Libra dhe Mësime
Kapitulli 47: Ekzaltimi


Kapitulli 47

Ekzaltimi

Two planets orbiting in a sky where clouds show swirlling movement.

Plani për Përparimin Tonë

Kur jetonim me Atin tonë Qiellor, Ai na shpjegoi një plan për përparimin tonë. Ne mund të bëheshim si Ai, një qenie e ekzaltuar. Plani kërkonte që të ndaheshim prej Tij e të vinim në tokë. Kjo ndarje ishte e domosdoshme për të provuar nëse do t’u bindeshim urdhërimeve të Atit tonë edhe nëse nuk do të ishim më në praninë e Tij. Sipas planit, kur jeta në tokë të përfundonte, ne do të gjykoheshim dhe do të shpërbleheshim sipas shkallës së besimit dhe bindjes sonë.

Nga shkrimet e shenjta mësojmë se ka tre mbretëri lavdie në qiell. Apostulli Pal tha se ai njihte një njeri që “u rrëmbye gjer në të tretin qiell” (2 Korintasve 12:2). Pali përmendi dy nga mbretëritë e qiellit: çelestialen dhe terrestrialen (shih 1 Korintasve 15:40–42). Çelestialja është më e larta dhe terrestrialja është e dyta. Nëpërmjet zbulesës së ditëve të mëvonshme mësojmë se mbretëria e tretë është mbretëria telestiale (shih DeB 76:81). Gjithashtu mësojmë se ka tre qiej apo shkallë brenda mbretërisë çelestiale (shih DeB 131:1).

Ekzaltimi

  • Çfarë është ekzaltimi?

Ekzaltimi është jeta e përjetshme, lloji i jetës që jeton Perëndia. Ai jeton në lavdi të madhe. Ai është i përkryer. Ai ka të gjithë diturinë dhe urtësinë. Ai është Ati i fëmijëve shpirtërorë. Ai është krijuesi. Ne mund të bëhemi si Ati ynë Qiellor. Ky është ekzaltimi.

Nëse provohemi besnikë ndaj Zotit, do të jetojmë në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale të qiellit. Do të ekzaltohemi, për të jetuar me Atin tonë Qiellor në familje të përjetshme. Ekzaltimi është dhurata më e madhe që Ati Qiellor mund t’u japë fëmijëve të Tij (shih DeB 14:7).

Bekimet e Ekzaltimit

  • Cilat janë disa bekime që do t’u jepen atyre që janë të ekzaltuar?

Ati ynë Qiellor është i përsosur dhe krenohet me faktin se është e mundur që fëmijët e Tij të bëhen si Ai. Vepra dhe lavdia e Tij është: “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Ata që marrin ekzaltimin në mbretërinë çelestiale nëpërmjet besimit tek Jezu Krishti do të marrin bekime të veçanta. Zoti ka premtuar: “Të gjitha gjërat janë të tyret” (DeB 76:59). Këto janë disa nga bekimet që do t’u jepen njerëzve të ekzaltuar:

  1. Ata do të jetojnë përjetësisht në prani të Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit (shih DeB 76:62).

  2. Ata do të bëhen perëndi (shih DeB 132:20–23).

  3. Ata do të bashkohen përjetësisht me anëtarët e drejtë të familjes së tyre dhe do të jenë në gjendje të kenë edhe pasardhës të përjetshëm.

  4. Ata do të marrin një plotësi gëzimi.

  5. Ata do të kenë çdo gjë që kanë Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti – gjithë fuqinë, lavdinë, sundimin dhe diturinë (shih DeB 132:19–20). Presidenti Jozef Filding Smith shkroi: “Ati ka premtuar nëpërmjet Birit se të gjitha gjërat që ka ai do t’u jepen atyre që janë të bindur ndaj urdhërimeve të Tij. Ata do të rriten në dituri, urtësi dhe fuqi duke shkuar nga lavdia në lavdi, deri sa plotësia e ditës së përkryer do të shpërthejë mbi ta” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:36; germat e pjerrta në origjinal).

Kërkesat për Ekzaltim

Tani është koha për të përmbushur kërkesat për ekzaltim (shih Alma 34:32–34). Presidenti Jozef Filding Smith tha: “Me qëllim që të marrim ekzaltimin ne duhet të pranojmë ungjillin dhe të gjithë besëlidhjet e tij; të marrim mbi vete detyrimet që Zoti na ofron; të ecim në dritën dhe të kuptuarin e së vërtetës; dhe të jetojmë ‘me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë’” (Doctrines of Salvation, 2:43).

Që të ekzaltohemi, së pari duhet ta vendosim besimin tonë tek Jezu Krishti dhe më pas të durojmë deri në fund të jetës me atë besim. Besimi ynë në Të duhet të jetë i tillë që të na bëjë të pendohemi për mëkatet tona dhe t’u bindemi urdhërimeve të Tij.

