Kapitulli 30
Dashuria Hyjnore
Çfarë Është Dashuria Hyjnore?
Si do ta përkufizonit dashurinë hyjnore?
Jeta e Shpëtimtarit pasqyron dashurinë e Tij të pastër për të gjithë njerëzit. Ai madje dha jetën e Tij për ne. Dashuria hyjnore është ajo dashuri e pastër që ka Shpëtimtari Jezu Krisht. Ai na ka urdhëruar ta duam njëri-tjetrin ashtu siç na do Ai. Shkrimet e shenjta na tregojnë se dashuria hyjnore rrjedh nga një zemër e pastër (shih 1 Timoteut 1:5). Ne kemi dashuri të pastër kur, nga zemra, tregojmë përkujdesje e dhembshuri të sinqertë për të gjithë vëllezërit e motrat tona.
Dashuria Hyjnore Është më e Madhja ndër të Gjitha Virtytet
Profeti Mormon na thotë: “Prandaj, kapuni pas dashurisë hyjnore që është më e madhja e të gjithave, pasi të gjitha gjërat duhet të dështojnë – Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim” (Moroni 7:46–47; shih gjithashtu 1 Korintasve 13; 2 Nefi 26:30; Moroni 7:44–45, 48).
Shpëtimtari na dha që ta ndjekim shembullin e jetës së Tij. Ai ishte Biri i Perëndisë. Ai kishte dashuri të përkryer dhe na tregoi si duhet të duam. Nëpërmjet shembullit të Tij, Ai na tregoi se nevojat shpirtërore e fizike të të afërmve tanë janë po aq të rëndësishme sa tonat. Para se të jepte jetën për ne, Ai tha:
“Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.
Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij” (Gjoni 15:12–13).
Duke folur për Zotin, Moroni tha:
“Më kujtohet se ti pate thënë se e deshe botën, madje, sa e dhe jetën tënde për botën. …
Dhe tani unë e di se kjo dashuri që ti ke pasur për fëmijët e njerëzve, është dashuri hyjnore; prandaj, në qoftë se njerëzit nuk kanë dashuri hyjnore, ata nuk do të mund ta trashëgojnë atë vend që ti ke përgatitur në pallatet e Atit tënd” (Ethëri 12:33–34).
Mund të mos jetë e nevojshme që ne të japim jetën ashtu siç bëri Shpëtimtari. Por ne mund të kemi dashuri hyjnore nëse e bëjmë Atë qendrën e jetës sonë dhe ndjekim shembullin dhe mësimet e Tij. Ashtu si Shpëtimtari, edhe ne mund të bekojmë jetën e vëllezërve e motrave tona këtu në tokë.
Pse është dashuria hyjnore më e madhja ndër të gjitha virtytet?
Dashuria Hyjnore Përfshin Shërbimin ndaj të Sëmurëve, të Munduarve dhe të Varfërve
Shpëtimtari na dha shumë mësime në formën e historive ose shëmbëlltyrave. Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë na mëson se duhet t’u japim atyre në nevojë, pavarësisht nëse ata janë miqtë tanë ose jo (shih Lluka 10:30–37; shih gjithashtu James E. Talmage, Jesus the Christ, bot. 3-të [1916], f. 430–432). Në këtë shëmbëlltyrë, Shpëtimtari tha se një njeri po udhëtonte për në një qytet tjetër. Gjatë rrugës atë e sulmuan disa banditë. Ata i vodhën rrobat e paratë dhe e rrahën, duke e lënë gjysmë të vdekur. Një prift i kaloi pranë, e pa dhe u largua. Më pas një punonjës tempulli iu afrua, e pa dhe vazhdoi rrugën. Por një Samaritan, të cilët përbuzeshin nga hebrenjtë, i kaloi afër dhe kur e pa atë burrë ndjeu dhembshuri (shih figurën në këtë kapitull). Duke u gjunjëzuar pranë tij, Samaritani i mirë i lidhi plagët dhe e vuri mbi gomarin e tij për ta çuar në një han. Ai e pagoi hanxhiun për t’u kujdesur për të deri sa të shërohej.
