Mbështetjate Vetja
Mësoni


“8: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale (2020)

“8: Mësoni”, Gjetja e Forcës te Zoti: Ripërtëritja Emocionale

Mësoni – Koha Maksimale: 60 Minuta

1. Marrëdhëniet Janë të Rëndësishme

Lexoni:

Teksa zhvillojmë marrëdhënie të përzemërta me të tjerët, shëndeti ynë fizik, emocional dhe shpirtëror forcohet. Ati Qiellor dëshiron që ne ta duam Atë dhe njerëzit rrotull nesh. Familja jonë dhe miqtë tanë na duan dhe mund të sigurojnë përkrahje, kurajë dhe përshtypje të sinqerta që na nevojiten për t’i përballuar me sukses sfidat e jetës. Kundërshtari do që të na izolojë nga të tjerët dhe do që të ndihemi sikur na mohohen bekimet që vijnë nga marrëdhëniet.

“Profeti Jozef Smith dha mësim se ‘miqësia është një prej parimeve themelore madhore të “Mormonizmit”’ [Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 494]. Ai mendim duhet të na frymëzojë dhe motivojë ne të gjithëve ngaqë e ndiej se miqësia është një nevojë thelbësore në botën tonë. Mendoj se tek të gjithë ne ka një dëshirim të madh për miqësi, një dëshirim të thellë për gëzimin dhe sigurinë që mund të japin marrëdhëniet e ngushta dhe jetëgjata” (Marlin K. Jensen, “Friendship: A Gospel Principle”, Ensign, maj 1999, f. 64).

Diskutoni:

Çfarë të mirash keni parë nga marrëdhëniet e ngushta dhe të përzemërta?

2. Ndërtimi i Marrëdhënieve

Lexoni:

Kur ndërtojmë marrëdhënie, ne duhet të ndërmarrim nismën për t’u ofruar ndihmë të tjerëve dhe duhet të jemi tolerantë ndaj ndryshimeve. Ne mund të ndërtojmë marrëdhënie nëpërmjet gjërave “të vogla dhe të thjeshta” (Alma 37:6). Gjetja e kohës për të krijuar marrëdhënie cilësore ka rëndësi më shumë sesa ana sasiore. Ne do të zbulojmë se do të marrim më shumë gëzim në jetë teksa zhvillojmë marrëdhënie të ngushta me pak njerëz të cilëve u mirëbesojmë, në vend që të kemi shumë marrëdhënie sipërfaqësore. Nuk ka asgjë të keqe me pasjen e shumë miqve, por ne nuk duhet të hamendësojmë se pasja e më shumë miqve barazohet me lumturinë.

Lexojeni listën më poshtë të mënyrave shtesë për të krijuar dhe ndërtuar marrëdhënie me njerëz të tjerë.

Bëhuni çiltërsisht të interesuar për njerëzit e tjerë. Mësoni se çfarë u pëlqen njerëzve të tjerë ose i gëzon ata. Nuk duhet të keni të njëjtat interesa, por mund të mësoni të kujdeseni rreth gjërave për të cilat interesohen ata.

Buzëqeshni. Lumturia nuk varet nga ajo që po ndodh përreth jush, por përkundrazi, nga mënyra se si u përgjigjeni rrethanave tuaja. Buzëqeshjet nuk kushtojnë asgjë për t’u dhënë dhe mund të jenë një mënyrë e shkëlqyer për t’i bërë të tjerët të ndihen më mirë.

Mbajini mend emrat e njerëzve. Emri i një personi është tingulli më i rëndësishëm për të, pavarësisht a e kupton apo jo personi. Mësimi i emrit të dikujt mund ta ndihmojë atë person të ndihet i vlerësuar dhe i rëndësishëm.

Jini një dëgjues i mirë. Nxitini të tjerët të flasin rreth vetes. Njerëzit ndihen të vlerësuar kur dikush i dëgjon ata. Mënyra më e lehtë për ta bërë dikë që të dojë të flasë me ju, është që të bëheni një dëgjues i mirë. Për të qenë një dëgjues i mirë, juve duhet t’ju interesojnë çiltërsisht ato që njerëzit kanë për të thënë.

