Libra dhe Mësime
Kapitulli 23: Sakramenti


Kapitulli 23

Sakramenti

Jesus Christ depicted preparing the sacrament for the Last Supper.

Krishti Paraqiti Sakramentin

  • Çfarë na mësojnë emblemat e sakramentit për Shlyerjen e Jezu Krishtit?

Shpëtimtari ynë dëshiron që ne ta kujtojmë sakrificën e Tij të madhe shlyese dhe të mbajmë urdhërimet e Tij. Për të na ndihmuar ta bëjmë këtë, Ai na ka urdhëruar të mblidhemi së bashku shpesh për të marrë sakramentin.

Sakramenti është një ordinancë e shenjtë priftërie që na ndihmon të kujtojmë Shlyerjen e Shpëtimtarit. Gjatë sakramentit, marrim bukën dhe ujin. Këtë e bëjmë në kujtim të mishit dhe gjakut të Tij, që Ai i dha si një sakrificë për ne. Ndërsa marrim sakramentin, ne rinovojmë besëlidhjet e shenjta me Atin tonë Qiellor.

Pak kohë para Kryqëzimit të Tij, Jezu Krishti i mblodhi Apostujt e Tij rreth vetes në sallën e sipërme. Ai e dinte se do të vdiste së shpejti në kryq. Kjo ishte hera e fundit që do të takohej me këta burra të dashur para vdekjes së Tij. Ai donte që ata ta kujtonin gjithmonë që të mund të mbeteshin të fortë e besnikë.

Për t’i ndihmuar ata që ta kujtonin, Ai u paraqiti sakramentin. Ai e copëtoi bukën dhe e bekoi atë. Më pas tha: “Merrni, hani; kjo është në kujtim të trupit tim që e jap si shpërblesë për ju” (Përkthimi i Joseph Smith-it, Mateu 26:22). Pastaj mori një kupë verë, e bekoi, ua dha Apostujve të Tij që ta pinin dhe tha: “Kjo është në kujtim të gjakut tim … , i cili derdhet për të gjithë ata që do të besojnë në emrin tim, për faljen e mëkateve të tyre” (Përkthimi i Joseph Smith-it, Mateu 26:24; shih gjithashtu Mateu 26:26–28; Marku 14:22–24; Lluka 22:15–20).

Pas Ringjalljes së Tij, Shpëtimtari erdhi në kontinentin amerikan dhe u mësoi nefitëve të njëjtën ordinancë (shih 3 Nefi 18:1–11; 20:1–9). Pasi Kisha u rivendos në ditët e fundit, Jezusi e urdhëroi edhe një herë popullin e Tij të marrë sakramentin në kujtim të Tij, duke thënë: “Është e domosdoshme që kisha të takohet së bashku shpesh për të marrë bukë dhe verë në kujtim të Zotit Jezus” (DeB 20:75).

Si Administrohet Sakramenti

Shkrimet e shenjta shpjegojnë me saktësi se si administrohet sakramenti. Anëtarët e Kishës takohen çdo ditë Shabati për të adhuruar dhe për të marrë sakramentin (shih DeB 20:75). Sakramenti administrohet nga ata që mbajnë autoritetin e duhur të priftërisë. Një prift ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke copëton bukën, gjunjëzohet dhe e bekon atë (shih DeB 20:76). Më pas një dhjak ose një mbajtës tjetër priftërie ia shpërndan bukën e sakramentit kongregacionit. Pastaj prifti ose mbajtësi i Priftërisë Melkizedeke bekon ujin dhe ai gjithashtu u shpërndahet anëtarëve. Jezusi u dha dishepujve të Tij verë kur u paraqiti sakramentin. Megjithatë, në zbulesën e ditëve të mëvonshme Ai ka thënë se nuk ka rëndësi se çfarë hamë ose pimë gjatë sakramentit për deri sa e kujtojmë Atë (shih DeB 27:2–3). Sot, shenjtorët e ditëve të mëvonshme pinë ujë në vend të verës.

Jezusi ka zbuluar me saktësi fjalët për të dyja lutjet e sakramentit. Ne duhet t’i dëgjojmë me kujdes këto lutje të bukura dhe të përpiqemi të kuptojmë se çfarë po premtojmë dhe çfarë po na premtohet. Kjo është lutja e ofruar për të bekuar bukën:

“O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë bukë shpirtrave të të gjithë atyre që marrin prej saj, që ata të mund të hanë në kujtim të trupit të Birit tënd dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta. Amen” (DeB 20:77).

Kjo është lutja e ofruar për të bekuar ujin:

“O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë verë [ujë] shpirtrave të të gjithë atyre që pinë prej saj, që ata të mund ta bëjnë atë në kujtim të gjakut të Birit tënd, i cili u derdh për ta; që ata të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se gjithmonë e kujtojnë atë, që të mund të kenë Shpirtin e tij me ta. Amen” (DeB 20:79).