Jezusi na mësoi se duhet t’i japim ushqim të uriturit, strehë atyre që nuk kanë dhe veshmbathje të varfërve. Kur vizitojmë të sëmurët dhe ata që janë në burg, është sikur po i bënim këto gjëra për Të. Ai na premton se kur i bëjmë këto gjëra do të trashëgojmë mbretërinë e Tij. (Shih Mateu 25:34–46.)
Ne nuk duhet të përpiqemi të vendosim nëse dikush e meriton me të vërtetë ndihmën tonë apo jo (shih Mosia 4:16–24). Nëse jemi kujdesur së pari për nevojat e familjes sonë, atëherë duhet të ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë. Në këtë mënyrë do të jemi si Ati ynë në Qiell, që bën të bjerë shi njëlloj mbi të drejtët dhe të padrejtët (shih Mateu 5:44–45).
Presidenti Tomas S. Monson na kujtoi se ka nga ata që kanë nevojë për më tepër se të mira materiale:
“Le t’i bëjmë vetes pyetjet: ‘A kam bërë ndonjë të mirë në botë sot? A kam ndihmuar ndonjë nevojtar?’ [Hymns, nr. 223]. Çfarë formule për lumturi! Çfarë recete për kënaqësi, për paqe të brendshme – të kesh frymëzuar mirënjohje në një tjetër qenie njerëzore.
Mundësitë tona për të dhënë nga vetja janë me të vërtetë pa fund, por ato gjithashtu humbasin. Ka zemra për t’u dhënë gëzim. Ka fjalë të dashura për t’u thënë. Ka dhurata për t’u dhënë. Ka vepra për t’u kryer. Ka shpirtra për t’u shpëtuar” (në Conference Report, tetor 2001, f. 72; ose Ensign, nëntor 2001, f. 60).
Në shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, si do t’i përshkruanit ata që kaluan pranë të plagosurit? Si do ta përshkruanit Samaritanin? Në çfarë mënyrash mund ta zbatojmë mesazhin e kësaj shëmbëlltyre në jetën tonë?
Dashuria Hyjnore Vjen nga Zemra
Si mund t’i duam njerëzit pavarësisht nga mëkatet dhe të metat e tyre?
Madje edhe kur u japim atyre në nevojë, në qoftë se nuk ndiejmë dhembshuri për ta nuk kemi dashuri hyjnore (shih 1 Gjoni 3:16–17). Apostulli Pal na mësoi se kur kemi dashuri hyjnore mbushemi me ndjenja të mira për të gjithë njerëzit. Jemi të duruar dhe të dashur. Nuk jemi mburracakë apo krenarë, egoistë apo të pasjellshëm. Kur kemi dashuri hyjnore nuk e kujtojmë ose nuk gëzohemi për të ligën që kanë bërë të tjerët. As nuk bëjmë gjëra të mira vetëm sepse është në avantazhin tonë. Përkundrazi, ne ndajmë gëzimin e atyre që jetojnë me të vërtetën. Kur kemi dashuri hyjnore jemi besnikë, besojmë më të mirën për të tjerët dhe jemi të sjellshëm me ta. Shkrimet na mësojnë se “dashuria nuk ligështohet kurrë”. (Shih 1 Korintasve 13:4–8.)
Shpëtimtari ishte shembulli ynë në lidhje me atë se si duhet të ndihemi rreth të tjerëve e si duhet t’i trajtojmë ata. Ai përbuzi ligësinë, por i donte mëkatarët pavarësisht nga mëkatet e tyre. Ai kishte dhembshuri për fëmijët, të moshuarit, të varfërit dhe nevojtarët. Ai kishte një dashuri aq të madhe sa mundi t’i lutej Atit tonë Qiellor të falte ushtarët që ngulën gozhdë në duart dhe këmbët e Tij (shih Lluka 23:34). Ai na mësoi se nëse nuk i falim të tjerët, Ati ynë në Qiell nuk do të na falë as ne (shih Mateu 18:33–35). Ai tha: “Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin. … Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni?’” (Mateu 5:44, 46). Ne duhet të mësojmë të ndihemi ndaj të tjerëve ashtu siç ndihej Jezusi.
Zhvillimi i Virtytit të Dashurisë Hyjnore
Si mund të kemi më shumë dashuri hyjnore?
