Libra dhe Mësime
Kapitulli 29: Ligji i Zotit për Shëndetin


Kapitulli 29

Ligji i Zotit për Shëndetin

A young girl eating an apple.

Trupat Tanë janë Tempuj të Perëndisë

Një nga bekimet e mëdha që morëm kur erdhëm në tokë ishte trupi fizik. Ne kemi nevojë për një trup fizik për t’u bërë si Ati ynë Qiellor. Trupat tanë janë kaq të rëndësishëm sa Zoti i quan ata tempuj të Perëndisë (shih 1 Korintasve 3:16–17; 6:19–20). Trupat tanë janë të shenjtë.

Duke qenë se trupat tanë janë të rëndësishëm, Ati ynë në Qiell kërkon që të kujdesemi mirë për ta. Ai e di se ne mund të jemi njerëz më të lumtur e më të mirë nëse jemi të shëndetshëm. Fryma e Shenjtë mund të jetë me ne nëse trupat e mendjet tona janë të pastra. Ati ynë e di se ne përballemi me tundime për t’i trajtuar trupat tanë në mënyrë të pamatur ose për të futur gjëra të dëmshme në ta. Për këtë arsye Ai na ka thënë se cilat gjëra janë të mira për shëndetin tonë dhe cilat janë të këqija. Shumë nga informacioni që Perëndia na ka dhënë në lidhje me një shëndet të mirë gjendet në Doktrina e Besëlidhje 89. Kjo zbulesë quhet Fjala e Urtësisë.

Ne duhet t’i bindemi Fjalës së Urtësisë që të jemi të denjë për të hyrë në tempull. Në se nuk i bindemi Fjalës së Urtësisë, Shpirti i Zotit tërhiqet prej nesh. Në qoftë se e ndyjmë “tempullin e Perëndisë”, që është trupi ynë, e dëmtojmë veten fizikisht dhe shpirtërisht.

Ne Jemi Urdhëruar të Mos Futim Disa Gjëra të Caktuara në Trupat Tanë

  • Për cilat gjëra na ka urdhëruar Zoti që mos t’i futim në trupat tanë?

Zoti na urdhëron të mos përdorim verë dhe pije të forta, domethënë pije që përmbajnë alkool. Presidencia e Parë na ka mësuar se pija e fortë shpesh sjell dhunë, varfëri, sëmundje dhe plagë në familje. Ajo shpesh është shkak i pandershmërisë, humbjes së dëlirësisë dhe humbjes së gjykimit të shëndoshë. Ajo është një mallkim për të gjithë ata që e pijnë. (Shih “Message of the First Presidency,” Improvement Era, nëntor 1942, f. 686.) Nënat shtatzëna që pijnë mund t’u shkaktojnë dëmtime fizike e mendore fëmijëve të tyre. Shumë aksidente automobilistike shkaktohen çdo vit nga njerëz që pijnë alkool.

Zoti na ka thënë se “duhani nuk është për trupin” (DeB 89:8). Ai është i dëmshëm për trupat dhe shpirtrat tanë. Ne nuk duhet të pijmë cigare ose puro, ose të përtypim duhan. Shkencëtarët kanë treguar se duhani shkakton shumë sëmundje dhe mund të dëmtojë foshnjat ende të palindura.

Zoti gjithashtu na këshillon kundër përdorimit të “pijeve të nxehta” (DeB 89:9). Udhëheqësit e Kishës kanë thënë se kjo nënkupton kafenë dhe çajin, që përmbajnë lëndë të dëmshme. Ne duhet të shmangim të gjitha pijet që përmbajnë lëndë të dëmshme.

Nuk duhet të përdorim droga përveç rasteve kur ato janë të nevojshme si medikamente. Disa droga janë edhe më të dëmshme se alkooli dhe duhani (të cilët gjithashtu janë droga). Ata që abuzojnë me drogat duhet të kërkojnë ndihmë, të luten për forcë dhe të këshillohen me peshkopin e tyre që të mund të pendohen plotësisht e të bëhen të pastër.

Ne duhet të shmangim çdo gjë që e dimë se është e dëmshme për trupat tanë. Nuk duhet të përdorim asnjë lëndë që është ves-formuese. Gjithashtu duhet të shmangim ngrënien me tepri. Fjala e Urtësisë nuk na tregon çdo gjë që duhet të shmangim apo të konsumojmë, por na jep udhëzime. Ajo është një ligj i vlefshëm fizik. Ajo gjithashtu është një ligj i madh shpirtëror. Duke e jetuar Fjalën e Urtësisë ne bëhemi më të fortë shpirtërisht. Pastrojmë trupat tanë kështu që Shpirti i Zotit të mund të banojë me ne.

  • Cilat janë disa nga gjërat që nuk përmenden veçanërisht në Fjalën e Urtësisë që duhet t’i shmangim?

Na Është Mësuar se Disa Gjëra Janë të Mira për Trupat Tanë

  • Sipas Fjalës së Urtësisë, cilat janë disa gjëra që Zoti thotë se janë të mira për ne?

