Kapitulli 13
Priftëria
Çfarë Është Priftëria?
Priftëria është fuqia dhe autoriteti i përjetshëm i Perëndisë. Me anë të priftërisë Ai krijoi dhe qeveris qiejt dhe tokën. Me anë të kësaj fuqie universi mbahet në rregull të përkryer. Me anë të kësaj fuqie Ai kryen veprën e lavdinë e Tij, që është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).
Ati ynë Qiellor ia delegon fuqinë e Tij të priftërisë anëtarëve meshkuj të denjë të Kishës. Priftëria iu mundëson atyre të veprojnë në emër të Perëndisë për shpëtimin e familjes njerëzore. Me anë të saj ata mund të autorizohen të predikojnë ungjillin, të administrojnë ordinancat e shpëtimit dhe të qeverisin mbretërinë e Perëndisë në tokë.
Mendoni për rëndësinë që ka që Perëndia u lejon burrave dhe djemve të denjë të mbajnë priftërinë e Tij.
Përse na Duhet Priftëria në Tokë?
Neve duhet të kemi autoritetin e priftërisë që të veprojmë në emrin e Perëndisë kur kryejmë ordinancat e shenjta të ungjillit, të tilla si pagëzim, konfirmim, administrim të sakramentit dhe martesë në tempull. Nëse një burrë nuk e ka priftërinë, edhe pse mund të jetë i sinqertë, Zoti nuk do t’i njohë ordinancat që kryen ai (shih Mateu 7:21–23; Nenet e Besimit 1:5). Këto ordinanca të rëndësishme duhet të kryhen në tokë nga burra që mbajnë priftërinë.
Burrave u duhet priftëria për të kryesuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe që të drejtojnë punën e Kishës në të gjitha pjesët e botës. Kur Krishti jetoi në tokë, Ai zgjodhi Apostujt e Tij dhe i shuguroi ata që të mund të udhëhiqnin Kishën e Tij. Ai u dha atyre fuqinë dhe autoritetin e priftërisë për të vepruar në emrin e Tij. (Shih Marku 3:13–15; Gjoni 15:16.)
Një tjetër arsye pse priftëria nevojitet në tokë është që të mund të kuptojmë vullnetin e Zotit dhe të kryejmë qëllimet e Tij. Perëndia ia zbulon vullnetin e Tij përfaqësuesit të Tij të autorizuar të priftërisë në tokë, profetit. Profeti, që është Presidenti i Kishës, shërben si zëdhënës i Perëndisë për të gjithë anëtarët e Kishës dhe të gjithë njerëzit në tokë.
Përse është thelbësore që një burrë të ketë autoritetin e duhur kur kryen një ordinancë?
Si e Marrin Burrat Priftërinë?
Zoti ka përgatitur një mënyrë të rregullt që priftëria e Tij t’iu jepet bijve të Tij në tokë. Një anëtar mashkull i denjë i Kishës merr priftërinë “me anë të vënies së duarve prej atyre që janë në autoritet, për të predikuar Ungjillin dhe për të administruar ordinancat e tij” (Nenet e Besimit 1:5).
Kjo është e njëjta mënyrë si e morën priftërinë burrat kohë më parë, madje në kohën e Moisiut: “Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni” (Hebrenjve 5:4). Aaroni e mori priftërinë nga Moisiu, udhëheqësi i tij i priftërisë (shih Eksodi 28:1). Vetëm ata që mbajnë priftërinë mund të shugurojnë të tjerë dhe mund ta bëjnë këtë vetëm kur janë të autorizuar nga ata që mbajnë çelësat për atë shugurim (shih kapitullin 14 në këtë libër).
Burrat nuk mund ta blejnë dhe shesin fuqinë dhe autoritetin e priftërisë. As nuk mund ta marrin mbi vete këtë autoritet. Në Dhiatën e Re lexojmë për një burrë të quajtur Simon, që jetoi kur Apostujt e Krishtit kryesonin mbi Kishën. Simoni u kthye në besim dhe u pagëzua në Kishë. Meqenëse ai qe magjistar i aftë, njerëzit besonin se kishte fuqinë e Perëndisë. Por Simoni nuk e kishte priftërinë dhe ai e dinte këtë.
