Kapitulli 24
Dita e Shabatit
Kuptimi i Ditës së Shabatit
Çfarë është dita e Shabatit?
“Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8; shih gjithashtu DeB 68:29).
Fjala Shabat vjen nga një fjalë hebraike që do të thotë pushim. Përpara Ringjalljes së Jezu Krishtit, dita e Shabatit përkujtoi ditën që Perëndia pushoi pasi përfundoi Krijimin. Ishte një shenjë e besëlidhjes mes Perëndisë dhe popullit të Tij. Në librin e Zanafillës lexojmë se Perëndia krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë periudha kohore, të cilat i quajti ditë: “Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi” (Zanafilla 2:2–3). Tani Shabati përkujton gjithashtu Ringjalljen e Jezu Krishtit.
Dita e Shabatit është çdo ditë e shtatë. Ajo është një ditë e shenjtë e shuguruar nga Perëndia që ne të pushojmë nga punët tona të përditshme dhe ta adhurojmë Atë.
Qëllimi i Ditës së Shabatit
Si do t’ia shpjegonit qëllimin e ditës së Shabatit dikujt që nuk di gjë për Shabatin?
Jezusi na mësoi se dita e Shabatit është bërë për të mirën tonë (shih Marku 2:27). Qëllimi i Shabatit është të na japë një ditë gjatë javës në të cilën t’i drejtojmë mendimet dhe veprimet tona drejt Perëndisë. Ajo nuk është thjesht një ditë për të pushuar nga puna. Ajo është një ditë e shenjtë për t’u kaluar në adhurim dhe nderim. Ndërsa pushojmë nga aktivitetet tona të përditshme, mendjet tona janë të lira të mendohen mbi çështje shpirtërore. Gjatë kësaj dite ne ripërtërijmë besëlidhjet që kemi bërë me Zotin dhe i ushqejmë shpirtrat me gjërat e Shpirtit.
Mendoni se çfarë mund të bëni për ta mbajtur në mendje qëllimin e Shabatit ndërsa përgatiteni për atë ditë çdo javë.
Historia e Shabatit
Dita e shtatë u shenjtërua nga Perëndia si një Shabat që në fillimin e tokës (shih Zanafilla 2:2–3). Që nga kohët më të hershme, tradita e një dite të shenjtë të shtatë është ruajtur midis popujve të ndryshëm të tokës. Perëndia u ripërtëriti izraelitëve një urdhërim në lidhje me këtë ditë, duke thënë: “Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar” (Eksodi 20:8). Mbajtja e ditës së Shabatit ishte gjithashtu një shenjë që izraelitët ishin populli i Tij i besëlidhjes (shih Eksodi 31:12–13, 16; Isaia 56:1–8; Jeremia 17:19–27).
Megjithatë, disa udhëheqës hebrenj krijuan shumë rregulla të panevojshme për Shabatin. Ata caktuan se sa larg mund të shkonin njerëzit, çfarë lloj nyjesh mund të lidhnin dhe kështu me radhë. Kur disa udhëheqës hebrenj e kritikuan Jezu Krishtin se shëronte njerëz në ditën e Shabatit, Jezusi u kujtoi atyre se Shabati ishte bërë për të mirën e njeriut.
Nefitët gjithashtu e respektuan ditën e Shabatit sipas urdhërimeve të Perëndisë (shih Jaromi 1:5).
Në kohët moderne Zoti e ka përsëritur urdhërimin e Tij se duhet ta kujtojmë ditën e Shabatit dhe ta mbajmë të shenjtë (shih DeB 68:29).
Dita e Zotit
Pse u ndryshua Shabati nga dita e shtatë në ditën e parë?
Deri në Ringjalljen e Tij, Jezu Krishti dhe dishepujt e Tij e nderuan ditën e shtatë si Shabat. Pas Ringjalljes së Tij, filloi të mbahej e diela si dita e shenjtë e Zotit në kujtim të Ringjalljes së Tij në atë ditë (shih Veprat e Apostujve 20:7; 1 Korintasve 16:2). Që nga ajo kohë e tutje, pasuesit e Tij e kanë caktuar ditën e parë të javës si Shabatin e tyre. Në të dyja rastet ka gjashtë ditë pune dhe një ditë për pushim e përkushtim.
Zoti na ka dhënë një urdhërim të drejtpërdrejtë në këto ditë që edhe ne duhet ta nderojmë të dielën, ditën e Zotit, si Shabatin tonë (shih DeB 59:12).
Si mund ta ndikojë adhurimin tonë në Shabat kujtimi i Ringjalljes?
Ta Mbajmë të Shenjtë Ditën e Shabatit
Çfarë do të thotë ta mbash të shenjtë ditën e Shabatit?
