Liahona
Ndikimi Shpirtëror i Grave
Maj 2024


“Ndikimi Shpirtëror i Grave”, Liahona, maj 2024.

Nga Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror i Shoqatës së Ndihmës për Vitin 2024

17 mars 2024

Ndikimi Shpirtëror i Grave

Asnjëherë mos e nënvlerësoni fuqinë e jashtëzakonshme brenda jush për të ndikuar për mirë tek të tjerët.

Motrat e mia të dashura të Shoqatës së Ndihmës, jam mirënjohës që t’ju flas sot. Ju kam shpesh në mendje. Jam thellësisht mirënjohës për ju dhe ndihem në borxh ndaj jush. E mira e madhe që kjo Kishë arrin, dhe shumë të mira të mëdha që ndodhin në botë, ndodhin për shkakun tuaj! Faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj Zotit, si dhe përpjekjet tuaja për të fisnikëruar të tjerët. Unë e di se sa shumë ju do Zoti dhe sa shumë mbështetet tek ju.

Mahnitem nga besimi dhe ndjeshmëria juaj ndaj gjërave të Shpirtit. Jam i frymëzuar nga zelli juaj, udhëheqja dinamike dhe aftësia juaj për të parë një nevojë dhe për ta plotësuar atë. Qoftë ajo analfabetizmi, kequshqyerja, shqetësimet e shëndetit mendor ose nevojat ditë pas dite të të tjerëve, ju i trajtoni problemet e jetës reale me një kombinim të rrallë të zotësive, dhembshurisë, ideve dhe dashurisë. I gjithë misioni i Kishës së Zotit forcohet prej jush.

Motra, ju keni një dhurim hyjnor që ju lejon mirëfilli të ndryshoni jetë! Kjo është veçanërisht e vërtetë teksa jemi të përfshirë me zell në mandatin hyjnor për ta mbledhur Izraelin. Kurdoherë që ndihmojmë dikë ta gjejë shtegun e besëlidhjeve dhe të qëndrojë në të, ne po ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin. Askush nuk e bën këtë gjë më mirë se ju, si nëna, udhëheqëse, mësuese, motra dhe mikesha. Ju po përgatitni brezat e ardhshëm të Kishës së Zotit si dhe botën!

Kohët e fundit, ne mësuam nga një vajzë e vogël trevjeçare që u zgjua nga gjumi i saj gjatë ditës. Për ta argëtuar atë, vëllai i saj po i jepte disa kafshë pelushi njëra pas tjetrës. Por çfarë i solli asaj ngushëllim dhe gëzim si përfundim? Kopja e saj vetjake e Librit të Mormonit! Kjo vajzë e vogël e vëzhgon nënën e saj të lexojë Librin e Mormonit çdo ditë. Ajo donte të ishte si nëna e vet!

Thjesht nuk është e mundur ta përcaktosh sasinë e ndikimit rafinues të jetës së grave besëlidhëse të Perëndisë. I dua Vëllezërit e mi dhe e vlerësoj shumë privilegjin që të punoj me ta. Megjithatë, dy njerëz në tokë që kanë ndikuar më së shumti tek unë janë bashkëshortja ime Denzeli, nëna e 10 fëmijëve tanë, e cila ndërroi jetë papritur në moshën 78‑vjeçare, dhe për 18 vitet e kaluara, bashkëshortja ime e mrekullueshme, Uendi.

Gjatë procesit tim të mundimshëm të shërimit të kohëve të fundit nga një rrëzim, Uendi është kujdesur për mua pa u lodhur, si fizikisht edhe shpirtërisht. Ajo e ka bërë atë në mënyra që nuk mund ta bënte askush tjetër. Ndikimi i pamatë që Denzeli dhe Uendi kanë pasur tek unë nuk mund të shprehet sa duhet me fjalë. Ato ma kanë ndryshuar jetën! Ato ma kanë bërë jetën më të plotë.

Gratë kanë qenë në qendër të planit të Atit tonë Qiellor, që nga fillimi. Plani i Perëndisë për shpëtimin varej nga veprimet historike të dy grave guximtare. Eva, “nëna e tërë të gjallëve” dhe Maria, nëna e Zotit tonë Jezu Krisht.

Motra, ju lutem, mos e nënvlerësoni kurrë fuqinë e jashtëzakonshme brenda jush për të ndikuar tek të tjerët për mirë. Ajo është një dhunti të cilën Ati ynë Qiellor ia ka dhuruar çdo gruaje besëlidhëse. Si bija besëlidhëse të Perëndisë, ju keni aftësinë e ndijimit ndaj Shpirtit dhe një busull morali të përmirësuar që ju jep aftësinë për të marrë zbulesë vetjake dhe për të dalluar të vërtetën nga gabimi. Duke thënë këtë, nuk i përjashtoj burrat nga aftësia dalluese e së drejtës dhe së gabuarës apo nga bërja e punës shpirtërore për të marrë zbulesë. Megjithatë, nëse bota do ta humbte ndonjëherë integritetin moral të grave të saj, bota nuk do ta merrte më kurrë veten.

Motra, ne kemi nevojë për zërat tuaj që japin mësim doktrinën e Krishtit. Ne kemi nevojë për aftësinë tuaj si gra për ta diktuar mashtrimin dhe për ta shprehur qartë të vërtetën. Ne kemi nevojë për mençurinë tuaj të frymëzuar në familjen tuaj, lagjen dhe këshillat e kunjeve, si edhe në fusha të tjera të ndikimit anembanë botës. Familja juaj, Kisha dhe bota kanë nevojë për ju! Motra, askush nuk mund t’i bëjë të gjitha, dhe as nuk duhet të përpiqeni t’i bëni të gjitha. Megjithatë, e di se sa vendimtare është pjesa juaj në ndërtimin e Mbretërisë së Perëndisë.

Ndaj, sot, ju ftoj t’i bëni shkrimet e shenjta Liahonën tuaj vetjake, tempullin vendin tuaj të strehimit dhe rikalibrimit, dhe lutjet tuaja vetjake mënyrën se si mësoni se ku Zoti ka nevojë që ju të jeni atë ditë. Me kalimin e kohës, ju do të mahniteni nga mënyra se si Ai do t’ju udhërrëfejë për të qenë saktësisht aty ku mund të udhërrëfeni dhe të ecni pranë dikujt që ka nevojë për ju.

Për këtë qëllim, ju bekoj me aftësi dalluese të shtuar shpirtërore dhe aftësinë për të gjetur gëzim kur u ofroni lehtësim të tjerëve. Ju bekoj me mençurinë për të dalluar atë që është e nevojshme dhe të mos vraponi më shpejt nga sa keni mundësi. Ju bekoj me kurajë që të jetoni në lartësinë e privilegjeve tuaja hyjnore si bija besëlidhëse të Perëndisë. Ju bekoj që të ndieni thellësisht se Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, ju njohin dhe ju duan. Ata ju dërguan në tokë, tani, sepse jeni jetike për mbretërinë e Perëndisë, tani! Ju bekoj që të kuptoni se dhuntitë tuaja hyjnore si bija të Perëndisë ju japin fuqinë jo vetëm që të ndryshoni jetë, por të ndryshoni botën!

Ju dua motrat e mia të dashura. Këto gjëra janë të vërteta. Të gjithë jemi të përfshirë në punën e Zotit. Dëshmoj se Jezu Krishti jeton! Ai qëndron në krye të kësaj Kishe. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër