Kapitulli 46
Gjykimi i Fundit
Gjykimet e Perëndisë
Cilat janë disa gjykime të ndryshme që vijnë përpara Gjykimit të Fundit? Si lidhen me njëri-tjetrin të gjitha këto gjykime?
Në shkrimet e shenjta na thuhet shpesh se do të vijë koha kur do të qëndrojmë para Perëndisë dhe do të gjykohemi. Ne duhet të kuptojmë si do të ndodhë gjykimi që të mund të përgatitemi më mirë për këtë ngjarje të rëndësishme.
Shkrimet e shenjta na mësojnë se të gjithë ne duhet të gjykohemi sipas veprave tona: “Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre” (Zbulesa 20:12; shih gjithashtu DeB 76:111; 1 Nefi 15:32; Abrahami 3:25–28). Ne do të gjykohemi gjithashtu “sipas dëshirës së zemrave [tona]” (DeB 137:9; shih gjithashtu Alma 41:3).
Këtu në tokë ne shpesh gjykohemi mbi denjësinë tonë për marrjen e mundësive brenda mbretërisë së Perëndisë. Kur pagëzohemi gjykohemi të denjë për ta marrë këtë ordinancë. Kur thirremi për të shërbyer në Kishë ose intervistohemi për të përparuar në priftëri apo për një rekomandim tempulli, edhe atëherë gjykohemi.
Alma na mësoi se kur vdesim shpirtërat tanë caktohen në një gjendje lumturie ose mjerimi (shih Alma 40:11–15). Ky është një gjykim.
Fjalët, Veprat dhe Mendimet Tona Përdoren për të na Gjykuar
Përfytyroni të gjykoheni për gjithë mendimet, fjalët dhe veprimet tuaja.
Profeti Alma dëshmoi: “Fjalët tona do të na dënojnë, po, të gjitha veprat tona do të na dënojnë; … dhe mendimet tona do të na dënojnë gjithashtu” (Alma 12:14).
Zoti tha: “Ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë. Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh” (Mateu 12:36–37).
Besimi tek Jezu Krishti na ndihmon të përgatitemi për Gjykimin e Fundit. Nëpërmjet ndjekjes me besnikëri të Tij dhe pendimit për të gjitha mëkatet tona, mund të falemi për mëkatet dhe të bëhemi të pastër e të shenjtë që të mund të banojmë në prani të Perëndisë. Kur pendohemi për mëkatet tona, duke hequr dorë nga çdo mendim dhe veprim i papastër, Fryma e Shenjtë do të ndryshojë zemrat tona dhe ne nuk do të kemi më madje as dëshirë për të mëkatuar (shih Mosia 5:2). Pastaj kur të gjykohemi, do të jemi gati për të hyrë në praninë e Perëndisë.
Mendoni se çfarë mund të bëni për të përmirësuar mendimet, fjalët dhe veprimet tuaja.
Ne do të Gjykohemi në Bazë të Analeve të Shkruara
Nga cilat anale do të gjykohemi? Cili do të na gjykojë?
Profeti Jozef Smith tha se të vdekurit do të gjykohen në bazë të analeve të mbajtura në tokë. Ne do të gjykohemi gjithashtu nga “libri i jetës”, që është mbajtur në qiell (shih DeB 128:6–8).
“Secili prej jush … duhet të qëndrojë para ‘fronit të gjykimit të të Shenjtit të Izraelit; … dhe atëherë … duhet të gjykohe[t] sipas gjykimit të shenjtë të Perëndisë’. (2 Nefi 9:15.) Dhe sipas vegimit të Gjonit, ‘librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre’. (Zbulesa 20:12.) ‘Librat’ që përmenden iu referohen ‘analeve [të veprave tuaja] që u mbajtën në tokë. … Libri i jetës, është anali që mbahet në qiell.’ (Doktrina e Besëlidhje 128:7.)” (Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee [2000], f. 226–227).
