“5: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale (2020)
“5: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale
Mësoni – Koha Maksimale: 60 Minuta
Depresioni prek jetën e të gjithë njerëzve në një mënyrë ose një tjetër. Diskutimi i sotëm mund të jetë i vështirë për t’u menduar dhe diskutuar nga ju ose njerëz të tjerë. Ne e nxitim çdo njeri që të jetë i dhembshur kur ta shqyrtojë këtë kapitull. Nëse ndieni mbingarkesë emocionale, mos ngurroni të kërkoni një ndërprerje.
1. Ndryshimi ndërmjet Trishtimit dhe Depresionit
Trishtimi dhe depresioni përshkruhen si ndjenja trishtimi, palumturie dhe pikëllimi dhe janë një pjesë e zakonshme e përvojës sonë këtu në tokë. Trishtimi dhe depresioni mund të vijnë nëpërmjet vështirësive që rrjedhin nga mospranimi, marrëdhëniet ndërpersonale, zhgënjimet dhe dhembje të tjera. Ato janë elemente të vështira, prapëseprapë thelbësore, për rritjen tonë. Plaku Brus C. Heifën, dha mësim se Ati Qiellor synonte që ne të kishim përvoja të dhimbshme në jetën tonë, në mënyrë që në përfundim të mund të përjetonim gëzim më plotësisht (shih “A Willingness to Learn from Pain ”, Ensign , tetor 1983, f. 64, 66).
Çrregullimi depresiv madhor, ose depresioni i rëndë, është diçka e ndryshme. Kjo është një gjendje ose formë emocionale që ndikon tek të menduarit, emocionet, perceptimet dhe sjelljet tona. Plaku Xhefri R. Holland, diskutoi për ndryshimin ndërmjet trishtimit normal dhe depresionit e çrregullimit depresiv madhor: “Kur flas për këtë, nuk po flas për ditë kur flokët s’na duken mirë, për afatet e pagimit të taksave apo për çaste shkurajuese që i kemi të gjithë. Gjithsecili do të jetë në ankth apo i ligështuar herë pas here. … Unë po flas për diçka më serioze, për një vuajtje kaq të rëndë që e kufizon së tepërmi aftësinë e një njeriu që të funksionojë në mënyrë të plotë” (“Si një Vazo e Thyer ”, Liahona , nëntor 2013, f. 40).
Çrregullimi depresiv madhor mund të ndodhë pa një shpjegim të qartë për shkakun e tij, ose mund të rrjedhë nga reagimet e pashëndetshme ndaj ngjarjeve të dhimbshme. Kur përjetojmë depresion të rëndë, ne shpesh ndihemi të mpirë ose të topitur ndaj emocioneve tona. Ne mund të kemi ndjenja turpi, fajësimi për veten ose urrejtje për veten, të cilat të gjitha kanë të ngjarë të ndërhyjnë në mënyrën se si funksionojmë çdo ditë. Depresioni i rëndë ndërhyn edhe tek aftësia jonë për t’u përballur pozitivisht me sprovat kur ato shfaqen.
Për më tepër, siç lexuam në mbledhjen tonë të kaluar, trishtimi dhe depresioni mund të ndikojnë tek aftësia jonë për të ndier ose kuptuar nxitjet e Shpirtit. (Shih Reina I. Aburto, “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri! ” Liahona , nëntor 2019, f. 57–60.)
Si janë të ndryshme trishtimi dhe depresioni?
“Si një Vazo e Thyer, Pjesa 1 ”, në dispozicion te srs.ChurchofJesusChrist.org/videos [01:38].
1:57
2. Faktorët që Mund të Çojnë në Sfida Emocionale
Të qenit i vetëdijshëm për arsyen pse i kemi këto ndjenja, mund të na ndihmojë të jemi më të dhembshur ndaj vetes dhe të tjerëve. Ndjenja të tilla si trishtimi ose depresioni mund të shkaktohen nga gjëra të ndryshme, përfshirë shumë nga faktorët më poshtë:
Biologjikë – Faktorët fizikë me trupin tonë
Gjenetika
Sëmundje/dëmtime të rënda
Dieta dhe mungesa e veprimtarisë fizike
Keqpërdorimi i drogave ose ilaçeve të paligjshme
Moti stinor
Ndryshimet kimike ose hormonale
Psikologjikë – Ngjarjet emocionale
Psikologjikë – Ndërveprimet shoqërore me të tjerët, krijimi i emocioneve të forta
Shpirtërorë – Ngjarjet e vështira që e vënë në provë besimin tonë
Si mund të na ndihmojë dijenia se nga vijnë ndjenjat e vështira, për të qenë më të dhembshur ndaj vetes dhe të tjerëve?
