Libra dhe Mësime
Kapitulli 10: Shkrimet e Shenjta


Kapitulli 10

Shkrimet e Shenjta

A Chinese woman sitting at a table with scriptures open in front of her.  She is using a highlighter to mark them.

Shkrimet e Shenjta Janë të Disponueshme për Ne Sot

  • Cilat janë disa prej bekimeve që gëzojmë sot për arsyen pse shkrimet e shenjta janë kaq të disponueshme?

Kur shërbëtorët e Zotit flasin ose shkruajnë nën ndikimin e Frymës së Shenjtë, fjalët e tyre bëhen shkrim i shenjtë (shih DeB 68:4). Që nga fillimi, Zoti i ka urdhëruar profetët e Tij të mbajnë një anal të zbulesave dhe marrëdhënieve të Tij me fëmijët e Tij. Ai tha: “Unë i urdhëroj të gjithë njerëzit, si në lindje ashtu dhe në perëndim dhe në veri, dhe në jug, dhe në ishujt e detit, se ata do të shkruajnë fjalët që unë u them atyre; pasi nga librat që do të jenë shkruar, unë do ta gjykoj botën, çdo njeri sipas punëve të tij, sipas asaj që është shkruar” (2 Nefi 29:11).

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pranon katër libra si shkrime të shenjta: Biblën, Librin e Mormonit, Doktrina e Besëlidhjen dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Këta libra quhen veprat standarde të Kishës. Fjalët e frymëzuara të profetëve tanë të gjallë gjithashtu pranohen si shkrim i shenjtë.

Bibla

Bibla është një përmbledhje shkrimesh të shenjta që përmban zbulesa të Perëndisë për njeriun. Këto shkrime mbulojnë një periudhë prej shumë shekujsh, që nga koha e Adamit e deri në kohën kur jetuan Apostujt e Jezu Krishtit. Ato u shkruan nga shumë profetë që jetuan në epoka të ndryshme të historisë së botës.

Bibla ndahet në dy pjesë: Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Shumë profeci në Dhiatën e Vjetër profetizojnë për ardhjen e një Shpëtimtari dhe Shëlbuesi. Dhiata e Re tregon për jetën e atij Shpëtimtari dhe Shëlbuesi, i cili është Jezu Krishti. Ajo gjithashtu tregon për krijimin e Kishës së Tij në atë kohë. “Ne e besojmë Biblën të jetë fjala e Perëndisë, për aq sa ajo përkthehet me saktësi” (Nenet e Besimit 1:8).

Përmes Profetit Jozef Smith, Zoti e ka zgjeruar kuptimin tonë për disa fragmente në Bibël. Zoti e frymëzoi Profetin Jozef të rivendoste të vërteta në tekstin e Biblës që kishin humbur apo ishin ndryshuar që kur u shkruan fjalët origjinale. Këto korrigjime të frymëzuara quhen Përkthimi i Biblës prej Jozef Smithit. Fragmente të përzgjedhura nga Përkthimi prej Jozef Smithit gjenden tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Libri i Mormonit

Libri i Mormonit është një anal i shenjtë i disa popujve që jetuan në kontinentin amerikan gjatë periudhës afërsisht nga viti 2000 p. e. r. deri në 400 e. r.. Ai përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit (shih DeB 20:9; 42:12; 135: 3). Libri i Mormonit tregon për vizitën që Jezu Krishti u bëri njerëzve në kontinentin amerikan pak kohë pas Ringjalljes së Tij.

Jozef Smithi përktheu Librin e Mormonit në anglisht nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Ai tha për të se ai “ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër” (Parathënie e Librit të Mormonit).

Presidenti Ezra Taft Benson na ndihmoi të kuptojmë se si Libri i Mormonit është gurthemeli i besimit tonë. Ai tha:

“Ka tre mënyra në të cilat Libri i Mormonit është gurthemeli i fesë sonë. Ai është gurthemeli i dëshmimit tonë për Krishtin. Ai është gurthemeli i doktrinës sonë. Ai është gurthemeli i dëshmisë sonë.

Libri i Mormonit është gurthemeli në dëshminë që japim për Jezu Krishtin, i cili është Vetë gurthemeli i çdo gjëje që bëjmë. Ai dëshmon për realitetin e Tij me fuqi dhe qartësi. …

[Ai] zgjeron të kuptuarit tonë për doktrinën e shpëtimit. … Libri i Mormonit … u shkrua për kohën tonë. … Në [të] gjejmë modelin për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë. …

… Libri i Mormonit na mëson të vërtetën [dhe] dëshmon për Jezu Krishtin. … Por ka diçka më tepër. Ekziston një fuqi brenda librit që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj që në çastin kur filloni një studim serioz të librit. Ju do të gjeni fuqi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit. Do të gjeni fuqinë për të shmangur mashtrimin. Do të gjeni fuqi të qëndroni në shtegun e ngushtë e të ngushtuar. Shkrimet e shenjta janë quajtur ‘fjalët e jetës’ dhe kjo nuk është askund tjetër më e vërtetë nga sa është për Librin e Mormonit. … ‘Çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme duhet ta bëjë studimin e këtij libri një përkushtim që zgjat gjithë jetën’” (në Conference Report, tetor 1986, f. 4–7; ose Ensign, nëntor 1986, f. 5–7; që citon Marion G. Romney, në Conference Report, prill 1980, f. 90; ose Ensign, maj 1980, f. 67).

