Kapitulli 25
Agjërimi
Si të Agjërojmë Siç Duhet
Çfarë mund të bëjmë që ta bëjmë agjërimin një përvojë të gëzueshme?
Që nga koha e Adamit, populli i Perëndisë ka agjëruar për t’iu afruar më pranë Perëndisë dhe për ta adhuruar Atë. Jezusi e tregoi rëndësinë e agjërimit nëpërmjet vetë shembullit të Tij (shih Lluka 4:1–4). Nëpërmjet zbulesës së ditëve të mëvonshme mësojmë se Zoti ende pret që populli i tij të agjërojë dhe të lutet shpesh (shih DeB 88:76).
Agjërim do të thotë të mos hash dhe të mos pish. Agjërimi herë pas here është i mirë për trupin tonë dhe na e ndihmon mendjen të bëhet më aktive.
Shpëtimtari na mësoi se agjërimi me qëllim është më tepër sesa të mos hash dhe të mos pish. Ne duhet që gjithashtu të përqendrohemi në gjërat shpirtërore.
Ne Duhet të Lutemi Kur Agjërojmë
Lutja është një pjesë e domosdoshme e agjërimit. Në të gjitha shkrimet e shenjta, lutja dhe agjërimi përmenden së bashku. Agjërimi ynë duhet të shoqërohet nga lutja e sinqertë dhe ne duhet ta fillojmë dhe ta mbarojmë agjërimin me lutje.
Ne Duhet të Agjërojmë me një Qëllim
Agjërimi mund të ketë shumë qëllime. Ne mund të mposhtim dobësitë ose problemet tona duke agjëruar dhe duke u lutur. Ndonjëherë mund të dëshirojmë të agjërojmë për ndihmë ose udhëheqje për të tjerët, si për shembull për një anëtar të familjes që është i sëmurë dhe ka nevojë për një bekim (shih Mosia 27:22–23). Nëpërmjet agjërimit mund të arrijmë të njohim të vërtetën e gjërave ashtu si profeti Alma në Librin e Mormonit. Ai tha: “Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar nëpërmjet Shpirtit të tij të Shenjtë” (Alma 5:46).
Mund të agjërojmë që të ndihmojmë të tjerët të përqafojnë të vërtetën. Agjërimi mund të ndihmojë për të na ngushëlluar në kohë trishtimi dhe vajtimi (shih Alma 28:4–6). Agjërimi mund të na ndihmojë të bëhemi të përulur dhe të ndihemi më pranë Atit tonë Qiellor (shih Helamani 3:35).
Nuk duhet të agjërojmë me qëllim që t’u biem në sy të tjerëve. Zoti këshilloi:
“Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë;
në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën, me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron” (Mateu 6:16–18).
Ne duhet të jemi të gëzuar kur agjërojmë dhe të mos t’ua bëjmë të ditur publikisht të tjerëve që po agjërojmë.
Si ndikon qëndrimi ynë ndaj përvojës tonë kur agjërojmë?
Dita e Agjërimit
Një të diel të çdo muaji shenjtorët e ditëve të mëvonshme e respektojnë si një ditë agjërimi. Gjatë kësaj dite ne nuk hamë dhe as nuk pimë për dy vakte të njëpasnjëshme. Nëse do të hanim darkë të shtunën, atëherë nuk duhet të hamë dhe të pimë deri në darkën e së dielës.
Të gjithë anëtarët që janë fizikisht në gjendje duhet të agjërojnë. Ne duhet t’i nxisim fëmijët tanë të agjërojnë pasi janë pagëzuar, por kurrë nuk duhet t’i detyrojmë ata. Dita e agjërimit është një ditë e veçantë për t’u përulur para Zotit në agjërim e lutje. Ajo është një ditë për t’u lutur për falje për mëkatet tona dhe për fuqi që të mposhtim të metat tona e që të falim të tjerët.
Në të dielën e agjërimit, anëtarët e Kishës mblidhen së bashku për të marrë sakramentin. Ata forcojnë veten dhe njëri-tjetrin duke dhënë dëshmi në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive.
