Liahona
Shërbesa e Presidencës së Parë
Maj 2024


“Shërbesa e Presidencës së Parë”, Liahona, maj 2024.

Lajme të Kishës

Shërbesa e Presidencës së Parë

Në një mesazh në mediat shoqërore, të publikuar më 14 shkurt 2024, Presidenti Rasëll M. Nelson i ftoi të gjithë njerëzit që ta përdornin Ditën e Shën Valentinit si një kujtues për t’u zotuar që ta donin të afërmin e tyre. Presidenti Nelson tha se ajo është një ditë kur të gjithë njerëzit anembanë botës kremtojnë dashurinë. Ndërkohë që dashuria me raste mund të jetë rreth luleve, çokollatave dhe dhuratave, “urdhërimi i dytë i madh na mëson për një lloj tjetër të dashurisë, asaj për ta dashur në mënyrë vepruese të afërmin tonë”.

Më 15 shkurt, Presidenti Nelson dhe këshilltarët e tij mirëpritën presidentin e Navaho‑Neishën, Dr. Bu Nigrenin dhe bashkëshorten e tij, Zonjën e Parë Xhasmin Blekuotër‑Nigrenin, te Sheshi i Tempullit. Dr. Nigreni është i zotuar që të sjellë gjërat bazë, të tilla si ujë, energji elektrike dhe rrugë të mira në çdo shtëpi në Navaho. Vitet e fundit Kisha e Jezu Krishtit ka ndihmuar që t’i sjellë disa nga këto gjëra në territorin Navaho‑Neishën.

Gjatë transmetimit Miku Mikut më 9 mars, Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dhe bashkëshortja e tij, Kristeni, folën me shtatë prej stërnipërve e stërmbesave të tyre që janë të moshës së Fillores, rreth mënyrës se si ta dëgjojmë Frymën e Shenjtë dhe se çfarë bën Fryma e Shenjtë – paralajmëron, ngushëllon, dëshmon, udhërrëfen, jep mësim e shumë të tjera.

“Dishepujt e Jezu Krishtit e dëgjojnë Jezu Krishtin”, – tha Presidenti Ouks. “Ndonjëherë Ai na jep një ndjenjë, ndonjëherë një mendim. Ndonjëherë ne e dëgjojmë zërin e Tij. Presidenti Nelson, profeti ynë, na ka kërkuar t’ia vëmë veshin Shpëtimtarit dhe ta dëgjojmë Atë.”

Pas 61 vjetësh martese, Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, i dha një lamtumirë të përkohshme bashkëshortes së tij, Kethlinës, e cila ndërroi jetë më 15 tetor 2023. Presidenti Ajring ka thënë: “Kethlina gjithmonë ka qenë një person që më bëri të kem dëshirën të jem më i miri që mund të jem”.

Më 24 mars Presidenti Ajring përkushtoi Tempullin e Red Klifsit në Jutë në qytetin e Seint‑Xhorxhit në Jutë të SHBA‑së. “Do të gjeni gëzim në shërbimin tuaj këtu që nuk është në dispozicion në asnjë mënyrë tjetër”, – tha ai gjatë shërbesave përkushtuese.

Shtyp në Letër