Mbështetjate Vetja
Mësoni


“9: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale (2020)

“9: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale

Mësoni – Koha Maksimale: 60 Minuta

1. Dhënia e Shërbesës si Shpëtimtari

Lexoni:

Zoti na ka kërkuar t’u japim shërbesë njerëzve përreth nesh. Historia e Almës dhe e Amulekut është udhëzuese. Alma e kuptoi se Amuleku po vuante vërtet emocionalisht dhe ai e mori atë personalisht “në shtëpinë e vet, dhe e ndihmoi në vështirësitë e tij dhe e fuqizoi në Zotin” (Alma 15:18).

Përsiatni:

Si ju kanë ndihmuar njerëzit që të “fuqizo[heni] në Zotin”?

Diskutoni:

Cilat janë mënyrat se si mund t’i forcojmë të tjerët te Zoti?

2. Mitet rreth Ndihmës ndaj të Tjerëve

Lexoni:

Ka disa mite të zakonshme që mund t’i besoni rreth ndihmës ndaj të tjerëve. Ndërsa i lexoni mitet vijuese, vlerësoni a jeni ndier ndonjëherë në këto mënyra apo jo.

Miti nr. 1:

Jam 100% Përgjegjës/e për t’u Siguruar të Tjerëve Ndihmën që u Nevojitet.

Realiteti:

Shpëtimtari është i vetmi shërues i shpirtrave tanë, por ju mund të jeni pjesë e një komuniteti shërues për të bekuar njerëz të tjerë. Ju do të bëheni pjesë e këtij komuniteti shërues teksa ofroni anët tuaja të forta dhe këndvështrimin tuaj unik dhe jepni kur mundeni.

Miti nr. 2:

Duhet të Jem Eksperti/ja për Zgjidhjen e Problemeve të të Tjerëve.

Realiteti:

Edhe këshilluesit profesionistë besojnë se roli i tyre është thjesht ta ndihmojnë një person që t’i bëjë vetë ndryshimet e veta në vend që t’i sigurojnë një manual udhëzues. Roli juaj është t’u jepni dashuri dhe shërbesë njerëzve dhe Shpëtimtari do të bëjë shërimin.

Miti nr. 3:

Ka Ndreqje të Shpejta për Problemet e Jetës.

Realiteti:

Kultura jonë është e tillë që jep kënaqësi të çastit dhe premtohen zgjidhje të shpejta për thuajse çdo gjë. Por rrallë herë ka ndreqje të shpejta për problemet e jetës. Të vepruarit përgjatë ndryshimit është një proces dhe thuajse gjithmonë zgjat më shumë sesa e mendoni ju. Ndryshimi i vërtetë është një proces rafinimi përmes të cilit duhet të kalojnë ju ose njerëzit tuaj të dashur.

Miti nr. 4:

Nuk Di të Them Gjënë e Duhur, prandaj Është më Mirë të Mos Them Asgjë.

Realiteti:

Lajmi i mirë është se shpesh nuk ju duhet të thoni shumë gjëra. Dhurata më e madhe që mund t’u jepni të tjerëve është të tregoni interes për ta, t’u bëni pyetje, të dëgjoni me dashuri dhe t’i ndihmoni të ndihen të sigurt që të shprehen me ju.

Miti nr. 5:

Po t’i Ndihmoj, Ata do të Bëhen Gjithmonë të Varur tek Unë.

Realiteti:

Teksa shërbeni, ju mund të vendosni caqe të shëndetshme për t’u siguruar që po kujdeseni për veten dhe familjen tuaj. Zoti mund t’ju udhërrëfejë që ju të shërbeni në mënyra që e forcojnë mbështetjen te vetja të personit tjetër. Mos e nënvlerësoni kurrë fuqinë që mund të kenë veprat e vogla dhe të thjeshta në jetën e njerëzve dhe mos kini frikë të investoni kohë dhe dashuri te dikush.

Diskutoni:

Diskutoni me një partner për njërin nga këto mite që ju mundojnë dhe mënyrën se si mund ta kapërceni atë.

