Kapitulli 35
Bindja
Ne Duhet t’i Bindemi Perëndisë me Dëshirë
Çfarë ndryshimi ka po të bindemi më mirë me dëshirë sesa pa dëshirë?
Kur Jezusi ishte në tokë, një mësues i ligjit i bëri një pyetje:
“‘Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?’
Dhe Jezusi i tha: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde’.
Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.
Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët” (Mateu 22:36–40).
Nga këto shkrime mësojmë sa e rëndësishme është t’i duam Zotin dhe të afërmit tanë. Por si e tregojmë dashurinë tonë për Zotin?
Jezusi iu përgjigj kësaj pyetjeje kur tha: “Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë” (Gjoni 14:21).
Secili nga ne duhet ta pyesë veten pse u bindemi urdhërimeve të Perëndisë. E bëjmë këtë sepse kemi frikë nga ndëshkimi? Apo sepse dëshirojmë shpërblimet e të jetuarit të një jete të mirë? Apo sepse e duam Perëndinë dhe Jezu Krishtin dhe duam t’u shërbejmë Atyre?
Është më mirë t’u bindemi urdhërimeve për shkak se i druhemi ndëshkimit sesa të mos u bindemi fare. Por do të jemi shumë më të lumtur nëse i bindemi Perëndisë sepse e duam Atë dhe duam t’i bindemi. Kur i bindemi Atij me dëshirë, Ai mund të na bekojë bujarisht. Ai tha: “Unë, Zoti, … gëzohem t’i nderoj ata që më shërbejnë në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund” (DeB 76:5). Bindja gjithashtu na ndihmon të përparojmë dhe të bëhemi më tepër si Ati ynë Qiellor. Por ata që nuk bëjnë asgjë deri sa të urdhërohen dhe më pas i mbajnë urdhërimet pa dëshirë do ta humbasin shpërblimin e tyre (shih DeB 58:26–29).
Si mund ta rrisim dëshirën për t’u bindur?
Ne Mund të Bindemi pa e Kuptuar Përse
Pse nuk është e nevojshme t’i kuptojmë gjithmonë qëllimet e Zotit për të qenë të bindur?
Duke mbajtur urdhërimet e Perëndisë, ne përgatitemi për jetën e përjetshme dhe ekzaltimin. Ndonjëherë nuk e dimë arsyen për një urdhërim të caktuar. Megjithatë, ne e tregojmë besimin tonë tek Perëndia kur i bindemi Atij pa e ditur përse.
Adami dhe Eva u urdhëruan t’i ofronin sakrifica Perëndisë. Një ditë një engjëll iu shfaq Adamit dhe e pyeti pse ofronte sakrifica. Adami u përgjigj se nuk e dinte arsyen përse. Ai e bënte atë, sepse Zoti e kishte urdhëruar. (Shih Moisiu 5:5–6 dhe figurën në këtë kapitull.)
Atëherë engjëlli i mësoi Adamit ungjillin dhe i tregoi për Shpëtimtarin që do të vinte. Fryma e Shenjtë ra mbi Adamin dhe ai profetizoi në lidhje me banorët e tokës deri në brezin e fundit. (Shih Moisiu 5:7–10; DeB 107:56.) Kjo njohuri dhe shumë bekime të mëdha i erdhën Adamit sepse ishte i bindur.
Perëndia do të Përgatisë një Udhë
Libri i Mormonit na tregon se Nefi dhe vëllezërit e tij më të mëdhenj morën një detyrë shumë të vështirë nga Zoti (shih 1 Nefi 3:1–6). Vëllezërit e Nefit u ankuan, duke thënë se Zoti kërkonte një gjë të vështirë prej tyre. Por Nefi tha: “Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron” (1 Nefi 3:7). Kur e kemi të vështirë t’i bindemi një urdhërimi të Zotit, duhet të kujtojmë fjalët e Nefit.
Kur e përgatiti Zoti një udhë për ju që t’i bindeni Atij?
