Kapitulli 33
Puna Misionare
Kisha e Zotit Është një Kishë Misionare
Në çfarë mënyrash puna misionare është pjesë e planit të Perëndisë për fëmijët e Tij?
Zoti i zbuloi Adamit planin e ungjillit: “Dhe kështu Ungjilli filloi të predikohej, që nga fillimi” (Moisiu 5:58). Më vonë, pasardhësit e drejtë të Adamit u dërguan të predikonin ungjillin: “Ata … u bënë thirrje të gjithë njerëzve, kudo, të pendoheshin; dhe besimi iu mësua fëmijëve të njerëzve” (Moisiu 6:23).
Të gjithë profetët kanë qenë misionarë. Secili prej tyre u urdhërua në kohën e tij të predikonte mesazhin e ungjillit. Sa herë që priftëria ka qenë në tokë, Zoti ka pasur nevojë për misionarë që t’u predikojnë parimet e përjetshme të ungjillit fëmijëve të Tij.
Kisha e Zotit ka qenë gjithmonë një kishë misionare. Kur Shpëtimtari jetoi në tokë, Ai shuguroi Apostuj dhe Të Shtatëdhjetë dhe u dha atyre autoritetin dhe përgjegjësinë për të predikuar ungjillin. Pjesa më e madhe e predikimit të tyre iu drejtua popullit të tyre, hebrenjve (shih Mateu 10:5–6). Pasi Jezusi u ringjall, Ai dërgoi Apostujt për t’u predikuar ungjillin johebrenjve. Ai i urdhëroi Apostujt: “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese” (Marku 16:15).
Apostulli Pal ishte një misionar i madh që u dërgua midis johebrenjve. Pasi u kthye në besim në Kishë, ai e kaloi gjithë jetën duke u predikuar atyre ungjillin. Shpesh gjatë misionit të tij e rrahën, e goditën me gurë dhe e burgosën. Megjithatë, ai vazhdoi të predikojë ungjillin (shih Veprat e Apostujve 23:10–12; 26).
Puna misionare filloi përsëri kur Kisha e Zotit u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Sot Apostujve dhe të Shtatëdhjetëve u është dhënë përgjegjësia kryesore për të predikuar ungjillin dhe për t’u kujdesur që ai të predikohet në mbarë botën. Zoti i tha Jozef Smithit: “[Shpalle] ungjillin tim nga një tokë në tjetrën dhe nga një qytet në tjetrin. … Jep dëshmi në çdo vend, çdo populli” (DeB 66:5, 7). Në qershor 1830, Samuel Herison Smithi, vëllai i Profetit, filloi udhëtimin e parë misionar për Kishën.
Që nga ajo kohë, më tepër se një milion misionarë janë thirrur dhe dërguar për të predikuar ungjillin. Mesazhi që ata i sjellin botës është se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari ynë. Ata dëshmojnë se ungjilli është rivendosur në tokë nëpërmjet një profeti të Perëndisë. Misionarëve u jepet përgjegjësia për t’u predikuar ungjillin të gjithë njerëzve, për t’i pagëzuar ata dhe për t’u mësuar të bëjnë gjithçka që Zoti ka urdhëruar (shih Mateu 28:19–20). Misionarët shenjtorë të ditëve të mëvonshme shkojnë me shpenzimet e tyre në të gjitha skajet e botës për të predikuar mesazhin e ungjillit.
Ungjilli do t’i Predikohet Gjithë Botës
Cilat janë disa mënyra të ndryshme që ka përgatitur Zoti që ne të ndajmë ungjillin?
Në zbulesat e ditëve të mëvonshme na është thënë se duhet t’ia çojmë ungjillin e rivendosur çdo kombi dhe populli (shih DeB 133:37). Zoti nuk na jep kurrë një urdhërim pa përgatitur një udhë që të mund ta plotësojmë atë (shih 1 Nefi 3:7). Zoti ka përgatitur udhën që ne t’ua predikojmë ungjillin atyre kombeve që më parë ishin të mbyllura për ne. Ndërsa vazhdojmë të lutemi dhe të ushtrojmë besim, Zoti do të hapë kombe të tjera për punën misionare.
