Liahona
Plaku Dejvid L. Bakner
Maj 2024


“Plaku Dejvid L. Bakner”, Liahona, maj 2024.

Plaku Dejvid L. Bakner,

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Dejvid L. Bakner lindi më 27 shtator 1963, në Ogden të Jutës në SHBA, por “u rrit” ndërkohë që jetoi për tre vjet në Sakramento të Kalifornisë në SHBA.

Më i vogli nga pesë fëmijët e Melba dhe E. LaMar Baknerit, Dejvidi 11‑vjeçar u zhvendos në Kaliforni me familjen e vet kur babai i tij u thirr të kryesonte në misionin e Kishës në Sakramento. Larg prej miqve të ngushtë në Jutë ai mësoi se si të bënte shokë të rij dhe gjeti “300 vëllezër e motra më të mëdhenj” mes misionarëve kohëplotë.

Më e rëndësishmja, dëshmia e tij për ungjillin e Jezu Krishtit hodhi rrënjë. “Ajo përvojë në mision ndryshoi gjithçka për mua”, – tha ai.

Më vonë ai shërbeu në Misionin e Ekuadorit, Guajakil. Vetëm tre muaj që nga fillimi i misionit, ndërsa shërbente si president dege në qytetin e Hipihapës, ai vajtoi me anëtarët e degës dhe njerëz të tjerë pas mbytjes së një djali 11‑vjeçar ndërkohë që merrte pjesë në një aktivitet të Kishës.

Teksa iu përgjërua Atit Qiellor në javët dhe muajt që pasuan, ai fitoi një dëshmi të patundur për planin e shpëtimit. Gjithashtu dëshmoi dhembshurinë e Zotit ndërkohë që njerëz të tjerë në komunitet e përqafuan ungjillin. Së bashku ata arritën të kuptonin natyrën e shenjtë të jetës dhe fuqinë e hirit të Zotit.

Pas misionit të tij Plaku Bakner ndoqi Universitetin “Brigam Jang”, ku u takua me Xhenifer Romni Xheksonin. Ata u martuan më 30 gusht 1990, në Tempullin e Solt‑Lejkut. Motra Bakner u rrit në Nju‑Jork të SHBA‑së, ku çifti u shpërngul pas martesës së tyre. Ata i rritën pesë fëmijët e tyre në Manhatan, ku Plaku Bakner përfaqësoi Kishën në Komisionin e shquar të Udhëheqësve Fetarë.

Plaku Bakner mori një diplomë universitare në financë nga UBJ‑ja në vitin 1988 dhe një diplomë pasuniversitare në administrim biznesi nga Universiteti “Durëm” në vitin 1991. Gjithashtu mori një diplomë pasuniversitare për marrëdhëniet ndërkombëtare nga UBJ‑ja në vitin 1995 dhe një doktoratë për jurisprudencë nga BYU‑ja në vitin 1996. Ai ka qenë profesor kolegji dhe, që nga viti 1999, president i Bottom Line Training and Consulting Inc. Plaku Bakner ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, president kunji, këshilltar i lartë dhe peshkop.

Shtyp në Letër