Liahona
Presidenti Pol V. Xhonson
Maj 2024


“Presidenti Pol V. Xhonson”, Liahona, maj 2024.

Presidenti Pol V. Xhonson,

President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës

Prej karrierës së tij si mësues seminari deri te nëntë vjetët që i kaloi si komisioner i Kishës për arsimin, Presidenti i ri i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, Pol V. Xhonsoni, ka pasur mjaft përvojë me mësimdhënien e ungjillit. Por cilësia më e rëndësishme që ai sjell në thirrjen e tij të re është “dashuria për Atin tim Qiellor e Shpëtimtarin dhe dashuria ime për njerëzit e rinj në moshë dhe për njerëzit e tjerë gjithashtu”, – thotë ai.

Presidenti Xhonson iu lindi Ver Xhonsonit dhe Uinifred Amaçerit më 24 qershor 1954, në Geinsvill në Florida të SHBA‑së. Përpara se të ishte një vjeç, prindërit e tij u shpërngulën në Logan të Jutës në SHBA, ku ata i rritën atë dhe shtatë motrat e vëllezërit e tij.

Ai u njoh me bashkëshorten e tij të ardhshme, Xhill Uoshbërnin, kur u rekrutua të luante futboll në shkollën e mesme në Montiselo të Jutës, nga një ish‑trajner i cili u zhvendos atje nga Logani. Poli dhe Xhilli ishin takuar më parë, por tani u bënë miq ndërkohë që frekuentonin të njëjtën lagje dhe klasë seminari. Motra Xhonson i shkruante atij ndërkohë që ai shërbente në një mision kohëplotë në Norvegji.

Ata u martuan më 18 gusht 1976 në Tempullin e Loganit në Jutë. Kanë 9 fëmijë dhe 43 nipër e mbesa.

Motra dhe Vëllai Xhonson e kanë përballuar së bashku pjesën e tyre të sprovave, nga vdekja e një bije prej kancerit deri te përballja me sfidat e vetë shëndetit të tyre. Por Presidenti Xhonson tha se ato përvoja i kanë dhënë formë këndvështrimit të tij për planin e Perëndisë. “Mendoj se më bën, si mësues, që të kem dëshirë të madhe për t’i ndihmuar të rinjtë e të rejat që të kapen te Shpëtimtari dhe tek Ati i tyre Qiellor”, – tha ai.

Presidenti Xhonson mori një diplomë universitare për zoologji në vitin 1977 dhe një diplomë pasuniversitare për këshillim dhe udhëzim në vitin 1978, që të dyja nga Universiteti “Brigam Jang”. Ai mori një doktoraturë për arsimim nga Universiteti Shtetëror i Jutës në vitin 1989.

Presidenti Xhonson u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë në prill 2005 dhe ka shërbyer si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve që nga 1 gushti 2021. Ai ka shërbyer si këshilltar në Presidencën e Zonës së Europës, këshilltar në Presidencën e Zonës së Kilit, këshilltar në një presidencë kunji dhe peshkop.

Atij do t’i jepet statusi i nderit, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2024, kur të fillojë thirrjen e tij të re.

Shtyp në Letër