2024
Dekada Shërbimi me Përkushtim: Mësime të Përzgjedhura nga Presidenti Rasëll M. Nelson
Shtator 2024


“Dekada Shërbimi me Përkushtim: Mësime të Përzgjedhura nga Presidenti Rasëll M. Nelson”, Liahona, shtator 2024.

Dekada Shërbimi me Përkushtim: Mësime të Përzgjedhura nga Presidenti Rasëll M. Nelson

Tani 100 vjeç, Presidenti Nelson ka shërbyer për 40 vjet si Apostull. Në vijim janë disa prej mësimeve të tij nga koha e tij si President i Kishës.

skena të ndryshme nga jeta e Presidentit Rasëll M. Nelson

Fillojeni me Përfundimin në Mendje

“Përfundimi për të cilin përpiqet fort secili prej nesh, është të na dhurohet fuqi në një shtëpi të Zotit, të vulosur si familje, besnikë ndaj besëlidhjeve të bëra në tempull, të cilat na kualifikojnë për dhuratën më të madhe të Perëndisë – dhuratën e jetës së përjetshme. Ordinancat e tempullit dhe besëlidhjet që bëni atje, janë thelbësore për ta forcuar jetën tuaj, martesën e familjen tuaj dhe aftësinë tuaj për t’u bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.”

Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.

Pendohuni Çdo Ditë

“Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.”

Bëni dhe Mbani Besëlidhjet

“Çdo grua e çdo burrë që bën besëlidhje me Perëndinë dhe i mban ato besëlidhje, dhe që merr pjesë me denjësi në ordinancat e priftërisë, ka të drejtë përdorimi të drejtpërdrejtë të fuqisë së Perëndisë. Ata që e marrin dhurimin në shtëpinë e Zotit, marrin një dhuratë të fuqisë së priftërisë së Perëndisë në saje të besëlidhjes së tyre, së bashku me një dhuratë të njohurisë për të ditur se si të mbështeten tek ajo fuqi.”

Thesaret Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2019, f. 77.

Dëgjojeni Zotin

“Ati ynë e di se, kur jemi të rrethuar nga pasiguria dhe frika, ajo që do të na ndihmojë më tepër se çdo gjë tjetër, është ta dëgjojmë Birin e Tij.

Sepse kur kërkojmë ta dëgjojmë – ta dëgjojmë vërtet – Birin e Tij, ne do të udhërrëfehemi për ta ditur se çfarë të bëjmë në çfarëdo rrethanë.”

Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 89.

Zgjidhni ta Lejoni Perëndinë të Triumfojë

“Me përkufizimin hebraik të fjalës Izrael në mendje, ne shohim se mbledhja e Izraelit merr një kuptim më të madh. Zoti po mbledh ata që janë të gatshëm ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre. Zoti po mbledh ata që do të zgjedhin ta lejojnë Perëndinë që të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën e tyre.”

Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona, nëntor 2020, f. 92.

Mundeni Botën

“Mundja e botës nuk është një ngjarje që ndodh për një ose dy ditë. Ajo ndodh gjatë një jete të tërë teksa ne e përqafojmë vazhdimisht doktrinën e Krishtit. Ne e kultivojmë besimin te Jezu Krishti duke u penduar çdo ditë dhe duke i mbajtur besëlidhjet që na dhurojnë fuqi. Ne qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve dhe bekohemi me forcë shpirtërore, zbulesë vetjake, besim në rritje dhe shërbesën e engjëjve. Të jetuarit e doktrinës së Krishtit mund të prodhojë ciklin më të fuqishëm e të virtytshëm, duke krijuar hov shpirtëror në jetën tonë.”

Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 97.

Zgjidhni që të Jeni Paqebërës

“Grindja e largon Shpirtin, çdo herë. Grindja përforcon idenë e gabuar se kundërvënia është mënyra se si i zgjidhim ndryshimet; por nuk është kurrë kështu. Grindja është një zgjedhje. Paqebërja është një zgjedhje. Ju keni lirinë tuaj të zgjedhjes që të zgjidhni grindjen ose pajtimin. Ju nxit të zgjidhni që të jeni paqebërës, tani e përgjithmonë.”

Kërkohen Paqebërës”, Liahona, maj 2023, f. 100.

Mendoni Çelestialisht

“Kur bëni zgjedhje, ju ftoj të shihni në një këndvështrim për të ardhmen, një këndvështrim të përjetshëm. Vëreni Jezu Krishtin të parin, sepse jeta juaj e përjetshme varet nga besimi juaj tek Ai dhe te Shlyerja e Tij. Ajo varet edhe nga bindja juaj ndaj ligjeve të Tij. Bindja shtron udhën për një jetë të gëzueshme për ju sot dhe për një shpërblim të madhërishëm, të përjetshëm nesër.”

Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 118.