Si keni përfituar nga shprehja e dëshmisë suaj në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmisë? Si keni përfituar nga që keni dëgjuar të tjerë të shprehin dëshmitë e tyre?
Ofertat e Agjërimit
Përse japim kontribut me oferta agjërimi?
Kur agjërojmë çdo muaj, Zoti na kërkon të ndihmojmë ata që janë në nevojë. Një mënyrë si e bëjmë këtë është duke dhënë, nëpërmjet autoritetit të duhur të priftërisë, paratë që do të kishim shpenzuar për ushqim për dy vaktet. Ne duhet të tregohemi sa më bujarë. Nëpërmjet ofertave të agjërimit ne bëhemi ortakë me Zotin në plotësimin e nevojave të vëllezërve e motrave tona me më pak fat.
Ne Bekohemi Kur Agjërojmë
Çfarë bekimesh mund të marrim kur agjërojmë siç duhet?
Isaia, një profet i Dhiatës së Vjetër, shkroi për premtimet e pasura të Zotit ndaj atyre që agjërojnë dhe ndihmojnë nevojtarët. Na premtohet paqe, shëndet më i mirë dhe udhëheqje shpirtërore. Isaia na tregon për bekimet që vijnë kur agjërojmë: “Drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote. Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: ‘Ja ku jam!’” (Isaia 58:8–9).
Agjërimi përmirëson jetën tonë dhe na jep më tepër forcë. Ai na ndihmon të jetojmë parimet e tjera të ungjillit, sepse na afron më pranë Zotit.
Agjërimi Mëson Vetëkontrollin
Agjërimi na ndihmon të fitojmë forcë karakteri. Kur agjërojmë siç duhet, do të mësojmë të kontrollojmë dëshirat e pasionet tona. Ne bëhemi pak më të fortë pasi t’i kemi provuar vetes se kemi vetëkontroll. Nëse u mësojmë fëmijëve tanë të agjërojnë, ata do të zhvillojnë forcën shpirtërore për të mposhtur tundime më të mëdha në të ardhmen.
Agjërimi na Jep Fuqi Shpirtërore
Kur agjërojmë me urtësi dhe me lutje, zhvillojmë besimin. Me atë besim që fitojmë do të kemi fuqi më të madhe shpirtërore. Për shembull, Alma (profet i Librit të Mormonit) tregon historinë e ritakimit me bijtë e Mosias shumë vite pas kthimit të tyre të mrekullueshëm në besim. Ai ndjeu gëzim të madh kur mësoi se ata e kishin forcuar besimin e tyre dhe kishin zhvilluar fuqi më të madhe shpirtërore. Ata e kishin fituar këtë fuqi sepse “ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës” (Alma 17:3).
Bijtë e Mosias u kishin predikuar për 14 vjet lamanitëve. Duke qenë se bijtë e Mosias kishin agjëruar dhe ishin lutur, Shpirti i Zotit i bëri fjalët e tyre më të fuqishme. Kjo u dha atyre sukses të madh në punën e tyre misionare. (Shih Alma 17:4.)
Shpëtimtari u ka thënë atyre që agjërojnë në mënyrën e duhur: “Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht” (Mateu 6:18).
Si mundet agjërimi të rrisë fuqinë tonë shpirtërore për t’u rezistuar tundimeve, për të marrë zbulesë, për të bërë veprime të drejta?
Shkrime të Shenjta të Tjera
Lluka 2:37; Alma 45:1 (adhurimi i Perëndisë me anë të agjërimit)
Isaia 58:3–11 (agjërimi në mënyrën e duhur)
Mosia 27:19, 23 (agjërimi për të sëmurët)
3 Nefi 27:1–3; Eksodi 34:27–28 (agjërimi për zbulesë dhe dëshmi)
Veprat e Apostujve 13:2–3 (agjërimi për zgjedhjen e drejtuesve të Kishës)
Mosia 4:26 (mbajtja e një shlyerjeje të mëkateve tona kur ndihmojmë nevojtarët)