Një mënyrë se si mund të kemi dashuri hyjnore është të studiojmë jetën e Jezu Krishtit dhe të mbajmë urdhërimet e Tij. Ne mund të studiojmë çfarë bëri Ai në një situatë të caktuar dhe të bëjmë të njëjtën gjë kur jemi në po të njëjtat situata.
Së dyti, kur nuk kemi ndjenja të mira, mund të lutemi që të kemi më shumë dashuri hyjnore. Mormoni na nxit: “Lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri [hyjnore] që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht” (Moroni 7:48).
Së treti, mund të mësojmë ta duam veten, që do të thotë se e kuptojmë vlerën tonë të vërtetë si fëmijë të Atit tonë Qiellor. Shpëtimtari na mësoi se duhet t’i duam të tjerët ashtu si duam veten (shih Mateu 22:39). Për të dashur veten, ne duhet të kemi respekt dhe besim te vetja. Kjo do të thotë se duhet të jemi të bindur ndaj parimeve të ungjillit. Duhet të pendohemi për çdo gabim. Ne duhet ta falim veten kur jemi penduar. Do të arrijmë ta duam veten më mirë vetëm kur të mund të ndiejmë sigurinë e thellë e ngushëlluese se Shpëtimtari na do me të vërtetë.
Së katërti, mund të shmangim mendimin se jemi më të mirë se të tjerët. Mund të kemi durim me të metat e tyre. Jozef Smithi tha: “Sa më tepër i afrohemi Atit qiellor, aq më tepër jemi të prirur të shikojmë me dhembshuri mbi shpirtërat e vuajtur; ndiejmë se duam t’i marrim ata mbi shpatullat tona dhe të hedhim mëkatet e tyre mbi shpinën tonë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 428–429).
Në Librin e Mormonit lexojmë për Enosin, një të ri i cili donte të dinte se mëkatet e tij ishin falur. Ai na tregon:
“Dhe shpirti im ishte i uritur; dhe unë u gjunjëzova para Krijuesit tim dhe iu përgjërova atij në lutje të fuqishme dhe kërkesë të sinqertë për shpirtin tim; dhe gjithë ditën unë iu përgjërova atij; po, dhe kur ra nata, unë e ngrita akoma zërin tim lart, saqë ai arriti qiejt.
Dhe erdhi një zë tek unë duke thënë: Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar” (Enosi 1:4–5).
Zoti i shpjegoi Enosit se, për shkak të besimit të tij tek Krishti, mëkatet e tij ishin falur. Kur Enosi dëgjoi këto fjalë ai nuk ishte më i shqetësuar për veten. Ai e dinte se Zoti e donte dhe do ta bekonte. Përkundrazi ai filloi të ndiente shqetësim për mirëqenien e miqve dhe të afërmve të tij, nefitëve. Ai ia derdhi gjithë shpirtin e tij Perëndisë, për ta. Zoti iu përgjigj dhe i tha se ata do të bekoheshin sipas besnikërisë në mbajtjen e urdhërimeve që tashmë u qenë dhënë. Pas këtyre fjalëve dashuria e Enosit shkoi edhe më tutje dhe ai u lut me mundime të mëdha për lamanitët, që ishin armiqtë e nefitëve. Zoti ia plotësoi dëshirat dhe ai e kaloi gjithë jetën duke u përpjekur të shpëtonte shpirtrat e nefitëve dhe lamanitëve. (Shih Enosi 1:6–26.)
Enosi ishte aq mirënjohës për dashurinë dhe faljen e Zotit saqë me dëshirë e kaloi gjithë jetën e tij duke i ndihmuar të tjerët të merrnin të njëjtën dhuratë. Enosi kishte fituar me të vërtetë dashurinë hyjnore. Edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gjë. Në fakt, ne duhet ta bëjmë këtë nëse duam të trashëgojmë vendin që është përgatitur për ne në mbretërinë e Atit tonë.
Shkrime të Shenjta të Tjera
Kolosianëve 3:12–14 (dashuria hyjnore është lidhja e përsosmërisë)
Alma 34:28–29 (lutjet tona janë të kota nëse nuk veprojmë me dashuri hyjnore)
1 Korintasve 12:29–13:3 (kuptimi i dashurisë hyjnore)
DeB 121:45–46 (le të jemi plot dashuri hyjnore ndaj të gjithë njerëzve)