mars 2023.

Portrete Besimi

Ti e Ke Ditur Gjithnjë

Kisha marrë një dëshmi për ungjillin e rivendosur, por më kishin mbetur edhe 10 muaj sipas kontratës sime si shërbestar për një kishë tjetër.

Pamja
mësues me nxënës të seminarit

Fotografia nga Leslie Nilsson

Kur isha gati nëntë vjeç, më dhembte shumë dhëmbi. Dhembja u bë e padurueshme, por nuk kishim para që të shkonim te dentisti. Në atë kohë, jetoja në Meksikë me gjyshen time që ishte si engjëll.

Me lot në sy, ajo më pyeti: “A beson ti te Jezusi dhe se Ai mund të të ndihmojë?”

I thashë se e besoja. Ajo më kërkoi të shkoja në dhomën tjetër, të gjunjëzohesha dhe të lutesha për një mrekulli. E derdha shpirtin tim në lutje, por asgjë nuk ndodhi. I acaruar, ushtrova aq trysni sa munda në nofullën time dhe bëra një lutje të dytë. Shpejt dhembja m’u largua! Kur vrapova t’ia tregoja gjyshes, e gjeta atë në gjunjë, duke iu përgjëruar Perëndisë për të ndihmuar nipin e saj të vogël. Nuk e kam harruar kurrë atë skenë dhe i jam mirënjohës gjyshes sime.

Më pas vijuan përvoja të tjera shpirtërore.

Kur mbusha 14 vjeç, u shpërngula në Teksas, SHBA, për t’u bashkuar me prindërit e vëllezërit e motrat e mia. Gjeta një kishë vendore dhe fillova të frekuentoja rregullisht. Për shkak të përvojave të mia me Perëndinë, dëshiroja të flisja për Të dhe ungjillin e Tij me cilindo që donte të më dëgjonte. Në moshën 15-vjeçare u regjistrova në shkollën e priftërinjve protestantë për t’u bërë një shërbestar. Për dy vjet, frekuentova klasat e Biblës përpara shkollës, pas shkollës dhe gjatë fundjavave.

Një mëngjes në shkollë të mesme, dëgjova zhurmë në dhomën e veshjes së djemve. “Ti mormon!” bërtiti dikush. Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë atë term, por m’u duk si fyerje.

Më vonë zbulova se personi që po i bërtitnin, ishte miku im i mirë Dereku.

“Më vjen keq që të thirrën mormon”, – thashë unë.

Dereku buzëqeshi dhe pyeti: “Ti nuk e di se çfarë është një mormon apo jo?”

Ai më tha se ishte nofkë për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

“Pra, a je ti i krishterë?” – e pyeta.

Kur ai më tha “po” u lumturova të dija se ne kishim të përbashkët besimin te Jezu Krishti.

“A e Ke Pyetur Perëndinë?”

“Cilët janë këta mormonët” – pyeta me vete, “dhe çfarë besojnë ata?”

U futa në internet për ta zbuluar. Pas disa minutash, vendosa se miku im nuk ishte hiç i krishterë dhe se ai do të shkonte në ferr. Kështu që nisa një mision për ta shpëtuar atë.

Gjatë dy viteve vijuese, lexova çdo libër që mund të gjeja rreth Kishës, duke përfshirë të gjithë Librin e Mormonit, dy herë. Takohesha gjithashtu me Derekun dhe misionarët kohëplotë për t’u përpjekur që t’i ndihmoja.

Kur mbusha 17 vjeç, u diplomova nga shkolla e priftërinjve protestantë, u shugurova shërbestar dhe u bëra famullitari i një bashkësie të vogël në Teksas. Dy muaj pas shugurimit tim, pata një diskutim tjetër me misionarët.

Njëri nga ata më pyeti: “Ti e ke lexuar Librin e Mormonit dhe ke marrë çdo mësim që mund të japim, por a e ke pyetur Perëndinë a është i vërtetë mesazhi ynë? Ti do ta dalloje një përgjigje prej Tij, apo jo?”

“Sigurisht”, – u përgjigja unë me krenari.

“Siç e shoh unë, kjo është një situatë ku ti del i fituar”, – u përgjigj misionari. “Në qoftë se ti e pyet Perëndinë a është e vërtetë ajo që beson miku yt dhe Perëndia të thotë jo, atëherë ti e ke përmbushur misionin për të cilin e nise këtë rrugëtim. Por nëse Ai të thotë që mesazhi ynë është i vërtetë, atëherë mendo për faktin se çfarë mund të fitosh.”

Nuk e kisha menduar kurrë në këtë mënyrë. Atë mbrëmje u gjunjëzova në dhomën time pasi lexova te Moroni 10:3–5. Përgjigjja ime nga Perëndia ishte e thjeshtë dhe e fuqishme. Me një zë të qetë e të ulët, Ai m’u përgjigj: “Ti e ke ditur gjithnjë”.

Një Kapitull i Ri në Dishepullimin Tim

Tani që kisha një dëshmi për ungjillin e rivendosur, çfarë të bëja me shërbesën time [si prift protestant]? Më kishin mbetur edhe 10 muaj sipas kontratës sime si shërbestar [protestant]. Pas shumë lutjesh dhe këshillimi me Perëndinë, vendosa ta përfundoja shërbimin tim. Për 10 muajt në vijim, vazhdova të flisja për të vërtetat tradicionale të Biblës, por kur ishte e mundur i shtoja këndvështrimin e ungjillit të rivendosur. Njerëzit i kuptonin ato të vërteta dhe tufa ime e vogël nga 20 veta u shtua në gati 150 veta.

Pasi përfundova kontratën, m’u ofrua një pozicion i përhershëm, por e dija se kishte ardhur koha të pagëzohesha në Kishë. Kishte ardhur koha që të filloja një kapitull të ri në rrugëtimin tim të dishepullimit.

Kur u thashë pjesëtarëve të familjes sime, ata nuk ishin të lumtur në fillim. Por tre muaj pasi u bashkova me Kishën, pagëzova nënën dhe dy prej vëllezërve e motrave të mia. Pasi shërbeva në një mision kohëplotë në Oklahoma, në Misionin e Oklahoma-Sitit, unë pagëzova motrën time më të vogël.

Nëse dikush më pyet se përse e ndryshova fenë time, gjithnjë i përgjigjem: “Unë nuk e ndryshova fenë time, jam ende një i krishterë i përkushtuar. Përkundrazi, thjesht e forcova marrëdhënien time me Shpëtimtarin duke u bërë një anëtar i pagëzuar i Kishës së Tij – i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë e njoh Atë më personalisht dhe privatisht tani më shumë se më përpara për shkak të Rivendosjes së ungjillit, Librit të Mormonit, profetëve bashkëkohorë dhe ordinancave të shenjta të shpëtimit dhe ekzaltimit që janë në dispozicion në tempull.”

Sot kam privilegjin që të punoj si një mësues seminari me kohë të plotë. Po ia përkushtoj ende jetën time Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Dhe vazhdoj t’i flas kujtdo që më dëgjon, rreth “gëzim[it] të madh” (Lluka 2:10).

Shtyp në Letër