Kapitulli 32
Të Dhjetat dhe Ofertat
Pagesa e Të Dhjetave dhe Ofertave
Në çfarë mënyre gatishmëria jonë për të paguar të dhjetat dhe ofertat tregon mirënjohjen ndaj Atit tonë Qiellor për të gjitha bekimet e Tij për ne?
Ne na janë dhënë urdhërime për të na ndihmuar të përgatitemi në të gjitha drejtimet për të jetuar në prani të Atit tonë Qiellor. Ai na ka dhënë një mënyrë për ta falënderuar Atë për bekimet tona. Pagimi me dëshirë i të dhjetave dhe ofertave është një mënyrë si e falënderojmë Atë. Kur i paguajmë këto oferta, i tregojmë se e duam dhe se do t’i bindemi këshillës së Tij.
Në çfarë mënyre pagimi i të dhjetave dhe ofertave na ndihmon ta falënderojmë Atin tonë Qiellor?
Bindja ndaj Ligjit të së Dhjetës
Çfarë është një e dhjetë e ndershme?
Në kohët e lashta Abrahami dhe Jakobi iu bindën urdhërimit për të paguar një të dhjetën e të ardhurave të tyre (shih Hebrenjve 7:1–10; Zanafilla 14:19–20; 28:20–22).
Në kohët moderne Profeti Jozef Smith u lut: “O Zot! Tregoju shërbëtorëve të tu se sa shumë kërkon nga pronat e njerëzve të tu për të dhjetë” (DeB 119, parathënia e seksionit). Zoti iu përgjigj: “Dhe ky do të jetë fillimi i së dhjetës së popullit tim. Dhe pas asaj, ata që e kanë paguar të dhjetën kështu, do të paguajnë një të dhjetën e gjithë interesit të tyre çdo vit; dhe ky duhet të jetë një ligj i qëndrueshëm për ta përgjithmonë” (DeB 119:3–4). Presidencia e Parë ka shpjeguar se “një të dhjetën e gjithë interesit të tyre çdo vit” i referohet të ardhurës sonë (shih First Presidency letter, 19 mars 1970).
Kur paguajmë të dhjetën tregojmë besnikërinë tonë ndaj Zotit. Gjithashtu u mësojmë fëmijëve tanë vlerën e këtij ligji. Ata do të duan të ndjekin shembullin tonë dhe të paguajnë të dhjetën e çfarëdo shume që fitojnë.
Në çfarë mënyrash e dhjeta është një parim besimi më tepër se një parim financash?
Çfarë mund të bëjnë prindërit që t’u mësojnë fëmijëve të tyre ta paguajnë të dhjetën dhe ta kuptojnë rëndësinë e saj?
Ne Duhet të Japim me Dëshirë
Përse qëndrimi ynë është i rëndësishëm kur paguajmë të dhjetën?
Është e rëndësishme të japim me dëshirë. “Kur dikush e paguan të dhjetën pa gëzim, ai humbet një pjesë të bekimit. Ai duhet të mësojë të japë me kënaqësi, me dëshirë dhe me gëzim, atëherë dhurata e tij do të bekohet” (Stephen L. Richards, The Law of Tithing [broshurë, 1983], f. 8).
Apostulli Pal dha mësim se mënyra se si japim është po aq e rëndësishme sa ajo që japim. Ai tha: “Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar” (2 Korintasve 9:7).
Çfarë do të thotë për ju të jeni një “dhurues [i] gëzuar”?
E Dhjeta dhe Ofertat e Tjera
Në çfarë mënyrash i përdor Kisha fondet e së dhjetës dhe ofertat e tjera?
Si anëtarë të Kishës, ne i japim një të dhjetën dhe oferta të tjera Zotit.
E dhjeta
E dhjeta përdoret nga Kisha për qëllime të shumta. Disa prej tyre janë:
Të ndërtojë, mirëmbajë dhe mbajë në funksionim tempujt, ndërtesat e mbledhjeve dhe ndërtesa të tjera.
Të sigurojë fonde të vazhdueshme për kunjet, lagjet dhe njësi të tjera të Kishës. (Këto njësi i përdorin fondet për të përmbushur programet fetare të Kishës, që përfshijnë mësimdhënien e ungjillit dhe zhvillimin e veprimtarive shoqërore.)
