Liahona
Plaku Patrik Kirën: I Përgatitur dhe i Thirrur nga Zoti
Maj 2024


“Plaku Patrik Kirën: I Përgatitur dhe i Thirrur nga Zoti”, Liahona, maj 2024.

Thirrje të Reja

Plaku Patrik Kirën: I Përgatitur dhe i Thirrur nga Zoti

Zoti e ka përgatitur Plakun Kirën në mënyra të pashoqe dhe i ka falur një sërë dhuntish shpirtërore që do t’i japin mundësinë t’i bekojë të tjerët në thirrjen e tij të shenjtë si një dëshmitar i veçantë i “emrit të Krishtit në gjithë botën”.

Pamja
Plaku Patrik Kirën

Një të shtunë disa vjet përpara se të thirrej si një Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, Plaku Patrik Kirën dhe bashkëshortja e tij, Xheniferi, po hynin në një dyqan të madh ndërkohë që Plaku W. Rolf Kerri dhe bashkëshortja e tij, Zhanila, po largoheshin. Ata u takuan shumë shkurt dhe pastaj çifti Kerr u drejtua për te makina.

Thuajse menjëherë, Plakut Kirën iu afrua një burrë dhe e pyeti i emocionuar: “Ishte një Autoritet i Përgjithshëm ai me të cilin po flisnit?” Plaku Kirën u përgjigj: “Po. Ai ishte Plaku W. Rolf Kerri, i Të Shtatëdhjetëve.” Burri tundi kokën, e pa drejt e në sy Plakun Kirën pa e dalluar se kush ishte dhe i tha: “Gjithmonë dallohet një Autoritet i Përgjithshëm, apo jo?” Pastaj burri u largua me nxitim.

“Më pëlqen shumë ajo histori, sepse përfaqëson atë që unë ndiej”, – thotë Plaku Kirën me buzëqeshje. “Mund ta përjetoj edhe sot atë përvojë dhe ai burrë mbase sërish nuk do të më pikaste mua në një turmë si një Autoritet të Përgjithshëm.”

Aftësia e Plakut Kirën për të bërë humor me veten dhe përulësia e tij bëjnë që ta duan ata që e njohin ose që kanë pasur privilegjin të shërbejnë me të. I thirrur dhe i shuguruar si një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 7 dhjetor 2023, Plaku Kirën e di se thirrja e tij e re ka të bëjë më pak me të personalisht dhe më shumë me punën e vazhdueshme të Zotit.

“Të gjithë bëhemi pjesë e punës së Tij”, – thotë ai, – “duke u përpjekur t’i ndihmojmë njerëzit që ta ndiejnë dritën e Tij, dashurinë e Tij dhe kujdesin e Tij. Ajo që Ai do që ne të bëjmë si anëtarë të Kishës së Tij, është të bekojmë jetën e të tjerëve.”

Zoti e ka përgatitur Plakun Kirën në mënyra të pashoqe dhe i ka falur një sërë dhuntish shpirtërore që do t’i japin mundësinë t’i bekojë të tjerët në thirrjen e tij të shenjtë si një dëshmitar i veçantë i “emrit të Krishtit në gjithë botën” (Doktrina e Besëlidhje 107:23). Një i kthyer në besim në Kishë në moshën 26‑vjeçare dhe anëtari i vetëm i Kishës mes vëllezërve e motrave të tij, Plaku Kirën është një burrë me ndjeshmëri të thellë që di se si t’i dëgjojë fëmijët e Perëndisë, si të lidhet me ta dhe si t’i ngushëllojë ata. Ai është zemërgjerë nga natyra dhe gjen gëzim te shërbimi. I prekur nga përvojat delikate dhe humbja e njerëzve të dashur, ai dëshmon se Shpëtimtari Jezu Krisht, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, ofron balsam shërues dhe një ditë do të ndreqë çdo gjë.

Plaku Kirën është një dishepull i sinqertë i Jezu Krishtit, i cili mirëbeson te Zoti. Ai është një udhëheqës i lehtë për t’u ndjekur ngaqë i është përkushtuar ndjekjes së Shpëtimtarit dhe prirjes së njerëzve tek Ai.