Zoti na kërkon së pari, ta shenjtërojmë ditën e Shabatit. Në një zbulesë dhënë Jozef Smithit në vitin 1831, Zoti i urdhëroi shenjtorët të shkonin në shtëpinë e lutjes dhe të ofronin sakramentet e tyre, të preheshin nga punët e tyre dhe t’i drejtonin lutje Më të Lartit (shih DeB 59:9–12).
Së dyti, Ai na kërkon të prehemi nga punët e përditshme. Kjo do të thotë se nuk duhet të kryejmë asnjë lloj pune që nuk do të na lejonte t’u kushtonim vëmendje të plotë çështjeve shpirtërore. Zoti u tha izraelitëve: “Nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua” (Eksodi 20:10). Profetët tanë na kanë thënë se në këtë ditë nuk duhet të bëjmë pazar, të shkojmë për gjueti, për peshkim, të mos ndjekim veprimtari sportive, apo të mos marrim pjesë në veprimtari të ngjashme me këto.
Megjithatë, Presidenti Spenser W. Kimball na porositi që, nëse thjesht rrimë kot pa bërë asgjë ditën e Shabatit, as kështu nuk e mbajmë atë të shenjtë. Shabati kërkon mendime dhe veprime të dobishme. (Shih Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 170.)
Çfarë gjërash mund të bëjmë në ditën e Shabatit? Profeti Isaia sugjeroi se duhet të mos bëjmë gjëra për kënaqësinë tonë dhe duhet “[ta quajmë] të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder” (Isaia 58:13).
Duhet të mbajmë parasysh gjëra të drejta që mund të bëjmë në ditën e Shabatit. Për shembull, mund ta mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit duke shkuar në mbledhjet e Kishës; duke lexuar shkrimet e shenjta dhe fjalët e udhëheqësve tanë të Kishës; duke vizituar të sëmurët, të moshuarit dhe të dashurit tanë; duke dëgjuar muzikë lartësuese dhe duke kënduar himne; duke iu lutur Atit tonë Qiellor me lavdërim e falënderim; duke kryer shërbim në Kishë; duke përgatitur shënime të historisë familjare dhe histori vetjake; duke treguar ndodhi që nxitin besim, duke u dhënë dëshminë tonë pjesëtarëve të familjes dhe duke ndarë përvoja shpirtërore me ta; duke u shkruar letra misionarëve dhe të dashurve; duke agjëruar me një qëllim; si dhe duke ndarë kohë me fëmijë dhe të tjerë në shtëpi.
Për të vendosur se cilat veprimtari të tjera janë të përshtatshme që të përfshihemi në to në ditën e Shabatit, mund ta pyesim veten: A do të më lartësojë dhe frymëzojë kjo gjë? A tregon ajo respekt për Zotin? A i drejton mendimet e mia tek Ai?
Disa herë mund të ndodhë që na kërkohet të punojmë ditën e Shabatit. Këtë duhet ta shmangim sa herë që të jetë e mundur, por kur është e domosdoshme të punojmë, ne ende duhet ta ruajmë shpirtin e adhurimit të Shabatit në zemrat tona sa më shumë të mundemi.
Mendoni për diçka që mund të bëni për t’u përmirësuar në përpjekjet tuaja që ta mbani të shenjtë Shabatin. Nëse jeni prind apo gjysh, mendoni për diçka që mund të bëni për të ndihmuar fëmijët apo nipërit e mbesat tuaja që të kuptojnë domethënien e Shabatit.
Bekimet për Respektimin e Shabatit
Cilat janë disa bekime që marrim kur e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit?
Në qoftë se e nderojmë ditën e Shabatit, mund të marrim bekime të mëdha shpirtërore dhe fizike. Zoti ka thënë se, nëse e mbajmë ditën e Shabatit me falënderim dhe zemra të gëzuara, do të jemi plot gëzim. Ai ka premtuar:
“Plotësia e tokës do të jetë juaja, … qoftë për ushqim ose për veshje, ose për shtëpi, ose për hambarë, ose për pemishte, ose për kopshte, ose për vreshta;
Po, gjithë gjërat që vijnë nga toka, në stinën e tyre, bëhen për të mirën dhe për përdorimin e njeriut, si për të kënaqur syrin, edhe për të gëzuar zemrën;
Po, për ushqim dhe për veshje, për shije dhe për aromë, për të forcuar trupin dhe për të gjallëruar shpirtin” (DeB 59:16–19).
Shkrime të Shenjta të Tjera
Eksodi 31:16–17 (Shabati është një besëlidhje e përhershme mes Zotit dhe popullit të Tij)
Mosia 13:16–19; 18:23; Eksodi 35:1–3; Levitiku 26:2–4, 6, 12 (respektojeni Shabatin si një ditë të shenjtë)
Lluka 6:1–11 (është e ligjshme të bësh mirë ditën e Shabatit)
Lluka 13:11–17; Gjoni 5:1–18 (shembulli i Jezusit i bërjes mirë në Shabat)