Përpiquni sinqerisht t’i bëni të tjerët të ndihen të rëndësishëm. Rregulli i artë është t’i trajtoni njerëzit e tjerë ashtu si do të donit të trajtoheshit vetë. Njerëzve u pëlqen të ndihen të rëndësishëm – si për shembull, ajo që ata thonë ose bëjnë të ketë rëndësi për të tjerët. Ju mund të bëni më të mirën tuaj për t’i ndihmuar njerëzit të ndihen të rëndësishëm duke ushtruar idetë e renditura këtu.

Lexoni:

“Ne e ndërtojmë këtë marrëdhënie me [të tjerë] një e nga një – duke qenë të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve, duke u shërbyer atyre dhe duke dhënë nga koha dhe talentet tona. Më ka bërë përshtypje një motër që qe e ngarkuar nga sfidat e moshës dhe të sëmundjes, por që vendosi që edhe pse nuk mund të bënte shumë, ajo mund të dëgjonte. Dhe kështu çdo javë ajo shihte për njerëz që dukeshin të shqetësuar ose të shkurajuar, dhe kalonte kohë me ta, duke i dëgjuar. Çfarë bekimi ishte ajo në jetën e kaq shumë njerëzve” (Diter F. Uhtdorf, “Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, Liahona, nëntor 2010, f. 22).

Përsiatni:

Mendoni për dikë me të cilin/ën mund të ndërtoni një marrëdhënie më të fortë. Merrni parasysh idetë e mëparshme në këtë pjesë dhe këshillën e fjalëve të Presidentit Uhtdorf, dhe shkruani mënyra se si mund ta zbatoni atë që mësoni për ta ndërtuar këtë marrëdhënie.

3. Jini të Kuptueshëm dhe Jogjykues

Lexoni:

Gjithsecili bën gjykime rreth situatave dhe njerëzve, duke përfshirë veprimet e pjesëtarëve të familjes. Presidenti Uhtdorf shpjegoi: “Kur ndihemi të lënduar, të zemëruar apo ziliqarë, është mjaft e lehtë t’i gjykojmë njerëzit e tjerë, shpesh, duke u veshur arsye keqdashëse veprimeve të tyre në mënyrë që të justifikojmë ndjenjat tona të fyerjes” (“Të Mëshirshmit Gjejnë Mëshirë”, Liahona, maj 2012, f. 70). Por Libri i Mormoni deklaron: “Meqë ju e njihni dritën, nëpërmjet së cilës mund të gjykoni, dritë e cila është drita e Krishtit, shikoni të mos gjykoni gabim; pasi me të njëjtin gjykim që gjykoni ashtu do të gjykoheni” (Moroni 7:18).

Diskutoni:

Si ndikon në lumturinë tonë të qenit i kuptueshëm dhe më pak gjykues?

Lexoni:

Përfytyroni sikur shikoni një prind me katër fëmijë të vegjël. Fëmijët janë të zhurmshëm dhe po ju mërzisin juve dhe njerëzit rrotull jush. Prindi duket se është i pavëmendshëm dhe i shpërqendruar, i hutuar nga mënyra se sa shumë po i ndikon sjellja e fëmijëve njerëzit rrotull tyre. Mbas ca kohe, prindi u flet ashpër fëmijëve, duke i thënë që të rrinë urtë.

Diskutoni:

Si grup, diskutoni për atë se cila do të ishte një përgjigje gjykuese. Gjeni shpjegime të dhembshura për arsyen pse prindi mund të sillet në këtë mënyrë. Çfarë mund të bënit ju për të qenë më të kuptueshëm dhe më pak gjykues?

4. Komunikoni Mesazhe me “Unë”

Lexoni:

Mosmarrëveshjet dhe mospajtimet me të tjerët janë pjesë e natyrshme e marrëdhënieve. Kjo mund të ndodhë për shkak të mospajtimeve në vlera, opinione, perceptime, motivime, dëshira dhe ide. Të mësuarit për t’i trajtuar këto mospajtime në një mënyrë të shëndetshme mund të forcojë marrëdhëniet tuaja me të tjerët dhe mund t’ju ndihmojë të zhvilloni ndjeshmëri dhe durim. Zgjidhja e shëndetshme e konfliktit ka të ngjarë të ndodhë kur individët ndihen të sigurt dhe të vlerësuar. Ndonëse mospajtimet janë të zakonta, ato nuk kanë përse të çojnë në grindje. Është grindja gjatë një konflikti ajo që shkakton një problem.