“Zoti”, – thotë Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, – “e ka drejtuar Patrikun te pozicioni që ai mban tani.”

Prindër të Dashur e të Përkushtuar

Patrik Kirëni u lindi Pedi dhe Patrisha Kirënit në Karlajll të Kambriës në Anglinë veriore, më 18 korrik 1961. Kur prindërit e tij u njohën, ata po shërbenin në forcat e armatosura britanike gjatë Luftës II Botërore: nëna e tij punonte si infermiere e ushtrisë në Indi dhe Burmë dhe babai i tij në Forcat Ajrore Mbretërore (FAM), i dislokuar në Francë, në Afrikën e Veriut, Siçili dhe Itali.

Pamja
prindërit e Plakut Patrik Kirën

Plaku Kirën i kujton prindërit e tij, Pedin dhe Patrishën, për jetën e tyre shembullore me përkushtim, shërbim dhe sakrificë.

Ndonëse nuk ishin njerëz që shkonin në kishë, ata bënë një jetë me përkushtim, shërbim dhe sakrificë në familje, që la një mbresë afatgjatë te Patriku, fëmija më i vogël nga pesë fëmijët e çiftit. Ai e kujton Patin si një “nënë të jashtëzakonshme” e të dashur, udhërrëfyese me butësi, më së shumti me anë të shembullit dhe asnjëherë kritike ndaj askujt. Ajo ishte bujare, e palëkundur dhe jashtëzakonisht e ekuilibruar. Pedin ai e kujton për “energjinë e tij, dashamirësinë dhe ngrohtësinë e tij të pamatë; dashurinë e tij për … shkretëtirat djerrë të Arabisë [dhe] kodrinat e harlisura të Anglisë dhe Irlandës si dhe pasionin e tij për qiellin, dritën e diellit dhe detin. Mund ta dalloj qartë frymën e tij ndikuese te dëshirimi im për të qëndruar jashtë, në mjedis të hapur, në ajër dhe në dritën e diellit.”

Pas shërbimit në Forcat Ajrore Mbretërore, babai i Plakut Kirën shkoi të punonte si i kontraktuar në veprimtarinë e mbrojtjes në Arabinë Saudite. Patriku, kur ishte djalë shtatëvjeçar, mori një mësim të rëndësishëm atje mbi bindjen, të cilin e rrëfeu në mënyrë të paharrueshme në bisedën e tij të parë në konferencën e përgjithshme si Autoritet i Përgjithshëm. Duke shpërfillur udhëzimet e prindërve për të veshur këpucë gjatë një udhëtimi kampingu në shkretëtirë, ai shkoi për eksplorim me “pantofla” dhe e pickoi një akrep në shputën e këmbës.

Pamja
Patrik Kirëni kur ishte djalosh

Patrik Kirëni kur ishte djalosh në Arabinë Saudite.

Tre vjet më vonë, djaloshin Patrik, e dërguan në një shkollë me konvikt në Angli ku ndjeu vetmi të madhe nga mungesa e prindërve të tij, një vetmi që lehtësohej vetëm nga letrat e tyre zemërdhënëse.

“Po t’i krahasosh, pa dyshim që më të lehtë e kishte Harri Poteri në Hoguorts. Ishte e vështirë”, – thotë ai për shkollën me konvikt. “Shkoja në shtëpi vetëm për Krishtlindje, Pashkë dhe në verë. Bëja kalendarë të vegjël në copa letrash, duke i hequr një vijë çdo dite, duke numëruar ditët derisa të kthehesha te familja ime.”

Disa vjet më vonë, ndërsa Patriku ishte në vitin e dytë të shkollës me konvikt në Angli, erdhi një stuhi e fuqishme nga Deti i Irlandës. Nga stuhia e madhe që pasoi, u përmbytën 5 000 shtëpi në zonën përreth. Patriku dhe shokët e shoqet e tij të klasës u thirrën që të ndihmonin për pastrimin masiv.

