“2: Themeli Im: Identiteti dhe Qëllimi Ynë Hyjnor”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale (2020) “2: Themeli Im: Identiteti dhe Qëllimi Ynë Hyjnor”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale Themeli Im: Identiteti dhe Qëllimi Ynë Hyjnor – Koha Maksimale: 20 Minuta Përsiatni: Sa vlerë ka shpirti im për Perëndinë? Lexoni: “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë; sepse, vini re, Zoti, Shëlbuesi juaj vuajti vdekjen në mish; prandaj ai vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që gjithë njerëzit të mund të pendohen e të vijnë tek ai” (Doktrina e Besëlidhje 18:10–11). Shikoni: “Identiteti Ynë i Vërtetë”, në dispozicion te srs.ChurchofJesusChrist.org/videos [03:39]. (Nuk keni material filmik? Lexojeni tekstin e shkruar për “Our True Identity” [“Identiteti Ynë i Vërtetë”].) 3:45 Identiteti Ynë i Vërtetë Nëse nuk jeni në gjendje ta shihni materialin filmik, lexoni këtë skenar. Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Shumë prej pështjellimit që provojmë në këtë jetë vjen thjesht ngaqë nuk e kuptojmë se cilët jemi. Një nga tregimtarët më të dashur të të gjitha kohërave ka qenë shkrimtari danez Hans Kristian Anderseni. Në një nga përrallat e tij, ‘Rosaku i Shëmtuar’, një mama-rosë zbulon se një nga zogjtë e saj të sapoçelur është jashtëzakonisht i madh dhe shumë i shëmtuar. Rosat e tjera, nuk do ta lënë rehat të voglin e shëmtuar. Ata e mundojnë vazhdimisht atë. Rosaku i shëmtuar vendos se do të ishte më mirë për të gjithë nëse do ta linte familjen dhe t’ia mbathte. Më pas, një ditë ai pa që sipër tij po fluturonte një tufë zogjsh mahnitës. Ai niset në fluturim dhe i ndjek ata deri te një liqen i bukur. Rosaku i shëmtuar vështron në ujë dhe sheh pasqyrimin e një mjellme të mrekullueshme. Rosaku i shëmtuar kupton se është pasqyrimi i vetë atij! Ai ka zbuluar se cili është në të vërtetë. Mendoni për atë se prej nga vini. Ju jeni bij e bija të qenies më të madhe, më të lavdishme në univers. Ai ju do me një dashuri të pafundme. Ai dëshiron më të mirën për ju. Kjo dijeni ndryshon gjithçka. Ajo ndryshon të tashmen tuaj. Mund të ndryshojë të ardhmen tuaj. Dhe ajo mund të ndryshojë botën. Sikur vetëm ta kuptojmë se cilët jemi dhe çfarë është rezervuar për ne, zemrat tona do të gufonin nga kaq shumë mirënjohje e lumturi sa do të ndriçonte edhe hidhërimet më të errëta me dritën dhe dashurinë e Perëndisë. Sigurisht që do të ketë gjithmonë zëra që do t’ju thonë se jeni të marrë që besoni se jeni mjellma, duke këmbëngulur se jeni veçse rosakë të shëmtuar dhe se nuk mund të prisni të bëheni diçka tjetër. Por ju e dini më mirë. Ju nuk jeni qenie të zakonshme. Ju jeni të lavdishëm dhe të përjetshëm. Unë ju përgjërohem – thjesht vështroni në ujë dhe shihni pasqyrimin tuaj të vërtetë! Lutja dhe bekimi im është që, kur ju të shikoni pamjen tuaj të pasqyruar, do të jeni të aftë të shihni përtej papërsosurive dhe dyshimeve te vetja juaj dhe të kuptoni se cilët jeni me të vërtetë: bij e bija të lavdishme të Perëndisë të Plotfuqishëm. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.” Lexoni: Thëniet vijuese nga udhëheqësit e Kishës: “Ti je një fëmijë i Perëndisë. Ai është Ati i shpirtit tënd. Nga ana shpirtërore ti je me një prejardhje fisnike, pasardhësi i Mbretit të Qiellit. Fiksoje atë të vërtetë në mendjen tënde dhe kapu tek ajo” (Boyd K. Packer, “To Young Women and Men”, Ensign, maj 1989, f. 54). “Jini të kujdesshëm se si e karakterizoni veten tuaj. Mos e karakterizoni ose përcaktoni veten tuaj nëpërmjet ndonjë cilësie tokësore. Cilësia e vetme unike që duhet të na karakterizojë është se ne jemi një bir ose një bijë e Perëndisë. Ai fakt i tejkalon të gjitha karakteristikat e tjera, përfshirë racën, punësimin, karakteristikat fizike, nderimet apo madje përkatësitë fetare” (Dallin H. Oaks, “How to Define Yourself”, New Era, qershor 2013, f. 48). “Ju jeni të veçantë. Të pashoq, të krijuar nga inteligjenca e përjetshme e cila ju jep të drejtën ta pretendoni jetën e përjetshme. Mos pastë asnjë pyetje në mendjen tuaj lidhur me vlerën tuaj si individ. I gjithë synimi i planit të ungjillit është t’i japë një mundësi secilit prej jush që të arrijë potencialin e plotë, i cili është përparimi i përjetshëm dhe mundësia për t’u bërë të perëndishëm” (Spencer W. Kimball, “Privileges and Responsibilities of Sisters”, Ensign, nëntor 1978, f. 105). Diskutoni: Përse është kaq i rëndësishëm të kujtuarit e identitetit dhe potencialit tonë të vërtetë? Lexoni: “Nuk mund të përcaktojmë vlerën e një shpirti tjetër, më shumë sesa mund të matim hapësirën e universit. Çdo person që takojmë është VIP për Atin tonë Qiellor. Pasi ta kemi kuptuar këtë, mund të fillojmë të kuptojmë se si duhet t’i trajtojmë bashkëqeniet tona” (Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Liahona, maj 2010, f. 69). Diskutoni: Përse është e rëndësishme që t’i shohim të tjerët ashtu siç i sheh Perëndia? Si mund ta zhvillojmë këtë dhuratë shpirtërore? Zotohuni: Do të përcaktoj një mënyrë për ta kujtuar identitetin tim hyjnor këtë javë. Krijo një Shënim