3. Përgjigjjuni të Tjerëve në Mënyrën e Duhur

Lexoni:

Pavarësisht nga qëllimet tuaja më të mira, është e thjeshtë të thuhen gjëra që nuk janë shumë të dobishme ndërsa përpiqeni ta ndihmoni dikë për t’i kaluar periudhat e vështira. Por kjo nuk duhet t’ju trembë sa të mos vazhdoni më të përpiqeni për të qenë të dobishëm. Perëndia dëshiron që ju t’i doni dhe t’i ndihmoni fëmijët e Tij. Jini të ndjeshëm ndaj ndjenjave të atyre që po përpiqeni t’i ndihmoni, duke pasur kujdes që të mos thoni apo të bëni ndonjë gjë që e minimizon dhembjen dhe vështirësinë e tyre.

Diskutoni:

Çfarë frazash të tjera keni dëgjuar që janë të dobishme ose jo të dobishme?

4. Dhënia e Pohimit ndaj të Tjerëve

Lexoni:

Motra Reina I. Aburto dha mësim: “Ndonëse nuk e dimë se si ta gjejmë veten tek ajo që të tjerët po kalojnë, pohimi se dhembja e tyre është e vërtetë mund të jetë një hap i parë i rëndësishëm për të gjetur kuptim dhe shërim” (“N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!Liahona, nëntor 2019, f. 58). T’i pohoni ndjenjat e të tjerëve do të thotë që së pari t’i pranoni ndjenjat e tyre dhe pastaj t’i kuptoni ato.

Më poshtë ka disa hapa që t’ju ndihmojnë t’i jepni pohimin dikujt që po përballet me një sfidë:

  1. Dëgjoni. Jini të pranishëm dhe dëgjojeni qëllimshëm atë që po ju thotë personi. Mos tregoni vetëmbrojtje nëse keni kontribuar në problemin e personit.

  2. Përpiquni të kuptoni. Mund t’ju nevojitet të bëni pyetje të dhembshura për ta kuptuar më mirë atë që po ndien ky person. Bëni më të mirën tuaj për të kuptuar se çfarë e ka shtyrë personin deri këtu.

  3. Pranojini ndjenjat e personit. Mos u përpiqni ta ndryshoni personin apo të thoni se ai ose ajo e ka gabim që ndihet kështu. Teksa e bëni këtë, kini kujdes që të mos nxitni modele mendimi të pashëndetshëm ose të dëmshëm.

  4. Shprehni dhembshuri. Shprehni se ju intereson ajo që po ndien personi. Edhe nëse nuk e gjeni veten në situatën apo shkakun e ndjenjës, ju mund t’i pohoni ndjenjat e personit duke thënë gjëra të tilla si: “Ndihesh i/e parespektuar [ose në ankth, i pashpresë, i pavlerë, i zemëruar, e me radhë]. Është e vështirë të ndihesh kështu.”

  5. Tregoni dashuri. I thoni këtij personi se shqetësoheni për të dhe se keni besim tek aftësitë e tij ose të saj për ta zgjidhur ose kapërcyer problemin.

Lexoni:

Ja tek është një shembull për mënyrën se si mund t’ia jepni pohimin dikujt që po kalon një periudhë të vështirë:

Xhilli është një nënë beqare, djali i së cilës vdiq nga mbidoza e drogës. Ajo jeton e vetme dhe nuk ka familjarë aty afër. Maria erdhi të fliste me të dhe ta pyeste se si po kalonte. Maria u tundua ta ndërpriste Xhillin, por nuk e bëri. Ajo thjesht dëgjoi. Kur ndjeu se qe e përshtatshme, ajo i bëri pyetje të tilla si: “Si ndihesh tani?” dhe “Cila është gjëja më sfiduese për ty?” Në vend që të thoshte: “Të paktën është me Perëndinë tani”, ajo e kuptoi se Xhillin thjesht e merrte malli për të birin. Maria vendosi t’i shprehte keqardhje duke i thënë: “Mund ta dalloj që të mungon kaq shumë dhe më dhemb zemra për ty”. Pastaj ajo tregoi dashuri duke u ulur pranë saj e duke qarë me të.

Këshillë:

Faqja e internetit të Kishës mbi dhënien e shërbesës përfshin më shumë ide që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se si të tregoni dhembshuri. Shih ministering.ChurchofJesusChrist.org.