“Ende e kujtoj peshën e qilimave të qullur dhe kutërbimin e gjithë asaj”, – thotë ai. “Por mbaj mend që iu përvesha punës dhe e kreva atë me shokët e shoqet e mia të klasës. I mbaj mend edhe njerëzit dhe mirënjohjen e tyre.”

Ajo përvojë ishte ndoshta hera e parë kur Patriku i pa përciptas bekimet e ndërsjella nga dhënia dhe marrja e shërbimit. Më vonë, ai kuptoi se ndjenjat e pasigurisë së adoleshencës ishin larguar prej tij “ndërkohë që ish[te] i përfshirë në këtë përpjekje të madhe për të ndihmuar fqinjët [e tij]”.

Pas shkollës së mesme, Patriku u kthye në Arabinë Saudite, ku filloi trajnimin për administrim me një kompani ndërkombëtare ushqimesh dhe pijesh. Ajo përvojë shënoi fillimin e punës së tij në disa fusha, duke e mbyllur përfundimisht me shërbimin e këshillimit për komunikim në Angli me Motrën Kirën.

“Bota m’u Kthye Përmbys”

Kur Patriku ishte 19 vjeç, ai humbi babanë dhe burrin e motrës në një aksident tragjik me makinë në Arabinë Saudite. “Bota m’u kthye përmbys nga humbja e tyre”, – thotë ai. Dora udhërrëfyese e të atit, inkurajimi i përzemërt dhe pikëpamja e gëzueshme e tij për botën, tashmë nuk ishin më. I përhumbur nga pikëllimi dhe zbrazëtia për një periudhë, Patriku shkoi në shtëpi në Angli me nënën e tij, por si përfundim u kthye të punonte në Arabinë Saudite.

“Unë kisha gjithfarësoj mundësish të vyera për të mësuar e për t’u rritur dhe për të parë se si funksiononte biznesi”, – thotë ai. Ai qe veçanërisht mirënjohës ndaj “një shefi të mrekullueshëm, i cili [e] trajnoi dhe [e] udhëzoi dhe u bë një mik i dashur. Ai ishte njëri nga disa figura atërore me të cilat [u] bekua që nga vdekja e babait [të tij].”

Më vonë, ndërsa shkoi të punonte sërish në Londër, Patriku takoi disa anëtarë të Kishës.

“Ata ishin shembuj të shkëlqyer të besimit tonë”, – kujton ai. “Njëri prej tyre ishte nga Kalifornia dhe unë shkova dhe qëndrova me atë familje ndërsa punoja atje.”

Ajo përvojë i dha Patrikut një themel të mrekullueshëm të kuptueshmërisë për Kishën. Ai u prek nga gëzimi që familja gjente te shërbimi, por kishte shumë pyetje rreth Kishës, doktrinës dhe bindjeve fetare. Megjithatë, kur u kthye në Angli dy vjet më vonë, ai takoi disa “misionarë mbresëlënës” në rrugët e Londrës. Pasi diskutoi për ungjillin me ta për disa muaj dhe pasi ata i thanë që ai nuk po bënte përparim drejt pagëzimit, ata e pyetën a do të dëshironte një bekim.

“Rashë dakord që të merrja një bekim nga një misionar në moshë që e njihja”, – kujton ai. “Mënyra se si u ndjeva gjatë atij bekimi, ishte një çast kyç në kthimin tim në besim. Ishte një ndjesi tërësisht e pamohueshme drite, gëzimi dhe paqeje që asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë. U vërtetua se fjalët e bekimit ishin të frymëzuara dhe padyshim parashikuese.”

Ajo përvojë, bashkë me “një numër gjërash të tjera në përparimin [e tij] drejt pagëzimit”, e prinë Patrikun drejt një dëshmie për Shpëtimtarin dhe Kishën e Tij të rivendosur. Disa muaj më vonë, në Vigjiljen e Krishtlindjes së vitit 1987, ai u pagëzua si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Për ata që kërkojnë një dëshmi, Plaku Kirën thotë: “Zgjidhni besimin dhe përgjigjiuni ftesës tek Alma 32. Ndiqini ndjenjat tuaja shpirtërore. Ato do t’ju udhërrëfejnë dhe ju do ta dini.”