3. Simptomat e Çrregullimit Depresiv Madhor
Simptomat në vijim mund të jenë shenja të çrregullimit depresiv madhor, ose depresionit klinik. Shumica e njerëzve do t’i përjetojnë këto simptoma nganjëherë gjatë jetës së tyre, por nëse përjetoni simptoma të shumta për një kohë të gjatë, kjo mund të nënkuptojë se po përjetoni probleme më të thella. Nëse tre apo më shumë nga këto simptoma vazhdojnë për një periudhë kohe, e kufizojnë aftësinë tuaj për të funksionuar ose janë të vështira për t’u larguar pavarësisht nga përpjekjet vetjake dhe familjare, ju duhet të kërkoni ndihmë profesionale.
Të ndihesh vazhdimisht i trishtuar, pa ndihmë, i pashpresë ose i pavlerë
Energji dhe motivim i ulët
Ndryshim në oreks dhe humbje ose shtim në peshë
Vështirësi për t’ju zënë gjumi, për ta vazhduar gjumin ose për t’u zgjuar nga gjumi
Humbje interesi për veprimtaritë që kanë qenë të kënaqshme për ju
Vështirësi për t’u përqendruar, për të mbajtur mend ose për të marrë vendime
Mendime rreth vdekjes dhe vetëvrasjes*
Në ç’mënyrë të qenit i vetëdijshëm për simptomat e depresionit na ndihmon teksa bëhemi më të ripërtërirë shpirtërisht? Si mund të na ndihmojë kjo që t’i përkrahim të tjerët?
*Nëse ju apo njerëz të tjerë keni mendime për vdekjen ose vetëvrasjen, kërkoni menjëherë ndihmë profesionale duke shkuar tek urgjenca spitalore më e afërt dhe duke njoftuar familjen, një mik/e ose peshkopin apo një udhëheqës tjetër të Kishës. Mendimet për vetëvrasje duhet të merren gjithmonë seriozisht.
Shih suicide.ChurchofJesusChrist.org ose mentalhealth.ChurchofJesusChrist.org për shërbime telefonike të ndihmës dhe burime.
Cilido në Shqipëri mund të telefonojë në numrin 116 ose të vizitojë faqen e internetit https://alo116.al.
4 . Mënyra për të Marrë Ndihmë
Motra Reina I. Aburto dha mësim: “Si çdo pjesë e trupit, truri u nënshtrohet sëmundjeve, traumave dhe mungesës së ekuilibrit kimik. Kur mendja jonë vuan, gjëja e duhur është që të kërkojmë ndihmë nga Perëndia, nga ata përreth nesh e nga mjekët dhe profesionistët e shëndetit mendor. …
Është normale që të ndihemi të trishtuara ose të shqetësuara njëherë në kaq kohë. Trishtimi dhe ankthi janë emocione njerëzore të natyrshme. Sidoqoftë, nëse jemi vazhdimisht të trishtuara dhe nëse dhembja jonë e bllokon aftësinë për ta ndier dashurinë e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij dhe ndikimin e Frymës së Shenjtë, atëherë ne mund të jemi duke vuajtur nga depresioni, ankthi ose një gjendje tjetër emocionale” (“N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri! ” Liahona , nëntor 2019, f. 57).
Hapi 1 : Më vete, lexojeni listën e ideve më poshtë.
Hapi 2 : Qarkoni dy idetë që mendoni se do të jenë më të dobishmet kur të keni nevojë për përkrahje.
Flitini dhe dëgjojeni Atin tuaj Qiellor.
Telefonojini një miku/eje që është një dëgjues/e i/e shkëlqyer.
Kërkojini dikujt të bisedojë me ju ose zgjidhni të bisedoni me dikë çdo ditë.
Dilni për një ecje, uluni përjashta ose bëni diçka që ju pëlqen jashtë shtëpisë.
Shkruani kujtime kuptimplote kur ndiet paqe, gëzim dhe dashuri.
Caktoni një orar për të bërë diçka me miqtë ose pjesëtarët e familjes.
Caktoni një takim me një profesionist mjekësor ose me një terapist të shëndetit mendor që është i licencuar.
Bashkohuni me një grup për përkrahje ose me një grup shoqëror me interesa të ngjashme.
Ofrojini ndihmë dikujt tjetër që mund të jetë duke kaluar një periudhë të vështirë.