Është edhe një anal tjetër që do të përdoret për të na gjykuar. Apostulli Pal na mësoi se vetë ne jemi anali i jetës sonë (shih Romakëve 2:15). Në trupin e mendjen tonë gjendet e depozituar një histori e plotë e çdo gjëje që kemi bërë. Presidenti Xhon Tejlor dha mësim këtë të vërtetë: “[Individi] vetë tregon historinë dhe jep dëshmi kundër vetes. … Ai anal që është shkruar nga vetë njeriu në faqet e mendjes së tij, ai anal që nuk mund të gënjejë, atë ditë do të shpaloset para Perëndisë e engjëjve dhe atyre që qëndrojnë si gjykatës” (Deseret News, 8 mars 1865, f. 179).
Apostulli Gjon na mësoi se “Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit” (Gjoni 5:22). Ndërsa Biri, nga ana e Tij, do të thërrasë të tjerë për ta ndihmuar në Gjykim. Të Dymbëdhjetët që ishin me Të gjatë shërbesës së Tij do të gjykojnë dymbëdhjetë fiset e Izraelit (shih Mateu 19:28; Lluka 22:30). Dymbëdhjetë dishepujt nefitë do të gjykojnë popullin nefit dhe lamanit (shih 1 Nefi 12:9–10; Mormoni 3:18–19).
Trashëgimi i një Vendi në një Mbretëri Lavdie
Në ç’mënyrë besnikëria jonë gjatë jetës sonë në tokë do të ndikojë jetën tonë nëpër përjetësi?
Në Gjykimin e Fundit do të trashëgojmë një vend në atë mbretëri për të cilën jemi përgatitur. Shkrimet e shenjta japin mësim për tre mbretëri lavdie – mbretëria çelestiale, mbretëria terrestriale dhe mbretëria telestiale (shih DeB 88:20–32).
Në Doktrina e Besëlidhje 76, Zoti përshkroi mënyrat se si mund të zgjedhim ta jetojmë jetën tonë në vdekshmëri. Ai shpjegoi se zgjedhjet tona do të përcaktojnë se për cilën mbretëri jemi përgatitur. Nga kjo zbulesë mësojmë se edhe anëtarët e Kishës do të trashëgojnë mbretëri të ndryshme, sepse ata nuk janë të gjithë po aq besnikë e trima në bindjen e tyre ndaj Krishtit.
Më poshtë janë llojet e jetës që mund të zgjedhim të jetojmë dhe mbretëritë që do të na sigurojnë zgjedhjet tona.
Çelestiale
“Janë ata që morën dëshminë e Jezusit dhe besuan në emër të tij e u pagëzuan. … Se me anë të zbatimit të urdhërimeve ata mund të lahen e pastrohen nga gjithë mëkatet e tyre dhe mund të marrin Shpirtin e Shenjtë.” Këta janë ata që e kanë mposhtur botën nëpërmjet besimit të tyre. Ata janë të drejtë e të vërtetë kështu Fryma e Shenjtë mund të vulosë bekimet e tyre mbi ta. (Shih DeB 76:51–53.) Ata që trashëgojnë shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, që bëhen perëndi, duhet gjithashtu të jenë martuar për përjetësinë në tempull (shih DeB 131:1–4). Të gjithë ata që trashëgojnë mbretërinë çelestiale do të jetojnë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin përgjithmonë (shih DeB 76:62).
Me anë të punës që bëjmë në tempuj, të gjithë njerëzit që kanë jetuar në tokë mund të kenë mundësi të barabartë për të marrë plotësinë e ungjillit dhe ordinancat e shpëtimit kështu që ata të mund të trashëgojnë një vend në shkallën më të lartë të lavdisë çelestiale.
