Libra dhe Mësime
Kapitulli 7: Fryma e Shenjtë


Kapitulli 7

Fryma e Shenjtë

Fryma e Shenjtë Shkoi tek Adami dhe Eva

  • Përse Adamit dhe Evës iu nevojitej udhëheqja e Frymës së Shenjtë?

Pasi Adami dhe Eva u larguan nga Kopshti i Edenit, ata filluan të punonin tokën dhe të bënin punë të tjera për të siguruar jetesën. Ata patën shumë fëmijë dhe po kështu bijtë e bijat e tyre u martuan dhe patën fëmijë (shih Moisiu 5:1–3). Kështu, fëmijët shpirtërorë të Atit tonë Qiellor filluan të largohen nga prania e Tij për të ardhur në tokë ashtu siç u ishte premtuar (shih Abrahami 3:24–25). Kur erdhën në tokë, atyre iu hoq kujtesa e shtëpisë së tyre qiellore. Por Ati ynë nuk i largoi nga ndikimi i Tij. Ai dërgoi Frymën e Shenjtë për të ngushëlluar, ndihmuar dhe udhëhequr të gjithë fëmijët e Tij shpirtërorë.

Adami dhe Eva i thirrën Atit Qiellor në lutje. Ai u foli dhe u dha urdhërime të cilave ata iu bindën. Një engjëll i Zotit erdhi dhe u mësoi Adamit dhe Evës planin e shpëtimit. Zoti dërgoi Frymën e Shenjtë për të dëshmuar për Atin e Birin dhe për t’iu mësuar ungjillin Adamit dhe Evës. (Shih Moisiu 5:4–9.)

Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë Adami “filloi të profetizonte lidhur me tërë familjet e tokës, duke thënë: Bekuar qoftë emri i Perëndisë, sepse për shkak të shkeljes sime sytë e mi u hapën dhe në këtë jetë unë do të kem gëzim e përsëri në mish do të shoh Perëndinë” (Moisiu 5:10). Për shkak të dëshmisë së Frymës së Shenjtë tek Eva, ajo tha: “Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne kurrë nuk do të kishim patur farë dhe kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë, dhe jetën e përjetshme që Perëndia ua jep gjithë të bindurve” (Moisiu 5:11).

  • Si ngjason nevoja jonë për udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë me atë të Adamit dhe Evës?

Tipare të Frymës së Shenjtë

  • Si ndryshon Fryma e Shenjtë nga Ati dhe Biri? Përse ky ndryshim është i rëndësishëm për ne?

Fryma e Shenjtë është një pjesëtar i Kreut-Perëndi (shih 1 Gjoni 5:7; DeB 20:28). Ai është një “personazh i Shpirtit” (DeB 130:22). Ai mund të jetë vetëm në një vend në një kohë, por ndikimi i Tij mund të jetë kudo në të njëjtën kohë.

Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë quhen Kreu-Perëndi. Ata janë të bashkuar në qëllim. Secili prej tyre ka një detyrë të rëndësishme në planin e shpëtimit. Ati ynë Qiellor është Ati dhe sunduesi ynë. Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Fryma e Shenjtë është ai që zbulon dhe dëshmon për çdo të vërtetë.

Fryma e Shenjtë është lajmëtari i Atit tonë Qiellor dhe është një dhuratë e veçantë për ne (shih kapitullin 21 në këtë libër).

Misioni i Frymës së Shenjtë

  • Cilat janë disa prej të vërtetave që na zbulon Fryma e Shenjtë?

Misioni i Frymës së Shenjtë është të dëshmojë për Atin e Birin dhe për të vërtetën e të gjitha gjërave.

Fryma e Shenjtë do të na dëshmojë se Jezusi është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë (shih 3 Nefi 28:11; DeB 20:27). Ai do të na zbulojë se Ati ynë Qiellor është Ati i shpirtrave tanë. Ai do të na ndihmojë të kuptojmë se ne mund të bëhemi të ekzaltuar ashtu si është Ati ynë Qiellor. (Shih Romakëve 8:16–17.) Profetët e Zotit na kanë premtuar: “Nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5).

Pa Frymën e Shenjtë, ne nuk mund të dimë se Jezusi është Krishti. Apostulli Pal shkroi: “Asnjë nuk mund të thotë: ‘Jezusi është Zot’, veç se në Frymën e Shenjtë” (1 Korintasve 12:3). Vetë Shpëtimtari tha: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Është nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë që ne udhëhiqemi të kuptojmë dhe të jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit.

Fuqia bindëse e Frymës së Shenjtë është aq e madhe sa nuk mund të ketë asnjë dyshim se ajo që Ai zbulon është e vërtetë. Presidenti Jozef Filding Smith tha:

“Kur një njeri ka një shfaqje nga Fryma e Shenjtë, kjo lë një gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tij, që nuk është e lehtë të fshihet. Është Shpirti që i flet shpirtit dhe kjo gjë vjen me një forcë bindëse. Shfaqja e një engjëlli, ose madje edhe e vetë Birit të Perëndisë, do të habiste syrin e mendjen dhe në fund do të zbehej, por gjurmët e lëna nga Fryma e Shenjtë zhyten më thellë në shpirt dhe janë më të vështira për t’u fshirë” (Answers to Gospel Questions, përmb. Joseph Fielding Smith Jr., 5 vëll. [1957–1966], 2:151).

Presidenti Smith tha gjithashtu: “Nëpërmjet Frymës së Shenjtë e vërteta endet në çdo ind dhe muskul të trupit kështu që nuk mund të harrohet” (Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 1:48).

Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne duhet të jemi të denjë për ta pasur me vete këtë lajmëtar dhe dëshmitar të veçantë të Atit tonë Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  • Mendoni për herët kur Fryma e Shenjtë ju ka ndihmuar të rriteni në dëshminë tuaj. Si të jetë e përshtatshme, ndani disa prej këtyre përvojave me pjesëtarët e klasës apo pjesëtarët e familjes.

Shkrime të Shenjta të Tjera