2023
Gjithçka do të Jetë Mirë
Mars 2023


“Gjithçka do të Jetë Mirë”, Liahona, mars 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Gjithçka do të Jetë Mirë

Orët dukeshin pambarim derisa njëri nga kirurgët iu afrua nënës sime në dhomën e pritjes.

Pamja
Rasëll M. Nelson duke parë një zemër artificiale

Fotografi e Rasëll M. Nelsonit nga Eldon K. Linschoten

Në fillimin e viteve 1980, babai im, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë e zemrës, iu nënshtrua një operacioni të zemrës që shpresonim se do t’ia zgjaste jetën.

Në atë kohë, procedura përparimtare që përdorën kirurgët, ishte e re në Uruguai. Kirurgët e zëvendësuan valvulën e aortës me një valvul artificiale. Si përfundim, ajo procedurë u bë e zakonshme dhe ka shpëtuar jetë të panumërta.

Për shkak se operacioni përfshinte këtë procedurë revolucionare kirurgjikale, morën pjesë disa kirurgë të zemrës, duke vëzhguar operacionin. Ndërkohë që kirurgët bënin operacionin, nëna ime rrinte e shqetësuar në dhomën e pritjes. Orët dukeshin pambarim.

U gëzuam kur mësuam se operacioni kishte dalë plotësisht me sukses Pasi doli nga dhoma e operacionit, njëri nga kirurgët u veçua nga kirurgët e tjerë dhe shkoi në dhomën e pritjes. Ai ishte një kirurg vizitor që kishte ardhur në Uruguai për të mbikëqyrur operacionin.

Iu afrua nënës sime, ndaloi dhe e preku në shpatull duke i dhënë siguri. Pastaj, duke e vështruar në sy i tha: “Gjithçka do të jetë mirë”.

Kirurgu kishte të drejtë. Babai im jetoi edhe 24 vjet të tjerë, duke i shërbyer Zotit me gjithë zemër, i shëndetshëm tashmë, deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Gjatë konferencës së përgjithshme më të fundit të Kishës, nënës sime iu kujtua ajo vizitë e veçantë kaq shumë vjet më parë. Në fakt, asaj i kujtohet sa herë që kirurgu i cili e vizitoi, Presidenti Rasëll M. Nelson, u flet shenjtorëve.

Të gjithë profetët e Zotit janë të veçantë për ne në njëfarë mënyre. Disa janë të veçantë sepse shërbyen si President i Kishës ndërkohë që ishim të rinj në moshë. Disa janë të veçantë sepse shërbyen si President kur u pagëzuam. Për nënën time dhe mua, Presidenti Nelson është i veçantë sepse ai e di që çdo procedurë serioze mjekësore nuk prek vetëm pacientin, por edhe njerëzit e dashur të pacientit. Ai e di se pjesëtarët e familjes kanë nevojë për fjalë inkurajimi, force dhe sigurie kur shëndeti ose jeta e një njeriu të dashur është në rrezik.

Ne do të jemi gjithnjë mirënjohës për fjalët siguruese të Presidentit Nelson kohë më parë në Uruguai dhe për jetën e tij të shërbimit ndaj Atit Qiellor dhe fëmijëve të Atit Qiellor.

Shtyp në Letër