2023
Pamja Ime nga Lart
Mars 2023


“Pamja Ime nga Lart”, Liahona, mars 2023.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Pamja Ime nga Lart

Gati sa nuk e flaka tej pikërisht gjënë që më nevojitej për të arritur synimin tim.

Pamja
zona në majën e malit Roi

Fotografi e zonës së majës të malit Roi nga autorja

Kohët e fundit, u nisa për një ngjitje në shtegun e famshëm në majën e Roit, në malet e bukura të Ishullit Jugor të Zelandës së Re. Për shkak se ngjitja zgjaste disa orë, mora vetëm atë që më nevojitej: disa ushqime të lehta dhe shumë ujë.

Që kur u nisa, çanta e shpinës m’u duk e rëndë. Pas gjysmë ore ngjitjeje, e ndjeva peshën e çantës sime edhe më shumë mbi shpatullat dhe shpinën time. Për një çast, mendova të derdhja ca nga uji që kisha me vete. Por menjëherë, e dija se do të më nevojitej.

Një orë e gjysmë përpara se të arrija në majën e malit, shtegu u bë më i thepisur dhe ishte i mbuluar nga dëbora. Fillova të mendoja se nuk mund të arrija në majë, por synimi im më dha shtysë që të vazhdoja.

Kur më në fund u ngjita deri në majë, çanta e shpinës m’u duk më e lehtë. Deri atje i kisha ngrënë ushqimet dhe e kisha pirë shumicën e ujit. Teksa çlodhesha dhe vlerësoja pamjen e bukur nga lart, reflektova për rrugëtimin tim deri në majën e malit dhe në jetë.

Për orë të tëra, u ngjita në të përpjetë, duke e ushqyer dhe hidratuar trupin tim që të kisha forcë për të vazhduar përpara. Ajo që më dukej si barrë në fillim, uji që të shpëton jetën, më bekoi që ta arrija synimin tim.

Të gjithë ne përjetojmë ulje dhe ngritje, por Fryma e Shenjtë na ndihmon që të marrim vendime të mira. Gati sa nuk lashë më shumë se gjysmë litri ujë rrugës, por ndjeva mbresën që ta mbaja.

Me sy të njomur, e falënderova Atin tim Qiellor për këto reflektime. Të qenit në malet e mbuluara nga dëbora atë ditë më frymëzoi që të analizoja jetën time, vendimet e mia, synimet e mia dhe idetë e mia për jetën.

Përpara ngjitjes sime, kisha shumë pasiguri në lidhje me jetën dhe punën time në një vend të huaj. Por tani e ndiej se gjithçka do të shkojë mirë. E di se Zoti do të kujdeset për mua.

Duke qenë në shoqërinë e Shpirtit, unë e di se mund të marr vendime të duhura që do të më lartësojnë mendërisht, fizikisht dhe shpirtërisht. Kur ndihem e rënë shpirtërisht, mund t’i drejtohem Shpëtimtarit, burimit të “uj[it] të gjallë” (Gjoni 4:10). E di se Ai do të më ushqejë dhe do të ma lehtësojë ngarkesën (shih te Mateu 11:28–30).

Shtyp në Letër