Terrestriale
Këta janë ata që nuk e kanë pranuar ungjillin në tokë, por më vonë e kanë pranuar atë në botën e shpirtrave. Këta janë njerëzit e ndershëm të tokës që ishin të verbuar ndaj ungjillit të Jezu Krishtit nga dredhitë e njerëzve. Këta janë gjithashtu ata që e pranuan ungjillin dhe një dëshmi të Jezusit, por pastaj nuk qenë trima. Ata do t’i vizitojë Jezu Krishti, por jo Ati ynë Qiellor. (Shih DeB 76:73–79.)
Telestiale
Këta njerëz nuk e morën ungjillin ose dëshminë e Jezusit as në tokë dhe as në botën e shpirtrave. Ata do të vuajnë për mëkatet e tyre në ferr deri pas Mijëvjeçarit, kur do të ringjallen. “Këta janë ata që janë gënjeshtarë dhe magjistarë, dhe kurorëshkelës, dhe kurvërues, dhe kushdo që do e bën një gënjeshtër.” Këta njerëz janë aq të shumtë sa edhe yjet në qiell dhe rëra në bregun e detit. Ata do t’i vizitojë Fryma e Shenjtë, por jo Ati ose Biri. (Shih DeB 76:81–88, 103–106, 109.)
Errësira e Jashtme
Këta janë ata që kanë pasur dëshminë e Jezusit nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe e njohën fuqinë e Zotit, por e lejuan Satanin që t’i mposhtte. Ata e mohuan të vërtetën dhe kundërshtuan fuqinë e Zotit. Për ta nuk ka falje, sepse ata e mohuan Frymën e Shenjtë pasi e kishin marrë atë. Ata nuk do të kenë një mbretëri lavdie. Ata do të jetojnë në errësirë, mundim e mjerim të përjetshëm, me Satanin dhe engjëjt e tij përgjithmonë. (Shih DeB 76:28–35, 44–48.)
Sipas Doktrina e Besëlidhje 76:50–53, 62–70, cilat janë karakteristikat e një personi që e mposht botën me anë të besimit dhe është trim në dëshminë për Jezusin?
Ne Duhet të Përgatitemi Tani për Gjykimin
Çfarë duhet të bëjmë që të jemi gati për Gjykimin e Fundit?
Në të vërtetë, çdo ditë është një ditë gjykimi. Ne flasim, mendojmë dhe veprojmë sipas ligjit çelestial, terrestrial ose telestial. Besimi ynë tek Jezu Krishti, siç tregohet nëpërmjet veprimeve tona të përditshme, përcakton se cilën mbretëri do të trashëgojmë.
Ne kemi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit në plotësinë e tij. Ungjilli është ligji i mbretërisë çelestiale. Të gjithë ordinancat e priftërisë të domosdoshme për përparimin tonë tashmë janë zbuluar. Ne kemi hyrë në ujërat e pagëzimit dhe kemi bërë një besëlidhje për të jetuar një jetë si të Krishtit. Nëse jemi besnikë dhe mbajmë besëlidhjet që kemi bërë, Zoti na ka thënë se cili do të jetë gjykimi ynë. Ai do të na thotë: “Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës” (Mateu 25:34).
Shkrime të Shenjta të Tjera
Romakëve 2:6–9; Zbulesa 20:12–13 (Gjykimi)
Alma 11:41, 45; Mormoni 7:6; 9:13–14 (ne gjykohemi në një gjendje të ringjallur)
2 Nefi 29:11; 3 Nefi 27:23–26 (librat që do të përdoren në Gjykim)
Alma 41:2–7 (gjykimi ynë përcaktohet nga veprat tona, dëshirat e zemrave tona, pendimi dhe durimi deri në fund)
Mormoni 3:22 (pendohuni dhe përgatituni të qëndroni para fronit të gjykimit)
Lluka 12:47–48; DeB 82:3 (atij që shumë i është dhënë, shumë i kërkohet)
DeB 88:16–33 (secili prej nesh do të marrë lavdinë për të cilën jemi të denjë)