“Si Mund Të Përgatitem për ta Mirëpritur Shpëtimtarin?” Liahona, shtator 2024.
Eja, Më Ndiq
Helamani 10; 3 Nefi
Si Mund Të Përgatitem për ta Mirëpritur Shpëtimtarin?
Këtu janë katër mënyra se si mund ta mirëpritni Shpëtimtarin në jetën tuaj.
Nefitët duhej të përgatiteshin për ta pranuar Shpëtimtarin fizikisht në praninë e tyre. Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tyre që na ndihmon ta mirëpresim Shpëtimtarin në jetën tonë?
Përsiatja e Gjërave të Perëndisë
Atëherë: Kur profeti Nefi ndihej “shumë i mërzitur”, ai përsiati “mbi gjërat që i kishte treguar Zoti” (Helamani 10:2–3).
Tani: Të kujtuarit e asaj që Perëndia ka bërë për ne, si në kohë të mira edhe në kohë të këqija, do të na japë forcë dhe kurajë për të qëndruar afër Tij dhe për ta përballuar të ardhmen me besim.
Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, sugjeroi që ne të reflektojmë për mbresat tona çdo ditë dhe t’i shënojmë ato çdo ditë. Ai tha: “Ju mund të luteni dhe të përsiatni, duke bërë pyetjet: ‘A dërgoi Perëndia një mesazh që ishte vetëm për mua? A e kam parë dorën e Tij në jetën time apo në atë të fëmijëve të mi?’”
Në ç’mënyrë i keni parë dashurinë, frymëzimin ose bekimet e Perëndisë në jetën tuaj sot?
Merrni mbi Vete Emrin e Krishtit
Atëherë: Mormoni ishte guximtar kur shpallte se ai ishte “një dishepull i Jezu Krishtit” (3 Nefi 5:13).
Tani: Plaku Xhonathan S. Shmit, i Të Shtatëdhjetëve ka sugjeruar se ne mund të përqendrohemi te Jezu Krishti duke marrë mbi vete tituj të ndryshëm të Tij. Për shembull, Jezusi është “i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë” (1 Nefi 10:18). Plaku Shmit sugjeron se ne mund ta marrim mbi vete këtë titull duke qenë të qëndrueshëm në të jetuarit e ungjillit.
Çfarë emrash ose titujsh të tjerë të Jezu Krishtit ju vijnë ndër mend dhe mund t’i zbatoni për veten tuaj?
Lejojeni Shpëtimtarin t’ju Mbledhë Rreth Vetes
Atëherë: Te 3 Nefi 10:4–6, Jezu Krishti e krahason veten e Tij me një klloçkë që mbledh zogjtë e saj. Kjo është një figurë letrare e bukur sepse Ai gjithmonë na bën thirrje që të vijmë tek Ai, që Ai të mund të na mbrojë dhe të na ushqejë shpirtërisht. Mirëpo ne duhet të zgjedhim që të vijmë tek Ai. Ai tha: “Sa herë do t’ju kisha mbledhur sikurse një klloçkë mbledh zogjtë e saj, por ju nuk keni dashur” (vargu 5).
Tani: Jezusi vazhdon të na mbledhë sot, por duhet ta lejojmë ne veten tonë që të mblidhemi tek Ai. A po e lejoni veten tuaj që të mblidheni te Shpëtimtari dhe të gjeni mbrojtje tek Ai, ose po refuzoni dhe po qëndroni të ekspozuar ndaj rrezikut?
Çfarë ftesash po ju bën Shpëtimtari dhe çfarë keni nevojë të bëni për ta pranuar atë?
Shihni drejt Qiellit
Atëherë: Nefitëve iu deshën tri herë për ta dëgjuar zërin e Perëndisë. “Të tretën herë ata dëgjuan zërin dhe hapën veshët që ta dëgjonin; dhe sytë e tyre u drejtuan prej nga vinte zëri; dhe shikuan me ngulm në drejtim të qiellit” (3 Nefi 11:5).
Tani: Një mënyrë se si mund të “shik[ojmë] me ngulm në drejtim të qiellit”, sipas frazës së Presidentit Rasëll M. Nelson, është që të “mendojmë çelestialisht”. Ai shpjegon se një aspekt i të menduarit çelestialisht është “të jesh mendjekontrolluar nga shpirti”.
Çfarë mund të bëni që të jeni më mendjekontrolluar nga Shpirti dhe të “shik[oni] me ngulm në drejtim të qiellit”?