“Një Burim Force”

Dy vjet pas pagëzimit të tij, Patriku po frekuentonte një lagje për të rinjtë në moshë madhore beqarë në Londër, kur takoi Xhenifer Hjulmin, një studente në Universitetin “Brigam Jang” nga Saratoga e Kalifornisë. Xheniferi kishte ardhur në Londër për gjashtë muaj që të studionte për histori arti dhe letërsi angleze. Ajo ishte fëmija më i vogël nga tetë fëmijët dhe ishte rritur në Kishë.

Gati menjëherë, asaj i ra në sy Patriku.

“Teksa e vështroja të ndërvepronte me njerëz në lagje, e pashë mënyrën se si ai i trajtonte ata”, – thotë Xheniferi për Patrikun. “Qoftë nëse ishte një anëtar i ri, një anëtar i kthyer në aktivitet, dikush që po haste vështirësi, apo dikush që ishte një mik i ngushtë, ai i trajtonte të tjerët me të njëjtën dashuri dhe interes të çiltër. Ajo cilësi më tërhoqi tek ai së pari e mbi të gjitha. Është një cilësi të cilën e kam parë ta zhvillojë dhe që Perëndia e ka vënë mirë në përdorim gjatë 33 vjetëve që kemi qenë të martuar.”

Pamja
Plaku dhe Motra Kirën

Dashuria dhe respekti i Plakut dhe Motrës Kirën për njëri‑tjetrin i lejon ata të punojnë të bashkuar në besim.

Pas periudhës së tyre të njohjes, çifti u martua në Tempullin e Oklandit, Kaliforni në janar 1991. Ata më pas krijuan familjen e tyre në Angli për 19 vjet derisa Plaku Kirën u thirr për të shërbyer në vitin 2010 si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, pasi shërbeu në disa thirrje udhëheqëse, përfshirë shërbimin si president kunji dhe I Shtatëdhjetë Zonal. Ai po shërbente si Presidenti më i Vjetër në Detyrë i Të Shtatëdhjetëve, kur u thirr në Kuorumin e Dymbëdhjetëve Apostujve.

Plaku Kirën thotë se bashkëshortja e tij është një dishepulle besnike që e njeh identitetin e saj të vërtetë. “Ajo jeton një jetë të lumtur, pozitive, të frytshme, të dobishme e të gëzueshme, me Shpëtimtarin në qendër të gjithë kësaj. Ajo ka qenë një burim force dhe një bekim i pamasë për mua që nga çasti kur u takuam.”

Suzana, vajza e dytë nga tre vajzat e çiftit, thotë se nënës së saj i pëlqen të japë nga vetja: “Ajo është plot me jetë e dritë dhe e ka pasion ungjillin”. Ashtu si edhe babai i saj, nëna e saj është një “dëgjuese e shkëlqyer”.

Suzana dhe motrat e saj thonë se dashuria dhe respekti i prindërve të tyre për njëri‑tjetrin i lejon ata të punojnë të bashkuar në besim kundrejt qëllimeve të përbashkëta. Ata e dëgjojnë njëri‑tjetrin dhe i respektojnë e i vlerësojnë mendimet dhe opinionet e njëri‑tjetrit.

Ema, vajza më e vogël e çiftit, thotë se marrëdhënia plot harmoni e prindërve të saj dhe dashuria e dukshme për fëmijët e tyre “ka krijuar një mjedis shumë të gëzuar dhe të sigurt në shtëpi”.

Lizi Kirën Shtaheli, vajza më e madhe, thotë për babanë e saj: “Babi i sheh njerëzit me syrin e Krishtit. Ai gjithmonë mezi pret t’i inkurajojë e fuqizojë njerëzit. Ai e sheh potencialin te kushdo, sido që të jenë rrethanat e tij apo të saj.”

Ema shton: “Ai është plot besim dhe i pëlqen shumë gëzimi që i sjell ungjilli. Duke qenë se e gjeti ungjillin e rivendosur në moshë madhore, ai e vlerëson ndryshimin që ungjilli sjell në jetën e dikujt si një burim drite dhe gëzimi.”