Asnjë Urdhërim Nuk është Tepër i Vogël ose Tepër i Madh për t’iu Bindur
Ndonjëherë mund të mendojmë që një urdhërim nuk është shumë i rëndësishëm. Shkrimet e shenjta tregojnë për një burrë të quajtur Naaman i cili mendoi në atë mënyrë. Naamani kishte një sëmundje të tmerrshme dhe udhëtoi nga Siria për në Izrael për t’i kërkuar profetit Elise ta shëronte. Naamani ishte një njeri i rëndësishëm në vendin e tij, kështu që u ndie i fyer kur Eliseu nuk e përshëndeti personalisht, por në vend të kësaj, dërgoi shërbëtorin e tij. Naamani u ndie edhe më i fyer kur mori mesazhin e Eliseut: lahu shtatë herë në lumin Jordan. “Lumenjtë e Damaskut, … a nuk janë më të mirë se tërë ujërat e Izraelit? Nuk mund të lahesha në to dhe të bëhem i pastër?” pyeti ai. Naamani u largua i inatosur. Por shërbëtorët e tij e pyetën: “Në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: ‘Lahu dhe do të pastrohesh?’” Naamani qe mjaft i mençur sa ta kuptonte se ishte e rëndësishme t’i bindej profetit të Perëndisë, madje edhe nëse dukej një gjë e vogël. Kështu ai u la në Jordan dhe u shërua. (Shih 2 Mbretërve 5:1–14.)
Ndonjëherë mund të mendojmë se një urdhërim është tepër i vështirë për t’iu bindur. Ashtu si vëllezërit e Nefit, ne mund të themi: “Është një gjë e vështirë ajo që [Perëndia na ka] kërkuar.” Megjithatë, ashtu si Nefi, ne mund të jemi të sigurt se Perëndia nuk do të na japë asnjë urdhërim pa përgatitur më parë një udhë për ne që t’i bindemi Atij.
Ishte “një gjë e vështirë” kur Zoti e urdhëroi Abrahamin të ofronte birin e tij të dashur Isakun si fli (shih Zanafilla 22:1–13; shih gjithashtu kapitullin 26 në këtë libër). Abrahami kishte pritur me vite të tëra për lindjen e Isakut, e birit që Perëndia i kish premtuar. Si mund ta humbiste të birin në këtë mënyrë? Ky urdhërim duhet të ketë qenë jashtëzakonisht i vështirë për Abrahamin. Megjithatë ai zgjodhi t’i bindej Perëndisë.
Edhe ne duhet të jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë që na kërkon Perëndia. Profeti Jozef Smith tha: “E bëra këtë rregullin tim: Kur Zoti urdhëron, bëje” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph Smith [2007], f. 160). Ky mund të jetë rregulli ynë gjithashtu.
Kur keni marrë bekime si rezultat i bindjes tuaj ndaj urdhërimeve që dukeshin të vogla?
Jezu Krishti iu Bind Atit të Tij
Çfarë shembujsh ju vijnë në mendje kur mendoni për Jezu Krishtin që i bindet Atit të Tij?
Jezu Krishti ishte shembulli sublim i bindjes ndaj Atit tonë Qiellor. Ai tha: “Unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38). E gjithë jeta e Tij iu përkushtua bindjes ndaj Atit të Tij; e megjithatë nuk ishte gjithmonë e lehtë për të. Ai u tundua në të gjitha mënyrat ashtu si edhe njerëzit e tjerë (shih Hebrenjve 4:15). Në Kopshtin e Gjetsemanit Ai u lut, duke thënë: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39).
Duke qenë se Jezusi iu bind vullnetit të Atit në të gjitha gjërat, Ai e bëri shpëtimin të mundur për të gjithë ne.
Si mund të na ndihmojë kujtimi i shembullit të Shpëtimtarit për të qenë të bindur?
Rezultatet e Bindjes dhe Mosbindjes
Cilat janë pasojat e bindjes apo mosbindjes ndaj urdhërimeve të Zotit?