Kur ndodhin mospajtime vetjake, ju mund të keni vështirësi ta komunikoni pikëpamjen tuaj qartësisht dhe pa e përshkallëzuar konfliktin. Përdorimi i mesazheve me “unë” mund t’ju ndihmojë të shprehni shqetësimet, ndjenjat dhe nevojat tuaja në një mënyrë që është më e lehtë për dëgjuesin që t’i dëgjojë dhe kuptojë. Një mesazh me “unë” përqendrohet te vetë ndjenjat dhe përvojat tuaja në vend që të përqendrohet te këndvështrimi juaj për atë që personi tjetër ka bërë ose nuk ka arritur të bëjë.

Pjesa e parë e një mesazhi me “unë” përcakton dhe shpreh vetë ndjenjat tuaja, gjë e cila është thelbësore për trajtimin e konfliktit ose mosmarrëveshjes. Ajo ndihmon t’i minimizojë ndjenjat e vetëmbrojtjes dhe e bën më të lehtë për ta dëgjuar njëri-tjetrin. Lexojini shembujt më poshtë mbi mënyrën se si ta ktheni një vërejtje me “ti” në një mesazh me “unë”.

Shembujt e Mesazheve me “Ti”

Shembujt e Mesazheve me “Unë”

Shembujt e Mesazheve me “Ti”

“Ti nuk dëgjon asnjëherë askënd dhe as tani nuk po më dëgjon vërtet.”

Shembujt e Mesazheve me “Unë”

“Unë ndihem i/e shkurajuar kur mendoj se nuk kuptohem. Kontakti me sy më ndihmon të ndiej se ke interes.”

Shembujt e Mesazheve me “Ti”

“Ti je shumë i/e shkujdesur dhe moskokëçarës/e sa nuk erdhe për darkë dhe nuk more në telefon.”

Shembujt e Mesazheve me “Unë”

“Unë ndihem i/e shpërfillur kur nuk vjen për darkë dhe pa më telefonuar. U shqetësova gjithashtu se mos të kishte ndodhur diçka.”

Diskutoni:

Cilat janë ndryshimet ndërmjet mesazheve me “ti” dhe “unë”?

Lexoni:

Kur gjeni kohë për t’ia komunikuar ndjenjat tuaja dikujt, ju mund të hamendësoni se është përgjegjësia e personit tjetër që të arrijë deri aty sa të përmbushë dëshirat tuaja. Por edhe kur ua komunikoni ndjenjat tuaja të tjerëve, ndjenjat dhe dëshirat tuaja janë akoma përgjegjësia juaj. Kur mesazhi juaj me “unë” nuk prodhon rezultatin e dëshiruar, ju mund të veproni me përzemërsi për të krijuar përfundimin që dëshironi në vend që të mbani mëri.

5. Kini Dashuri Hyjnore

Lexoni:

“Çfarëdo problemesh që po i has familja juaj, çfarëdo që duhet të bëni për t’i zgjidhur ato, fillimi dhe fundi i zgjidhjes është dashuria hyjnore, dashuria e pastër e Krishtit. Pa këtë dashuri, edhe familjet në dukje të përsosura hasin vështirësi. Me të, edhe familjet me sfida të mëdha ia dalin mbanë” (Diter F. Uhtdorf, “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Liahona, maj 2016, f. 80).

Shikoni:

Dashuri e Paepur”, në dispozicion te srs.ChurchofJesusChrist.org/videos [04:16].

4:16

Përsiatni:

Kë njihni që mund të përfitojë nga dashuria juaj hyjnore? Përse?

Lexoni:

Zoti na ka dhënë këshillë rreth zhvillimit të marrëdhënieve nëpërmjet dokumentit të frymëzuar “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ai na mëson se marrëdhëniet e suksesshme “ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).