Pamja
familja e Plakut dhe Motrës Kirën

Plaku Kirën i quan vajzat e tij – Lizin (e fotografuar me bashkëshortin e saj Xhonathanin), Suzanën dhe Emën – si “drita më e bukur në jetën tonë, thesaret tona më të çmuara”.

Xhin B. Binghami, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, e përshkruan Plakun Kirën si njeri të qetë kur është nën trysni. Ajo kujton një rast kur ajo, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Plaku Kirën dhe të tjerë e gjetën veten të bllokuar jashtë shtetit gjatë një kryengritjeje politike. Nën drejtimin e Plakut Bednar, Plaku Kirën kaloi orë të tëra në një telefon satelitor duke bashkëvepruar me zyrtarë vendorë dhe përfaqësues të Kishës për të krijuar një mundësi kalimi për largimin e tyre.

“Natyra e tij e qetë, përpjekjet e përqendruara dhe idetë e frymëzuara sollën një zgjidhje që mundësoi largimin tonë të sigurt”, – thotë Motra Bingham.

Në dhjetor 2021, familja u trondit kur mori vesh se Motra Kirën ishte diagnostikuar me kancer në gji.

“Nuk e mendoja kurrë që mua apo ne do të na prekte kanceri”, – thotë Motra Kirën. Ajo e quajti trajtimin që pasoi, si tejet të vështirë, por Shpëtimtari ishte burimi i saj i forcës në gjithë këtë. “Po bëj ende kimioterapi me barna, por jam mirënjohëse të them që kanceri është zhdukur, me aq sa mund të dallojnë mjekët.”

Plaku Kirën thotë: “Xheni ka qenë e palëkundur dhe përsosurisht besnike gjatë gjithë kësaj. Ne japim falënderime çdo ditë për shëndetin e saj dhe japim falënderime për kujdesin e jashtëzakonshëm që i është dhënë.”

Si me sprovat e tjera që ajo dhe bashkëshorti i saj kanë përjetuar, Motra Kirën thotë: “Jeta na sjell gjëra që thjesht nuk duam t’i bëjmë. Nuk na pëlqejnë. Nuk i kërkuam. Mirëpo na duhet të përballemi me to sidoqoftë. Mënyra më e mirë për t’i përballuar gjërat që thjesht janë qartazi të vështira, është që t’i drejtohemi Zotit dhe të kërkojmë forcën e Tij, ta vëmë besimin tonë te Jezu Krishti, te hiri dhe fuqia e Tij. Shumë kohë më parë, mësova shumë rreth mënyrës se si Shpëtimtari na ndihmon në periudhat tona më të vështira e më të errëta.”

Plaku dhe Motra Kirën e kërkuan atë njohuri të shenjtë pas lindjes së fëmijës së tyre të parë, Shonit.

“Shkëmbi i Shlyerjes së Jezu Krishtit”

Gjatë shtatzënisë së parë të Motrës Kirën, çifti mori vesh herët nga pamjet nga ekoja se djali i tyre foshnjë kishte “një anomali të vështirë në zemër, një gjendje që i rrezikonte jetën”, – thotë Plaku Kirën. “Ne e kaluam pjesën e mbetur të shtatzënisë duke kërkuar mjekët, kardiologët dhe kirurgët më të mirë të zemrës, të aftë për të trajtuar problemin e tij të veçantë. Gjetëm një ekip mjekësh të nivelit botëror në Londër dhe ata ishin të sigurt që mund ta zgjidhnin problemin.”

Kirurgët e operuan Shonin kur ai ishte 19‑ditësh. Operacioni ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Pas operacionit, thotë Plaku Kirën: “Zemra e vogël e Shonit nuk mundi të rrihte më. Kështu që e humbëm atë. Vdekja e tij ishte jashtëzakonisht e dhimbshme. Ky nuk ishte rezultati për të cilin kishim agjëruar, ishim lutur dhe ishim përgjëruar, por e dinim se dora e qiellit ishte në atë përvojë.”