Doktrina e Besëlidhje

Doktrina e Besëlidhje është një përmbledhje e zbulesave moderne. Në seksionin 1 të Doktrina e Besëlidhjeve, Zoti zbulon se ky libër është botuar për banorët e tokës për t’i përgatitur ata për ardhjen e Tij:

“Prandaj zëri i Zotit shkon te fundet e dheut që, gjithkush që do të dëgjojë le të dëgjojë.

Përgatituni ju, përgatituni ju për atë që do të vijë, pasi Zoti është pranë” (DeB 1:11–12).

Ky libër përmban zbulesat në lidhje me Kishën e Jezu Krishtit ndërsa ajo rivendosej në këto ditë të fundit. Disa seksione të librit shpjegojnë organizimin e Kishës dhe përkufizojnë detyrat e priftërisë e funksionet e tyre. Seksione të tjera, të tilla si seksionet 76 dhe 88, përmbajnë të vërteta të lavdishme që bota i kishte humbur për qindra vjet me radhë. Të tjera akoma, si seksionet 29 dhe 93, hedhin dritë mbi mësimet e Biblës. Për më tepër, disa seksione, të tilla si seksioni 133, përmbajnë profeci të ngjarjeve që do të ndodhin. Perëndia na ka urdhëruar t’i studiojmë zbulesat e Tij në këtë libër: “I hetoni këto urdhërime, sepse ato janë të vërteta e besnike dhe profecitë e premtimet që janë në to, të gjitha do të përmbushen” (DeB 1:37).

Perla me Vlerë të Madhe

Perla me Vlerë të Madhe përmban Librin e Moisiut, Librin e Abrahamit dhe disa shkrime të frymëzuara të Jozef Smithit. Libri i Moisiut përmban një relacion të disa prej vegimeve dhe shkrimeve të Moisiut, që iu zbuluan Profetit Jozef Smith. Ai qartëson doktrina dhe mësime që kishin humbur nga Bibla dhe jep më tepër informacion në lidhje me Krijimin e tokës.

Libri i Abrahamit u përkthye nga Profeti Jozef Smith prej një rrotulle papirusi që ishte marrë nga katakombet egjiptiane. Ky libër përmban informacion të vlefshëm rreth Krijimit, ungjillit, natyrës së Perëndisë dhe priftërisë.

Shkrimet e Jozef Smithit përfshijnë pjesë të përkthimit të frymëzuar të Biblës prej Jozef Smithit, përzgjedhje nga History of the Church [Historia e Kishës] dhe Nenet e Besimit.

  • Cilat janë disa tregime nga shkrimet e shenjta që ju kanë frymëzuar? Cilat janë disa mësime prej këtyre librave të shkrimit të shenjtë që ju kanë ndihmuar?

Fjalët e Profetëve Tanë të Gjallë

Përveç këtyre katër librave të shkrimeve të shenjta, fjalët e frymëzuara të profetëve tanë të gjallë bëhen shkrime të shenjta për ne. Fjalët e tyre na vijnë përmes konferencave, revistave Liahona ose Ensign dhe udhëzimeve të udhëheqësve vendorë të priftërisë. “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9).

  • Ku mund t’i gjejmë fjalët e profetëve tanë të gjallë?

Studimi i Shkrimeve të Shenjta

  • Çfarë bekimesh mund të marrim kur studiojmë shkrimet e shenjta?

Secili nga ne duhet t’i studiojë shkrimet e shenjta çdo ditë. Ne duhet t’i ndajmë këto të vërteta me fëmijët tanë. Ne duhet t’i lexojmë veprat standarde bashkë me fëmijët tanë që ata të mësojnë t’i duan dhe t’i përdorin ato për të vërtetat që përmbajnë.

Në qoftë se duam t’i shmangim të ligat e botës, ne duhet t’i ushqejmë mendjet tona me të vërtetën dhe drejtësinë që gjendet në shkrimet e shenjta. Ne do të afrohemi më pranë Perëndisë dhe njëri-tjetrit ndërsa lexojmë dhe mendohemi së bashku për shkrimet e shenjta.

Ndërsa lexojmë, mendohemi e lutemi rreth shkrimeve të shenjta dhe i kërkojmë Perëndisë që t’i kuptojmë ato, Fryma e Shenjtë do të na dëshmojë për të vërtetën e këtyre gjërave. Secili nga ne do të dijë për veten e tij se këto gjëra janë të vërteta. Ne nuk do të mashtrohemi (shih Joseph Smith – Mateu 1:37). Ne mund të kemi të njëjtat ndjenja që shprehu Nefi kur tha: “Shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit; dhe zemra ime mediton vazhdimisht mbi gjërat që unë kam parë dhe dëgjuar” (2 Nefi 4:16).

  • Si mund ta mbajmë zotimin për të studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë? Merrni parasysh të planifikoni një kohë dhe një vend për të studiuar shkrimet e shenjta çdo ditë.

Shkrime të Shenjta të Tjera