Liahona
Plaku Karl D. Hirst
Maj 2024


“Plaku Karl D. Hirst”, Liahona, maj 2024.

Plaku Karl D. Hirst,

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Karl D. Hirst e konsideron veten si “një person i zakonshëm në një thirrje të jashtëzakonshme”.

Autoriteti i ri i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë i sheh dëshminë e tij dhe pohimet e asaj dëshmie si diçka të zakonshme gjithashtu. “Pa vizita [engjëjsh], absolutisht pa ndonjë gjë të bujshme shpirtërore – dhe as që shqetësohem më rreth kësaj gjëje sepse ndihem kaq i përmbushur nëpërmjet mënyrës se si Perëndia ka zgjedhur që të më flasë, edhe nëse Ai zgjedh t’u flasë njerëzve të tjerë në një mënyrë të ndryshme”, – tha Plaku Hirst. “Nuk është e bujshme, por është e bollshme.”

Xheku, babai i Plakut Hirst, kishte një dyqan të thjeshtë në cep të rrugës. Ai mësoi për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nëpërmjet klientëve dhe u bashkua me Kishën disa vjet pasi lindi Karli më 28 shkurt 1972, në Bëri të Lenkëshërit në Angli.

Dëshmia e Plakut Hirst për Jezu Krishtin filloi kur ai mësoi historitë për Shpëtimtarin dhe këndoi himne ndërkohë që frekuentonte Shkollën e së Dielës në një kishë tjetër kur ishte fëmijë, me nënën e tij, Vivien Ruth Mekin Hirstin, dhe me gjyshen nga mami.

Djaloshi Karl më vonë frekuentoi mbledhjet e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe mori një ftesë nga një mësuese e Fillores që të pagëzohej, ftesë të cilën e pranoi në moshën 10‑vjeçare. Gjatë më shumë se pesë dekadave të jetës, Plaku Hirst e ka ruajtur besimin dhe dëshminë e fëmijërisë së tij.

“Perëndia më ka folur në zemrën time në të njëjtën mënyrë që Ai më foli kur isha në Fillore dhe në të njëjtën mënyrë që Ai më foli kur isha në Shkollën e së Dielës”, – tha Plaku Hirst.

Ai u martua me Kler Elizabet Rajtin më 29 maj 1993, në Bërnli të Lenkëshërit. Ata u vulosën më vonë atë ditë në Tempullin e Londrës në Angli.

Plaku Hirst mori një diplomë universitare për juridik në vitin 1996 nga Universiteti i Lankasterit dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi nga Alliance Manchester Business School [Shkolla e Biznesit “Aleanca” në Mançester] në vitin 2016. Që nga viti 1997 ka punuar si avokat.

Prindër të gjashtë fëmijëve, çifti Hirst po banonte në Bolsover të Çesterfilldit në Angli dhe ata po shërbenin si drejtues sesionesh të programit Për Forcën e Rinisë në kohën e thirrjes së tij.

Shtyp në Letër