Motra Kirën thotë: “Perëndia na priu drejt atyre muajve të shtatzënisë dhe në jetën e bukur e të shkurtër të djalit tonë në një mënyrë që, në fund të saj, e dinim se kishim bërë gjithçka që mund të bënim për të. Kjo gjë qe një ngushëllim i pamasë.”

Shërimi erdhi nga një kuptueshmëri e shtuar për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit që Motra Kirën mori nga një studim i thellë i kapitujve te 1 Nefi dhe 2 Nefi. “E zhytur në pikëllimin e humbjes sonë, ndihesha sikur po vërtitesha në një vrimë të zezë”, – thotë ajo. “E prapëseprapë, herë pas here, ajo rënie e lirë ndalej nga shkëmbi i Shlyerjes së Jezu Krishtit – sepse është e vërtetë. Hiri i Tij, realiteti i Tij i gjallë, i bën të përballueshme dhe shpresëdhënëse edhe humbjet më të dhembshme.”

Shërimi erdhi nga lindja e tri vajzave të çiftit. “Ato sollën me vete shërimin”, – thotë Plaku Kirën. “Ato janë drita më e bukur në jetën tonë, thesaret tona më të çmuara.”

Shërimi erdhi nga fjalët e udhëheqësve të frymëzuar të Kishës, përfshirë një bisedë në konferencën e përgjithshme nga Plaku Lens B. Uikmeni, në të cilën Plaku Uikmen tregoi dhembjen e ecejakeve në korridoret e shkreta të spitalit ndërkohë që i biri i tij i vogël dergjej duke vdekur për shkak të një sëmundjeje në fëmijëri. “Plaku Uikmen jep mësim se ‘të besosh është të shohësh’ dhe se besimi është mirëbesim te Zoti”, – thotë Plaku Kirën. “Biseda e tij ishte tejet e çmuar për mua për shkak të kuptueshmërisë së tij të qartë të një përvoje të tillë. Vlera e saj u shumëfishua nga numri i herëve që e lexova dhe e dëgjova atë bisedë.”

Shërimi erdhi nga dhënia e shërbesës ndaj të tjerëve në humbjet e tyre, qofshin ata refugjatët në Europë, të keqtrajtuarit ose të shtypurit apo bashkudhëheqësit e Kishës si Plaku Pol V. Xhonson, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, i cili kishte humbur një bijë nga kanceri dy muaj para se të bashkohej me Plakun Kirën në Presidencën e Zonës së Europës në vitin 2015.

“Ai dhe Motra Kirën ishin të mrekullueshëm në ndihmën që na dhanë në atë periudhë pikëllimi dhe shërimi”, – thotë Plaku Xhonson. “Ata ishin shumë të ndjeshëm ndaj situatës sonë. I kam admiruar gjithmonë për këtë.”

E tillë është mënyra e dishepullimit. Ne mbajmë barrët e njëri‑tjetrit. Ne vajtojmë me ata që vajtojnë. Ne ngushëllojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim. Dhe ne qëndrojmë si dëshmitarë të Perëndisë dhe të premtimit të përjetshëm të ribashkimeve të gëzuara, të bëra të mundura nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. (Shihni te Mosia 18:8–9.)

Pamja
Plaku Kirën duke përshëndetur anëtarët

Plaku Kirën përshëndet anëtarët në Zonën e Europës Lindore.

Pastaj, kur kohët sprovuese na vijnë, ajo dashuri shëruese dhe ai balsam i shërbesës na kthehet nga të tjerët. Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, Plaku Kirën është i përgatitur t’ia tregojë gjithë botës atë mesazh të shpresës, shërimit dhe paqes nga ungjilli.

“Pse na ndodhin sprova të vështira?” – pyet Plaku Kirën. “Sepse ne vijmë në tokë për të mësuar, për t’u rritur, për t’u shenjtëruar dhe për ta dashur Atin tonë në Qiell dhe Shpëtimtarin tonë e për t’u mirëbesuar Atyre. Tani për tani ne nuk mund t’i shohim Ata dhe Ata nuk mund të na përqafojnë. Por bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit janë të pafundme – të pafundme!”

Shtyp në Letër