Ai na urdhëron të gjithëve të marrim disa ordinanca:

  1. Ne duhet të pagëzohemi.

  2. Ne duhet të marrim vendosjen e duarve që të konfirmohemi anëtar i Kishës së Jezu Krishtit dhe të marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë.

  3. Vëllezërit duhet të marrin Priftërinë Melkizedeke dhe të lartësojnë thirrjet e tyre në priftëri.

  4. Ne duhet të marrim indaumentin e tempullit.

  5. Ne duhet të martohemi për përjetësinë, ose në këtë jetë, ose në tjetrën.

Përveç marrjes së ordinancave të kërkuara, Zoti na urdhëron të gjithëve që:

  1. Të duam Perëndinë dhe të afërmit tanë.

  2. Të mbajmë urdhërimet.

  3. Të pendohemi për gabimet tona.

  4. Të kërkojmë njerëzit e farefisit tonë që kanë vdekur dhe të marrim ordinancat shpëtuese të ungjillit për ta.

  5. Të ndjekim mbledhjet e Kishës sa më rregullisht të mundemi në mënyrë që të ripërtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit duke marrë sakramentin.

  6. T’i duam pjesëtarët e familjes sonë dhe t’i forcojmë ata në udhën e Zotit.

  7. Të kemi lutje familjare dhe vetjake çdo ditë.

  8. T’u mësojmë ungjillin të tjerëve me fjalë e me shembull.

  9. Të studiojmë shkrimet e shenjta.

  10. Të dëgjojmë dhe t’u bindemi fjalëve të frymëzuara të profetëve të Zotit.

Së fundi, secili nga ne duhet të marrë Frymën e Shenjtë dhe të mësojë të ndjekë drejtimin e Tij në jetën e vet.

  • Si na përgatisin për ekzaltim ordinancat dhe besëlidhjet?

  • Si na ndihmon besimi tek Jezu Krishti që t’u bindemi urdhërimeve?

  • Pse duhet të mësojmë të ndjekim drejtimin e Frymës së Shenjtë që të ekzaltohemi?

Pasi të Kemi Qenë Besnikë dhe të Kemi Duruar Deri në Fund

  • Çfarë ndodh kur kemi duruar deri në fund me besnikëri në ndjekjen e Krishtit?

Zoti ka thënë: “Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (DeB 14:7). Presidenti Jozef Filding Smith tha: “Nëse vazhdojmë në Perëndi; që do të thotë të mbajmë urdhërimet e tij, ta adhurojmë atë dhe të jetojmë të vërtetën e tij; atëherë do të vijë koha kur do të mbulohemi me plotësinë e së vërtetës, që do të bëhet gjithnjë e më e ndriçuar deri në ditën e përsosur” (Doctrines of Salvation, 2:36).

Profeti Jozef Smith dha mësim: “Kur ngjitni një shkallë, duhet të filloni nga fundi dhe të ngjiteni hap pas hapi deri sa të arrini në majë; kështu është edhe me parimet e Ungjillit – ju duhet të filloni me të parin dhe të vazhdoni deri sa t’i mësoni të gjitha parimet e ekzaltimit. Por do të kalojë shumë kohë pasi të keni kaluar përtej velit [të keni vdekur] para se t’i keni mësuar ato. Jo çdo gjë duhet të kuptohet në këtë botë; do të duhet një punë e madhe për të mësuar rreth shpëtimit dhe ekzaltimit tonë madje edhe përtej varrit” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 268).

Jozef Smithi dha mësim: “Është parimi i parë i Ungjillit të njohim me siguri Karakterin e Perëndisë. … Dikur Ai ishte një njeri si ne; … Vetë Perëndia, Ati i të gjithëve ne, banonte në një tokë, po ashtu si edhe vetë Jezu Krishti” (Teachings of the Prophet Joseph Smith, përzgj. Joseph Fielding Smith [1976], f. 345–346).

Ati Qiellor i njeh sprovat, dobësitë dhe mëkatet tona. Ai ka dhembshuri dhe mëshirë për ne. Ai do që ne të kemi sukses ashtu si edhe Ai.

Përfytyroni çfarë gëzimi do të ketë secili prej nesh kur të kthehemi tek Ati ynë Qiellor në se mund të themi: “Atë, unë jetova sipas vullnetit Tënd. Unë kam qenë besnik dhe kam mbajtur urdhërimet e Tua. Jam i lumtur të kthehem në shtëpi.” Atëherë do ta dëgjojmë Atë të thotë: “Të lumtë, … ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mateu 25:23).

  • Rishihni Mateu 25:23. Mendoni se si do të ndiheshit po ta dëgjonit Zotin t’ua thoshte juve këto fjalë.

Shkrime të Shenjta të Tjera