5. Nderimi i Lirisë së Zgjedhjes së të Tjerëve

Lexoni:

Ati Qiellor i ka dhënë çdo njeriu dhuratën e lirisë së zgjedhjes dhe individët janë përgjegjës për vetë zgjedhjet e tyre pavarësisht nga ndihma që ofroni ju. Kur u ofroni ndihmë të tjerëve, mbani mend se ju nuk jeni përgjegjës për zgjidhjen e problemeve të tyre ose për kontrollimin e zgjedhjeve që bëjnë ata. Është e rëndësishme që të vendosni vetë caqet tuaja të shëndetshme ndërsa i ndihmoni të tjerët.

Shpëtimtari dëshiron që ju ta nderoni lirinë e zgjedhjes së njerëzve tuaj të dashur, por kjo nuk do të thotë domosdo që të rrini pa vepruar. Kërkoni Shpirtin për t’ju ndihmuar që të kuptoni se si mund t’u shërbeni të tjerëve sipas mënyrave që e nderojnë lirinë e tyre të zgjedhjes dhe që nuk i bëjnë të tjerët të ndihen të padëgjuar.

Ato që vijojnë janë ide për gjërat që mund të bëni përveçse t’u pohoni ndjenjat dhe të dëgjoni:

  • Agjëroni dhe lutuni për ta.

  • Përkushtojeni kohën tuaj në tempull në emër të tyre.

  • Kërkoni ndihmë dhe këshillë profesionale.

  • Bëni kërkime për shëndetin emocional.

  • Dërgoni shënime inkurajuese ose çojuni mesazhe humoristike që t’i bëni të buzëqeshin.

  • Kërkoni bekime dhe këshillë priftërore.

  • Bashkohuni me një grup përkrahjeje për familjarë dhe miq.

  • Vëreni veten në dispozicionin e tyre ndërkohë që ruani caqe të shëndetshme.

  • Shërbejuni në mënyra që ata i kërkojnë ose bien dakord – mënyra që nuk e cenojnë lirinë e tyre të zgjedhjes ose që i bëjnë të ndihen si të padëgjuar.

Diskutoni:

Tregoni një përvojë lartësuese që e keni pasur ndërsa ju kanë forcuar ose ndërsa u keni dhënë forcë të tjerëve.

6. Patja e një Durimi të Paepur me të Tjerët

Lexoni:

Kujdesi për njerëzit e dashur mund të jetë i vështirë dhe i mundimshëm. Ndërsa kërkoni të kujdeseni për njerëzit në nevojë, përpiquni që të jeni të kuptueshëm dhe të shmangni gjykimin. Ju mund të merrni këshilla nga shkrimet e shenjta dhe t’i “lut[eni] Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri” e cila është dashuri hyjnore, ose dashuria e Krishtit (Moroni 7:48).

Nëse keni një njeri të dashur me probleme të shëndetit emocional, ju shpesh mund të jeni kaq të përqendruar në përkujdesjen ndaj atij personi sa që harroni të përkujdeseni për veten tuaj. Ka ndihmë dhe përkrahje për ju. Grupet për përkrahje mund t’i ndihmojnë pjesëtarët e familjes të mësojnë për problemet shëndetësore, mënyrat për të ndihmuar dhe strategjitë për përballimin e simptomave. Shkoni te miq të besuar dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor për ndihmë për veten dhe njeriun tuaj të dashur. Përkrahja e familjarëve dhe miqve mund të ketë një ndikim pozitiv te trajtimi i problemeve të rënda shëndetësore, shoqërore dhe emocionale.

Plaku Xhefri R. Holland këshilloi: “Për përkujdesësit, në përpjekjen tuaj të përkushtuar që të ndihmoni për shëndetin e dikujt, mos shkatërroni veten tuaj. Në tërë këto gjëra jini të urtë. Mos vraponi më shpejt nga sa keni fuqi [Mosia 4:27]. Pavarësisht nga çfarëdo gjëje tjetër që mund të jeni në gjendje të siguroni apo jo, ju mund të jepni lutjet tuaja dhe mund të jepni ‘dashuri [të] pashtirur’ [Doktrina e Besëlidhje 121:41]” (“Si një Vazo e Thyer”, Liahona, nëntor 2013, f. 41).

Diskutoni:

Çfarë ju ka ndihmuar ta baraspeshoni përkujdesjen ndaj të tjerëve dhe vetes suaj?