Mbretëria e qiellit qeveriset nga ligji dhe kur marrim një bekim, kjo vjen nëpërmjet bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin bazohet ai bekim (shih DeB 130:20–21; 132:5). Zoti na ka thënë se nëpërmjet bindjes dhe zellit tonë mund të fitojmë njohuri dhe inteligjencë (shih DeB 130:18–19). Ne mund të rritemi gjithashtu shpirtërisht (shih Jeremia 7:23–24). Nga ana tjetër, mosbindja sjell zhgënjim dhe rezulton në humbjen e bekimeve. “Kush jam unë, thotë Zoti, që kam premtuar dhe nuk e kam plotësuar? Unë urdhëroj dhe njerëzit nuk binden; unë anuloj dhe ata nuk e marrin bekimin. Atëherë ata thonë në zemrat e tyre: Kjo nuk është puna e Zotit, sepse premtimet e tij nuk plotësohen” (DeB 58:31–33).
Kur mbajmë urdhërimet e Perëndisë, Ai i përmbush premtimet e Tij, ashtu si Mbreti Beniamin i tha popullit të tij: “Ai kërkon që ju duhet të bëni siç ju ka urdhëruar; pasi në qoftë se ju bëni ashtu, ai ju bekon menjëherë” (Mosia 2:24).
Të Bindurit Fitojnë Jetë të Përjetshme
Zoti na këshillon: “Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (DeB 14:7).
Zoti ka përshkruar bekime të tjera që u vijnë atyre që i binden Atij në drejtësi dhe të vërtetë deri në fund:
“Sepse kështu thotë Zoti – Unë, Zoti, jam i mëshirshëm dhe i hirshëm për ata që më kanë frikë dhe gëzohem t’i nderoj ata që më shërbejnë në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund.
I madh do të jetë shpërblimi i tyre dhe e përjetshme do të jetë lavdia e tyre.
Dhe atyre unë do t’ua zbuloj gjithë misteret, po, gjithë misteret e fshehura të mbretërisë sime, që nga kohërat e lashta dhe për epokat që vijnë, do t’ua bëj të njohur atyre pëlqimin e mirë të vullnetit tim për të gjitha gjërat që lidhen me mbretërinë time.
Po, madje mrekullitë e përjetësisë do t’i njohin ata dhe gjërat që do të vijnë, do t’ua tregoj, madje gjërat e shumë brezave.
Dhe urtësia e tyre do të jetë e madhe dhe të kuptuarit e tyre do të arrijë qiellin; …
Sepse me anë të Shpirtit tim do t’i ndriçoj dhe me anë të fuqisë sime do t’ua bëj të njohura sekretet e vullnetit tim – po, madje ato gjëra që syri s’i ka parë as veshi nuk i ka dëgjuar, as që kanë hyrë në zemrën e njeriut” (DeB 76:5–10).
Çfarë do të thotë fraza “të durosh deri në fund” për ju?
Çfarë mund të bëjmë që të qëndrojmë të vërtetë ndaj parimeve të ungjillit edhe kur kjo nuk gëzon popullaritet? Si mund t’i ndihmojmë ne fëmijët dhe të rinjtë të qëndrojnë të vërtetë ndaj parimeve të ungjillit?
Shkrime të Shenjta të Tjera
Abrahami 3:25 (ne erdhëm në tokë për të provuar bindjen tonë)
1 Samuelit 15:22 (bindja është më e mirë se sakrifica)
Predikuesit 12:13; Gjoni 14:15; Romakëve 6:16; DeB 78:7; 132:36; Ligji i Përtërirë 4:1–40 (ne duhet t’i bindemi Perëndisë)
2 Nefi 31:7 (Jezu Krishti qe i bindur)
Fjalët e Urta 3:1–4; 6:20–22; 7:1–3; Efesianëve 6:1–3; Kolosianëve 3:20 (fëmijët duhet t’u binden prindërve të tyre)
DeB 21:4–6 (bindju profetit)
Gjoni 8:29–32; Mosia 2:22, 41; DeB 82:10; 1 Nefi 2:20 (bekime për bindjen)
DeB 58:21–22; 98:4–6; 134:5–7 (bindju ligjeve të tokës)
Isaia 60:12; DeB 1:14; 93:39; 132:6, 39 (pasojat e mosbindjes)
2 Nefi 31:16; DeB 53:7; Mateu 24:13; Lluka 9:62 (duroni deri në fund)