Kërkoni ndihmë te një linjë telefonike për parandalimin e vetëvrasjes (shih suicide.ChurchofJesusChrist.org [edhe te numri 116 për Shqipërinë]).
Krijo një Shënim
Hapi 3 : Te hapësira më poshtë, shkruani se kur dhe si do t’i vini idetë tuaja në veprim.
Krijo një Shënim
Pothuajse gjithkush do të përjetojë pikëllim në njëfarë pike të jetës së vetë, qoftë kjo prej vdekjes së një njeriu të dashur ose një lloj tjetër humbjeje, apo ndryshimi madhor në jetë si humbja e një vendi pune ose e një marrëdhënieje. Për shkak të ungjillit, besëlidhjeve tona dhe njohurisë se do t’i shohim përsëri njerëzit tanë të dashur, ne mund të mendojmë se nuk duhet të vuajmë nga pikëllimi. Megjithatë, nuk është ky rasti. Madje edhe Shpëtimtari qau kur vdiq Llazari, sepse Ai e donte atë (shih Gjoni 11:35–36 ). Presidenti Rasëll M Nelson dha mësim: “Vajtimi është një nga shprehitë më të thella të dashurisë së kulluar. Është një përgjigje e natyrshme në përputhje të plotë me urdhërimin hyjnor: ‘Jeto së bashku në dashuri, kështu që ti duhet të vajtosh për humbjen e atyre që vdesin’ [Doktrina e Besëlidhje 42:45 ]” (“Doors of Death ”, Ensign , maj 1992, f. 20).
Gjithsecili do të pikëllohet në mënyra të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. Gjatë periudhës së pikëllimit, shumica e njerëzve përjetojnë emocionet e renditura më poshtë, ndonëse nuk ka asnjë rend ose periudhë kohore të caktuar sipas të cilave t’i përjetojmë ato.
Mohimi : Nuk e besojmë dot se kjo gjë ka ndodhur. Mund ta gjejmë veten të tronditur ose të hiqemi sikur apo të harrojmë se kjo po ndodh për një periudhë kohe.
Zemërimi : Mund të ndihemi të zemëruar me veten, njerëzit tanë të dashur dhe madje me Perëndinë. Zemërimi është një shprehi e vlerës që i vëmë asaj që kemi humbur.
Të Bërit Ujdi : Ne mund të mendojmë se jemi në një ëndërr të keqe dhe përpiqemi të bëjmë ujdi me Perëndinë për t’i kthyer mbrapsht gjërat. Ne mund të bëjmë pyetje me “po sikur”, të tilla si “Po sikur të shkoj në tempull çdo javë?” me qëllim që të marrim një rezultat të caktuar.
Trishtimi : Ne përjetojmë trishtim të thellë për humbjen tonë. Ky trishtim mund të jetë i fuqishëm dhe i mundimshëm emocionalisht, por nuk është medoemos depresion klinik. Është një pjesë e zakontë e procesit të pikëllimit.
Pranimi : Pranimi është të pranosh se humbja ka ndodhur. Nuk do të thotë se jemi të lumtur rreth humbjes apo se po e tradhtojmë kujtimin e asaj që kemi humbur. Ne thjesht e pranojmë realitetin e humbjes që të mund të fillojmë të bëjmë përpara.
Si mund të na ndihmojë të kuptuarit e emocioneve të zakonshme të pikëllimit?
Çdo njeri pikëllohet ndryshe. Disa njerëz mund të kenë shqetësime me fjetjen dhe ngrënien. Të tjerë mund të duan të rrinë me njerëz, ndërsa të tjerë mund të duan të rrinë vetëm. Disa mund të ndiejnë emocione të forta dhe të tjerë jo. Disa mund të pikëllohen shpejt dhe disa të tjerëve mund t’u duhet më shumë kohë. Nuk ka mënyrë të saktë se si pikëllohesh.
Sugjerimet vijuese mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni dhe të përballeni më mirë me pikëllimin ose t’ju lejojnë të ndihmoni njerëz të tjerë që janë të pikëlluar:
Lejojeni veten të ndieni, të qani dhe të përjetoni çfarëdo gjëje që mund të jeni apo nuk mund të jeni duke e ndier si pjesë të procesit.
Kujdesuni për veten. Hani shëndetshëm, flini mjaftueshëm dhe përpiquni të bëni ushtrime fizike.
Përcaktojini ndjenjat që po përjetoni dhe pranojini ato si të zakonshme dhe të shëndetshme.