Zoti gjithashtu “po frymëzon mendjet e njerëzve të mëdhenj për të krijuar shpikje që do ta çojnë përpara punën e Zotit në mënyra që bota nuk i ka njohur kurrë më parë” (Russell M. Nelson, “Computerized Scriptures Now Available,” Ensign, prill 1988, f. 73). Gazetat, revistat, televizioni, radioja, satelitët, kompjuterat, interneti dhe teknologjia e lidhur me to ndihmojnë për t’ua përcjellë mesazhin e ungjillit miliona njerëzve. Ne që kemi plotësinë e ungjillit duhet t’i përdorim këto shpikje për të përmbushur urdhërimin e Zotit: “Sepse, në të vërtetë, tingulli duhet të shkojë nga ky vend në të gjithë botën dhe në skajet më të largëta të tokës – ungjilli duhet t’i predikohet çdo [personi]” (DeB 58:64).
Në cilat mënyra e keni parë të përdoret efektivisht teknologjia për të përhapur ungjillin?
Puna Misionare Është e Rëndësishme
Pse është e rëndësishme që çdo njeri ta dëgjojë dhe ta kuptojë ungjillin?
“Ky është interesi ynë numër një si Kishë – të shpëtojmë dhe të ekzaltojmë shpirtrat e fëmijëve të njerëzve” (Ezra Taft Benson, në Conference Report, prill 1974, f. 151; ose Ensign, maj 1974, f. 104). Puna misionare është e domosdoshme që t’u japim njerëzve në mbarë botën një mundësi për të dëgjuar dhe pranuar ungjillin. Ata kanë nevojë të mësojnë të vërtetën, të kthehen tek Perëndia dhe të marrin falje për mëkatet e tyre.
Shumë nga vëllezërit e motrat tona në tokë janë verbuar nga mësimet e rreme dhe “mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë” (DeB 123:12). Nëpërmjet punës misionare ne mund t’u sjellim atyre të vërtetën.
Zoti ka urdhëruar: “Punoni ju në vreshtin tim për herë të fundit – për herë të fundit u bëni thirrje banorëve të tokës” (DeB 43:28). Ndërsa u mësojmë ungjillin vëllezërve e motrave tona, përgatisim udhën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit (shih DeB 34:6).
Ne të Gjithë Duhet të Jemi Misionarë
Në çfarë mënyrash mund të kërkojmë aktivisht mundësi për të ndarë ungjillin me të tjerët? Në çfarë mënyrash mund të përgatitemi për mundësi të tilla?
Çdo anëtar i Kishës është një misionar. Ne duhet të jemi misionarë madje edhe nëse nuk jemi thirrur dhe veçuar zyrtarisht. Ne kemi përgjegjësi t’ua mësojmë ungjillin të gjithë fëmijëve të Atit tonë Qiellor nëpërmjet fjalëve e veprave. Zoti na ka thënë: “Dhe të bëhet që, kushdo që është paralajmëruar, të paralajmërojë të afërmin e tij” (DeB 88:81). Një nga profetët na ka thënë se duhet t’u tregojmë fqinjëve tanë se i duam para se t’i paralajmërojmë (shih Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 262). Ata duhet të provojnë miqësinë dhe shoqërinë tonë.
Bijtë e Mosias e pranuan me dëshirë përgjegjësinë e tyre për të dhënë mësim ungjillin. Kur u kthyen në besim në Kishë, zemrat e tyre u mbushën me dhembshuri për të tjerët. Ata kishin dëshirë t’ua predikonin ungjillin armiqve të tyre lamanitëve “pasi nuk mund të duronin që ndonjë shpirt njeriu të mbaronte; po, madje vetëm mendimet se ndonjë shpirt do të pësonte vuajtje pa mbarim, i bënin të ngjetheshin dhe të dridheshin” (Mosia 28:3). Ndërsa ungjilli mbush zemrat tona me gëzim, ne do të ndiejmë të njëjtën dashuri e dhembshuri për vëllezërit e motrat tona. Do të kemi dëshirë të ndajmë mesazhin e ungjillit me këdo që dëshiron të dëgjojë.
Ka shumë mënyra për ta përhapur ungjillin. Më poshtë gjenden disa sugjerime:
Ne mund t’u tregojmë miqve dhe të tjerëve gëzimin që provojmë nga të jetuarit sipas të vërtetave të ungjillit. Në këtë mënyrë do të jemi një dritë për botën (shih Mateu 5:16).
Ne mund ta mposhtim ndrojtjen tonë të natyrshme duke u treguar miqësorë me të tjerët dhe duke bërë gjëra të mira për ta. Mund t’i ndihmojmë të kuptojnë se jemi sinqerisht të interesuar për ta dhe nuk po kërkojmë asnjë përfitim personal.
