“8: Themeli Im: Komunikoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale (2020) “8: Themeli Im: Komunikoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale Themeli Im: Komunikoni – Koha Maksimale: 20 Minuta Përsiatni: Kur i është përgjigjur Ati Qiellor lutjeve të mia? Shihni: “Krijimi i Forcës Ngritëse”, në dispozicion te srs.ChurchofJesusChrist.org/videos. (Nuk keni material filmik? Lexojeni tekstin e shkruar për “Creating Lift” [“Krijimi i Forcës Ngritëse”].) 2:3 Krijimi i Forcës Ngritëse Nëse nuk jeni në gjendje ta shihni materialin filmik, lexoni këtë skenar. Presidenti Diter F. Uhtdorf: “Me qëllim që një aeroplan të ngrihet nga toka duhet krijuar një forcë ngritëse. Në aerodinamikë, forca ngritëse krijohet kur ajri kalon te krahët e një aeroplani në mënyrë të tillë që trysnia nga poshtë krahëve të jetë më e madhe sesa trysnia sipër krahëve. Kur forca ngritëse e tejkalon tërheqjen nga poshtë të forcës së rëndesës, aeroplani ngrihet nga toka dhe arrin të fluturojë. Në mënyrë të ngjashme, ne mund ta krijojmë forcën ngritëse në jetën tonë shpirtërore. Kur forca që na shtyn drejt qiellit, është më e madhe sesa tundimet dhe ankthi që na tërheqin poshtë, ne mund të ngjitemi dhe të fluturojmë në mbretërinë e Shpirtit. Edhe pse ka shumë parime të ungjillit që na ndihmojnë ta arrijmë forcën ngritëse, do të më pëlqente të përqendrohesha te njëri në veçanti. Lutja! Lutja është një nga parimet e ungjillit që siguron forcë ngritëse. Lutja ka fuqinë të na ngrejë nga shqetësimet tona tokësore. Lutja mund të na ngrejë përmes reve të dëshpërimit ose errësirës për te një horizont i ndritshëm e i kthjellët. Një nga bekimet, privilegjet dhe mundësitë më të mëdha që kemi si fëmijë të Atit tonë Qiellor, është se ne mund të komunikojmë me Të nëpërmjet lutjes. Mund t’i flasim Atij për përvojat tona jetësore, sfidat dhe bekimet. Ne mund ta dëgjojmë e të marrim udhërrëfim qiellor nga Shpirti i Shenjtë në çdo kohë e në çdo vend.” (Shih “Prayer and the Blue Horizon”, Liahona, qershor 2009, f. 5–6.) Diskutoni: Përse është dëgjimi një pjesë thelbësore e lutjes? Lexoni: Fragmentin vijues të shkrimit të shenjtë dhe thënien nga Presidenti Nelson. “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 8:2). “Shpirti juaj do të bekohet teksa mësoni të dëgjoni, më pas tek dëgjoni për të mësuar nga fëmijët, prindërit, partnerët, fqinjët dhe udhëheqësit e Kishës, ku gjithsecili prej tyre do ta zgjerojë aftësinë për të dëgjuar këshilla nga lart” (Russell M. Nelson, “Listen to Learn”, Ensign, maj 1991, f. 24). Diskutoni: Si mund të mësojmë që t’i kuptojmë më mirë përgjigjet ndaj lutjeve tona? Lexoni: Thëniet vijuese nga udhëheqësit e Kishës: “Ati ynë Qiellor i dëgjon lutjet e fëmijëve të Tij nëpër tokë, që luten për ushqim për të ngrënë, për rroba për të mbuluar trupat e tyre dhe për dinjitetin që do të rridhte nga të qenët në gjendje për të siguruar për vete” (Henri B. Ajring, “Mundësi për të Bërë Mirë”, Liahona, maj 2011, f. 22). “Ne duhet të kërkojmë ndihmë nga Ati ynë Qiellor dhe të kërkojmë forcë përmes Shlyerjes së Birit të Tij, Jezu Krishtit. Në të dyja, si në gjërat materiale, ashtu dhe ato shpirtërore, [kjo] na mundëson të bëhemi kujdestarë të matur për vete dhe për të tjerë” (Robert D. Hejls, “Të Bëhemi Kujdestarë të Matur: Materialisht dhe Shpirtërisht”, Liahona, maj 2009, f. 8). Zotohuni: Do të lutem individualisht dhe me familjen time çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje. Do të shpenzoj kohë pas çdo lutjeje që të dëgjoj me nderim për udhërrëfim.