Simoni e dinte se Apostujt dhe udhëheqës të tjerë të priftërisë së Kishës kishin fuqinë e vërtetë të Perëndisë. Ai i pa që ata përdornin priftërinë e tyre për të bërë punën e Zotit dhe e donte për vete këtë fuqi. Ai ofroi që ta blente priftërinë. (Shih Veprat e Apostujve 8:9–19.) Por Pjetri, Kryeapostulli, i tha: “Le të humbasë paraja jote dhe ti bashkë me të, sepse ti mendove se mund ta blesh me para dhuratën e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 8:20).
Përse është kuptimplotë që “askush nuk e merr këtë nder [të priftërisë] prej vetes së tij”?
Si e Përdorin Burrat siç Duhet Priftërinë?
Priftëria duhet të përdoret për të bekuar jetën e fëmijëve të Atit tonë Qiellor këtu në tokë. Mbajtësit e priftërisë duhet të kryesojnë me dashuri dhe mirësi. Ata nuk duhet t’i detyrojnë familjet e tyre dhe të tjerët që t’u binden. Zoti na ka thënë se fuqia e priftërisë nuk mund të kontrollohet përveçse me drejtësi (shih DeB 121:36). Kur përpiqemi ta përdorim priftërinë për të fituar pasuri, apo famë, apo për çfarëdo qëllimi tjetër egoist, “vini re, qiejt tërhiqen; Shpirti i Zotit hidhërohet; dhe kur ai tërhiqet, Amen priftërisë ose autoritetit të atij njeriu” (DeB 121:37).
Kur një burrë e përdor priftërinë “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur” (DeB 121:41), ai mund të bëjë shumë gjëra të mrekullueshme për familjen e tij dhe të tjerë. Ai mund të pagëzojë, të konfirmojë dhe të administrojë sakramentin kur autorizohet nga ata që mbajnë çelësat për ato ordinanca. Ai mund të bekojë të sëmurët. Ai mund t’iu japë bekime priftërie pjesëtarëve të familjes së tij për t’i nxitur dhe mbrojtur ata kur kanë nevoja të veçanta. Ai gjithashtu mund të ndihmojë familje të tjera me këto ordinanca e bekime kur i kërkohet ta bëjë këtë.
Burrat e përdorin autoritetin e priftërisë për të kryesuar në Kishë në thirrje të tilla si president dege, peshkop, president kuorumi, president kunji dhe president misioni. Burra e gra që mbajnë detyra në Kishë si punonjës e mësues punojnë nën drejtimin e udhëheqësve të priftërisë dhe nën udhëheqjen e Frymës së Shenjtë.
Çfarë Bekimesh Vijnë Kur e Përdorim siç Duhet Priftërinë?
Zoti u ka premtuar bekime të mëdha mbajtësve të drejtë të priftërisë që e përdorin priftërinë për të bekuar të tjerë:
“Atëherë do të forcohet vetëbesimi yt në prani të Perëndisë; dhe doktrina e priftërisë do të pikojë mbi shpirtin tënd sikurse vesat nga qiejt.
Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi yt i vazhdueshëm dhe skeptri yt një skeptër i pandryshueshëm i drejtësisë dhe së vërtetës; dhe sundimi yt do të jetë një sundim i përjetshëm dhe, pa mënyra detyruese, ai do të rrjedhë tek ty përherë e përgjithmonë” (DeB 121:45–46).
Presidenti Dejvid O. Mek-Kei i premtoi çdo burri që e përdor priftërinë me drejtësi se ai “do të zbulojë se jeta e tij do të ëmbëlsohet, aftësia e tij për të dalluar do të bëhet më e mprehtë që ai të vendosë shpejt midis të drejtës dhe të gabuarës, ndjenjat e tij do të bëhen të buta dhe të dhembshura, por shpirti i tij i fortë dhe i guximshëm në mbrojtje të së drejtës; ai do të zbulojë se priftëria është një burim i pashtershëm lumturie – një burim uji të gjallë që gufon në jetën e përjetshme” (Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay [2003], f. 116).
Cilat janë disa prej bekimeve që keni marrë me anë të priftërisë?
Shkrime të Shenjta të Tjera
DeB 84; 107 (zbulesa mbi priftërinë, përfshirë betimin dhe besëlidhjen e priftërisë në DeB 84:33–40)
DeB 20:38–67 (shpjegohen detyrat e priftërisë)