Ordinanca e sakramentit kryhet shumë thjesht dhe me nderim.

  • Rishihni me kujdes lutjet e sakramentit. Mendoni për kuptimin e secilës frazë.

Besëlidhjet që Ripërtërijmë gjatë Sakramentit

  • Çfarë besëlidhjesh ripërtërijmë gjatë sakramentit? Çfarë bekimesh na premton Ati Qiellor kur i mbajmë këto besëlidhje?

Sa herë që marrim sakramentin, ne ripërtërijmë besëlidhjet që kemi bërë me Zotin. Një besëlidhje është një premtim i shenjtë midis Zotit dhe fëmijëve të Tij. Besëlidhjet që bëjmë shprehen me qartësi në lutjet e sakramentit. Është e rëndësishme të dimë se cilat janë këto besëlidhje dhe ç’kuptim kanë.

Ne besëlidhim se jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Me anë të kësaj ne tregojmë se jemi të gatshëm të identifikohemi me Të dhe me Kishën e Tij. Ne zotohemi t’i shërbejmë Atij dhe bashkënjerëzve tanë. Ne premtojmë se nuk do t’i sjellim turp ose qortim atij emri.

Ne besëlidhim ta kujtojmë gjithmonë Jezu Krishtin. Të gjitha mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona do të ndikohen nga Ai dhe misioni i Tij.

Ne premtojmë të mbajmë urdhërimet e Tij.

Ne i marrim këto detyrime mbi vete kur pagëzohemi (shih DeB 20:37; Mosia 18:6–10). Kështu, kur marrim sakramentin, ne ripërtërijmë besëlidhjet që bëmë kur u pagëzuam. Jezusi na dha modelin për marrjen e sakramentit (shih 3 Nefi 18:1–12) dhe tha se kur e zbatojmë këtë model, duke u penduar për mëkatet tona dhe duke besuar në emrin e Tij, do të marrim faljen e mëkateve tona (shih Përkthimi i Joseph Smith-it, Mateu 26:24).

Zoti premton se nëse mbajmë besëlidhjet tona, do të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne. Një njeri i udhëhequr nga Shpirti do të ketë diturinë, besimin, fuqinë dhe drejtësinë për të fituar jetën e përjetshme.

  • Çfarë mund të bëjmë që t’i kujtojmë këto premtime gjatë javës?

Qëndrimi Ynë Kur Marrim Sakramentin

  • Si mund të përgatitemi për të marrë sakramentin? Për çfarë mund të mendojmë gjatë sakramentit për të na ndihmuar të kujtojmë Shlyerjen e Shpëtimtarit?

Para se të marrim sakramentin, ne duhet të përgatitemi shpirtërisht. Zoti thekson se asnjë nuk duhet ta marrë sakramentin padenjësisht. Kjo do të thotë se duhet të pendohemi për mëkatet tona para se të marrim sakramentin. Shkrimet e shenjta thonë: “Nëse dikush ka shkelur një ligj, mos e lejoni të marrë derisa ai të bëjë pajtim” (DeB 46:4). Zoti i udhëzoi dymbëdhjetë dishepujt e Tij nefitë: “Ju nuk duhet të lejoni me dijeni që ndokush të marrë nga mishi dhe nga gjaku im padenjësisht, kur ju ta shpërndani; Pasi kushdo që ha dhe pi mishin dhe gjakun tim, duke qenë i padenjë, ha dhe pi mallkimin e shpirtit të tij” (3 Nefi 18:28–29).

Gjatë shërbesës së sakramentit duhet të largojmë nga mendja të gjitha mendimet e padenja. Duhet të jemi të zhytur në lutje dhe të tregojmë nderim. Duhet të mendojmë për Shlyerjen e Shpëtimtarit tonë dhe të jemi mirënjohës për të. Ne duhet të analizojmë jetën tonë dhe të kërkojmë mënyra se si mund ta përmirësojmë atë. Gjithashtu duhet të ripërtërijmë vendosmërinë tonë për të mbajtur urdhërimet.

Nuk është e nevojshme të jemi të përkryer para se të marrim sakramentin, por duhet të kemi shpirtin e pendimit në zemër. Qëndrimi që tregojmë ndaj marrjes së sakramentit ndikon përvojën tonë me të. Nëse e marrim sakramentin me një zemër të pastër, marrim bekimet e premtuara nga Zoti.

  • Si mendoni ju, përse marrja denjësisht e sakramentit rrit forcën tonë shpirtërore?

Shkrime të Shenjta të Tjera