Frutat, perimet dhe barërat e shëndetshme janë të mira për ne. Ne duhet t’i përdorim ato me urtësi e falënderim.

Mishi i shpendëve e i kafshëve na është dhënë gjithashtu si ushqim për ne. Megjithatë, ne duhet ta hamë mishin me masë (shih DeB 49:18; 89:12). Peshku është gjithashtu i mirë për t’u ngrënë.

Drithërat janë të shëndetshme për ne. Veçanërisht gruri është i shëndetshëm.

  • Si ju ka bekuar juve përdorimi i këtyre gjërave?

Puna, Çlodhja dhe Gjimnastika Janë të Rëndësishme

  • Ç’kanë të bëjnë puna, çlodhja dhe gjimnastika me ligjin e Zotit për shëndetin?

Përveç Doktrina e Besëlidhje 89, shkrime të tjera na tregojnë si të jemi të shëndetshëm. Ato na thonë se duhet “[të pushojmë] së qenuri përtacë; [të pushojmë] së qenuri të papastër; … [të pushojmë] së fjeturi më gjatë se ç’është e nevojshme; [të shkojmë] në shtrat herët, që të mos [jemi] të lodhur; [të ngrihemi] herët, që trupat [tanë] dhe mendjet [tona] të mund të fuqizohen” (DeB 88:124). Na është thënë gjithashtu: “Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde” (Eksodi 20:9). Zoti na këshillon të mos punojmë më tepër sesa kemi fuqi (shih DeB 10:4).

Një profet i ditëve të mëvonshme na ka thënë se duhet t’i mbajmë të shëndetshëm trupat tanë. Ai dha këshillë: “Vaktet e ushqyeshme, gjimnastika e rregullt dhe gjumi i duhur janë të domosdoshëm për një trup të fuqishëm, tamam si studimi i shkrimit të shenjtë dhe lutja vazhdimisht e forcojnë mendjen dhe shpirtin” (Thomas S. Monson, në Conference Report, tetor 1990, f. 60; ose Ensign, nëntor 1990, f. 46).

Bekimet e Premtuara për të Jetuarit sipas Ligjit të Zotit për Shëndetin

  • Cilat janë bekimet që na vijnë kur i bindemi Fjalës së Urtësisë?

Ati ynë Qiellor na ka dhënë ligjet e shëndetit për të na mësuar si të kujdesemi për trupat tanë. Shkrimet e shenjta na tregojnë rreth ligjeve të Perëndisë: “Asnjë urdhërim tokësor nuk i dhashë … , sepse urdhërimet e mia janë shpirtërore” (DeB 29:35). Kjo do të thotë se urdhërimet e Tij në lidhje me gjendjen tonë fizike janë për të mirën tonë shpirtërore.

Kur mbajmë ligjin e Zotit për shëndetin dhe u bindemi urdhërimeve të Tij të tjera, Zoti na premton të na bekojë fizikisht dhe shpirtërisht.

Fizikisht na premtohet shëndet i mirë. Si rezultat i këtij shëndeti të mirë ne “do të vrapoj[më] e nuk do të lodhe[mi], dhe do të eci[m] e nuk do të këpute[mi]” (DeB 89:20). Ky është një bekim i madh, por bekimet shpirtërore që Ai na ka premtuar janë madje edhe më të mëdha se ato fizike.

Zoti na premton se “do të gjej[më] urtësi dhe thesare të mëdha diturie, madje thesare të fshehura” (DeB 89:19). Do të na mësohen të vërteta të rëndësishme nga Fryma e Shenjtë nëpërmjet zbulesës. Presidenti Bojd K. Paker na mësoi: “Trupi ynë fizik është mjeti i shpirtit tonë. Në atë zbulesë të mrekullueshme, Fjalën e Urtësisë, na thuhet si t’i mbajmë trupat tanë të lirë nga papastërtitë që mund të mpijnë, madje të shkatërrojnë, ato ndjesi të holla fizike që kanë të bëjnë me komunikimin shpirtëror. Fjala e Urtësisë është një çelës për zbulesën vetjake” (në Conference Report, tetor 1989, f. 16; ose Ensign, nëntor 1989, f. 14).

Zoti gjithashtu na premton se engjëlli shkatërrues do të na kalojë pranë. Presidenti Hiber J. Grant tha: “Nëse ju dhe unë dëshirojmë bekimet e jetës, të shëndetit, të forcës së trupit e të mendjes; nëse dëshirojmë që engjëlli shkatërrues të kalojë pa na prekur, siç bëri në kohët e bijve të Izraelit, ne duhet t’i bindemi Fjalës së Urtësisë; atëherë Perëndia angazhohet dhe bekimet do të vijnë tek ne” (Teachings of Presidents of the Church: Heber J. Grant [2002], f. 192).

  • Si mund t’i ndihmojmë fëmijët e të rinjtë të kuptojnë domethënien e përjetshme të Fjalës së Urtësisë?

  • Çfarë mund të bëjmë që të ndihmojmë pjesëtarët e familjes apo miqtë që kanë vështirësi t’i binden Fjalës së Urtësisë?

Shkrime të Shenjta të Tjera