Ne mund t’ua shpjegojmë ungjillin miqve joanëtarë dhe të tjerëve.
Mund të ftojmë në shtëpi miqtë tanë që janë të interesuar të mësojnë rreth ungjillit që misionarët t’u japin mësim. Nëse miqtë tanë joanëtarë jetojnë shumë larg, mund të kërkojmë që misionarë në zonat e tyre t’i vizitojnë ata.
Ne mund t’u mësojmë fëmijëve tanë rëndësinë e ndarjes së ungjillit dhe mund t’i përgatisim ata shpirtërisht dhe financiarisht për të shkuar në misione. Gjithashtu mund të përgatitemi për të shërbyer misione kohë-plota kur të jemi më të shtyrë në moshë.
Mund të paguajmë të dhjetën dhe të kontribuojmë në fondin e misionarëve. Këto dhurime përdoren për ta çuar më tej punën misionare.
Mund të kontribuojmë në fondin misionar të lagjes, degës, apo atë të përgjithshëm, që t’i mbështesim financiarisht misionarët familjet e të cilëve nuk janë në gjendje t’i mbështesin.
Mund të bëjmë kërkime për historinë familjare dhe punën në tempull për të ndihmuar paraardhësit tanë të marrin bekimet e plota të ungjillit.
Mund t’i ftojmë joanëtarët në aktivitete të tilla si mbrëmje familjare në shtëpi dhe në aktivitetet shoqërore të Kishës, në konferenca e mbledhje.
Mund të shpërndajmë kopje të revistave të Kishës. Mund të ndajmë gjithashtu mesazhe të ungjillit duke përdorur artikuj të disponueshëm në faqet zyrtare të Kishës në internet, LDS.org dhe Mormon.org.
Kur kemi dëshirën për të përhapur ungjillin dhe për t’u lutur për udhëheqje, Ati ynë Qiellor do të na ndihmojë të jemi misionarë efektivë. Ai do të na ndihmojë të gjejmë mënyra për ta ndarë ungjillin me njerëzit rreth nesh.
Mendoni për njerëz me të cilët mund të ndani ungjillin. Vendosni se si do ta bëni këtë. Merrni parasysh të vendosni një qëllim për ta ndarë ungjillin me këta njerëz brenda një date të caktuar.
Zoti na Premton Bekime Kur Bëjmë Punë Misionare
Zoti i tha Profetit Jozef Smith se misionarët do të marrin bekime të mëdha. Duke folur për pleqtë që po ktheheshin nga misionet e tyre, Zoti tha: “Ju jeni të bekuar, sepse dëshmia që ju keni dhënë, shënohet në qiell, që engjëjt ta vështrojnë; dhe ata gëzohen për ju” (DeB 62:3). Ai ka thënë gjithashtu se atyre që punojnë për shpëtimin e të tjerëve do t’u falen mëkatet e tyre dhe do të sjellin shpëtim për vetë shpirtrat e tyre (shih DeB 4:4; 31:5; 84:61).
Zoti na ka thënë:
“Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!
Dhe tani, nëse gëzimi juaj do të jetë i madh me një shpirt që keni sjellë tek unë në mbretërinë e Atit tim, sa i madh do të jetë gëzimi juaj nëse do të më sillni shumë shpirtra!” (DeB 18:15–16).
Kur e keni provuar gëzimin e punës misionare?
Shkrime të Shenjta të Tjera
DeB 1:17–23 (Jozef Smithi urdhërohet të predikojë)
DeB 24:12 (Zoti i forcon ata që kërkojnë gjithmonë të deklarojnë ungjillin e Tij)
DeB 38:41 (ndajeni ungjillin me qetësi dhe butësi)
DeB 34:4–6; Veprat e Apostujve 5:42 (ungjilli duhet të predikohet)
DeB 60:1–2 (Zoti i paralajmëron ata që kanë frikë të predikojnë ungjillin)
DeB 75:2–5 (ata që shpallin ungjillin dhe janë besnikë do të bekohen me jetë të përjetshme)
DeB 88:81–82 (të gjithë ata që janë paralajmëruar duhet të paralajmërojnë të afërmit e tyre)
Mateu 24:14 (ungjilli do të predikohet para se të vijë fundi)
Abrahami 2:9–11 (ungjilli dhe priftëria do t’u jepen të gjitha kombeve)