“Profeti na Udhëheq drejt Jezu Krishtit”, Liahona, shtator 2024.
Profeti na Udhëheq drejt Jezu Krishtit
Profeti e di udhën ngaqë ai e njeh Jezu Krishtin, i cili është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).
Një ditë po haja drekë në mensën e Ndërtesës së Administrimit të Kishës me tre nga kolegët e mi në kuorumin e Të Shtatëdhjetëve. Ndërsa po hanim, Presidenti Rasëll M. Nelson erdhi tek tryeza jonë me tasin e tij të supës dhe tha: “A mund të ulem me ju?”
“Patjetër, President”, – thamë të gjithë. Kush nuk do të donte të hante drekë me profetin?!
Ndërsa hanim, Presidenti Nelson tregoi disa përvoja që i ka pasur në shumë shtete që ka vizituar dhe foli për njerëzit që e kanë frymëzuar atë. Ai ishte shumë dashamirës, i urtë dhe bujar.
Kur përfunduam drekën, iu drejtova Presidentit Nelson dhe i thashë: “President, nuk e di a do të kem prapë rastin të ulem në një tryezë me ju. Por këtë mbrëmje do të shkoj të shoh bashkëshorten dhe fëmijët e mi e do t’u them se hëngra drekë me profetin. E di që ata do të më pyesin: ‘Çfarë të tha ai që të na e thuash ne?’ President, çfarë do të doni që t’u them bashkëshortes sime dhe fëmijëve të mi?”
Presidenti Nelson më vështroi për një çast. Prisja me padurim të dëgjoja atë që kishte për të më thënë! “Kam vetëm dy fjalë për ty”, – tha ai. “Thuaji familjes që unë thashë: ‘Zbatoni urdhërimet’.”
Të gjithë e kemi dëgjuar këtë këshillë nga Presidenti Nelson më parë, por në atë çast, ndjeva një dëshmi vetjake dhe të fortë se Presidenti Nelson është me të vërtetë profeti. E falënderova dhe më vonë atë ditë i tregova familjes sime atë që kishte ndodhur. Fëmijët tanë më vonë bënë ngjitëse me ngjyra me fjalët “Zbatoni Urdhërimet” dhe i ngjitën në frigorifer tonë dhe pasqyrat tona për të na kujtuar atë që tha Presidenti Nelson.
Qysh atëherë e kam përsiatur këshillën e Presidentit Nelson. Kur i zbatojmë urdhërimet, ne tregojmë dashurinë tonë për Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin. Ne afrohemi më shumë me Ta dhe qëndrojmë në dashurinë e Tyre. (Shihni te Gjoni 14:21; 15:10.)
Kjo përvojë me profetin më ka pohuar një të vërtetë të thellë domethënëse dhe shpirtërore. Në Fillore ne këndojmë: “Ndiqe profetin; udhën ai di”. Ai vërtet e di udhën! Profeti e di udhën ngaqë ai e njeh Shpëtimtarin, i cili është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6). Kur e ndjekim profetin, ne po udhëhiqemi drejt Jezu Krishtit.
Roli i Shenjtë i Profetëve
Zoti u ka dhënë një rol domethënës dhe të shenjtë profetëve si në kohët e lashta edhe në kohën tonë. Ne lexojmë në shkrimet e shenjta se “Zoti Perëndi nuk bën asgjë, derisa t’ua zbulojë sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Joseph Smith Translation, Amos 3:7 [në Biblën në anglisht poshtëshënimi a]).
Në librin e Ezekielit, ne mësojmë më shumë për atë që u kërkohet profetëve. Zoti i tha profetit Ezekiel: “Të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime” (Ezekiel 33:7).
Profetët, ashtu si rojat në kullë, kanë detyrën e veçantë që të jenë zëdhënës të Zotit dhe të shpallin atë që Ai u ka zbuluar atyre. Zoti u kërkon profetëve të Tij që të jenë burra me besim, burra me integritet moral dhe burra të patrembur.
Samuel Lamaniti, për shembull, tregoi zotimin e tij të plotë ndaj Jezu Krishtit kur qëndroi mbi mur dhe u shpalli nefitëve gjërat që Zoti i kishte vënë në zemrën e tij (shihni te Helamani 13:4).
“Dhe vini re, një engjëll i Zotit ma njoftoi këtë gjë dhe i solli lajme të mira shpirtit tim. Dhe vini re, unë u dërgova mes jush, që t’ju njoftoj edhe juve, që ju gjithashtu të mund të merrni lajme të mira; por vini re, ju nuk më pranoni mes jush” (Helamani 13:7).
Për mua është mbresëlënëse që Samueli dëshmoi me guxim për të vërtetën, edhe kur nefitët “hodhën gurë kundër tij … dhe … e qëlluan me shigjeta, ndërsa ai qëndronte mbi mur” (Helamani 16:2). Ne e shohim këtë guxim te profetët, shikuesit dhe zbuluesit sot.
Ta Bëjmë Botën një Vend më të Mirë
Jo shumë kohë më parë takova një çift gjatë një konference kunji në Neshvil të Tenesisë në SHBA. Bashkëshortja kishte qenë anëtare e Kishës gjatë gjithë jetës. Bashkëshorti nuk ishte anëtar.
Ata erdhën drejt meje dhe bashkëshorti i saj më tha: “Jam gati për t’u pagëzuar”.
