Libra dhe Mësime
Hyrje


Hyrje

Udhëzues Studimi dhe Manual për Mësuesit

Parimet e Ungjillit u shkrua edhe si udhëzues vetjak studimor edhe si manual mësuesi. Kur ta studioni atë, duke kërkuar Shpirtin e Zotit, ju mund të rriteni në kuptimin dhe dëshminë tuaj për Perëndinë, Atin, Jezu Krishtin e Shlyerjen e Tij dhe Rivendosjen e ungjillit. Ju mund të gjeni përgjigje për pyetje të jetës, të fitoni një siguri për qëllimin tuaj e vlerën vetjake dhe të përballni me besim sfida vetjake e familjare.

Udhëzime për Mësimdhënien në Kishë dhe në Shtëpi

Të jesh mësues është një përgjegjësi e madhe që përfshin shumë mundësi për të forcuar të tjerët dhe për t’u kujdesur që ata të “ushqehe[n] nga fjala e mirë e Perëndisë” (Moroni 6:4). Ju do të jepni mësim me efektshmëri nëse ndiqni këto parime:

  • Duajini ata që u jepni mësim.

  • Jepni mësim me anë të Shpirtit.

  • Jepni mësim doktrinën.

  • Ftoni mësimin me zell.

Duajini Ata që u Jepni Mësim

Kur shfaqni dashuri për ata të cilëve u jepni mësim, ata bëhen më të ndjeshëm ndaj Shpirtit të Zotit. Ata bëhen më entuziastë për mësimin dhe më të hapur me ju e të tjerët. Përpiquni shumë të njiheni me ata që u jepni mësim dhe bëjuani të ditur se shqetësoheni sinqerisht për ta. Jini të ndjeshëm ndaj sfidave të atyre me nevoja të veçanta. Krijoni një mjedis të rehatshëm në klasën tuaj që pjesëmarrësit të ndihen të lirshëm t’ju kërkojnë ndihmë për çfarëdo pyetje që të kenë mbi parimet e ungjillit dhe se si t’i zbatojnë ato.

Shpirti i Zotit do të jetë i pranishëm aty ku ekziston dashuria dhe uniteti. Zoti tha: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34).

Për më shumë mbi këtë temë, shihni Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe], faqet 31–39.

Jepni Mësim me Anë të Shpirtit

Gjërat absolutisht më të rëndësishme që do të jepni mësim janë doktrinat e Krishtit ashtu siç janë zbuluar nëpërmjet shkrimeve të shenjta e profetëve modernë dhe siç janë konfirmuar nga Fryma e Shenjtë. Për ta bërë këtë në mënyrë efektive, ju duhet të pajiseni me Shpirtin e Zotit. “Dhe Shpirti do t’ju jepet me anë të lutjes së besimit;” tha Zoti, “dhe nëse nuk e merrni Shpirtin, ju s’duhet të jepni mësim” (DeB 42:14; shih gjithashtu DeB 50:13–22). Fryma e Shenjtë është mësuesi i vërtetë, prandaj është e rëndësishme të krijoni një mjedis ku Shpirti i Zotit të mund të jetë i pranishëm.

Për më shumë mbi këtë temë, shihni Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe], faqet 41–48.

Jepni Mësim Doktrinën

Përpara se të jepni mësim nga një kapitull, studiojeni atë plotësisht që të jeni i sigurt se e keni kuptuar doktrinën. Gjithashtu studioni shkrimet e shenjta shtesë të renditura në fund të kapitullit. Do të jepni mësim me sinqeritet dhe fuqi më të madhe kur mësimet në kapitull t’ju kenë ndikuar personalisht. Mos spekuloni kurrë rreth doktrinës së Kishës. Jepni mësim vetëm atë çfarë mbështetet nga shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve e të apostujve të ditëve të mëvonshme dhe Fryma e Shenjtë (shih DeB 42:12–14; 52:9).

Nëse jeni thirrur t’i jepni mësim një kuorumi apo klase duke përdorur këtë libër, mos bëni zëvendësime me materiale të tjera, sado interesante të jenë ato. Përqendrohuni tek shkrimet e shenjta dhe fjalët në libër. Si të jetë e përshtatshme, përdorni përvoja vetjake dhe artikuj nga revistat e Kishës për të plotësuar mësimet.

Për më shumë mbi këtë temë, shihni Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe], faqet 50–59.

Ftoni Mësimin me Zell

Ndërsa mësoni të tjerët, ndihmojini ata të shohin se si parimet e ungjillit zbatohen në jetën e përditshme. Nxitni diskutime në lidhje me atë se si këto parime mund të ndikojnë ndjenjat tona rreth Perëndisë, vetes, familjeve dhe fqinjëve tanë. Nxitini pjesëmarrësit të jetojnë sipas këtyre parimeve.

Përpiquni të përfshini sa më shumë njerëz të jetë e mundur gjatë mësimit. Këtë mund ta bëni duke i ftuar të lexojnë me zë të lartë, t’u përgjigjen pyetjeve, ose të tregojnë përvoja, por veproni kështu vetëm kur të jeni i sigurt se nuk do t’i vini ata në pozitë të vështirë. Kur përgatitni mësimet, mund të dëshironi t’u ngarkoni detyra të veçanta pjesëmarrësve. Tregohuni të ndjeshëm ndaj nevojave dhe ndjenjave të të tjerëve. Mund t’ju nevojitet të flisni privatisht me disa individë përpara mësimit dhe t’i pyesni se si ndihen për pjesëmarrjen.

Për më shumë mbi këtë temë, shihni Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, s’Ka Thirrje më të Madhe], faqet 61–74.

Ndihmë Shtesë për Mësuesit

Çdo kapitull në këtë libër përmban një ose dy shënime për mësuesit. Këto shënime përfshijnë idera që mund t’ju ndihmojnë në përpjekjet tuaja për t’i dashur ata të cilëve u jepni mësim, për të dhënë mësim me anë të Shpirtit, për të dhënë mësim doktrinën e për të ftuar mësimin me zell mes atyre që u jepni mësim.