“3 Mënyra për ta Duruar Jetën dhe për ta Shijuar Atë”, Liahona, shtator 2024.
Të Rinjtë në Moshë Madhore
3 Mënyra për ta Duruar Jetën dhe për ta Shijuar Atë
Ati Qiellor dëshiron që ne të gjejmë gëzim në jetën që na është dhënë.
Guido nga Gjermania
Kur ishte hera e fundit që ishit vërtet të lumtur?
A ishte e vështirë t’i përgjigjeshit kësaj pyetjeje?
Gjatë periudhave sfiduese, mund të na mbysin aq shumë sprovat saqë nuk mund ta çojmë fare nëpër mend se çfarë është gëzimi. Siç e përshkroi Motra Reina I. Aburto, ish-Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës: “Në jetën tonë mund të formohen re të zeza, të cilat mund të na e mbulojnë dritën e Perëndisë e madje të na bëjë të mendojmë se ajo dritë nuk ekziston më për ne”.
Për shumë prej nesh të rinjve në moshë madhore jeta mund të duket nganjëherë si diçka thjesht për ta duruar, diçka për të bërë përçapje derisa më në fund të marrim ato bekime që na janë premtuar.
Ajo që nganjëherë harrojmë është se jeta është diçka edhe për t’u shijuar. Bekimet e lumturisë së përjetshme mund të fillojnë tani.
Këtu janë disa mënyra se si mund ta rindezim dritën dhe gëzimin në jetën tonë.
Kujtojini të Vërtetat e Thjeshta
Në vend që t’i stërvitim sytë për të parë në errësirë, ne mund të kërkojmë rreze drite që ungjilli i Jezu Krishtit i sjell në jetën tonë.
Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kujtuar se “gëzimi vjen prej [Jezu Krishtit] dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit.” Kur e keni të vështirë ta gjeni dritën në jetën tuaj, drejtimi te Jezu Krishti duhet të jetë gjithnjë hapi i parë.
Ju mund t’i kërkoni gjithashtu Atit Qiellor që t’ju ndihmojë të kujtoni rëndësinë e identitetit tuaj hyjnor.
Plaku Geri B. Sebin, i Të Shtatëdhjetëve dha mësim: “Është vendimtare për lumturinë tonë që ne të kujtojmë se jemi bij e bija të një Ati të dashur Qiellor”. Dijenia me gjithë mend se Perëndia është i vëmendshëm ndaj jush dhe do më të mirën tuaj, mund ta ndriçojë jetën tuaj.
Pavarësisht nga sfidat me të cilat përballeni, të kujtuarit e këtyre parimeve bazë të ungjillit mund t’ju ndihmojë që ta ftoni dritën e Shpëtimtarit në jetën tuaj.
Gjeni se Çfarë ju Sjell Lumturi
Nganjëherë mund të jetë e vështirë të kujtohemi se lumturia jonë nuk i ngjan gjithmonë asaj të të tjerëve. Në fakt, si të rinj e të reja në moshë madhore, është e vështirë të mos e krahasojmë jetën tonë me jetën e të tjerëve përreth nesh. Por mbajeni mend se kontrolli i lumturisë suaj vetjake është në dorën tuaj.
Pyeteni veten: Çfarë ju bën ju të lumtur?
Çfarë ju bën të buzëqeshni?
Siç sugjeroi ish-Presidenti Diter F. Uhtdorf, kur ishte Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë: “Zvogëlo[jeni] ngutin dhe … harxhoni pak kohë shtesë për ta njohur veten më mirë”. Kërkojeni bukurinë në gjërat e vogla: Bëni një shëtitje. Vizitoni tempullin. Regjistrohuni për një projekt shërbimi. Gjeni një veprimtari të re të parapëlqyer ose niseni aty ku e keni ndërprerë një veprimtari të vjetër.
Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dikur foli për mënyrën se si aftësia krijuese mund të hedhë dritë në jetën tonë: “Përzgjidhni diçka si muzika, vallëzimi, skulptura ose poezia. Të qenit krijues do t’ju ndihmojë ta shijoni jetën. Të qenit krijues shkakton një frymë mirënjohjeje. Ajo e zhvillon talentin e fshehur, e mpreh kapacitetin tuaj për të arsyetuar, për të vepruar dhe për të gjetur qëllim në jetë. Të qenit krijues e davarit vetminë dhe brengën. Të qenit krijues sjell një përtëritje, një shkëndijë entuziazmi dhe gjallëri për jetën.”
Gjetja e asaj që jua mbush zemrën me lumturi mund të ndihmojë në rindezjen e dritës në jetën tuaj kur jeni në gjendje monotonie.
Përqendrohuni tek Ajo që Ka më Shumë Rëndësi
Nëse jeta bëhet tepër e mundimshme dhe ndieni se po e harxhoni të gjithë energjinë thjesht për ta çuar deri në fund çdo ditë, gjeni një çast qetësie për t’u përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi.
Për ta bërë këtë, Presidenti Uhtdorf sugjeroi që ne “ta thjeshtojmë pak jetën tonë”. Ripërqendrojeni jetën tuaj te dashuria e Atit Qiellor dhe dhurata e bukur e Shlyerjes së Krishtit. Vini në përparësi marrëdhëniet tuaja me familjen, miqtë dhe veten tuaj.
Luftojeni negativen me pozitiven, errësirën me dritën e Jezu Krishtit dhe ungjillin e Tij.
Siç na nxiti Presidenti Nelson: “Nuk duhet thjesht të durojmë këtë periudhë të tashme. Le ta përqafojmë të ardhmen me besim!” Ndërsa i duroni vështirësitë e jetës, mësoni ta shijoni edhe bukurinë e saj. Bekimet e përjetshme që premton ungjilli nuk fillojnë në një kohë të caktuar në të ardhmen – fillojnë tani.