Kapitulli 21
Dhurata e Frymës së Shenjtë
Fryma e Shenjtë
Në kapitullin 7 mësuam se Fryma e Shenjtë është një nga pjesëtarët e Kreut-Perëndi. Ai është një “personazh i Shpirtit” (DeB 130:22). Ai nuk ka një trup prej mishi dhe kocke. Ndikimi i Tij mund të jetë kudo në të njëjtën kohë. Misioni i Tij është të dëshmojë për Atin e Birin dhe për çdo të vërtetë. Për më tepër, Fryma e Shenjtë pastron, ose shenjtëron, Ai na përgatit të banojmë në praninë e Perëndisë. Fryma e Shenjtë na pastron zemrat në mënyrë që të mos kemi më dëshirë të bëjmë të liga.
Ka ndryshim midis Frymës së Shenjtë dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë. Në këtë kapitull do të mësojmë se çfarë është dhurata e Frymës së Shenjtë dhe si mund ta marrim këtë dhuratë të madhe nga Perëndia.
Dhurata e Frymës së Shenjtë
Cili është ndryshimi midis Frymës së Shenjtë dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë?
Dhurata e Frymës së Shenjtë është privilegji – i dhënë njerëzve që e kanë vënë besimin e tyre te Jezu Krishti, janë pagëzuar dhe janë konfirmuar anëtarë të Kishës – për të marrë udhëzim dhe frymëzim të vazhdueshëm nga Fryma e Shenjtë.
Jozef Smithi tha se ne besojmë se dhurata e Frymës së Shenjtë gëzohet po aq shumë në këtë kohë sa edhe në kohën e Apostujve të parë. Ne besojmë në këtë dhuratë me të gjithë plotësinë, fuqinë, madhështinë dhe lavdinë e saj. (Shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 97–98.)
Një njeri mund të udhëhiqet përkohësisht nga Fryma e Shenjtë pa e marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih DeB 130:23). Megjithatë, kjo udhëheqje nuk do të jetë e vazhdueshme nëse ky njeri nuk pagëzohet dhe nuk merr vendosjen e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë. Në kapitullin e 10-të të Veprave të Apostujve lexojmë se centurioni Kornel mori frymëzim nga Fryma e Shenjtë, kështu mundi të dinte se ungjilli i Jezu Krishtit ishte i vërtetë. Por Korneli nuk e mori dhuratën e Frymës së Shenjtë deri pasi u pagëzua. Profeti Jozef Smith na mësoi se nëse Korneli nuk do të ishte pagëzuar dhe nuk do të kishte marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë, Fryma e Shenjtë do të ishte larguar prej tij (shih Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith, f. 97).
Sot njerëz që nuk janë anëtarë të Kishës mësojnë nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë se Libri i Mormonit është i vërtetë (shih Moroni 10:4–5). Por ajo dëshmi fillestare largohet nëse ata nuk marrin dhuratën e Frymës Shenjtë. Ata nuk marrin sigurinë e vazhdueshme që u vjen atyre që kanë dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Marrja e Dhuratës së Frymës së Shenjtë
Çfarë duhet të bëjmë për të marrë shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë?
Pasi njerëzit pagëzohen, ata konfirmohen anëtarë të Kishës dhe u jepet dhurata e Frymës së Shenjtë nëpërmjet vendosjes së duarve. Zoti tha: “Dhe këdo që ka besim, do ta konfirmoni në kishën time, me anë të vënies së duarve, dhe unë do t’u jap dhuratën e Frymës së Shenjtë atyre” (DeB 33:15).
Çdo plak i denjë i Kishës, kur autorizohet, mund t’ia japë dhuratën e Frymës së Shenjtë një njeriu tjetër. Megjithatë, nuk ka asnjë garanci që ai person do të marrë frymëzim dhe udhëzim nga Fryma e Shenjtë vetëm sepse pleqtë kanë vendosur duart mbi kokën e tij ose të saj. Çdo njeri duhet të “marrë Frymën e Shenjtë”. Kjo do të thotë se Fryma e Shenjtë do të na vijë vetëm kur jemi besnikë dhe dëshirojmë ndihmë nga ky lajmëtar qiellor.
Për të qenë të denjë për të pasur ndihmën e Frymës së Shenjtë, ne duhet të përpiqemi me zell t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. Ne duhet t’i mbajmë mendimet dhe veprimet tona të pastra.
Njohja e Ndikimit të Frymës së Shenjtë
Fryma e Shenjtë zakonisht komunikon qetësisht me ne. Ndikimi i Tij shpesh na referohet si një “zë i vogël i qetë” (shih 1 Mbretërve 19:9–12; Helamani 5:30; DeB 85:6). Presidenti Bojd K. Paker shpjegoi: “Fryma e Shenjtë flet me një zë që më shumë e ndieni sesa e dëgjoni. … Ndërsa flasim për ‘dëgjimin’ e pëshpëritjeve të Shpirtit, më shpesh personi përshkruan një nxitje shpirtërore duke thënë: ‘Unë pata një ndjesi… .’” Ai vazhdoi: “Ky zë i Shpirtit flet butësisht, duke ju nxitur se ç’të bëni apo ç’të thoni, ose mund t’ju këshillojë apo paralajmërojë” (në Conference Report, tetor 1994, f. 77; ose Ensign, nëntor 1994, f. 60).
Një nga Dhuratat më të Mëdha të Perëndisë
Çfarë bekimesh mund të marrim me anë të dhuratës së Frymës së Shenjtë?
Dhurata e Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për ne. Nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne mund të dimë se Perëndia jeton, se Jezusi është Krishti dhe se Kisha e Tij është rivendosur në tokë. Ne mund të kemi nxitjet e Frymës së Shenjtë për të na treguar të gjitha gjërat që duhet të bëjmë (shih 2 Nefi 32:5). Fryma e Shenjtë na shenjtëron për të na përgatitur për praninë e Perëndisë. Ne mund të gëzojmë dhuratat e Shpirtit (shih kapitullin 22 në këtë libër). Kjo dhuratë e madhe nga Ati ynë Qiellor mund të na sjell gjithashtu paqe në zemër dhe të kuptuarit e gjërave të Perëndisë (shih 1 Korintasve 2:9–12).
Përse dhurata e Frymës së Shenjtë është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për ne?
Shkrime të Shenjta të Tjera
1 Korintasve 3:16–17; DeB 130:22–23 (Fryma e Shenjtë banon me besnikët)
Veprat e Apostujve 19:1–7 (dhurata e Frymës së Shenjtë dhënë në kohët e lashta)
Moroni 8:25–26 (si e marrim Frymën e Shenjtë)
Moroni 10:5 (Fryma e Shenjtë është një dëshmitar i së vërtetës)
Mosia 5:2 (Fryma e Shenjtë ndryshon zemrat)
Alma 5:54 (Fryma e Shenjtë shenjtëron)