Të ndihmojë programin misionar.
Të shkollojë të rinjtë në shkollat, seminaret dhe institutet e Kishës.
Të shtypë dhe shpërndajë materiale mësimore.
Të ndihmojë në historinë familjare dhe punën në tempull.
Oferta të Tjera
Ofertat e agjërimit. Anëtarët e Kishës agjërojnë çdo muaj pa ngrënë dhe pa pirë për dy vakte të njëpasnjëshme. Ata dhurojnë të paktën sasinë e parave që do të kishin shpenzuar për këto vakte. Ata mund të japin sa më bujarisht të munden. Kjo ofertë quhet oferta e agjërimit. Peshkopët i përdorin ofertat e agjërimit për të siguruar ushqim, strehim, veshmbathje dhe kujdes mjekësor për nevojtarët. (Shih kapitullin 25 në këtë libër.)
Si pjesë të ditës së agjërimit, anëtarët marrin pjesë në një mbledhje të quajtur mbledhja e agjërimit dhe e dëshmive, ku ata ndajnë me njëri-tjetrin dëshmitë e tyre për Krishtin dhe ungjillin e Tij.
Dhurime të Tjera. Anëtarët e Kishës mund të dhurojnë për përpjekje të tjera të Kishës, të tilla si puna misionare, Fondi i Qarkullueshëm i Arsimimit, ndërtime tempulli dhe ndihmë humanitare.
Shërbimi. Anëtarët ofrojnë gjithashtu nga koha, aftësitë dhe të mirat e tyre materiale për të ndihmuar të tjerët. Ky shërbim e lejon Kishën të ndihmojë anëtarë dhe joanëtarë në nevojë në mbarë botën në nivele komuniteti, kombëtar e ndërkombëtar, veçanërisht në rastet e fatkeqësive.
Ne Bekohemi Kur Japim të Dhjetat dhe Ofertat
Zoti premton të na bekojë ndërsa paguajmë me besnikëri të dhjetat dhe ofertat. Ai tha: “Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë … në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini” (Malakia 3:10).
Zbulesa e ditëve të mëvonshme na tregon për një tjetër bekim që u vjen atyre që paguajnë të dhjetën: “Në të vërtetë është një ditë sakrifice dhe një ditë për të dhjetën e popullit tim; sepse ai që do të paguajë të dhjetën, nuk do të digjet në ardhjen e tij” (DeB 64:23).
Bekimet që na janë premtuar janë si fizike ashtu edhe shpirtërore. Nëse japim me dëshirë, Ati Qiellor do të na ndihmojë të sigurojmë për nevojat tona të përditshme për ushqim, veshje e strehim. Duke u folur shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Filipine, Presidenti Gordon B. Hinkli tha që, nëse njerëzit “do ta pranojnë ungjillin dhe do ta jetojnë atë, do të paguajnë të dhjetat e ofertat, edhe pse këto mund të jenë të pakta, Zoti do ta mbajë premtimin e Tij të lashtë në lidhje me ta dhe ata do të kenë oriz në tasat e tyre, dhe veshje mbi shpinën e tyre, dhe strehë mbi kokën e tyre. Unë nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër. Ata kanë nevojë për një fuqi më të madhe se cilado fuqi tokësore që t’i ngrejë e t’i ndihmojë ata” (“Inspirational Thoughts,” Ensign, gusht 1997, f. 7). Zoti gjithashtu do të na ndihmojë të rritemi “në njohurinë e Perëndisë, në dëshmi, në fuqi për të jetuar ungjillin dhe për të frymëzuar familjet tona të bëjnë të njëjtën gjë” (Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 124).
Ata që paguajnë të dhjetat dhe ofertat bekohen së tepërmi. Ata ndihen mirë se po ndihmojnë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë.
Cilat janë disa bekime që ju, pjesëtarët e familjes suaj, apo miqtë tuaj keni marrë me anë të pagimit të së dhjetës dhe ofertave të tjera?
Shkrime të Shenjta të Tjera
DeB 119:1–4 (ligji i së dhjetës)
Zanafilla 14:18–20; Alma 13:13–16 (Abrahami pagoi të dhjeta)