Libra dhe Mësime
Kapitulli 1: Ati Ynë Qiellor


Kapitulli 1

Ati ynë Qiellor

Hubble image of the galaxy

Ka një Perëndi

  • Cilat janë disa gjëra që ju dëshmojnë se ka një Perëndi?

Alma, një profet i Librit të Mormonit, shkroi: “Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem” (Alma 30:44). Mund të vështrojmë qiellin gjatë natës e të kemi një ide të asaj ç’ka donte të thoshte Alma. Ka me miliona yje dhe planetë, që të gjithë në një rregull të përkryer. Ata nuk u vendosën aty rastësisht. Ne mund ta shikojmë veprën e Perëndisë në qiell e në tokë. Gjithë ato bimë të bukura, llojet e shumta të kafshëve, malet, lumenjtë, retë që na sjellin shiun e borën – të gjitha këto na dëshmojnë se ka një Perëndi.

Profetët na kanë mësuar se Perëndia është Sundimtari i Plotfuqishëm i universit. Perëndia banon në qiell (shih DeB 20:17). Nëpërmjet Birit të Tij, Jezu Krishtit, Ai krijoi qiejt e tokën dhe të gjitha gjërat që janë në to (shih 3 Nefi 9:15; Moisiu 2:1). Ai krijoi hënën, yjet dhe diellin. Ai e organizoi këtë botë dhe i dha formë, lëvizje dhe jetë. E mbushi ajrin dhe ujërat me gjallesa. I mbuloi kodrat dhe fushat me të gjitha llojet e jetës shtazore. Ai na dha ditën dhe natën, verën dhe dimrin, kohën e mbjelljes dhe korrjen. Ai e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së Tij për të sunduar mbi krijimet e tjera të Tij (shih Zanafilla 1:26–27).

Perëndia është Qenia Supreme dhe Absolute në të cilin ne besojmë dhe të cilin e adhurojmë. Ai është “Prindi i Madh i universit” dhe Ai “e trajton të gjithë familjen njerëzore me kujdes dhe vëmendje atërore” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 39).

Natyra e Perëndisë

  • Cilat janë disa nga tiparet e Perëndisë?

Meqenëse jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Tij (shih Moisiu 2:26; 6:9), ne e dimë se trupat tanë janë si trupi i Tij. Shpirti i tij i përjetshëm banon brenda një trupi të prekshëm prej mishi dhe kocke (shih DeB 130:22). Megjithatë, trupi i Perëndisë është i përkryer dhe i përlëvduar, me një lavdi që ia kalon çdo përshkrimi.

Perëndia është i përkryer. Ai është një Perëndi drejtësie, me tipare të tilla si dashuria, mëshira, dashuria hyjnore, e vërteta, fuqia, besimi, njohuria dhe gjykimi. Ai ka të gjithë fuqinë. Ai i di të gjitha gjërat. Ai është plot mirësi.

Të gjitha gjërat e mira vijnë nga Perëndia. Çdo gjë që Ai bën është për të ndihmuar fëmijët e Tij të bëhen si Ai. Ai ka thënë: “Vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

  • Përse është e rëndësishme për ne të kuptojmë natyrën e Perëndisë?

Arritja në Njohurinë e Perëndisë

  • Si mund të arrijmë ta njohim Perëndinë?

Njohja e Perëndisë është kaq e rëndësishme sa Shpëtimtari tha: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3).

Urdhërimi i parë dhe më i madhi na thotë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37).

Sa më shumë ta njohim Perëndinë, aq më shumë do ta duam dhe do të mbajmë urdhërimet e Tij (shih 1 Gjoni 2:3–5). Duke mbajtur urdhërimet e Tij ne mund të bëhemi si Ai.

Ne mund ta njohim Perëndinë nëse:

  1. Do të besojmë se Ai ekziston dhe na do (shih Mosia 4:9).

  2. Do të studiojmë shkrimet e shenjta (shih 2 Timoteut 3:14–17).

  3. Do t’i lutemi Atij (shih Jakobi 1:5).

  4. Do t’i bindemi të gjitha urdhërimeve të Tij sa më mirë të mundemi (shih Gjoni 14:21–23).

Ndërsa i bëjmë këto gjëra, do të arrijmë ta njohim Perëndinë dhe më në fund të kemi jetën e përjetshme.

  • Mendohuni se çfarë mund të bëni që t’i afroheni Perëndisë.

Shkrime të Shenjta të Tjera