Vendosni pritshmëri realiste rreth sa kohë mund t’ju nevojitet dhe merrini gjërat me radhë.
Kuptojeni se ndjenjat e lumturisë, gëzimit e paqes nuk janë të pabesa ndaj kujtimit të asaj që keni humbur.
Shprehini mendimet dhe ndjenjat tuaja duke shkruar rreth humbjes suaj si edhe shpresës suaj për të ardhmen.
Nëse këto ndjenja bëhen të pakalueshme, merreni parasysh të kërkoni ndihmë nga një profesionist.
Nuk duhet të pikëlloheni të vetëm dhe mund t’u drejtoheni të tjerëve në kohën tuaj të nevojës. Mund të gjeni përkrahje nga familja, miqtë, udhëheqësit e Kishës dhe, më e rëndësishmja, nga Shpëtimtari.
Motra Sheron Iubank dha mësim rreth mënyrës se si mund të na ndihmojë Shpëtimtari: “Kur na ndodhin tragjedi, kur jeta na lëndon aq sa na zë frymën, kur jemi rrahur keq e lënë gati për vdekje si burri rrugës për në Jeriko, vjen Jezusi dhe na i lan plagët me vaj, na ngre me ngadalë, na çon në një han, kujdeset për ne [shih Lluka 10:30–35 ]. Atyre nga ne që janë të brengosur, Ai u thotë: ‘Unë do t’ju lehtësoj … barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, … që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre’ [Mosia 24:14 ]. Krishti shëron plagët” (“Krishti: Drita që Shkëlqen në Errësirë ”, Liahona , maj 2019, f. 74).
Ndërsa përjetojmë pikëllim, mund të duket e papërballueshme dhe mund të ndiejmë një dëshirë për ta izoluar veten nga njerëzit e tjerë. Megjithatë, mbani mend se ne mund të gjejmë përkrahje nëpërmjet të tjerëve.
“Dashuria Shëlbuese e Krishtit i Shëron Zemrat e Pikëlluara ”, në dispozicion te srs.ChurchofJesusChrist.org/videos [03:22].
2:3
Çfarë mund të mësojmë nga historia te materiali filmik rreth përpjekjes për ta kapërcyer pikëllimin?
6. Mënyrat për të Ofruar Ndihmë
Ju mund të njihni dikë që ka humbur një njeri të dashur, që po kalon një kohë të vështirë ose që është diagnostikuar me depresion apo sëmundje tjetër. Mund të jetë e vështirë të dini se çfarë të thoni ose të bëni kur ndodheni me ta. Mund të ndiheni në siklet ose jo të lirshëm për të shfaqur emocion apo kur jeni pranë dikujt që po shfaq emocione. Në kolonën e majtë poshtë janë disa shembuj të frazave më pak të dobishme që mund t’i keni dëgjuar të përdoren nga njerëzit kur përpiqen të ndihmojnë dikë që është në pikëllim. Në kolonën e djathtë janë fraza të dobishme që mund t’i përdorni në vend të këtyre.
Më Pak të Dobishme
Më të Dobishme
“E di saktësisht se si ndihesh.”
“Thjesht ki besim; gjithçka do të rregullohet.”
“Të paktën ti …”
“Perëndia ka një plan.”
“Ata janë në një vend më të mirë.”
“Nuk di se ç’të them tani, por jam kaq i/e lumtur që ma the.”
“Më trego atë që po ndien në këtë çast.”
“Shqetësohem për ty.”
“Jam këtu për ty.”
“Është në rregull që ndihesh kështu.”
Secili person është unik dhe do të ketë nevoja të ndryshme. Edhe nëse thoni të gjitha gjërat e duhura, personi tjetër prapë mund të ndihet i mërzitur. Të qenit i lënduar dhe i mërzitur është një pjesë e natyrshme e të qenit i trishtuar ose i dëshpëruar. Puna juaj më e rëndësishme është të shkoni tek ata, t’i dëgjoni dhe t’u ofroni dashuri e dashamirësi.
Hapi 1 : Shikoni materialin filmik “Si një Vazo e Thyer, Pjesa 2 ”, në dispozicion te srs.ChurchofJesusChrist.org/videos [01:46].
1:54
Hapi 2 : Përsiatini pyetjet vijuese dhe shkruajini mendimet tuaja poshtë.
Krijo një Shënim
Shqyrtojeni pjesën “Burimet ” në fund të këtij kapitulli për një listë burimesh mbi përballjen me sfida të ndryshme në jetë.
Si mund ta ndihmoni dikë që po vuan emocionalisht?