U lumturova që e dëgjova këtë! E pyeta: “Çfarë ka ndryshuar?”
Ai më tha: “Kur dëgjova mesazhin e Presidentit Nelson në konferencën e përgjithshme, më preku shumë. Në atë çast e dija se ai qe një profet. Fitova dëshmi dhe tani jam gati për t’u pagëzuar.”
Njoh gjithashtu një grua nga Bregu i Kepit në Ganë, e cila në njëfarë mënyre gjeti kanalin ku po transmetohej konferenca e përgjithshme. Ajo nuk kishte dëgjuar asnjëherë për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, por e tërhoqi jashtë mase ajo që pa dhe dëgjoi nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit. Më pas filloi kërkimet për Kishën. Gjeti një godinë kishtare dhe takoi misionarët. Si përfundim, ajo u pagëzua. Kohët e fundit më dërgoi fotografitë e veta kur ishte në tempull për të marrë dhurimin e vet.
Këto dy raste tregojnë se sa i fuqishëm është mesazhi i profetit për botën! Nëse të gjithë njerëzit do t’ia vinin veshin mesazhit, bota do të ishte shumë paqësore. Të gjithë ne do të përqendroheshim tek ato gjëra që kanë më shumë rëndësi, përfshirë zhvillimin e një marrëdhënieje me Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe ndërtimin e familjeve të forta dhe të përjetshme. Ne gjithashtu do të ishim më të mirët që mundeshim ngaqë do t’i zbatonim dy urdhërimet e mëdha: ta duam Perëndinë dhe ta duam të afërmin tonë (shihni te Mateu 22:37–39). Ne do të ndërtonim Sionin, një shoqëri ku triumfojnë dashuria, drejtësia dhe harmonia, duke pasqyruar shpirtin e dishepullimit (shihni te Doktrina e Besëlidhje 82:14).
Kur e ndjekim profetin, ne mund të jemi të sigurt se po bëjmë atë që Perëndia do të donte që të bënim, sepse profeti e ndjek – dhe na ndihmon edhe ne që ta ndjekim – Jezu Krishtin. Për shkak të Jezu Krishtit, çdo gjë në jetë bëhet kuptimplote. “Ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë.” Duke e ndjekur profetin, ne vërtet mund ta bëjmë botën një vend më të mirë.
Gjeni Bekimet e Premtuara
Kur shenjtorët po dëboheshin nga Kirtlandi në Ohajo, Presidenca e Parë i mirëbesoi Oliver Grejnxhërit që të shiste pronat e shenjtorëve dhe të shlyente borxhet e Kishës. Oliveri, një burrë i zakonshëm, gati i verbër për shkak të ekspozimit ndaj të ftohtit, e pranoi këtë detyrë sfiduese ngaqë ia kishin kërkuar Profeti Jozef Smith dhe udhëheqësit e tjerë. Oliveri duroi shumë vështirësi dhe Zoti i vlerësoi sakrificën dhe përpjekjet e tij.
“Unë e kujtoj shërbëtorin tim Oliver Granger”, – tha Zoti. “Vini re, në të vërtetë unë i them atij se emri i tij do të mbahet në kujtesë të shenjtë nga brezi në brez, përherë e përgjithmonë. …
… Dhe kur të bjerë, ai do të ngrihet përsëri, sepse sakrifica e tij do të jetë më e shenjtë sesa suksesi i tij” (Doktrina e Besëlidhje 117:12–13).
Oliveri dhe bashkëshortja e tij, Lidia, e mbështetën profetin dhe Zoti vuri në dukje se Oliveri kishte bërë më të mirën që mundej edhe pse nuk ishte gjithnjë i suksesshëm. Zoti e vuri theksin te vlera e përpjekjeve të tij më shumë se tek arritjet e tij.
Kur isha misionar, por edhe tani, nuk më kujtohet të kem dëgjuar shumë për Oliver Grejnxhërin, por emri i tij përmendet në shkrimet e shenjta ngaqë ai iu bind udhëzimit të Zotit dhe mori bekimet e premtuara – emri i tij do të mbahet në kujtesë të shenjtë. Ne mësojmë nga Oliver Grejnxhëri se edhe pse udhëzimi vjen nga një burim hyjnor (nëpërmjet profetëve), ai nuk garanton një shteg të rehatshëm, pa sfida, por premtimet janë të sigurta (shihni tek Alma 37:17).
Si do të ishte jeta jonë pa profetët? Profeti i gjallë dhe Presidenti i Kishës përfaqësojnë një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi nga Perëndia te njerëzit e Tij dhe është i vetmi person në tokë, i cili merr zbulesë për të udhëhequr të gjithë Kishën. Ai gjithashtu siguron zbulesë të vazhdueshme nga Perëndia për të na ndihmuar që të manovrojmë përmes sfidave të kohës sonë. Duke ia vënë veshin këshillës së profetit, ne mund të gjejmë paqe, gëzim dhe udhëzim në jetën tonë teksa përpiqemi të bëhemi më shumë si Jezu Krishti. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:4–6.)
Le t’i përqafojmë mësimet dhe shembullin e profetëve bashkëkohorë, duke e ditur se ata janë mjete në duart e Perëndisë dhe na udhëheqin drejt bekimeve të përjetshme. I dua ata dhe lutem për ta. Jam mirënjohës që e di se ata janë të frymëzuar dhe ndihmojnë për të na udhëhequr ne dhe familjet tona drejt Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.